Evdal Nuri: Emigracioni, histori dhe realitet….!

Evdal Nuri

Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, emigrimi mori karakter politik. Qeveria shqiptare iu kundërvu me forcë dhe me të gjitha mjetet ndëshkuese. Sot duket si krijohen faktorë që e nxisin. “Në vitin 2100 do të jemi pleqtë e Ballkanit!”

Rastësisht më ra në dorë dhe e lexova me interes librin e njohur “Studime shqiptare” të albanologut gjerman të shekullit XIX, Georg von Hahn, i njohur për kontributin e tij në themelimin e albanologjisë moderne.Në këtë shkrim po sjell disa përshkrime dhe mendime të shprehura prej tij për shqiptarët dhe, më pas, po ndalem te emigracioni shqiptar gjatë diktaturës dhe në periudhën e demokracisë. Hahni i përshkruan shqiptarët me simpati, por flet edhe për varfërinë, vështirësitë e jetës dhe për njerëzit që detyrohen të largohen nga vendi.

Historia

Sigal

Hahni shkruan se bujqësia gjendej në një shkallë primitive.Mbjellja e bimëve ushqimore për bagëtinë ishte shumë e kufizuar. Bagëtia e imët kulloste gjatë gjithë vitit jashtë, ndërsa bagëtia e trashë ushqehej në stallë vetëm për një periudhë të shkurtër. Popullsia që punonte tokat e pakta dhe bujqësia formonin një tërësi ku çdo gjë ishte e lidhur ngushtë me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, çdo përmirësim haste pengesa të mëdha, të cilat nuk mund të kapërceheshin nga një person i vetëm, por vetëm nga nevoja dhe uria. Sipas tij, për sa kohë shqiptari do të kishte mundësi të shkonte në kurbet për të fituar bukën e gojës, nuk mund të pritej një përmirësim i madh i bujqësisë shqiptare.
Edhe gjendja shëndetësore e popullsisë ishte e rëndë. Vlora kishte marrë namin e keq si një çerdhe etheje dhe konsiderohej një nga zonat më të pashëndetshme. Për Myzeqenë, Hahni theksonte se banorët e saj nuk vuanin vetëm nga sëmundjet që shkaktonte ajri i keq. Ai përshkruante fytyrat e zverdhura nga ethet, nënat e dobësuara dhe vështirësitë për të lindur fëmijë të shëndetshëm. Ai theksonte gjithashtu pamjaftueshmërinë e burimeve të vendit për të mbajtur një popullsi të madhe, duke e parë këtë si një nga arsyet që e detyronte shqiptarin të kërkonte fatin e tij diku tjetër në botë. Shqiptarët, sipas Hahnit, shquheshin edhe në zejtari. Ata punonin së bashku, udhëtonin në grupe nën drejtimin e një mjeshtri të vjetër dhe transportonin materialet e nevojshme me kafshë. Thuhej se numri i zejtarëve epirotas që punonin në Stamboll dhe rrethinat e tij arrinte në rreth 6 mijë. Shqiptarët, sipas tij, ishin të zotë edhe në ndërtimin e anijeve dhe si marinarë. Ata shkonin në kurbet grupe-grupe dhe gratë zakonisht nuk i merrnin me vete. Ndonjëherë qëndronin vite me radhë larg vendit. Epiroti, përgjithësisht, përshkruhej si i zoti i punës dhe kursimtar. Në kurbet arrinte të krijonte pasuri të mjaftueshme për të mbajtur familjen e tij, ndaj në fshatrat e tyre shiheshin shtëpi të ngjashme me ato të qytetit dhe banorët ishin të veshur me stofra fabrike shumëngjyrëshe. Hahni nxjerr në pah edhe një tipar interesant të shqiptarëve që punonin në emigracion: lidhjen e fortë me vendin e tyre. Shumë burra vdisnin në kurbet, ndërsa zakoni kërkonte që ceremonitë mortore të zhvilloheshin në vendin e tyre. Sipas Hahnit, kjo ishte një shenjë e dashurisë së madhe që shqiptari kishte për atdheun. Hahni e shikonte me keqardhje gjendjen shpeshherë të mjerë të shqiptarëve dhe përpiqej të shpjegonte edhe arsyet e prapambetjes së vendit. Ndër arsyet që ai përmendte ishte fakti se shqiptari nuk kishte mundur të kapërcente rrethin e ngushtë të fisit dhe të shkëputej nga një gjendje ku sundonin ligji i forcës dhe hakmarrjes. Sipas tij, mungesa e ndërveprimit me popuj të tjerë dhe e ndikimeve të jashtme kulturore kishte penguar zhvillimin në faza më të larta të qytetërimit.

Një realitet i dëshpëruar, emigracioni në diktaturë, 1944–1990

Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, emigrimi mori karakter politik. Qeveria shqiptare iu kundërvu me forcë dhe me të gjitha mjetet ndëshkuese, duke vendosur masa të rrepta politike dhe ligjore dhe duke e cilësuar largimin nga vendi si tradhti ndaj atdheut dhe krim. Gjatë 45 viteve pati disa qindra raste të largimit nga vendi. Shqipëria ishte e rrethuar me tela me gjemba. Shumica e atyre që tentonin të largoheshin kapeshin në kufi. Ata që arrinin të largoheshin, shpesh linin pas familjet dhe të afërmit, të cilët internoheshin në zona të ndryshme dhe detyroheshin të kryenin punë të vështira. Këto masa drastike e kufizuan në maksimum emigracionin.

