Si u grabit dhe shkatërrua kompania gjigande që shfrytëzon pasuritë e nëntokës shqiptare

348
Sigal

/Gazeta TELEGRAF 

nga Isuf Tushe, Gjeolog nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike     

 “Albpetroli” ynë dhe kompania kombëtare shtetërore “Petronas” në Malajzi

Rastësia më çoi të hedh këto rreshta, sepse një ditë në internet, më zuri syri që kompania shtetërore e naftës në Malajzi, “Petronas”, para disa ditësh festonte 45- vjetorin e krijimit të saj. Çfarë të shikoje në ato video të hedhura në internet, nga një menaxher dhe shumë punonjës të tjerë, një festë vërtetë madhështore, njerëz të gëzuar që festonin dhe reklamonin sukseset dhe arritjet e kompanisë. Më është dhënë mundësia të kryej një studim gjeologjik për këtë kompani lidhur me oil/gas shale. Ajo që më ka bërë përshtypje ishte mënyra se si menaxhonte territoret naftë dhe gaz mbajtëse në territorin e Malajzisë. “Petronasi” sot cilësohet si një nga gjigandet më të mëdhenj në industrinë e naftës në kontinentin aziatik, për nga asetet dhe rezervat hidrokarbure që zotëron, kapacitetin financiar dhe aftësitë teknologjike që ka, sukseset në kërkim-zhvillimin e vendburimeve të naftës dhe gazit, dhe fuqinë punëtore që punon për të, por mbi të gjitha këto arritje i dedikohen mënyrës së drejtimit, organizimit dhe menaxhimit të filialeve të tij brenda dhe jashtë territorit të Malajzisë. “Petronasi”, fillimisht, është krijuar me investimin e shtetit, pra me paratë e taksapaguesve Malajzianë. Më tej është zhvilluar si një kompani me vetëfinancim, e cila i paguan të gjitha detyrimet financiare shtetit, por gjithmonë është nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e tij. Përdori gjithë arsenalin kombëtar të specialisteve dhe shkencëtarëve, por nuk ka nguruar të punësonte të tjerë nga bota e zhvilluar, të cilët i mungonin ose thjesht për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencën midis tyre, për probleme të ndryshme shkencore në fushën e hidrokarbureve dhe këtë praktike pune, ka edhe sot e kësaj dite.

” ‘Petronasi’, kompania koncensionare është thjesht një operatore, nuk bëhet kurrë pronare dhe nuk ka të drejtë të shesë këtë pasuri tek kompani të tjera”

Kullat Petronas në Malajzi

Progresi në industrinë e naftës

Rruga që “Petronasi” ka progresuar dhe arritjet e mëdha që ka në industrinë e naftës e kanë bërë atë sot shumë të fuqishëm dhe së bashku me filialet tij, është pronar dhe kujdestar i ligjshëm i gjithë aseteve dhe pasurive natyrore hidrokarbure në shtetin e Malajzisë dhe nëpërmjet një përqindje më të vogël investimi, bëhet partner me kompanitë koncensionare operatore, në vendburimet dhe sipërfaqet perspektive të kërkimit. “Petronasi” është nën një mbikëqyrje të rreptë shtetërore, por edhe ai ushtron po ashtu një kontroll akoma më të rreptë tekniko-shkencor, investues dhe financiar ndaj kompanive koncensionare.

Si e ndan fitimin me shtetin “Petronasi”

Partneriteti midis tyre, i sanksionuar me ligj në kontrata, është një arritje e madhe dhe ka dhënë rezultate të mira në menaxhimin e pasurive natyrore hidrokarbure, sepse kompanitë koncensionare operatore, për çdo projekt ose metodë që duan të aplikojnë në kërkim-zbulimin dhe në vendburime, duhet të marrin miratim dhe aprovim të plotë tek partneri i saj, “Petronasi”, pavarësisht se ky i fundit ka përqindjen më të vogël të investimit në partneritet ndaj kompanisë koncensionare. Vlera e investimit të tij përkundrejt kompanisë koncensionare shlyhet me prodhim të naftës dhe gazit. Në këtë mënyrë, “Petronasi” shtetëror, ka nën kontroll çdo gjë dhe koncensionarit i pritet rruga për abuzime. Po ashtu, nëpërmjet filialeve të tij, ai i siguron me rentë kompanive koncensionare gjithë pajisjet që atyre i nevojiten. Të dyja këto, sipas partneritetit që kanë midis tyre, ndajnë fitimin që realizohet dhe i paguajnë shtetit taksat. Në qoftë se kompania koncensionare ndërpret kontratën, sepse mund të mos ketë leverdi ekonomike ose i ndërpritet për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve kontraktuale, sipërfaqja naftëgazmbajtëse me aprovim të të dyja palëve, i kthehet “Petronasit”, i cili është pronari shtetëror i ligjshëm i kësaj pasurie natyrore. Pra, kompania koncensionare është thjesht një operatore, nuk bëhet kurrë pronare dhe nuk ka të drejtë të shesë këtë pasuri tek kompani të tjera, ashtu siç ndodh shpesh me vendburimet e naftës dhe gazit në vendin tonë, ku kompanitë koncensionare janë bërë pronare me të drejta të plota dhe shesin vendburimet tek simotrat e tyre kur nuk ju del hesapi atje ku duhet.

