Lorik Cana: “Në video duken të mirë, por në fushë fitojmë ne”

434
Sigal

Kapiteni kuqezi: “Më këtë publik që kemi dhe Franca mbeti e befasuar, jo më islandezët”

Kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, është imazhi i kuqezinjve, por dhe lojtari që e kanë më shumë frikë kundërshtarët. Këtë e pohoi dhe trajneri i Islandës, suedezi Lars Lagerbak. Mesfushori i Lacios (60 ndeshje me përfaqësuesen), ashtu si trajneri De Biazi, pohoi se gjendja e përgjithshme e futbollistëve është shumë e mirë dhe në kondicion fizik të kënaqshëm.Canapranoi se, i kanë analizuar së bashku dhe me trajnerin De Biazi dy ndeshjet e Islandës, ato me Norvegjinë dhe Qipron, dhe tashmë e njohin mjaftueshëm kundërshtarin.

– Lorik, rikthehen ndeshjet e Kombëtares. Si e keni parë grupin?

– Gjendja e përgjithshme e futbollistëve më duket shumë e mirë dhe, madje, mund të them se kondicioni i tyre fizik është i kënaqshëm dhe në stërvitje e kanë treguar këtë gjë. Sigurisht, përveç disave, si Mërgimi që ka pasur probleme, apo Curri, që sapo është kthyer nga një dëmtim, të tjerët janë të gjithë në kushtet optimale. Dhe, jam i bindur se do të japim më të mirën në këtë ndeshje që na pret.

– Sa e njihni Islandën?

– Të them të drejtën këto ditë kemi nisur që ta analizojmë me video dhe ta vëzhgojmë edhe në kaseta e ndeshje që kanë bërë. Sigurisht, dikur e kemi njohur për faktin se në të kanë luajtur futbollistë të fortë si Gudjonsen, apo edhe të tjerë, por nuk është se i kemi parë rezultatet që ka arritur. I kemi parë ndeshjet që ka bërë ndaj Norvegjisë dhe Qipros dhe në të dy rastet ka zhvilluar një ndeshje të të madhe, sidomos me Norvegjinë, të cilën e mundi me meritë të plotë.

– Trajneri i Islandës, Lagerbak, mendon se ju njeh aq mirë si kundërshtar, saqë mendon se Cana është edhe pika më e fortë e Kombëtares së Shqipërisë. A është ky një kompliment për punën dhe performancat e juaja?

– Sigurisht që vlerësimi i tij më vjen mirë, pasi është një trajner që ka përvojë edhe në arenën ndërkombëtare dhe më vjen mirë që më vlerëson në këtë mënyrë. Por, forca e Shqipërisë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë ajo e një personi, pasi Shqipëria kurrë nuk ka pasur një yll, por besoj se ai ka parë më shumë rolin tim dhe lidershipin që kam brenda dhe jashtë fushe.

– Islanda ka vlerësuar faktin se, Shqipëria ka tifozë pasionantë që janë mbështetës të mëdhenj të skuadrës. Si e vlerësoni lojtarin e 12-të?

– Stadiumi ynë është një nga stadiumet më të vogla në skenën ndërkombëtare, por sa herë që Shqipëria luan bëjnë një zhurmë të jashtëzakonshme, herë 8 mijë, 10 mijë, apo 14 mijë, në varësi të kundërshtarit. Edhe kundërshtarë siFranca, apo edhe më të fortë, habiten nga ky ndikim i jashtëzakonshëm dhe po flasim për skuadra të cilat kur luajnë brenda fushës kanë mesatarisht 60 mijë tifozë në stadium. E përsëris, kjo është për t’u vlerësuar, por duhet thënë gjithashtu edhe fakti se ne sa herë që luajmë në shtëpi kemi një shtysë të madhe.

– De Biazi është shprehur se në këto dy ndeshje që kemi, do të ishte i kënaqur edhe me katër pikë. A do të ishit dhe ju i kënaqur?

– Mund të them se Shqipëria do të zbresë gjithmonë në fushë për tri pikët, kur bëhet fjalë për ndeshjet brenda fushës, ashtu si e thashë pak më sipër. Sigurisht, në letër, këto duhet të jenë gjashtë pikë, por edhe në të shkuarën kemi treguar se kemi luajtur më mirë me ekipet e mëdha dhe më pak me ekipet e ashtuquajtura të kalibrit tonë. Pra, ashtu si mund të marrim gjashtë pikë, mund të marrim edhe dy barazime, apo dy humbje.

– Le të kthehemi të flasim pak për formacionin dhe ndryshimet që mund të vijnë. Me rikthimin e Currit në qendër të mbrojtjes dhe me rikuperimin e Mavrajt pas dëmtimit, mos ka ardhur momenti që Cana të spostohet përpara, në mesfushë?

– Ky është një diskutim të cilin mund ta bëjë vetëm trajneri. Sigurisht, rikuperimi i më shumë futbollistëve. Pasuria e një Kombëtare qëndron edhe te fakti se ka shumë futbollistë në dispozicion. Eshtë kthyer Curri, të tjerë do të kthehen dhe mes tyre edhe Vangjeli, që ka qenë prej kohësh i dëmtuar. Nëse janë të gjithë në dispizicion, atëherë trajneri do ta ketë më të lehtë që të alternojë edhe formacionet dhe që të vendosë me qetësi, duke zgjedhur. Pra, jam në dispozicion të trajnerit dhe se si do të vendosë ai.