Emigracioni masiv në demokraci

Periudha postkomuniste u karakterizua nga një valë e madhe emigracioni. Ajo filloi që në ditët e para të korrikut të vitit 1991, kur mbi 5 mijë persona hynë në ambasadat e Italisë, Gjermanisë dhe Francës për t’u larguar nga vendi. Flukset emigruese të viteve 1991–1992 ishin kryesisht të pakontrolluara. Në periudhën 1992–1996, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë u larguan nga atdheu, duke përdorur rrugë dhe mjete të ndryshme. Një nga arsyet kryesore ishte papunësia. Mbi 350 fabrika dhe uzina u shkatërruan. Unë jam dëshmitar i shkatërrimit të kombinatit në Berat, ku edhe dyert e klasave u vodhën. Makineritë u dërguan për skrap. Pasuria kombëtare u shkatërrua ose u përvetësua në mënyrë të padrejtë nga individë të veçantë. Kolegu Hysen Guri, me të drejtë, arsyetonte: “Nga pasuria kombëtare, për 45 vite punë, të më takonin ‘tre arka shkumsi’, do t’i pranoja, nëse do të ishte e drejtë!” Në vitin 1997, disa faktorë të kombinuar, si papunësia, pasiguria, varfëria dhe përkeqësimi i përgjithshëm ekonomik, bënë që rreth 100 mijë njerëz të largoheshin brenda pak muajsh.

Sipas regjistrimit të popullsisë të kryer nga INSTAT, në vitin 2001 popullsia shqiptare ishte 3,07 milionë banorë. Nëse nuk do të kishte pasur migracion, kjo shifër do të ishte rreth 3,78 milionë.
Edhe në vitet e fundit emigracioni ka vazhduar. Sipas shifrave të cituara në këtë shkrim, gjatë dhjetë viteve të fundit janë larguar mbi 600 mijë persona. Më 1 janar 2023, popullsia e Shqipërisë rezultonte 2.761.785 banorë. Nga Shqipëria po largohen kryesisht të rinjtë, ndërsa si rrjedhojë po pakësohen edhe lindjet. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti lindën vetëm rreth 10 mijë fëmijë, ndërsa rreth 23 mijë persona dolën në pension. Ikja e grupmoshës riprodhuese, si dhe ndryshimi i stilit të jetesës, kanë bërë që lindjet të bien ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella demografike në historinë e saj moderne
.
Shifrat e fundit të vitit 2025, të cituara në këtë analizë, tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të lindjeve krahasuar me fillimin e viteve ’90, kur Shqipëria regjistronte rreth 82 mijë lindje, ndërsa 35 vite më vonë numri ka zbritur në rreth 21 mijë lindje. Një nga faktorët kryesorë të kësaj dukurie lidhet me largimin e të rinjve. Grupi kryesor i emigrantëve është ai i moshës 25–29 vjeç, me mbi 6 mijë persona, ose 14,3 për qind të totalit. Pas tyre vijnë të rinjtë e moshës 30–34 vjeç, me rreth 13 për qind të totalit. Një dukuri e fortë është edhe largimi i familjeve të reja me fëmijë të vegjël. Grupmosha nën 15 vjeç përbën gati 18 për qind të të larguarve. Kudo sheh të moshuar të kërrusur ose me shkop në dorë. Disa prej tyre, me çanta të rënda, shoqërojnë nipër e mbesa për në shkollë.

Po kush do të mbetet?

“Në vitin 2100 do të jemi pleqtë e Ballkanit!” Në Evropë jetojnë dhe punojnë rreth 1,1 milion emigrantë shqiptarë me leje të rregullta qëndrimi. Vetëm stoku i lejeve aktive të qëndrimit për shtetasit shqiptarë brenda Bashkimit Evropian arrin në rreth 875 mijë dhe kjo shifër vazhdon të rritet me valët e reja të emigracionit. Në nivel global, diaspora shqiptare llogaritet në mbi 2,2 milionë persona. Dy destinacionet kryesore historike mbeten Italia dhe Greqia. Në Itali jetojnë mbi 460 mijë shqiptarë, ndërsa në Greqi numërohen mbi 430 mijë. Ndërkohë, Shqipëria po përballet me një tjetër dukuri: nevojën për fuqi punëtore të huaj. Mësova se në një firmë të sektorit të aluminit në Durrës punojnë rreth 60 shtetas indianë. Firma u siguron fjetjen dhe drekën. Paga e përmendur është 500 lekë, ndërsa kërkohet fuqi punëtore shqiptare. Dikur kam shkruar: “Punë s’ka, punë ka, punë s’duan.” Tani duket sikur situata është përmbysur: “Punë ka, punë s’duan!”. Kudo shikon kafene të mbushura, ndërsa bizneset ankohen për mungesë punëtorësh. Aktualisht, në Shqipëri jetojnë rreth 27 mijë të huaj, ndërsa mbi 23 mijë prej tyre janë shtetas të Indisë, Egjiptit dhe Filipineve. Emigracioni i shqiptarëve vazhdon të mbetet një dukuri e rëndësishme demografike, duke sjellë një humbje të vazhdueshme të popullsisë. Kjo është gjendja, nëse nuk kam harruar ndonjë tjetër…