Suplementi Pena Shqiptare/  Mimoza Çobo: Vendlindja ime nën hijen e Pompeut

Vendlindja ime, krijuar nga lënda e yjeve,
me diellin kurorë argjendi mbi krye,
me sytë, që zgjohen si yje ëndërrtar,
ah, vdekjen prej tyre, e quaj fllad ledhatar!…

Në kreshtën nga fryn veriu, mbretëron Ardenica,
manastiri i lashtë, me emër perëndie mbi plisa,
verën e dasmës së Skënderbeut, sjell në kujtime,
dhe zbret në det, lumin Seman, me brigje argjile.

NOA

Më tundon fryma e shenjtë e Tomorit, larë nga bora,
vesëhollën,që hedh mbi Myzeqen e Vogël,Sulova,
kalaja e Margëlliçit, me flladet e epokës së bronzit,
zbraz dufet e luftërave, nga lartësia, që i fali Zoti.

Më grish mjegulla, mbi vargun e kodrave nga jugu,
maja e Likovurnit, që i ngjan një ishulli parajsor,
ku asnjë stuhi, s’ka mundur t’i verë brinjëve plugun,
se mali i ”Ujkut” ka shpirt të fortë shekullor.

Nën hijen e tij, Nimfeu gurgullon prushërimet e tokës,
nimfat e orakullit turbullojnë valët e Vjosës,
magjepsëse rrjedh kënga, nga kitara e një ulliri,
hiret e Gylakesë, vishen me lastarë të hollë prilli.

Peshtani,”Bordo”e Fierit, stolisur me bistakë rrushi,
deh shpirtin e Myzeqesë, me gradacione mushti,
sorkadhet e vreshtave, me verë majhoshe te gjiri,
bëjnë perënditë e Olimpit, të luajnë nga fiqiri.

Poeti Nezim Frakulla, ngrihet nga varri në vjeshtë,
zbraz vazon e Dionisit, me raki e verë në mezhdë,
asnjë stinë s’e ka grishur muzën e tij të dielluar,
sa vjeshtrat në ”Bordo”, me gjinj të kuqëluar.

Një gurgullimë e lashtë, me regëtima kohore,
zgjon Gjon Muzakën, me ujëra gëlqero-ranore,
seç ndjen në shpirt, nga gjithë kjo mrekulli perëndie,
princi zulmëmadh te Ujvara e Hinkës psherëtin në hije.

Mbi çukën e Apolonisë ku derdh fije argjendi dielli,
oshëtin Vallja e Pirros,zbresin perënditë nga qielli,
mbi fushëtirën e Gylakesë ,kalëron gjeneral Pirro i Epirit,
në gjurmën e kalit ,eliksiri i plisit i jep jetë kallirit.

Një bari takije bardhë,i bie pipëzës,në tokën biblike,
zemra e Jakov Xoxës,rreh me ritmin e melodisë idilike,
zambaku i Adriatikut flladit sytë e etur për këtë vend,
sa shumë ka fjetur,mbi misteret e Pompeut hijerëndë…

Myzeqeja ime,me gjak kordhëtarësh në damarë,
o tokë e ëmbël dhe e kripur,të dua me dashuri të paparë,
nga dhimbjet e tua linda e frymë prej teje marrë,
ah, vdekjen prej tyre, e quaj fllad ledhatar!…