“Më vonë mënyrat e vjedhjes dhe korrupsionit u bënë më të sofistikuara dhe metodë pune në “Albpetrol” dhe deri në ministri dhe qeveri. Filloi dhënia e vendburimeve ekzistuese me koncesion, nëpërmjet “kontratave të famshme” tek kompanitë private me emra fantazmë”

Si lindi ‘Albpetrol’

Kjo më ringjalli kujtimet e mija dhe menjëherë mendja me shkoi tek vulëhumburi ynë, “Albpetroli” shtetëror i naftës. “Petronasi” shtetëror, jo shumë i vjetër në moshë, por vetëm rreth 15-17 vite më i vjetër nga “Albpetroli” ynë, i cili u pagëzua me këtë emër pas vitit ‘90, pa marrë parasysh që ai është trashëgimtari i ligjshëm i industrisë ekzistuese të naftës në vendin tonë, e cila e ka zanafillën e krijimit dhe historinë e zhvillimit të saj menjëherë pas luftës dytë botërore. Kështu pra, “Albpetroli” ynë nuk e nisi nga hiçi, por me mënyrën makabre si e drejtoi, e vodhi dhe vazhdon të shkatërrojë këtë industri në këto 30 vite, përfundoi tek hiçi.

Kompanitë nacionale shtetërore të hidrokarbureve ekzistojnë pothuajse në gjithë vendet e botës. Një rast tipik këtu mund të përmend Japoninë, e cila prodhon në territorin e saj, sasi shumë të vogla nafte dhe gazi, por kompania shtetërore e saj, investon dhe merr me koncesion vendburime për t’i zhvilluar dhe sipërfaqe kërkimi në shumë vende të botës, bile edhe në ato shtete, ekonomikisht, të fuqishëm siç është Lindja e Mesme. Pra, kompanitë nacionale shtetërore, janë e ardhmja e ekonomisë dhe e shtetit.

Nga eksperienca ime, duke punuar për disa kompani në vende të ndryshme të botës, kam vënë re që kompanitë nacionale shtetërore, luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm, sepse ato shërbejnë si amortizator, ku nëpërmjet tyre bëhet rregullimi i çmimeve të shitjes së karburanteve në tregun e brendshëm, në përputhje me çmimet që dikton shteti, për të zhvilluar ekonominë, për të ulur papunësinë dhe për të zbutur krizat ekonomike.

” ‘Albpetrol’, Me vendburimet e naftës dhe gazit në vendin tonë, kompanitë koncensionare janë bërë pronare me të drejta të plota dhe shesin vendburimet” 

“Albpetroli” shtetëror, në industrinë tonë të naftës dhe gazit, që në fillimet e tij, trashëgoi dhe zotëronte asete të mjaftueshme dhe një pasuri natyrore kombëtare me vlera kolosale dhe të papërsëritshme në Shqipëri dhe në shumicën e shteteve përrreth. Ai kishte pasuri vendburimet e naftës dhe të gazit të zbuluara në sipërfaqen nga qyteti i Durrësit, në Kuçovë-Fier dhe deri në Sarandë, si dhe disa sipërfaqe të reja më me perspektivë për kërkimin e hidrokarbureve në të gjithë territorin shqiptar. “Albpetroli”, si trashëgimtari i drejtpërdrejtë i Drejtorisë Përgjithshme të Naftës dhe Gazit në Shqipëri, e cila krijoi dhe përsosi dhjetëra filiale, kërkimi, prodhimi të naftës, gazit natyror, rërave bituminoze, bitumeve, uzina përpunimi, e gjeti gati të formuar brenda tij në një cikël plotësisht të mbyllur, nga kërkimi te shitja e karburanteve brenda vendit dhe deri tek eksporti i naftës bruto dhe nën produkteve të saj. Në to punonin me devotshmëri dhe sakrifica mijëra punonjës të kualifikuar, teknikë, inxhinierë dhe specialitete të tjera që studiuan në shkollat tona të naftës, në Universitetin e Tiranës, si dhe një pjesë e tyre, jashtë vendit në universitete me emër në botë. Kështu pra, “Albpetroli” u bë pronar dhe kujdestar i ligjshëm për të administruar gjithë këto asete dhe pasuri në industrinë naftës, ku çdo gjë ishte e ngritur dhe funksionale.

