Eduart Sharka: Një propozim modest për organizatorët e protestës

Prej javësh, Tirana po përjeton një nga momentet më interesante të jetës publike shqiptare. Mijëra qytetarë kanë dalë në shesh për të shprehur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si është qeverisur vendi gjatë tranzicionit dhe për të kërkuar një Shqipëri më të drejtë, më demokratike dhe më funksionale.
Pavarësisht bindjeve politike, pothuajse të gjithë bien dakord për një gjë: kjo është një protestë e bukur qytetare. Në të janë bashkuar studentë, profesionistë, sipërmarrës, pedagogë, punonjës, të rinj dhe qytetarë të zakonshëm. Njerëz me ide të ndryshme, por me një shqetësim të përbashkët për të ardhmen e vendit.
Pikërisht për këtë arsye, pyetja më e rëndësishme sot nuk është se si filloi kjo protestë, por se si do të vazhdojë ajo.
Në studiot televizive dhe debatet publike dëgjohen çdo ditë propozime të ndryshme. Disa mendojnë se protesta duhet të radikalizohet. Të tjerë propozojnë krijimin e menjëhershëm të një force të re politike. Ka edhe nga ata që kërkojnë që ajo të vazhdojë në të njëjtën formë derisa të arrijë objektivat e saj.
Megjithatë, ekziston një rrezik real që nuk duhet nënvlerësuar.
Rreziku që e gjithë kjo energji pozitive qytetare të shpërndahet pa lënë pas asnjë mekanizëm të qëndrueshëm ndryshimi. Rreziku që pas disa muajsh gjithçka të kthehet në normalitetin e tranzicionit shqiptar dhe shoqëria të mbetet sërish pa një instrument efektiv kontrolli ndaj pushtetit.
Nëse kjo do të ndodhte, do të humbej ndoshta mundësia më e madhe që ka pasur shoqëria shqiptare në vitet e fundit për të rivendosur ekuilibrat demokratikë.
Në thelb, protestuesit nuk i bashkon një ideologji e vetme.
Nuk i bashkon e majta apo e djathta.
Nuk i bashkon një lider politik.
Ata i bashkon bindja se modeli politik që ka dominuar Shqipërinë gjatë 35 viteve të tranzicionit ka shteruar potencialin e tij.
Ata i bashkon bindja se korrupsioni në nivele të larta ka dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit. Se ndërthurja e politikës me interesa kriminale ka deformuar ekonominë dhe konkurrencën. Se administrata publike është përdorur për qëllime elektorale. Se ndarja midis shtetit dhe partisë është bërë gjithnjë e më e paqartë. Se sistemi zgjedhor nuk garanton përfaqësim të mjaftueshëm të qytetarëve. Se shumë të rinj nuk shohin më perspektivë në vendin e tyre.
Por protestuesit i bashkon edhe një aspiratë tjetër, ndoshta më e rëndësishmja për të ardhmen e shtetit shqiptar: ndryshimi i modelit të administratës publike.
Për shumë vite, qytetarët kanë parë të përhapen dy modele të dëmshme. Nga njëra anë, modeli i nëpunësit që e konsideron postin publik si mundësi për përfitim personal përtej pagës, përmes korrupsionit, favoreve apo ndikimit. Nga ana tjetër, modeli i militantit apo patronazhistit politik që nuk e sheh veten si shërbëtor të qytetarëve, por si shërbëtor të partisë që e ka emëruar dhe që e konsideron vendin e punës si shpërblim për shërbimin elektoral.
Asnjëri prej këtyre modeleve nuk ndërton shtet.
Protestuesit duket se kërkojnë një model tjetër.
Modelin e nëpunësit publik profesionist, të ndershëm dhe dinjitoz.
Një nëpunës që nuk hyn në administratë për t’u pasuruar, por për të jetuar normalisht me pagën e tij.
Një nëpunës që nuk i shërben partisë, por ligjit.
Që nuk i shërben shefit politik, por qytetarit.
Që e konsideron veten shërbëtor publik dhe jo pronar të institucionit ku punon.
Në fund të fundit, Republika e Re për të cilën flasin protestuesit nuk mund të ndërtohet vetëm me politikanë të rinj. Ajo do të ketë nevojë edhe për një kulturë të re të shërbimit publik, ku ndershmëria, profesionalizmi dhe meritokracia të jenë norma dhe jo përjashtimi.
Mbi të gjitha, protestuesit i bashkon dëshira për të ndërtuar një Republikë të Re.
Një republikë ku qeverisja të jetë më e mençur.
Një republikë ku shteti të punojë për shumicën dhe jo për një pakicë të privilegjuar.
Një republikë ku suksesi të vijë nga puna dhe merita dhe jo nga lidhjet politike.
Por pikërisht sepse kjo protestë përfaqëson kaq shumë identitete dhe sensibilitete të ndryshme, mendoj se do të ishte gabim që ajo të shndërrohej menjëherë në parti politike.
Partia politike kërkon uniformitet.
Kërkon program unik.
Kërkon hierarki.
Kërkon liderë.
Ndërsa forca e kësaj proteste buron pikërisht nga pluralizmi i saj.
Nga fakti që në të mund të bashkëjetojnë njerëz me bindje të ndryshme, por me një kauzë të përbashkët.
Për këtë arsye, pyetja e duhur nuk është si të krijojmë një parti të re.
Pyetja e duhur është:
Si ta shndërrojmë këtë energji qytetare në një institucion të përhershëm të demokracisë shqiptare?
Këtu dëshiroj të paraqes një propozim modest.
Organizatorët e protestës duhet të krijojnë një Forum të Sovranit.
Jo një parti.
Jo një organizatë për të marrë pushtetin.
