Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Ambasadë z. Saimir Shala, Drejtor Ekzekutiv i Albanian Reisen, agjencisë më të madhe të udhëtimeve drejt Shqipërisë me qendër në Zvicër.
Gjatë takimit biseduam për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit shqiptar dhe mundësitë e bashkëpunimit për promovimin e vendit tonë në tregun zviceran. Është veçanërisht inkurajuese të shohim se interesi i turistëve zviceranë për Shqipërinë vazhdon të rritet, duke konfirmuar potencialin e jashtëzakonshëm që vendi ynë ofron si destinacion turistik.
Diskutuam gjithashtu mundësinë e organizimit të një konference të përbashkët me tour-operatorë zviceranë në Shqipëri, me synimin për të forcuar më tej lidhjet dhe bashkëpunimin në këtë sektor.
Historia e Saimirit është një dëshmi e vizionit, pasionit dhe përkushtimit. Duke lënë karrierën e tij në fushën e teknologjisë së informacionit, ai zgjodhi t’i kushtohej promovimit të Shqipërisë dhe sot ka ndërtuar një nga historitë më të suksesshme të sipërmarrjes shqiptare në Zvicër.
Mirënjohje për kontributin e tij në promovimin e Shqipërisë dhe urime për suksese të mëtejshme! 























