Prof. Dr. Xhevdet Zekaj: Një lexim i miqësores me ‘Uellsin’ dhe disa absurde shqiptare

496
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga ajo që pamë dje në fushë, dukej më tepër se miqësore. ‘Uellsi’ e kishte test gjeneral para ndeshjes së parë në Europian, ndërsa kuqezinjtë donin të tregonin veten në funksion të kualifikueseve të shtatorit. Një pjesë e parë mjaft e mirë e tanëve, me shpirt gare dhe dëshirë të madhe për t’iu imponuar kundërshtarit.  Pjesa e dytë, anoi më tepër nga uellsianët, që falë ndryshimit të skemës dhe shtimit të një sulmuesi më tepër e spostuan lojën në gjysmëfushën tonë. Barazimi, edhe pse nuk ka shumë vlerë në miqësore, ishte pozitiv për Shqipërinë, në planin psikologjik, edhe pse duket absurd si rezultat, pa goditur asnjëherë në kuadratin e kundërshtarit. Kjo ishte pika më e dobët e kuqezinjve në miqësoren e djeshme.

MBROJTJA – Për t’u nënvizuar forma solide e mbrojtjes, e konsoliduar tashmë me treshen e Serie A, Gjimshiti-Kumbulla-Ismajli. Po t’iu shtosh atyre edhe Hysajn apo Ajetin, ky repart është për t’u pasur zili jo vetëm në emra, por edhe produkt. Meritë e shkollës italiane, besoj, ku luajnë lojtarët në fjalë, por edhe e trajnerit Reja. Një siguri për disa vite e kombëtares, që duhet të përmirësohet në reparte të tjera. Sidomos në sulm, ku lojtarët shënojnë pak.

SULMI – Manaj përpiqet shumë, hahet edhe me veten, jo më me kundërshtarët, por i mungon finalizimi. Dje pati rastin ideal për të realizuar, por e dërgoi topin për “laraska”, siç themi në gjuhën popullore. Trajneri Reja tha se është fat që e kemi si sulmues, por po nuk shënove, të tjerat shumëzohen me zero. Sulmuesi matet me gola, mbi të gjitha, ndryshe përfundon në stol. Ky kut matës ekziston në skuadrat e gjithë botës, ndaj sulmuesit kuqezinj duhet të jenë të shqetësuar, të mos ndihen të paprekshëm në formacion. Për Balajn nuk po themi shumë, sepse e shoh në perëndim të karrierës me kombëtaren.

BROJA – Dhe meqë jemi te sulmi, nuk mund të rri pa evidentuar një fakt absurd: kthimin e Armando Brojës te ‘Shpresat’. Logjika e gjërave e do që lojtarët të evidentohen tek ‘U-21’ dhe të kalojnë në kombëtaren e madhe, jo anasjelltas. Të ishte një apo dy ndeshje vendimtare, ku varej fati i kualifikimit të kuqezinjve të Alban Bushit në një Europian, edhe justifikohet. Por, t’i heqësh të drejtën një sulmuesi si Broja, të luajë në dy miqësore mjaft të rëndësishme si ajo me ‘Uellsin’ dhe Republikën Çeke, për të fituar ndaj ‘Andorrës’ me ‘U-21’, nuk ka ku rri. Nuk duhet të ketë më dyshime askush, se Broja është sulmuesi kryesor i kombëtares për dekadën e ardhshme. Këtë e kanë thënë emra të njohur të trajningut, edhe jashtë vendit. Atë po e kthen te ‘Chelsea’, Tuchel, që sapo fitoi Ligën e Kampionëve, sepse sheh potencial të madh te shkodrani. Ndërsa Reja “xhiron bosh”, duke e “huazuar” te Bushi. Dhe për çfarë? Për të mposhtur ‘Andorrën’! ‘Shpresat’ kanë mision kryesor të nxjerrin lojtarë për kombëtaren e madhe, jo t’i marrin mbrapsht prej saj.  Një analogji, ndoshta e tepruar, por duhet të funksionojë te kombëtarja. ‘Interi’, kampion i Italisë, funksionoi tërësisht rreth Lukakut. Edhe loja e kombëtares sonë duhet orientuar rreth një sulmuesi kryesor, Broja. Të tjerët kanë pasur kohë ta dëshmojnë veten, por kanë përfunduar në skuadra të dorës së dytë dhe të tretë. Pra, në miqësore, kur ke shanse të eksperimentosh dhe kolaudosh lojën dhe grupin, Broja nuk duhet diskutuar në sulmin kuqezi. Një lojtar i ‘Chelsea’ nuk mund të degdiset te ‘Shpresat’, sepse Bushi do kështu për ndonjë rezultat pozitiv të momentit, sa për emrin e tij. Shqipëria nuk e ka këtë luks, duke parë sulmuesit e tjerë, që nuk goditën dot një herë të vetme në portën e ‘Uellsit’.

REJA – A ka sy Reja ta shohë sprintin e frikshëm të Brojës në rastin e golit ndaj ‘Andorrës’, që la tre kundërshtarë pas dhe shënoi?! Ja ku e ka elementin e duhur për kundërsulmin, meqë vërejti dje se, vuajti në daljen e shpejtë përpara. Por, ku je pa plan B, kështu ndodh. Trajneri i ‘Uellsit’, duke parë bllokimin e të tijve në pjesën e parë, ndryshoi skemë dhe na u imponua në të dytën. Ndërsa Reja vazhdoi me të tijën, besnik i patundur i 3-5-2, sikur gjërat shkonin mirë, edhe keq.

SELMANI – Dje pamë dy “debutues”. Në portë e nisi si titullar Selmani, ndërsa në rolin e kapitenit ishte Abrashi. Që të dy meritojnë notën 10. Abrashi është “mushkëria” e kombëtares sonë. Jam i sigurt se grinta e djeshme e kuqezinjve, deri nga gjysma e dytë e pjesës së dytë, kur ra në sy lodhja fizike, ishte frymëzim i kapitenit. Ai është një lider i vërtetë, flet me shembullin personal në fushë, ndaj ka gjithçka, edhe pjekurinë e moshën, për të qenë dhe kapiten i parë. Sa për Selmanin, ai nuk mund të quhet zbulim, siç tha Reja pas barazimit me ‘Uellsin’. Potenciali i tij ka bërë “muuuu” te ‘LaçI’ dhe ‘Shpresat’ për disa vite, tashmë po spikat edhe në Turqi. Vetëm trajneri ynë i kombëtares e njohu dje, e konsideroi zbulim. Cektësi profesionale, fyerje për opinionin futbollistik shqiptar…