Zbulimet në 1990

Në zonën Jonike dhe Ultësirën Panë Adriatike ishin zbuluar dhe ndodheshin plotësisht në shfrytëzim një numër i konsiderueshëm vendburimesh nafte, gazi kondensat, gazi natyror, bitumi dhe rëra bituminoze. Për nga sasia e rezervave të zbuluara disa prej tyre renditen ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Të gjithë jemi dëshmitarë, që investimet e vazhdueshme që bëheshin në fushën e kërkim-zbulimit, zhvillimit dhe vënia e tyre në shfrytëzim të plotë, thithi djersën e popullit tonë dhe mundin e sakrificat e mëdha të punonjësve, të specialistëve dhe shkencëtarëve të industrisë naftës në dekada. Ndërkohë, të ardhurat që siguroheshin prej tyre shteti i përdorte për të zhvilluar degët e tjera të ekonomisë kombëtare, krahas investimeve për zhvillimin e vetë kësaj industrie.

“1990, Investimet e vazhdueshme që bëheshin në fushën e kërkim-zbulimit, thithën djersën e popullit tonë, të specialistëve të industrisë naftës në dekada. Ndërkohë, të ardhurat që siguroheshin prej tyre, shteti i përdorte për të zhvilluar degët e tjera të ekonomisë kombëtare”

Pas 1990, hyn në fuqi motoja “vidh, shkatërro dhe privatizo”

Me gjithë këto avantazhe, “Albpetrolit” megjithëse ju dha mundësia për të qenë e ardhmja e shtetit dhe ekonomisë tonë, nuk po del dot prej rrugës që është nisur dhe do të mbetet si një ëndërr e keqe në kujtesën e çdo naftëtari dhe në historikun e industrisë naftës në Shqipëri. Pas vitit ‘90, drejtuesit dritëshkurtër partiakë në këtë industri, për interesat e tyre, qeveritarët dhe politikanët injorantë dhe mediokër, që bënë ndryshimin e sistemit politik dhe sollën të ashtuquajturën “demokraci” dhe që kanë drejtuar këtë vend për rreth 30 vite, me vetëdije të plotë dhe me qëllime të caktuara për pasurim personal, duke përdorur teoritë djallëzore dhe famëkeqe, jashtë çdo logjike njerëzore, ‘vidh dhe shkatërro, t’ia ulim vlerën që ta privatizojmë’, ku krahas shkatërrimit total të të gjitha ndërmarrjeve dhe degëve të ekonomisë dhe të industrisë shqiptare në përgjithësi, shkatërruan edhe industrinë e naftës si dhe atë minerare në tërësi. ‘Albpetroli’, si një korporatë shumë e fuqishme në vendin tonë, që në krijimin e tij, u përdor dhe tjetërsua nga qeveritarët dhe politikanët, fillimisht djathtas dhe më vonë majtas, për t’u pasuruar vetë, njerëzit e tyre simpatizantëve më me zë të kastës politike dhe duke i hedhur ndonjë kockë grupeve shkatërrimtare të pakënaqura që i ndiqnin nga pas. Këtu janë lidhur kontrata dhe bërë marrëveshje të fshehta nga më të ndyrat që mund të ekzistojnë, në forma dhe mënyra nga më të sofistikuarat, jo në favor të shtetit dhe ekonomisë tonë, si dhe në kundërshtim të plotë me mendimet dhe idetë e specialistëve të naftës, institucioneve shkencore dhe gjithë naftëtarëve që punonin në ato filiale. Ai dhe filialet e tij u mbushën dhe u bënë strehë e politikanëve hajdutë, që e kanë drejtuar dhe drejtojnë atë, në gjithë këtë periudhë të zgjatur tranzicioni dhe, qëllimi i vetëm i tyre, ka qenë dhe është vjedhja e hapur e kësaj pasurie nën ombrellën mbrojtëse të shtetit, dhe jo zhvillimi i saj, për ta forcuar këtë corporate, me qëllim që ajo të vazhdonte të zhvillonte këto pasuri natyrore, dhe t’i vinte në shërbim të ekonomisë dhe popullit. Është e papranueshme që në një vend me kaq pasuri natyrore, siç është Shqipëria, të ulet këmbëkryq fukarallëku.    “Albpetroli” i kishte të gjitha mundësitë organizative për t’u bërë një korporatë e fuqishme shtetërore me kapital vetëfinancues. Por nuk ndodhi kështu, në gjithë këtë histori afër 30- vjeçare, drejtuesit dhe specialistët në të gjitha hallkat, duke filluar nga “Albpetroli”, filialet e tij dhe deri lartë, në Ministrinë e Energjetikës, janë zëvendësuar thjeshtë me njerëz të pakualifikuar, thjeshtë dhe vetëm se ishin militantë të partisë në pushtet, të cilët nuk kishin një ide, ose projekt-program të qartë për zhvillimin e industrisë naftës me kaq shumë pasuri natyrore nëntokësore. Kështu u arrit që të gjitha këto institucione shkencore të shkatërrohen, në mënyrë që të bëhej më lehtë korrupsion dhe të shkatërrohej kjo pasuri natyrore.

