Panajot Zoto: Pena e pathyer nga pesha e viteve

534
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Thoma Nika

6 qershorin, kolegu ynë i mirë, gazetari i rrahur “me vaj e me uthull” në gazetarinë e dy kohëve, Panajot Zoto, e ka të shënuar, e sivjet, edhe jubilare. Të respektosh e nderosh Panajot Zoton, është nder e respekt edhe për penën e tij të shqetësuar e të shtruar, por të panënshtruar. Është vlerësim për vlerat që ai ka dhe jep në çdo marrëdhënie: si koleg, si militues qortues në familjen politike, si një model që duhet ndjekur në familjen biologjike, si një kontributor në urtësinë qytetare që i vjen prej tij Sarandës. Gazetaria është profesioni që di të bëjë dhe që vazhdon ta bëjë prej 50 vjetësh.  Pasioni e çoi te profesioni. Ata që punuan bashkë me të në fillimet e tij, thonë se e nisi këtë punë duke bërë pa fund gabime drejtshkrimore. Por asnjëherë nuk gaboi në vëzhgimin e tij mbi fenomene të dukshme e të padukshme. Tek Panajoti gjen modelin e njeriut vullnetmirë e vullnet-hekurt, për të bërë zëdhënësin e opinionit publik.

Analizat dhe opinionet e tij në vite, kanë qenë shkas për analiza të thella e korrektime që nuk kanë munguar të vijnë.    Akoma më impresionuese është rruga e tij me gazetarinë, po ta kujtosh se pena e tij nuk ka heshtur, edhe kur kostoja e të investiguarit, ka qenë një vendim për dënim me burgun që ka vuajtur në demokraci. Akoma më i vlerësuar bëhet portreti i gazetarit Panajot Zoto, kur e mendon që pena e tij nuk ka pranuar të çlodhet për shkak të moshës, përtej limiteve të pensionimit. Tani e shohim t’u japë trajtë dhe veshje fakteve e t’u japë trajtë mendimeve e argumentave të artikujve të tij, duke lëvizur mendueshëm gishtat mbi tastierën e kompjuterit. Edhe kjo është tregues i aftësisë për të kapur kohën dhe ritmin e përparimit të teknologjisë. Kompjuteri apo telefoni, janë mjetet më të dashura të tij: i pari i instaluar në atë kënd të tij në shtëpinë modeste dhe i dyti i kthyer në një kompjuter xhepi, falë familjarizimit me teknologjinë, që është një sfidë tjetër e 8 dekadave të moshës.

Ja nisi nga çukitja mbi gërmat e makinës së shkrimit, nga teknika e radhitjes së mijëra faqeve të “Fitores”, duke i marrë një nga një në dorë miliona gërmat, për të bërë titujt dhe fjalitë e dhjetra- qindra artikujve. Më tej quhej përparim teknologjik, kur ajo që pasoi ishte teknologjia e linotypit. Edhe kjo e mundimshme dhe e paimagjinueshme sot, pasi çdo gërmë derdhej në plumb në dhomëzat me temperaturë 400 gradë të linotypit, derisa u jepej boja e zezë përsipër dhe faqoseshin e bëheshin gazetë, që të lexoheshin, tamam ashtu siç i thonë fjalës: e zeza mbi të bardhë. Nga ky realitet i djeshëm deri në erën digjitale, është një kapërcim epokash. Por Panon nuk e dëgjuam dhe nuk e pamë të thoshte: ikni ju, se nuk ju arrij dot. Jo, kush i është përkushtuar informacionit, nuk mund ta ndajë veten nga teknologjia e informacionit. E ai, gjeti vullnet për t’u përditësuar. Fillimisht duke e zënë nata para kompjuterit apo duke i shkruar për së dyti e për së treti artikuj të tërë, që harronte t’i memorizonte apo që i zhdukeshin nga lëvizjet e gabuara. Por gjithnjë plot durim, këmbëngulje e pasion, ia ka dalë. Bashëshortja, Netja, gruaja që rrezaton mirësi për këdo, është ana e padukshme, por shumë vendimtare, në ecjen dhe modelin Panajot Zoto.

Ai ka fëmijët e tij biologjikë, dashuritë e tij të mëdha. Por bashkë me fotografitë e fëmijëve, ai na vendos mbi tryezë edhe 4 librat e botuar, që gjithashtu mbajnë autorësinë e tij. Gazetar, publicist e së fundmi edhe romancier. Ditari i “Marsit të trazuar”, “Rrëmbimi”, “Inspektori K” dhe “Të jetosh me lajmin, të sakrifikohesh për të vërtetën”, janë titujt e 4 librave të tij. E blloku i gazetarit, bashkë me përjetimet e pahedhura në bllok, vazhdojnë të konvertohen në faqe librash të tjerë. Ai është minierë e kjo është koha më e mirë për të nxjerrë nga kjo minierë vagona me mineral me vlerë publike. Panajot Zoto është ai emër, i cili është anonçuar e anonçohet deri në ditët e sotme, mëngjeseve, kur në ekranet tona lexohen titujt e faqeve të para të të përditshmeve shqiptare.  Panajot Zoto mbetet një penë e maturuar, e shqetesuar, që mosha i kthehet në eksperiencë dhe eksperienca në siguri profesionale.  Ai u ndje i vlerësuar kur ishte i pari ndër kolegë, që mori “Çmimin e Karrierës Timoleo Mërtiri”, 3 vite më parë. Punoi e bëri gazetari për vite me radhë, me Timoleon, në një zyrë. Dhe me siguri që kujtoi cilësitë profesionale të mjeshtrit, kur mori Medaljonin me emrin e tij.

Panajoti është një prej 100 Ambasadorëve për Paqe që Saranda ka. Ai e ndan jetën midis Sarandës, Delvinës dhe Muzinës. Sarandës i shijon stinët dhe privilegjet që vijnë prej turizmit. I gëzohet ndryshimit, investimeve, i shijon dhe e entuziazmon piktura, gjelbërimi, bukonvilja e njohur me sinonimin “Lule Saranda”. Nga Delvina nuk i ndahet shpirti, pasi atje ka vitet e rinisë. E sa herë shkon, i duket sikur bën zbritje në moshë dhe rritje në vitalitet. Muzina është një tjetër dashuri dhe një tjetër sekret i mbajtjes së trupit në formë. Ngjitet monopatit për tek shtëpia prindërore. E, përveç që zgjon fëmijërinë e largët, flet me tokën, me pemët, me të mbjellat. Nuk flet si gazetar apo si krijues, por me vegla bujqësore: me shatin, lesën, apo me gërshërën e krasitjes.  E pret Panon të kthehet andej i lodhur, por të kundërtën konstaton. Mund të vazhdonim të tregonim gjatë për Panon tonë. Por, pas gjithçkaje që ke thënë, kujtohesh se diçka e rëndësishme dhe thelbësore ka mbetur pa thënë. Edhe sepse ai vetë vazhdon e do të vazhdojë të plotësojë portretin e tij.

Ajo që na mbetet të themi në mbyllje te këtyre radhëve, që vjijnë si tufë urimesh, është: Pano, vazhdo të sfidosh vitet dhe të na japësh modelin tend! Ne do të ndjeheshim të plotësuar, po të mundnim t’i përafroheshim asaj që ti je. E mbyllim këtë portret me formulimin që vjen edhe në emër të Unionit të Gazetarëve të Sarandës. Në grup, kolegët dhe miqtë gazetarë, i urojnë Panos të ketë shëndet të mirë, jetë të gjatë e plot vitalitet dhe penë të pathyer nga pesha e viteve!