Flet Prof .Dr Hektor Veshi: 7 Mars! Gëzuar dhe urime gjithë mësuesve shqiptarë! Dikur ishin heronjë, sot ka rënë respekti

341
Sigal

Flet Prof .Dr Hektor Veshi: 7 Mars! Gëzuar dhe urime gjithë mësuesve shqiptarë! Dikur ishin heronjë, sot ka rënë respekti. Si u grabitën ambientet rreth shkollave dhe prishja e muzeve të shumta dhe të bukura

 

Ndërtesat e “bumit” të pas vitit 1991 bllokuan hapsirat publike, shëmtuan kryeqytetin, dëmtuan dhe ambientet rreth shkollave

7 MARS, GËZUAR  DHE URIME GJITHË MËSUESVE SHQIPTARË!

Ne i prishëm në mënyrë makabre muzetë e shumta dhe të bukura nëpër shkolla

-Në emër të Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë (ish)-

Në Tiranë, por me rrezatim në mbarë Shqipërinë e jashtë saj, ku fëmijët shqiptarë mësojnë shqip, me rastin e  7 Marsit, Ditës së mësuesit, për rreth njëzet vjet rresht, përvjetori i dritës së diturisë siç e ka përcaktuar Naimi i madh, shënohej me një veprimtari të bukur diturore e festive nga Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë. E thjeshtë ishte ceremonia: arsimtarë kryesisht pensionistë, me lule në duar e shoqen  apo shokun e rastit në krah, mblidheshin në një sallë, diku në Muzeun historik kombëtar dhe, pasi dëgjonin dy-tre tema me interes për aktualitetin e shkollës sonë- modernizimin apo probleme të saj, diskutonin lirisht, çmalleshin. I vijonin bisedat më tej rreth referimeve e halleve personale e të moshës dhe pasi lagnin pak fytin me ndonjë lëng të ambalazhuar si coca-cola etj, me nga një lule trëndafili  apo karafili në duar, dhuruar nga organizatorët, të gëzuar, shkonin me kënaqësi në shtëpi.  Ndaheshin pasi i uronin njëri ose njëra-tjetrës me urimin “Mirupafshim për 7 Marsin tjetër!”…

Ishte dëshirë e natyrshme, pasi ligjësinë e jetës me kufij (tani me covid edhe më të kërcënuar), e kishin parasysh të gjithë. Nuk bëj dot ndonjë parashtrim  me emra për sa nga ata e ato pjesmarrëse nuk e arrinin festën e vitit pasardhës. Por, me dhimbje shtrëngohem të tregoj këtu se në pak vitet e afërt që kanë kaluar, u ndanë nga jeta, njëri pas tjetrit anëtarët e kryesisë së shoqatës, Prof. Dr. Shefik Osmani, Mësues i merituar, zonja Yllka Beçi, kryetare rreth njëzet vjet, nga fillimi deri në 2018, sekretari, Prof.dr. Murat Gecaj, 2020. I pesti u largua në punë të tij. Pra mbeta vetëm unë, Hektor Veshi që: Përulem me shumë respekt para figurave të mësipërme, të cilët më befasuan vazhdimisht me përkushtimin shkencor e shoqëror në punët e shoqatës, me dashurinë ndaj shkollës sikur të ishin deri në fund të jetës në krye të detyrës fisnike shtetërore, me përpjekjet, që gjithmonë ta thoshin me gojë e me shkrim mendimin e tyre për problemet që bartte e bart ajo në edukim e arsimim. Për ta konkretizuar po përmend vetëm pak tema: Kryesinë, veçanërisht kryetaren e shqetësonin problemet e gjuhës shqipe në shkollë e jashtë saj; mandej kujdesja për figura e arritje të shënuara nga historia e shkollës shqipe, ngritja fort e lart e zërit për plagë të reja të shoqërisë e të shkollës si liberalizimi, gjakmarrja, shthurja disiplinore, mungesa e botimeve publicistike në ndihmë të punës në shkollë si ndërprerja mosbotimi i gazetës “Mësuesi”, Revistës pedagogjike, Buletinit të arsimit profesional, arsim aq i nevojshëm për nxitje e zhvillim, etj. Zëri e fjala e anëtarëve të asaj kryesie ishte ndier fuqishëm edhe jashtë, në vende ku ka shkolla e mësohet edhe shqip si vendet skandinave, Itali, Greqi, SHBA etj. Madje, nga aktivistë të shquar të shoqatës janë shkruar libra, korespondenca mbi tema me rëndësi, përveç diskutimeve si vepra 28 vëllimshe shkencore e pedagogjike e z. Vasfi Samimi (nga Prof. Murat Gecaj), mbi vlerat njohëse e përdoruese të botimit ‘Përballë gjakmarrjes”- plagë shumë e rëndë shoqërore e shfaqur edhe në shkolla, nga Ibrahim Hajdarmataj; pa bërë fjalë për dy recensa mbi këtë botim nga Prof.dr. Pajtim Bejtja, e  shkrimtari Viron Kona, etj  I sjellim faktet për të treguar  larminë e veprimtarive dhe efektivitetin e tyre.

