Zoto mori kredi me garant shtetin, si u hap rruga aferës 430 mln. € për 3 inceneratorët që zhvatën xhepat e të qytetarëve

159
Sigal

Zoto shpenzoi zero lekë për incineratorët, mori kredi me garant shtetin

Klodian Zoto dhe Stela Gugallja nuk kanë shpenzuar asnjë para nga buxheti i tyre për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier. Edhe pse kontrata e koncensionit për këto dy vepra publike parashikonte që të ndërtonin impiantet me fondet e tyre, në realitet Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë siguruar paratë nëpërmjet kredive të marra në banka të nivelit të dytë duke lënë si kolateral aksionet e tyre dhe kontratat konçesionare. Klodian Zoto dhe grupi i tij i biznesmenëve nuk kanë shpenzuar asnjë para nga buxheti i tyre për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier. Dokumentet zyrtare dëshmojnë se investimet janë kryer me kredi bankare, për të cilat kanë vendosur kolateral pikërisht kontratat koncensionare të nënshkruara me qeverinë shqiptare. Kontrata e koncensionit për këto dy vepra publike parashikonte që ‘Albtek Energy’ dhe ‘Integrated Technology Ëaste Treatment Fier’ të ndërtonin impiantet e përpunimit të mbetjeve me fondet e tyre. Procedurat paraprake për këto dy koncensione kanë kaluar në të gjithë filtrat qeveritarë. Në to është pranuar se kompanitë fituese kanë pasur mundësitë financiare dhe projekte konkrete.

Në realitet, grupi i biznesit të plehrave, përveçse nuk ka pasur përvojë në ofrimin e këtij shërbimi, nuk ka pasur as mundësi minimale financiare për ndërtimin e inceneratorëve.

Në 29 qershor 2015, kompania ‘Albtek Energy’, e drejtuar zyrtarisht nga Stela Gugallja, miraton vendimin për marrje kredie me një bankë të nivelit të dytë.

Sipas vendimit të kompanisë, ajo vendos si kolateral të gjithë aksionet e saj, kontratën koncensionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit të nënshkruar në dhjetor 2014, si edhe kontratën e furnizimit për impiantin e incenerimit të mbetjeve. Pra, duket qartë që ‘Albtek Energy’ ka vënë në dispozicion të bankës gjithçka që ka pasur mundësi, për të siguruar financimin e ndërtimit të impiantit të djegies së mbetjeve.

Rezultati. ‘Albtek Energy’ ka fituar kontratën koncensionare pa pasur asnjë mundësi financiare. E njëjta situatë përsëritet me kompaninë ‘Integrated Technology Ëaste Fier’.  Kompania që drejtohet në shumicë absolute nga Klodian Zoto fiton kontratën koncensionare për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier në tetor 2016.

Edhe në këtë rast, kompania merrte përsipër që të ndërtonte landfillin dhe inceneratorin me fondet e veta dhe më pas të paguhej me këste nga qeveria.

Por, kompania e Zotos nuk ka pasur mundësi financiare. Një muaj pasi nënshkruhet kontrata koncensionare, kompania private nënshkruan me një bankë të nivelit të dytë ‘Marrëveshje Siguruese’. Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, kompania e Zotos vendos peng të gjithë aksionet e saj, kontratën koncensionare dhe kontratën për blerjen e impiantit të djegies, në këmbim të një kredie bankare afatgjatë. Në të dy rastet, kompanitë e grupit Zoto nuk kanë përdorur lekë të tyre, por kanë rriskuar kontratat koncensionare. Në rast se ato do të dështonin në realizimin e projekteve, banka do të merrte kontratat koncensionare, të cilat në fakt janë pronë shtetërore.

Si iu hap rruga aferës 430 mln € për 3 inceneratorët

Skema korruptive e tre bashkive të vendit çoi në abuzimin galopant prej 430 milionë eurosh të taksave të qytetarëve shqiptarë. Fillimisht ishte bashkia e Elbasanit, e cila shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore duke i hapur rrugë ndërtimit të incineratorit të Klodian Zotos. E njëjta skemë u ndoq edhe nga Bashkia e Fierit dhe e Durrësit. Por kjo skemë korruptive nuk u fut në axhendën e Komisionit hetimor Parlamentar. Të gjithë ministrat në qeverinë e Edi Ramës e dinin ose, më së paku, duhet ta dinin, që një strukturë e quajtur Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Mbetjeve, nuk kishte tagër ligjor për të shpallur gjendjen e emergjencës mjedisore.

Në ligjin për ‘Menaxhimin e integruar të mbetjeve’, kësaj strukturë të përbërë nga zëvendës-ministra i caktohen vetëm dy kompetenca periferike- të japë mendim për Planin Kombëtar të Mbetjeve dhe t’i dorëzojë qeverisë një raport të përvitshëm mbi situatën e mbetjeve në vend. Por, qeveria Rama, me një Vendim të datës 25 Tetor 2013, i jep këtij Komiteti fuqinë për të shpallur gjendjen e emergjencës mjedisore, në kundërshtim flagrant me ligjin.

Pas kësaj shkeljeje të parë, vijoi e gjithë historia e skandalit financiar të inceneratorëve, që do t’i rëndojë buxhetit të shtetit më së paku 430 milionë euro. Komisioni Hetimor Parlamentar u fokusua kryesisht tek spektakli me shifra të përfituara nga ‘klani Zoto’, duke anashkaluar fillesën e skandalit që mban firmën e kryeministrit Edi Rama.

Në Shkurt 2014, Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Mbetjeve shpall gjendjen e emergjencës mjedisore kombëtare. Bazuar në këtë Vendim, haptazi të paligjshëm, Bashkia e Elbasanit shpalli në Shtator 2014 emergjencën mjedisore, e cila i dha udhë ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit prej kompanisë ‘Albtek Energy’, pjesë e grupit të menaxhuar nga Klodian Zoto.

Ky fakt u pranua përciptas gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët. Një vit më pas, në Tetor 2015, Këshilli Bashkiak i Fierit, me propozim të kryebashkiakut Armando Subashi, shpall gjendjen e emergjencës mjedisore. Në vendimin përkatës, këshilltarët fierakë i referohen vendimit të Komitetit Ndërministror të Menaxhimit të Mbetjeve për shpalljen e emergjencës mjedisore kombëtare.

Pas shpalljes së emergjencës, zhvillohen procedurat koncensionare, të cilat përfunduan me lidhjen e kontratës me ‘Integrated Technology Ëaste Treatment, Fier’, një kompani nën kontrollin absolut të Klodian Zotos. Në qershor 2020, është radha e Durrësit të shpallë gjendjen e emergjencës mjedisore. Edhe në këtë rast, këshilltarët bashkiakë e mbështesin vendimin e tyre në aktin e paligjshëm të Komitetit Ndërministror të Menaxhimit të Mbetjeve.

Pas shpalljes së emergjencës, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, mori lejen e Këshillit Bashkiak për të nënshkruar kontratë me kompaninë koncensionare të landfillit të Sharrës, ‘Integrated Energy BV’, e drejtuar për shumë kohë nga Klodian Zoto.