Këshilli i Europës “shuplakë” qeverisë: Mos u hiqni kompetenca bashkive

Ndërsa mazhoranca dhe opozita vijojnë të ndahen për reformën e re territoriale, Këshilli i Evropës kërkon që çdo vendim të mos merret me nxitim dhe pa dëgjuar qytetarët.

Në një draft-raport prej 9 faqesh për Shqipërinë, institucioni europian vlerëson se çdo ndryshim i hartës administrative duhet të mbështetet fillimisht në një analizë të plotë të reformës së vitit 2015 dhe në konsultime reale me komunitetet që preken.

Sigal

Sipas dokumentit, pushteti vendor deri tani ka pasur vetëm një rol të kufizuar në këtë proces, ndërsa ekziston rreziku që konsultimet të mbeten vetëm formale nëse reforma synohet të përfundojë brenda afateve të shpallura nga qeveria.

Raporti ngre shqetësimin se, pavarësisht diskutimeve për krijimin e bashkive më të mëdha, një pjesë e rëndësishme e shërbimeve publike vijon të kontrollohet nga pushteti qendror.

Menaxhimi i mbetjeve, furnizimi me ujë dhe arsimi përmenden si fusha ku bashkitë nuk ushtrojnë kompetenca të plota, duke kufizuar rolin e tyre në zbatimin e vendimeve të marra në qendër.

Për këtë arsye, raportuesit e Këshillit të Evropës theksojnë se dobësitë e disa bashkive nuk duhet të përdoren si argument për t’u hequr më shumë kompetenca.

Dokumenti shkon edhe më tej, duke kërkuar që reforma të mos fokusohet vetëm te numri i bashkive apo kufijtë administrativë.

Sipas raportit, duhet të rishikohet edhe roli i qarqeve, pasi në formën aktuale ato nuk i plotësojnë kriteret për t’u konsideruar njësi të mirëfillta të vetëqeverisjes vendore