Unë, si njëri nga anëtarët e kryesisë së shoqatës, e quaj të arsyeshme t’ju paraqes juve të dashur mësues dhe lexues të tjerë, temën e mëposhtme, si shembull  i nivelit të kumtesave në kryesinë e Shoqatës, por edhe për aktualitetin që ruan..

Ndërkohë, do t’i lutesha organeve drejtuese të arsimit të qarkut të Tiranës, të inkurajojnë ringritjen e Shoqatës së Arsimtarëve, si zë konsultativ shkencor e shoqëror me vlera të shumanshme. E, në atë kuadër do të duhej të ndihmohej me ndonjë mjedis, si për ruajtjen e dokumentacionit edhe për mbledhjet, pasi për aq vite sa fumksionoi, mjediset për mbledhjet tematike apo festive siguroheshin me qera,  para të dhuruara nga qytetarë që e vlerësonin shkollën dhe  tërë vullnetarizmin e të moshuarve, krijues e lartësues të saj.

 

*      *     *

 

Shndërrimet dhe objektet materiale si vlera edukimi

U zgjodh kjo temë për ta sjellë në auditorin e festimit të Ditës së Mësuesit, 120 vjet shkollë shqipe ( 7 mars 1887- 2007- sot 134 vjet ) në Tiranë, me nxitjen indirekte të debatit që sapo u mbyll, për fushatën e zgjedhjeve lokale dhe mbresat që na la të gjithëve ai debat ndërmjet dy kandidatëve për kryetar bashkie mbi çështjen: Si ishte dhe si u shndërrua Tirana  gjatë 6 viteve të shkuara deri në momentet që po jetojmë. Dhe brenda kësaj ideje, ne interesohemi, ç’mund të thuhet se si ishte vendi ynë më parë e shumë më parë, për të cilin janë e do të jenë të interesuar  të dinë brezat njëri pas tjetrit. Por:

Si ishte para 1990 p.sh, askush nuk tha gjë(!)

Si u bë gjatë viteve 1990 deri 2000 u fol e madje u debatua gjatë.

Kurse si është sot, u paraqit me dy pamje: e para, nuk është bërë asgjë dhe e dyta, ka shndërrime të thella që do të vazhdojnë. Si, qysh, në çfarë mase, kur…do të bëhen shndërrimet, këto mbeten t’ia lemë kohës pasi premtimet para realizimit do të kërkonin që dikur, dikush, duhet të hapë defterët  me shënime nga ato që thanë kandidatët në takime me votuesit apo u shkruan në librat përkatës të shpërndarë me rastin e zgjedhjeve.

Përse?

Arsyeja gjëndet fare lehtë: Të dy krahët ose grupet do të flisnin me hamendje pasi të dyve  do të na mungonin argumentet e mjaftueshme. Sidomos  do të na mungonin pamjet reale, veçanërisht objektetet, me  (apo pa) vlera historike  që kanë ekzistuar!

Cilat objekte materiale do të duhej të shërbenin për këtë qëllim?

