Prokuroria bllokon dosjet e tenderave në Bashkinë e Durrësit

813
Sigal

Skandali/ Abuzime në rrugën e Plazhit dhe të Portit. Ngrihen akuza për kryetarin e komisionit të tenderimit. Hetimet nga viti 2011

Prokuroria e Durrësit ka nisur prej disa ditësh hetimet pas denoncimeve të dy firmave ndërtuese “Varaku E” dhe “Curri” lidhur me abuzimet dhe shkeljet ligjore të bëra nga kryetari komisionit të tenderimit njëherësh nënkryetari Bashkisë Durrësit Xhulian Varfi. Fjala është për “shkelje ligjore dhe pabarazi në tendera”, por realisht nënkryetari i Bashkisë së Durrësit ka akuza nga disa firma ndërtuese për problematika të tjera që lidhen me marrëdhëniet mes tyre. Ndërsa ditën e djeshme, hetues të Prokurorisë së Durrësit kaun zbritur në bashki, nga ku mësohet se është zgjeruar rrethi i hetimeve me persona të tjerë të përfshirë në këtë skandal.  Burimet nga organi akuzës i thanë për “Telegraf” se “Bashkia e Durrësit dhe disa zyrtarë të saj janë nën hetim, veç denoncimeve për tenderat e rrugës së Plazhit dhe rrugës dytësore të Portit, dhe lidhur me betonizimin e qendrës së qyteti, ku një prej fushave të hetimit mbetet ndërtimi pallatit tek ish-lulishte 1 Maji, i cili ka një koeficient shfrytëzimi 100 për qind, shkelje ligjore flagrante, por edhe sipas hetimeve tona atje ka edhe ndërtim të kateve pa leje”. Burimi zyrtar nga sektori hetimit në Prokurorinë e Durrësit tha se “organi akuzës ka kërkuar ardhjen e ekspertëve të Krimeve të Rënda, të cilët do të asistojnë në fazën e parë hetimore pasi dëmi ekonomik financiar, mjedisor, dhe akuzat ndaj disa prej zyrtarëve të Bashkisë, përbëjnë vepra të rënda penale”. Realisht qytetarët e Durrësit çdo ditë denoncojnë në Prokurori dhe polici, për shkelje flagrante të firmave dhe individëve me mbështetje politike, të cilët po bllokojnë qindra e mijëra metra katrore hapësira të gjelbëruara. Sot Durrësit i janë betonizuar mbi 75 për qind të parqeve dhe lulishteve, aq sa thuhet se ky qytet nuk ka vend ku të mbjellë një pemë. Babëzia e betonizimit dhe kryesisht e qendrës, duket se nuk ndalet. Burime nga organi akuzës thanë se ‘denoncimet nga qytetarët flasin për një tjetër zhdukje të hapësirave të gjelbëruara, asaj që ndodhet vetëm 10 metra nga ALB-telekomi, e cila është piketuar të bëhet sërish pallat, duke mbyllur përjetësisht me beton qendrën e qyteti”. Hetuesit kanë disa ditë që si objektiv të punës së tyre kanë kontrollin, verifikimin dhe bllokimin e dosjeve nga Urbanistika, si dhe arkivin e tenderave për çdo investim nga buxheti shtetit apo donatorët privatë. Rruga e dytësore e Portit me vlerë 2.7 miliardë dhe ajo e Plazhit ku veç për korsinë e bicikletave kërkohen 1.6 miliardë lekë nga buxheti shtetit, mbeten sinjalet e para të cilat çelën hetimet për tenderat korruptivë të cilat hapen, mbyllen dhe shpallen fituesit vetëm nga një njeri i vetëm, nënkryetari Bashkisë, për të cilin thonë se “ka mik të fortë lart”. Kjo thashethemnajë, e cila ndoshta mund të jetë edhe e vërtetë, ka bërë që ky nënkryetar Bashkie që ka 7 vjet që është njëherësh edhe kryetar i komisionit të tenderimit të investimeve, të jetë gjithmonë prepotent dhe aspak zyrtar me ata që vendosin të bëhen pjesë në zbatimin e projekteve. Madje hetuesit në dëshmitë e administratorëve të firmave që kanë depozituar denoncimet e tyre ndaj zyrtarëve të Bashkisë kanë mësuar veç të tjerave edhe faktin se kryetari komisionit të tenderave zoti Varfi, në asnjë rast nuk pranonte të sqaronte zyrtarisht dhe shkresërisht ata për arsyet e skualifikimit. Prokuroria e Durrësit , edhe pak muaj më parë ka nisur një çështje penale ndaj zyrtarëve të Bashkisë, hetim i cili lidhej me tenderat e investimeve dhe tolerimi me pasojë shkeljet ligjore në disa ndërtime në zonat arkeologjike. Hetuesit gjithashtu kanë zbuluar në periferinë e Durrësit dy vende ku ishin të groposura thesare arkeologjike që i përkisnin shekullit të 2 dhe 3 p.e.s , bazilika etj. Pas dy administratorëve të firmave “Curri” dhe “Varaku E”, duket se denoncimet po shtohen në Prokurorinë e Durrësit, nga subjekte dhe individë. Akuzat kanë të bëjnë me kërkesa për ndërtim dhome, shtesë ballkoni ( të bëra prej 7-8 vitesh) e deri tek bllokimi rrugicave nga ndërtime krejtësisht të paligjshme nga “të fortët” dhe miqtë e drejtuesve të Bashkisë, të toleruar prej këtyre të fundit. Shumë shpejt pritet të ngjisin shkallët e Prokurorisë kupola drejtuese e Bashkisë, por gjithsesi hetuesit i druhen një ndërhyrje politike, e cila në rast se gjen terren, ka gjasa të zbehë rëndësinë e çështjes dhe të ulë intensitetin e punës së grupit të hetimit. I njëjti burim tha se “nga ky hetim besoj se mund të dalin në dritë shkelje skandaloze, të cilat mund të çojnë nën akuzë dhjetëra zyrtarë në rast se na lënë të qetë të punojmë”.

