Doktori, 300 mijë lekë ryshfet, për t’i dhënë Kemp-in një të paralizuari

616
Sigal

Një tjetër rast skandali është denoncuar në shëndetësi, ku një doktor në qytetin e Gramshit merr 300 mijë lekë ryshfet për t’i dhënë Kemp-in një të paralizuari. Me zë dhe figurë, emisioni investigativ “Fiks Fare” faktoi se doktori neurolog Caush Zogu mori ryshfetin dhe i premtoi djalit të të paralizuarit se do t’i plotësonte dokumentet. I moshuari është prej 6 muajsh në gjendje të rëndë. Ai komunikon me gjeste me familjarët. Doktori neurolog i Gramshit, Caush Zogu, e pranon se pacienti është në gjendje të rëndë dhe, duke përfituar nga kjo situatë, i kërkon djalit të tij 300 mijë lekë, vetëm për të shpejtuar dokumentet në Tiranë dhe Elbasan.

Unë kam babanë të paralizuar, ka 6 muaj. E kam sjellë në spitalin e Gramshit, të gjitha ilaçet i kam blerë vetë. Nuk kam mundësi që t’i blej. Më kanë thënë që e ka goditje nga stresi. I ka kapur pjesën e djathtë të trurit. Madje, komunikon me shenja. Nuk reagon fare. E marrim me barelë që e çojmë për vizitë” thotë qytetari. Ai pohon se ka bërë dokumentet në shtator të 2018-s dhe pa mbushur muajin i erdhi përgjigje negative. “Bëra letrat me doktor Caush Zogun. Ky doktor punon në Spitalin e Gramshit, është neurolog. Filloi prapë letrat. Më kërkoi lekë. Donte 300 mijë lekë. Në atë kohë nuk kisha. Më la 2 javë kohë që ta gjeja këtë shumë. Lekët i kam marrë borxh, pasi vetë nuk kam. Unë jam i papunë, jetojmë vetëm me 48 mijë lekë të vjetra asistencë dhe 100 mijë lekë pension të babait. Po atij as për ilaçe nuk i dalin. Po buka, po gjella. Ia kam sjellë çunin për vizitë, si t’ia bëj vizitën, s’kam lekë. Ne jemi 5 vetë; unë, gruaja, dy fëmijë dhe babai” pohon qytetari.

Ai tregon vështirësitë me një baba të sëmurë. “Unë s’kam mundësi që ta bie dhe për vizitë, se rruga do 25 mijë lekë. Ambulanca për 5-6 muaj njëherë më ka ardhur. Herën e parë doktori më tha e fiton Kemp-in, dhe më tha se e ke të sigurt. Herën e parë nuk më kërkoi lekë. Herën e dytë më tha do të më ndihmosh. I thashë si është ndihma. Ma kërkoi shumën e saktë, 300 mijë lekë. Më tha se dua 300 mijë lekë se do vete në Tiranë. Unë kërkoj ndihmë. Dua të drejtën, ta di që ky e fiton këtë Kemp, se këto lekë që kam marrë borxh duhen kthyer. Unë me i kthye s’kam mundësi. Nuk janë 300 mijë, janë më shumë se 300 mijë” përfundon qytetari.

Më pas, qytetari shkon në Poliklinikë dhe bisedon me doktorin për shumën e lekëve. Doktori i thotë se me 300 mijë lekë mbaron puna dhe se babai i tij e fiton Kemp-in. Qytetari i paguan 300 mijë lekë dhe pas dhënies së lekëve, qytetari duhet të shkojë një ditë tjetër që të marrë edhe konfirmimin, nëse është pranuar apo jo Kemp-i. “E dy e gjysmë (250 mijë lekë). Edhe atë që të thashë që e kam bërë, ma uli ai mua. Nga 120, ma bëri 70. Fitova një 50-çe të atij. Kështu një 70-çe. Po më dhe një kafe mua për rrugën mirë, s’më dhe hiç” i thotë doktori qytetarit. Ky i fundit e pyet, nëse është e sigurt. “E do shqip ti tashti! Fillon që nga data që ashtu. Një, e dyta vete rreth te 400 mijë lekësh çdo muaj. Ti quhesh i siguruar” i thotë ai. Por, pavarësisht se qytetari i dha lekët për Kemp-in që meriton babai, ai u zvarrit nga doktori, pasi edhe sot e kësaj dite, babai i tij dergjet në shtrat dhe pa kurrfarë ndihme.