Për të kaluarën relativisht të largët do të duheshin p.sh një grup ndërtesash banimi dhe pajisjet e orenditë e zbukurimit apo të përdorimit nga banorët, të blera apo të prodhuara vetë me metoda artizanale. P.sh dikur është folur gjatë për gabimin e bërë me prishjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës, kurse për koregjimin e atij gabimi, me sa dimë, nuk është folur, as nuk është bërë gjë; ose është folur e bërë fare pak pa mundur të sillet dot asnjë parafytyrim si ka qënë ai pazar.

Po periudha  gati pesëdhjetëvjeçare e shndërrimeve të ish sistemit socialist me se përfaqësohet? A mund të injorohet plotësisht ajo, sidomos në aspektin e kulturës materiale, në ndërtim objektesh, që nga ato me projekte perspektive deri te godinat e thjeshta të ngritura me kontribut vullnetar? Nuk besoj se do kundërshtonte askush në se do të ruhet me qëllim konservimi një grup banesash tipike për nga lartësia, pajisjet e brendshme standarde, por edhe ndonjëra ose disa me sistem ngrohës siç  kanë qenë p.sh banesat e një qyteze të tërë të ish kombinatit të tekstileve, që ngroheshin me avull nga TEC-i i atjeshëm. Shënojmë se në vendet e përparuara, ngrohja e banesave bëhet me avull, siç u bë atje qysh në vitet 1950-60 jo me korent, siç veprohet sot në vendin tonë!

Kështu ndofta mund të veprohej edhe me ndërtesat e bumit provizor të pas vitit 1991 deri 2000, që bllokuan hapësirat publike, shëmtuan kryeqytetin, dëmtuan rëndë infrastrukturën e tij . Rrjedhimisht sot është shumë e vështirë të normalizohen si hapsira urbane rrethinat e tij e të gjithë qyteteve kryesore të Shqipërisë.

Dhe ja, vijmë te realiteti  që kemi para syve të gjithë bashkë sot.

E shohim me sy, shkelim përditë rrugëve, lulishteve etj dhe harrojmë si ishte jo larg, por dje, pardje, kur nga dyndja e popullsisë së lirë, Tirana ishte pothuaj e bllokuar me gjithfarë monstra ndërtimesh e pajisjesh, që nga karrocat, kioskat, konteinerët, shtesat e shtëpive duke zënë rrugët e trotuaret deri te vilat e ndërtuara e të fortifikuara në pronën e tjetrit’ ku nuk mungonin edhe kafshët shtëpiake.

Ka edhe  shumë shembuj e fakte, si dëshmi e veprimeve tona, injoruese e shkatërruese, me pasoja të rënda për historinë, kulturën, ekonominë dhe edukimin, sidomos në këto dhjetë- pesëmbëdhjetë vjetët e fundit.

Gjithëçka e mbrapshtë në vendin tonë ka ndodhur se, ose është harruar historia ose në emër të ecjes drejt një të reje të ëndërruar, i kemi rrënuar me ç’kemi mundur, edhe veprave  jetësore, që përbënin pasuri kulture, fronte pune e jetese.

Dhe, alarmant qëndron edhe sot problemi: Si po mësojmë nga gabimet ne të rriturit e shkolluar ose, si po ua mësojmë të rinjve të vërtetat e historisë së afërt, por edhe asaj të largët, të popullit tonë?

 Mjerisht, përgjigja është: me llafe!

Me llafe sipas disa prirjeve e frymëzimeve klasore të shoqërive të kaluara ose partive të sotme politike.  Shumë herë, pa argumente! Pa mundësi, as për frymëzim, as për bindje e edukim për t’i  bindur të rinjtë përse duhet të qëndrojnë  e të punojnë në Shqipëri. E, të mos shkojnë  jashtë shtetit, ku  jo pak herë ballafaqohen me realitete të trishta e detyrohen ta shesin lirë krahun e punës, mendjen, dinjitetin dhe mjerisht (në disa raste, gratë e vajzat ), edhe trupin! Ja, deri këto pasoja mund të sjellë mungesa e argumentit, e  faktit apo e objektit konkret në fjalët tona si edukatorë, mësues apo prindër.

