Më 1 dhjetor, nis aksioni i “rilindjes” për të nxjerrë nga ndihma ekonomike familjet që kanë… krevat!

682
Sigal

“Telegraf” e ka denoncuar qysh më 18 mars 2016 edhe kërcënimin se ata që
fshehin pajisjet para kontrollit, dënohen me burg!

 

 

Përparim HALILI

 

Çudia qëndron në faktin, që qeveria në
vend të vendosë minimumin jetik të kërkuar si emergjencë anti-varfëri me pagesë
16 mijë lekë për person, po heq edhe ndihmën ekonomike me pagesë ditore 60 lekë
për person!

 

Strukturat e “rilindjes” së shërbimit të pagesës së ndihmës ekonomike
mujore, që u jepet çdo muaj familjeve pa punë e pa të ardhura financiare, në
datën 1 dhjetor 2016 do të nisin “operacionin” shtetëror për të nxjerrë nga
listat e pagesave të kësaj ndihme financiare lëmoshë, të gjitha familjet të
cilat rezultojnë, se kanë televizor, dritare duralumini, bolier dushi, kovë,
fshesë elektrike, divane, hekur rrobash, krevat, jastëk, lugë pirunë, pjata,
tenxhere, rosa e gomerë. Sipas mendjes së ndritur të shefave dhe ekspertëve të
“rilindjes”, këto pajisje familjare, madje edhe gomari që transporton dru e ujë
që mungojnë, thuhet se “janë tregues mirëqenieje të lartë mbi nivelin e varfërisë”.
Pra, ato familje që kanë pajisje, kafshë e shpendë shtëpiake, të përcaktuara në
VKM, do të hiqen nga listë-pagesa e ndihmës ekonomike. Këtë skandal-turp, gazeta
“Telegraf” e ka denoncuar qysh në datën 18 mars 2016, duke kujtuar kërcënimin e
qeverisë në VKM, se ata që fshehin e nuk deklarojnë gjatë kontrollit pajisjet,
pulat dhe kafshët shtëpiake, do të dënohen me burg! Ky absurditet edhe komik i
“rilindjes”, që do të nisë zbatimin në datën 1 dhjetor 2016 është publikuar në “Fletore
Zyrtare” Nr. 40, datë 17 mars 2016, ligjëruar, futur në fuqi e shpallur me VKM
Nr. 197, datë 9 mars 2016! Kujtojmë, që gazeta “Telegraf” e ka denoncuar këtë
skandal social kundër familjeve të varfra qysh në datën 2 mars 2016, me
shkrimin: “Skenari qeveritar, që heq edhe 60 mijë familje nga listat e ndihmës
ekonomike!” Ky “pastrim” listash të familjeve të varfra nga pagesat e ndihmës
ekonomike ndodhi realisht. Tani po vazhdon përsëri, por me skenar tjetër, duke
hedhur në veprim një VKM sipas të cilës duhen verifikuar pajisjet jetike si
krevati, çarçafët, jastëkët, televizori, pulat, rosat, macet, legenët, lugët,
tenxheret e deri tek këpucët dhe çorapet. Qysh prej 1 dhjetorit 2016, kush
zbulohet dhe skedohet se ka të tilla, hiqet nga skema e ndihmës ekonomike! Pse?
Sepse sipas kësaj VKM-je, për të fituar të drejtën e trajtimit me ndihmë
ekonomike, janë caktuar kritere të reja, të cilat “rilindja” deklaron se i ka
caktuar BE”! Çudia qëndron në faktin, që qeveria në vend të vendosë minimumin
jetik të kërkuar si emergjencë anti-varfëri me pagesë 16 mijë lekë për person,
po heq edhe ndihmën ekonomike me pagesë ditore 60 lekë për person! 

Ja VKM Nr. 197, datë 9 mars 2016, që përcakton kriteret e
përfitimit të ndihmës ekonomike

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, pikat 1 e 6,
20, pikat 3 e 4, dhe 42 e 42/1, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për
ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të
Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Në vendimin nr.
904, datë 12.12.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat
dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Pas shkronjës “c”, të pikës 5, shtohet shkronja “ç” me këtë përmbajtje:
“ç) Formularin e verifikimit të situatës sociale-ekonomike të familjeve në
nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, dhe dy herë në vit atë të të
gjitha familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, sipas formularit bashkëlidhur
këtij vendimi.”.

2. Pas shkronjës “b”, të pikës 8, shtohet shkronja “c” me këtë përmbajtje:
“c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës
social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Zëvendëskryeministri

    Niko Peleshi