MONEYVAL 2022/ Shqipëria vijon të jetë në listën e vendeve që kanë mangësi në luftën kundër pastrimit të parave, teksa tentakulat e oligarkëve rus shtrihen te Iute Credit që po zhvat shqiptarët. Raporti thekson paratë e krimit po fshihen në kompanitë offshore. Problem mbetet futja ilegale e emigrantëve dhe keqpërdorimi i sektorit të pasurive të paluajtshme për pastrim parash e financim terrorizm
IuteCredit, tentakulë e oligarkëve rusë në Shqipëri, Rama-Xhaçka refuzojnë sanksionet kundër Putinit; Kosova e dëbon me kërkesë të SHBA
Degët e IuteCredit po mbyllen në Ballkan për shkak për përfshirjen në pastrim parash, skema piramidale dhe lidhje me oligarkët rusë. Kosova e dëboi me kërkesë të SHBA. Në Shqipëri IuteCredit vijon të lulëzojë dhe të mashtrojë. Edi Rama dhe ministrja e tij Olta Xhaçka refuzojnë zbatimin e sanksioneve të shpallura kundër Rusisë, në kuadër të bashkimit me Perëndimin kundër agresionit të Vladimir Putinit ndaj Ukrainës. Rama dhe Xhaçka ditën shpallin sanksione kundër Rusisë, ndërsa natën mbrojnë fijet e oligarkëve rusë në Tiranë, të cilët pastrojnë paratë dhe mund të zbatojnë misione sabotazhi afatgjatë përmes kapjes së tregut bankar, telekomunikacionit, bregdetit etj. Shembulli më flagrant i lojës së dyfishtë të qeverisë së Edi Ramës është piramida financiare IuteCredit, e cila është fije dhe tentakulë e oligarkëve rusë në Shqipëri. Dega e IuteCredit me administrator Akan Ajdini, e përfshirë në mashtrime kriminale dhe skema piramidale me kredi, me disa dosje penale në prokurori, është pjesë e AS IuteCredit Europe, e skeduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pastrimin e parave të oligarkëve rusë, pjesë e regjimit të Putinit.
Degët e IuteCredit në Ballkan kanë nisur të mbyllen me vendim të autoriteteve ligjzbatuese gati tre vite para se Putini të sulmonte Ukrainën, dhe në një kohë kur SHBA-BE nuk kishin përshkallëzuar sanksionet ndaj Rusisë. Banka Qendrore të Kosovës ia ka hequr licencën IuteCredit dhe e ka dëbuar nga Kosova me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të të dhënave për skemë piramidale, pastrim parash ruse, norma ekstreme interesi etj. Vendimi është marrë në kuadër të garantimit të sigurisë kombëtare të Kosovës. IuteCredit është dyshuar si një maskë e pastrimit të parave të pista që vijnë nga Estonia dhe Rusia. Ky institucion mashtrues financiar është hetuar në shumë vende për krime ekonomike, mashtrime, pastrim parash dhe i lidhur me miliarderin rus Oleg Boyko. Por, ndërsa Kosova ka marrë masa në kohë duke e mbyllur dhe dëbuar, një degë e AS IuteCredit Europe vijon të lulëzojë në Shqipëri, duke marrë në qafë dhjetëra familje. Banka e Shqipërisë, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, prokuroria, krimi ekonomik etj, ende nuk kanë marrë asnjë masë për të izoluar dhe mbyllur piramidën IuteCredit./Pamfleti

KE nuk e heq Shqipërisë nga lista gri e Pastrimit të Parave, vazhdon monitorimi
Shqipëria ka mbetur në listën e vendeve me monitorim të shtuar, të ashtuquajturën lista gri, e pastrimit të parave, edhe pas rifreskimit të fundit në mars 2022. Seanca plenare e Task Forcës për Veprim Financiar (FAFT), një mekanizëm i Komisionit Europian për parandalimin e pastrimit të parave, në fillim të marsit la në listë Shqipërinë, ndërsa nxori nga lista e vendeve me monitorim të shtuar Zimbabvenë ndërkohë që bëri pjesë të saj një tjetër vend siç janë Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në listën gri përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar. Shqipëria, Malta dhe Turqia janë të vetmet vende të Europës në listën gri.