Që të parandalohen si ndërtimet edhe prishjet e objekteve, duhet të ekzistojnë dhe të implementohen ligje. Vetëm shteti ligjor dhe i drejtë harton e zbaton në jetë ligjet, duke iu sjellur vetëm dobi të gjithëve. Ai nuk mund t’iu largohet përgjegjësive.

Konceptet e qëndrimet mohuese, nihiliste të shumëçkaje që është ndërtuar e zbukuruar në të kaluarën, kanë krijuar situatën që i riu 17-18 vjeçar, i lindur vetëm një deri dy vjet para ndryshimit të sistemit shoqëror e më pas, të përfytyrojë një vend gati të shkatërruar e të braktisur,  si Iliria e dikurshme, të cilit  i mbetet të frymëzohet nga  malet ekzotike  dhe disa godina shumëkatëshe  e  rrugë (të kohës së demokracisë)  ku  vrapojnë makinat luksoze !Dhe ai bërtet: këtu nuk jetohet! Madje iu drejtohet prindërve: Çfarë kini bërë ju gjatë jetës?! A  kini dëgjuar për Evropën, për Amerikën apo për Australinë e Kanadanë e largët si janë?!!…

Të gjitha këtyre pyetjeve, reagimeve të egra apo përçmimeve për punën dhe sakrificat e brezave, do t’iu përgjigjeshin muzetë dhe objektet ose maketet e mostrat  e tyre! Tërë bota iu flet të rinjve duke e  dokumentuar me veprat e realizuara si të kaluarën, zhvillimet aktuale, përparimin e shkencës në vend. Ne i prishëm muzetë e shumta që patëm në shkolla, në rrethe, në vend që t’i pasuronim e t’i rikonceptonim sipas qëllimeve e nevojave të kohës.

Rreth  këtij problemi, po sjellim një shembull nga përvoja e huaj .

Në  Mynih të Gjermanisë p.sh kemi parë një fshat komplet gjerman të çvendosur. Çdo godinë ishte  ngritur duke zbatuar me përpikmëri origjinalin, kurse për ndonjë model të ri që do të ndërtohej, çdo trari apo dërrase i ruhej vendi, duke i shkruar me bojë numrin para çmontimit në godinën ku kishte  qenë e vendosur. “Atje” , në të njëjtin pozicion, do t’ishte edhe në godinën e re të fshatit-muze…

Kuse në një shkollë bujqësore amerikane në rrethinat e Selanikut kemi parë muzeun e veglave tradicionale të punimit të tokës dhe ato që pasonin  gjatë shekullit XX, përfshi edhe mjete të teknikës së fundit moderne  si p.sh makinën e ujitjes me vetlëvizje, tregues i evolucionit teknik dhe i mundësive të përgatitjes teknike të nxënësve. Kurse kafshët  mbarështoheshin si në ferma me teknologji moderne dhe në ferma me teknologji tradicionale, në përshtatje me kushtet e ekonomive apo rajoneve ku do të duhej të punonin nxënësit pas shkollimit.

I përmendëm këto pasi muzetë janë edhe shkolla mësimi me vlera të pafundme shkencore dhe edukative, ku  ndër të tjera, po t’i kishim ne në vendin tonë, fëmijët do të kuptonin se jo larg në kohë, fusha e Myzeqesë p.sh ka qenë kënetë, këneta më e madhe dhe vatra e malarjes që merte shumë jetë njerëzish, përveç shumë të sëmurëve fytyrëverdhë e barkfryrë nga sëmundja që u shkurtonte jetën. Prandaj përgjithësisht fshatarët e atyre zonave, barisnin andej pari vetëm mbi qerre me rrota druri të mëdha që zhyteshin thellë në baltë! Pa ditur atë fakt, i riu sot nuk ka si ta kuptojë përse na dhimbset ne të rriturve fusha e sistemuar,… e lënë djerr që po kënetëzohet përsëri, etj etj.