Akademia e Shkencave e Shqipërisë/ Vizitë zyrtare dyditore e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Azerbajxhan

Në datat 22–23 qershor, delegacion i kryesuar nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, i shoqëruar nga akad. Anastas Angjeli, Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe prof. asoc. dr. Elda Zotaj, përgjegjëse e Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Azerbajxhan.
Vizita u realizua me ftesë të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit (ANAS) dhe kishte për qëllim vendosjen e marrëdhënieve ndërakademike si dhe nxitjen e bashkëpunimit shkencor dhe identifikimin e mundësive të reja për zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta kërkimore në fusha me interes të ndërsjellë.
Gjatë qëndrimit në Baku, delegacioni zhvilloi një program të gjerë takimesh me drejtues të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit dhe të institucioneve të saj kërkimore. Delegacioni u njoh nga afër me organizimin institucional, prioritetet strategjike dhe veprimtarinë shkencore të ANAS-it, si dhe me punën e instituteve në varësi të saj.
Programi i vizitës dyditore nisi në Institutin e Dorëshkrimeve “Muhammad Fuzuli”, ku delegacioni u prit nga drejtori i institutit, Teymur Kerimli. Gjatë takimit u diskutuan çështje që lidhen me studimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së shkruar, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e shkencave humane dhe studimeve historike. Më pas u realizua një vizitë në godinën qendrore të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit dhe në Institutin e Letërsisë “Nizami Ganjavi”, ku delegacioni u njoh me veprimtarinë kërkimore të institutit dhe zhvilloi diskutime mbi perspektivat e bashkëpunimit në fushën e studimeve letrare, kulturore dhe historike.
Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua njohjes me veprimtarinë dhe arritjet e institucioneve shkencore të ANAS-it në fushën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale si dhe shkencave natyrore.
Gjithashtu delegacioni realizoi një vizitë në Bibliotekën Qendrore Shkencore të ANAS-it, ku u pritën nga drejtori i saj, Huseyn Huseynov. Diskutimet u përqendruan në shkëmbimin e publikimeve shkencore, digjitalizimin e fondeve dokumentare, zhvillimin e infrastrukturës së informacionit shkencor dhe promovimin e aksesit të hapur në rezultatet e kërkimit.
Një vend të veçantë në agjendën e takimeve zuri edhe vizita në Universitetin Sllav të Bakusë, ku delegacioni u prit nga rektori, prof. Anar Naghiyev. Delegacioni u njoh me punën dhe arritjet e programit të gjuhës shqipe, të hapur rishtas pranë Departamentit të Studimeve Ballkanike të këtij universiteti. Palët ranë dakord për mbështetje të ndërsjellë në forcimin e këtij programi studimi përmes shkëmbimit të specialistëve të fushës së gjuhësisë dhe të disiplinave të tjera përkatëse. Gjatë të gjitha takimeve u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërakademik si një instrument i rëndësishëm për avancimin e dijes shkencore, nxitjen e mobilitetit akademik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore. Palët shprehën gatishmërinë për të thelluar më tej marrëdhëniet institucionale dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.
Një moment i rëndësishëm i vizitës ishte nënshkrimi, më 23 qershor, i Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim Shkencor ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit.
Vizita u zhvillua në një frymë mirëkuptimi, respekti reciprok dhe vlerësimi të ndërsjellë, duke konfirmuar angazhimin e të dy institucioneve për forcimin e lidhjeve akademike dhe promovimin e bashkëpunimit shkencor në nivel ndërkombëtar.
NOA