Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë , simpoziumin për 250-vjetorin Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Në kuadër të 250-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizoi një simpozium për të vlerësuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje dhe ndikimin e saj në zhvillimin e demokracisë, lirisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, me një fokus të veçantë te partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Aktivitetin e hapi Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili mbajti referatin me temë “Rëndësia e shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së”.

Sigal

Në fjalën e tij, Prof. Dr. Angjeli theksoi se për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë jo vetëm aleati politik strategjik më i rëndësishëm, por edhe një pikë referimi për ndërtimin e një sistemi demokratik, institucional dhe ekonomik. Ai nënvizoi se ekzistenca e shtetit shqiptar lidhet ngushtë me qëndrimin historik të Presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore, ndërsa mbështetja amerikane ka qenë vendimtare edhe në momentet kyçe të tranzicionit demokratik, në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, reformat në drejtësi dhe procesin e integrimit euroatlantik.

Prof. Angjeli u ndal gjithashtu te sfidat e botës së sotme, duke theksuar se për vende të vogla si Shqipëria, siguria nuk është vetëm çështje kapacitetesh ushtarake, por mbi të gjitha çështje aleancash strategjike dhe institucionesh të forta. Sipas tij, mbështetja amerikane për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e demokracisë përbën një garanci për zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë të vendit.

Duke iu referuar 4 Korrikut, Prof. Angjeli theksoi se kjo datë nuk përfaqëson vetëm festën kombëtare të Shteteve të Bashkuara, por edhe një moment reflektimi për të gjitha shoqëritë demokratike mbi përgjegjësinë për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe institucionet. Ai nënvizoi se vlerat e Revolucionit Amerikan mbeten edhe sot një horizont i përbashkët aspiratash për Shqipërinë dhe gjithë botën demokratike.

Më pas, Prof. Dr. Paskal Milo mbajti referatin me temë “Historiku i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, ku trajtoi zhvillimin historik të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në mbështetjen e çështjes shqiptare gjatë periudhave të ndryshme historike.

Në vijim, Prof. Dr. Arben Cici referoi mbi temën “Vizita e Presidentit George W. Bush në Shqipëri”, duke analizuar rëndësinë politike dhe diplomatike të kësaj vizite historike, e cila shënoi një moment të rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së.

Simpoziumi u përmbyll me vizitën në një ekspozitë tematike, kushtuar 250-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u ekspozuan materiale historike, fotografi dhe dokumente që pasqyrojnë historinë e demokracisë amerikane dhe marrëdhëniet e saj me Shqipërinë.