Por një institucion qytetar të përhershëm që ka si mision mbrojtjen e interesit publik, realizimin e objektivave të protestës dhe kontrollin demokratik të pushtetit.
Objektivi i parë dhe më urgjent i këtij forumi duhet të jetë realizimi i kërkesave të protestës.
Nëse protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë, atëherë kjo duhet të jetë kërkesa kryesore dhe boshti i veprimit të forumit.
Nëse protestuesit kërkojnë reformim të sistemit politik dhe zgjedhor, atëherë forumi duhet të jetë instrumenti qytetar që mban gjallë dhe ushtron presion publik për realizimin e këtyre kërkesave.
Nëse protestuesit kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, atëherë forumi duhet të jetë garantuesi qytetar i kësaj kauze.
Prandaj, misioni i parë i Forumit të Sovranit duhet të jetë:
• realizimi i kërkesave të shpallura nga protesta;
• dorëheqja e qeverisë;
• krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme;
• reformimi i sistemit zgjedhor;
• rivendosja e besimit tek institucionet demokratike.
Megjithatë, misioni i forumit nuk duhet të përfundojë këtu.
Përkundrazi.
Nëse arrin këto objektiva, ai duhet të mbetet aktiv si një mekanizëm i përhershëm kontrolli demokratik.
Sepse problemi i Shqipërisë nuk është vetëm kjo qeveri apo kjo opozitë.
Problemi i Shqipërisë është mungesa e mekanizmave që garantojnë se çdo qeveri, e sotme apo e nesërme, mbetet nën kontrollin e qytetarëve.
Në teori, këtë rol duhet ta luajë Parlamenti.
Parlamenti ekziston pikërisht sepse qytetarët nuk mund të mblidhen çdo ditë në një kuvend të madh për të marrë vendime. Demokracia moderne është ndërtuar mbi delegimin e përkohshëm të vullnetit qytetar tek përfaqësuesit e zgjedhur.
Por sot shumë qytetarë kanë krijuar bindjen se ky mekanizëm nuk funksionon siç duhet.
Sistemi zgjedhor ka prodhuar deputetë që në shumë raste ndihen më të lidhur me kryetarët e partive sesa me qytetarët.
Pikërisht këtu lind nevoja për një instrument korrigjues të demokracisë.
Sepse asnjë qeveri nuk duhet të qeverisë katër vjet pa kontrollin aktiv të qytetarëve.
Mandati nuk është pronë e qeverisë.
Mandati është delegim i përkohshëm i sovranit.
Dhe kur institucionet nuk korrigjojnë vetveten, qytetarët kanë të drejtë dhe detyrë demokratike të organizohen për të kërkuar rivendosjen e ekuilibrave.
Në demokracitë moderne ekzistojnë modele të ngjashme.
Në vende të ndryshme evropiane janë krijuar asamble qytetare, këshilla konsultative dhe forume publike që nuk zëvendësojnë institucionet, por i ndihmojnë ato të dëgjojnë më mirë qytetarët dhe i detyrojnë të japin më shumë llogari.
Shqipëria ka nevojë për një mekanizëm të tillë.
Një Forum të Sovranit që të organizojë energjinë qytetare, të monitorojë qeverisjen, të mobilizojë qytetarët kur cënohen standardet demokratike dhe të kujtojë vazhdimisht se pushteti buron nga qytetarët dhe jo nga partitë.
Disa mund të pyesin: kush do ta bëjë gjithë këtë punë?
Përgjigjja është e thjeshtë.
Po ata njerëz që prej javësh po organizojnë protestën.
Dhe këtu duhet të jemi të sinqertë.
Ne po u kërkojmë disa qytetarëve të kryejnë vullnetarisht një punë që në një demokraci funksionale do të duhej ta kryenin institucione të tëra të financuara me fondet publike.
Po u kërkojmë të investojnë kohë, energji dhe reputacion personal.
Pa rrogë.
Pa privilegje.
Pa garanci për përfitime personale.
Ndërkohë që qindra deputetë, drejtues institucionesh, këshilltarë dhe funksionarë paguhen pikërisht për të garantuar standardet demokratike që sot qytetarët ndiejnë se mungojnë.
Prandaj askush nuk duhet t’u premtojë organizatorëve pushtet.
Askush nuk duhet t’u premtojë poste.
Askush nuk duhet t’u premtojë privilegje.
Por mund t’u thuhet e vërteta.
Se ndonjëherë historia u jep disa njerëzve mundësinë të jenë protagonistë në momente të rralla.
Se ndonjëherë breza të tërë kalojnë pa pasur mundësinë të ndikojnë realisht drejtimin e vendit.
Ndërsa ata sot e kanë këtë mundësi.
Nesër mund të jenë njerëz të tjerë në vendin e tyre.
Nesër mund të jenë të tjerë drejtuesit e forumit.
Nesër mund të jenë të tjerë përfituesit politikë të ndryshimeve.
Por nëse ata arrijnë të krijojnë një institucion qytetar që mbijeton përtej protestës, kontributi i tyre do të mbetet pjesë e historisë demokratike të Shqipërisë.
Deri më sot ata kanë treguar se dinë të organizojnë.
Kanë treguar se dinë të bashkojnë njerëz pa u premtuar pushtet.
Kanë treguar se dinë të krijojnë shpresë pa ndërtuar kult individi.
Kanë treguar se janë të gatshëm të vendosin interesin publik mbi interesin personal.
Tani përpara tyre qëndron një sfidë edhe më e madhe.
Të ndërtojnë jo vetëm një protestë.
Por një institucion.
Sepse protestat mund të ndryshojnë qeveri.
Por vetëm institucionet mund të ndryshojnë historinë.
Potrebbe essere un'immagine raffigurante una o più persone

107

25

1
NOA
” width=”18″ height=”18″ />