Duke bashkëngjitur listën e juridiksioneve ku bën pjesë dhe vendi ynë FAFT ka nënvizuar se “juridiksionet nën monitorim të shtuar po punojnë në mënyrë aktive për të adresuar mangësitë strategjike në regjimet e tyre për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit. Kur FATF vendos një juridiksion nën monitorim të shtuar, kjo do të thotë se vendi është angazhuar të zgjidhë me shpejtësi mangësitë strategjike të identifikuara brenda afateve kohore të dakordësuara dhe i nënshtrohet kontrolleve shtesë. Në përputhje me procedurat fleksibël të miratuara në shkurt 2021 për të lejuar FATF të vazhdojë programin e saj të monitorimit në dritën e pandemisë COVID-19, FATF ka përditësuar deklaratat e saj për vendet në shqyrtim”.
Në shkurt të vitit 2020 Shqipëria u rikthye në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar. Në seancën plenare që zgjati disa ditë FAFT është ndalur tek disa nga iniciativat strategjike, që lidhen me riskun e pastrimit të parave duke vendosur të parat rregullat për të ndjekur pastrimin e parave nga pronësia përfituese apo ndryshe të njohura si kompanitë guackë. Task Forca tha se vendet do të forcojnë më shumë rregullat për të parandaluar pastrimin e parave nga grupe që fshehin paratë e pista në struktura korporatash. Një tjetër element në vëmendje ishte rritja e riskut për pastrim parash dhe financim terrorizmi nga futja ilegale e emigrantëve. E treta është një qasje e bazuar në risk sa i takon mbikëqyrjes së shit-blerjes së pasurive.“Pasuritë e paluajtshme janë një zgjedhje popullore dhe e qëndrueshme për investime. Keqbërësit që dëshirojnë të pastrojnë pasuritë e tyre të paligjshme shfrytëzojnë sektorin e pasurive të paluajtshme. Si rezultat, profesionistët e pasurive të paluajtshme kanë një rol të rëndësishëm në parandalimin e keqbërësve nga keqpërdorimi i sektorit të pasurive të paluajtshme për pastrim parash ose financim terrorizmi.
Megjithatë, aktualisht sektori i pasurive të paluajtshme në përgjithësi ka një kuptim të dobët të rreziqeve ndaj të cilave ata janë të ekspozuar, sipas rezultateve të shumicës dërrmuese të vlerësimeve të ndërsjella të raundit të katërt” thuhet në deklaratën e FAFT.
Futja në listën gri
Në shkurt të vitit 2020 Shqipëria u fut sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Sipas rekomandimeve të vitit 2020 Shqipëria duhet të punonte për të zbatuar planin e saj të veprimit, duke përfshirë:
(1) kryerjen e një analize shtesë të thelluar për të kuptuar sa duhet pastrimin e parave dhe rreziqet e tjera, dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional;
(2) përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë;
(3) krijimi i mekanizmave efektiv për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal të ekonomisë, përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme;
(4) duke siguruar që informacionet e sakta dhe të azhurnuara të pronësisë janë të disponueshme në baza në kohë;
(5) rritja e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimin e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra kallëzuesish të huaj ose pastrim parash të palëve të treta;
(6) përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të synuara, veçanërisht përmes veprimit të zgjeruar mbikëqyrës dhe afrimit të synuar, proaktiv.
Këto detyra shfaqen ende në përshkrimin që bëhet për Shqipërinë.
Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar.
FATF identifikon juridiksionet me masa të dobëta për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit (AML / CFT) në dy dokumente publike FATF që publikohen tre herë në vit. Procesi i FATF për të renditur publikisht vendet me regjime të dobëta AML / CFT ka rezultuar i efektshëm.





