“Pas 1990 hyri në fuqi motoja “vidh, shkatërro dhe privatizo”. Janë lidhur kontrata të fshehta jo në favor të shtetit dhe ekonomisë tonë, si dhe në kundërshtim të plotë me mendimet dhe idetë e specialistëve të naftës”

Historia e vjedhjeve dhe ja, deri ku arrin korrupsioni në ambientin politik

Korrupsioni, vjedhjet dhe shkatërrimi filluan menjëherë pas viteve ‘90, ku militantë partiakë, krahas grabitjes masive të pajisjeve dhe materialeve sipërfaqësore të puseve dhe sondave të shpimit që i çonin për skrap, krijuan bizneset e tyre private për furnizimin e “Albpetrolit” dhe filialeve të tij me materiale dhe pajisje që përdorte industria naftës, pavarësisht se në magazina kishte rezerva dhe filialet, pothuajse kishin reduktuar aktivitetin e punimeve në vendburime. Vidhej naftë bruto në vendburime dhe e përpunuar, përziheshin bashkë dhe shitej në stacionet e karburanteve. “Albpetroli” filloi të lidhte kontratat e para me kompani private për shtrimin e rrugëve, të puseve, ose ndonjë punim tjetër, ku faktikisht hidhesh vetëm pak çakëll ose rërë bituminoze nga ajo e Kasnicës. Gjithë këto matrapazllëqe vjedhjesh, korrupsioni, etj., që vazhduan gjatë, bëheshin direkt në bashkëpunim me drejtues ose sekserë të “Albpetrolit” dhe filialeve të  tij, duke ndarë paratë bashkë. Shumica e materialeve dhe pajisjeve vidheshin në vendburime, në sheshet e shërbimit, në magazinat e filialeve dhe shiteshin prapë në këto filiale, nëpërmjet “Albpetrolit”. Është arritur deri aty sa, vidheshin vulfet në puset e naftës në vendburime dhe shiteshin përsëri nëpërmjet “Albpetrolit”. Pra, “Albpetroli” dhe filialet e tij, nga kujdestar dhe zot të resurseve natyrore hidrokarbure, përfundimisht humbën rolin e tyre dhe u shndërruan thjesht, në hajdutë ordinerë të kësaj pasurie.  Me vonë mënyrat e vjedhjes dhe korrupsionit u bënë më të sofistikuara dhe metodë pune në “Albpetrol” dhe deri në ministri dhe qeveri. Filloi dhënia e vendburimeve ekzistuese me koncesion, nëpërmjet “kontratave të famshme” tek kompanitë private, pa eksperiencë, pa kapital investues, me emra fantazmë ku pronarët e vërtetë nuk dihen edhe sot ose tek persona privatë, të cilët pasi siguruan pronësinë e vendburimeve nëpërmjet sekserëve që punonin në ministri, qeveri dhe “Albpetrol”, krijuan enkas kompanitë e tyre dhe sot, disa prej tyre, mbajnë fjalime të gjata për korrupsionin nëpër protesta. Këto janë histori të gjata, të dhimbshme dhe të veçanta, sepse janë krijuar dhe zbatuar vetëm në Shqipëri. Gjithë këto vjedhje dhe korrupsioni spektakolar në industrinë e naftës të krijojnë dyshime të forta se prapa këtyre kontratave të lidhura me kompanitë koncensionare, qëndrojnë politikanë të lartë dhe njerëz me pushtet. Të gjithë ne, naftëtarët, që kemi punuar dhe kontribuar në naftë, nuk kemi pse t’i festojmë përvjetorin e krijimit kësaj korporatës tonë shtetërore të hidrokarbureve, “Albpetrolit”, por me siguri duhet të përkujtojmë atë si ditën më të zezë, kur zyrtarisht ai filloi aktivitetin mbi vjedhjen, korrupsionin dhe shkatërrimin e industrisë naftës, sepse festën e krijimit të tij, duhet ta festojnë madhërishëm vetëm ata që e drejtuan atë në këto 30 vite dhe janë pasuruar mjaft mirë me resurset natyrore të tij.