Evdal Nuri: Nxënës të pamësuar, fëmijë të dhunuar

499
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Këto dy vite shkollore do të ngelen në “histori”   

I pari mbaroi para se të fillonte. U trondit me tërmetin e 23 shtatorit. U “rrëzua” me atë të 26 nëntorit, e mbaroi me Covid -19, në fillim të marsit.Vit i thënçin.  Pra, mbaroi pa filluar e të gjithë nxënësit kaluan pamësuar.  Po ky i sivjetmi? Me mangësi të mëdha. Pushime të zgjatura, orë të shkurtuara, mësimi me turne e online! Tani po i vjen fundi. Nxënësit e mësuesit shprehin në forma të ndryshme gëzimin. Nuk u mor  vesh se si dhe qysh filloi e sa shpejtë mbaroi. Kështu na thonë nxënësit, por dhe mësuesit. Më kujtohet në kohën tonë dhe një ditë të mungoje, orët do t’i zëvëndësoje ditët e tjera. Programin do ta realizoje patjetër. Tani s’merret vesh se kur u shpjegua e sa u përvetësua  nga nxënësit ? Si rrjedhojë, duke marrë parasysh që trajnimi dhe modifikimi i planeve mësimore merr kohë, orët mësimore   janë të shkurtuara. Cilësia e arsimit nuk pritet të jetë në nivelin e duhur gjatë kësaj kohe pandemie. Dihet se ai do të ishte më e lartë në prezencë  të nxënëve, sesa online, andaj për të siguruar një nivel më të lartë të cilësisë, duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet që mësimi të vazhdojë për një kohë më të gjatë në shkolla. Këtë desha të trajtoja. Për mënyrën se si u zhvilluan ky vit shkollor, orë të cunguara, tema të pashpjeguara, mungesë e kontrolleve  e  justifikuar.

Tani është fakt se pandemia po zhduket, përderisa s’kemi vdekje dhe numri i të infektuarëve  po sillet tek 10-20. Kohë shumë e përshtatshme. Në këto kushte, pse viti shkollor  të mos vazhdojë  dhe për një muaj ? Kur vjen puna për ta shkurtuar  jemi të gjithë dakort, kurse për ta zgjatur  jo ….! Mësim i rregullt në ngarkesë  do të eleminonte një pjesë të mangësive që kanë nxënësit . Mangësitë janë të mëdha e  do të ndihen në shumë vite.

Fëmijë të dhunuar

Paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre. Dhuna është gjithashtu një sulm moral dhe etik ndaj vlerave tona më të çmuara. Dhuna ndaj fëmijëve, veçanërisht dhuna seksuale, është një nga format më të këqija të abuzimit ndaj fëmijëve dhe paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre. Dhuna seksuale çon në shqetësime fizike dhe emocionale, dhe shpesh humbje të parevokueshme të dinjitetit dhe vetëbesimit.  UNICEF shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me rastet e fundit të dhunës së rëndë ndaj fëmijëve. “Dhuna ndodh në familje dhe ne nuk shohim që po ndodh dhuna. Dhuna në gjithë format e saj ndodh në dyer të mbyllura dhe në institucionet. Dhuna ndaj fëmijëve është në nivel të lartë dhe është e padukshme. Në asnjë rast në psikologji nuk është e pranueshme  dhuna te fëmijët dhe në asnjë mënyrë kjo nuk tregon rezultat, përkundrazi vetëm dëme.” Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Belgjika, mbeten vendet kryesore, ku fëmijët nga Shqipëria, trafikohen për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punë të detyruar nga rrjetet e krimit të organizuar, drogës dhe prostitucionit.

