Evakuohen mbi 220,000 njerëz në Francë dhe Spanjë për shkak të zjarreve

Mbi 220 mijë persona janë evakuuar në Francë dhe Spanjë për shkak të zjarreve që po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta.

Në Francë, rreth 200 mijë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre në rajonet Gironde dhe Landes.

NOA

Vetëm pranë Bordeaux, autoritetet urdhëruan evakuimin e afro 60 mijë personave, ndërsa flakët kanë përfshirë mbi 19 mijë hektarë pyje dhe kanë shkatërruar rreth 80 banesa.

Presidenti Emmanuel Macron ka mobilizuar ushtrinë dhe ka kërkuar mbështetje nga Bashkimi Evropian për përballimin e situatës.

Ndërkohë, në Spanjë, një zjarr i madh pranë Madridit është cilësuar nga autoritetet si jashtë kontrollit të zjarrfikësve.

Qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, ndërsa rreth 25 mijë persona janë evakuuar dhe afro 40 mijë të tjerë janë udhëzuar të qëndrojnë brenda banesave.

Bashkimi Evropian ka dërguar avionë dhe helikopterë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit dhe ndryshimet klimatike po rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve në Evropën Jugore.