Prokuroria zbarkon në Bashki

Zgjerohet rrethi hetimeve qysh nga 2011. Prokuroria e Durrësit ka zgjeruar rrethin e hetimeve duke e shtrirë atë në kohë. Bëhet fjalë për hetime që do të nisin qysh nga viti 2011, duke verifikuar dhe hetuar tenderat, dhe të gjitha grafikët e investimeve nga Bashkia e Durrësit. Burimet nga kjo Bashki thanë për “Telegraf” se “dje paradite dy prokurorë kanë vajtur në Bashki dhe kanë marrë kontakte pune me drejtuesit e saj, lidhur me mbledhjen e fakteve në hetimin e nisur pas denoncimit nga dy firmat e para “Varaku E” dhe “Curri”, për pabarazi në tendera, shkelje ligjore, dhe abuzime , akuza të cilat administratorët e dy firmave kanë ngritur për kryetarin e komisionit të tenderave nënkryetarin e Bashkisë zotin Varfi dhe zyrtarë të tjerë të atij institucioni. Nga ana e tyre dy administratorët e firmave kanë dorëzuar këto ditë në Prokurorinë e Durrësit edhe biseda të incizuara dhe meteriale të tjera filmike, që kompromentojnë dhe rëndojnë akuzat e ngritura ndaj personave të denoncuar. Fakti është se, ka vite që Bashkia e Durrësit dhe komisioni tenderimit bashkë me kryetarin e saj, akuzohen për shkelje flagrante të ligjit, presione ndaj firmave dhe abuzime me detyrën, duke sjellë pasoja të pariparueshme në cilësinë e investimeve në qytetin bregdetar, nga përzgjedhja e klientëve të tyre. Mjafton të marrim si shembull bulevardin kryesor apo siç quhet ndryshe rruga “Tregtare”, e cila ka mbi 5 vjet që arnohet, shtrohet, lyhet e suvatohet, duke harxhuar para të pamotivuara dhe të pajustifikuara ligjërisht. Apo rruga e Plazhit, rruga e Currilave, rrugët e lagjeve dhe sistemi ndriçimit në qytet, mirëmbajtja e shëtitores “Taulantia” etj. Prokuroria e Durrësit ka çfarë të hetojë e zbulojë mjafton të ketë motivimin e duhur dhe vendosmërinë për të zbuluar dhe ndëshkuar sipas ligjit personat përgjegjës që kanë abuzuar dhe janë bërë pashallarë me fondet e shtetit dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë. Shumë shpejt Prokuroria do të nisë fletë-thirrjet e para për personat e denoncuar, si pjesë e hetimit i cili ka gjasa ti japë goditjen e parë sistemit të korrupsionit në institucionet e shtetit.