Një ditë tek fusha “Ali Demi”, prapa një shkure të dendur, pashë tre fëmijë që po pinin duhan, por ndofta e diçka më të rëndë. I pyeta se në cilën klasë ishin ? -Unë jam klasa e pestë, kurse këtë të dy klasa e gjashtë. -A e kuptoni që nuk ju bën mirë për shëndetin ?  Të gjithë e pinë,- u përgjigjën.  Raportet e disa qeverive në Bashkimin Evropian dhe të organizatave joqeveritare  ndërkombëtare, përllogarisin se mbi 5000 fëmijë nga Shqipëria janë viktima të trafikimit ndërkombëtar. Vetëm Mbretëria e Bashkuar deklaron  se, çdo vit  mbi 600 persona nga Shqipëria, janë viktima të trafikimit drejt këtij vendi, shumica  vajza. Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grupmosha 0-13 vjeç zënë  26 % të totalit . 70% e fëmijëve shqiptarë janë dhunuar në familje. Rreth 120 fëmijë raportohen çdo vit në Shqipëri të humbur dhe të zhdukur prej  familjeve të tyre. Bullizmi  është  një tjetër formë e abuzimit ndaj fëmijëve. Ajo karakterizohet me sjellje të  padëshiruara e agresive nga një fëmijë ose grup fëmijësh të cilët  nuk kanë  marrëdhënie  me viktimën. Bullizmi përfshin dëmtime të përsëritura fizike, psikologjike ose sociale, dhe shpesh ndodh në shkolla dhe mjedise të tjera ku fëmijët mblidhen, ose në internet. Është evidentuar se 1 në 5 fëmijë   në vendin tonë është pre e bullzimit.  Në Shqipëri, prevalenca e nxënësve që kanë raportuar se janë dhunuar është 19.9%, rreth 22.6% tek djemtë dhe 17.3% tek vajzat.


Varfëria detyron fëmijët të punojnë në Shqipëri.                                                                                  
Afro  50 mijë fëmijë  jo vetëm romë të moshës së mitur punojnë.  Mbi 600 fëmijë  nuk shkojnë në shkollë për arsye të gjakmarrjes! Në këtë përfundim ka dalë organizata ndërkombëtare në mbrojtje të fëmijëve “Save the Children”, e cila ka vlerësuar  aksesin e të vegjëlve në kujdesin shëndetësor, arsim dhe mbrojtje nga praktikat e dëmshme si puna, martesat dhe shtatëzanitë e hershme në 176 vende të botës, ku Shqipëria mban vendin e 61. Sipas të dhënave të Qendrës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve (CRCA), 7 përqind e fëmijëve punojnë, ndërkohë që 12 mijë kanë braktisur shkollën. Pjesa më e madhe e fëmijëve punojnë në sektorin agrar, por edhe në aktivitete rruge si, lypje apo shitje. Një pjesë punon në punë të rënda si miniera dhe ndërtim. ‘CRCA’ thotë se rreth 50 mijë fëmijë punojnë në Shqipëri, por Ministria amerikane e Punës, zyra për çështjet ndërkombëtare të së cilës ka botuar  një raport shqetësues  për punën e fëmijëve në Shqipëri . Vërehen se mungojnë të dhënat aktuale për përdorimin e fëmijëve në format më të rënda të punës. Sipas raportit, 87,5 % e fëmijëve nga mosha 5 deri 14 vjeçare, punojnë në agrikulturë,  9,6% në shërbime dhe 2,9% në industri.

Punët që kryejnë fëmijët në agrikulturë nuk janë të identifikuara ndërkohë që në shërbime ata punojnë kryesisht në shitje, larje makinash, lustrime këpucësh, punë në hotele, restorante. Në industri fëmijët punojnë në miniera, në nxjerrjen e kromit, në ndërtim, në industrinë e tekstilit, peshkim, call center. Po raporti flet për përdorimin e fëmijëve edhe në aktivitete ilegale si vjedhje, trafikim droge, përdorim si korrierë droge, dhe mbledhje e përpunim kanabisi. Qeveria shqiptare ka futur në përdorim mekanizmat institucionalë për të ndaluar punën e fëmijëve, por hendeku  ekziston në bashkëpunimin  midis Ministrisë së Financave, asaj të ekonomisë, dhe të punës, vëren raporti i sipërpërmendur. Mosha minimale në Shqipëri për punë, është 16 vjeç dhe për punë të rënda, 18 vjeç.  Qeveria shqiptare ka aprovuar ligjin për mbrojtjen e fëmijëve në punë, si dhe një listë të punëve të rënda, në të cilat ndalohet puna nën moshën 18- vjeçare, por kjo varet sa zbatohet! Edhe agjenda kombëtare për të drejtën e fëmijëve krijon një sistem për mbrojtjen nga abuzimet. Faktet tregojnë se këto kanë mbetur në letër.