200 VIP-at e 2018, viti i koncesioneve/ Cilat janë kompanitë më të mëdha në vend? Pse ekonomia nuk po arrin të dalë nga cikli i bizneseve tregtare dhe produktivitetit të ulët. Lista “Monitor 200” e kompanive VIP të ekonomisë shqiptare

849
Sigal

 

Në një ekonomi që pothuajse ka ngecur, risia e vetme e vitit 2018 është hyrja e kompanive koncesionare, teksa biznesi i sigurt dhe fitimprurës me shtetin (në kurriz të taksapaguesve) po bëhet më i preferuari i atyre pak sipërmarrësve që arrijnë ta sigurojnë atë. Të tjerët po “vegjetojnë” në një mjedis ekonomik me rritje të ngadaltë dhe pak premtues, ndërsa dhe projektit TAP po i vjen fundi. Edhe sipërmarrjet e ndërtimit, që lulëzuan në vitin 2017, e kishin ciklin shumë të shkurtër, duke paralajmëruar fillimin e flluskës. Cilat janë kompanitë më të mëdha në vend? Pse ekonomia nuk po arrin të dalë nga cikli i bizneseve tregtare dhe produktivitetit të ulët. Lista “Monitor 200” e kompanive VIP të ekonomisë shqiptare

 

Nga Ornela Liperi

Risk pothuajse zero, fitim i garantuar, ndoshta dhe dyshifror, për më shumë se një dekadë. Tingëllon si ideale, por në vendin më të varfër të Evropës, me konsum minimal, produktivitet të ulët, paradoksalisht mund ta gjesh. Kuptohet, ky biznes nuk është i disponueshëm për shumëkënd, por për një pakicë që arrin të garantojë një kontratë koncesionare (shumica, në mos të gjitha, “të pakërkuara”) të formës së Partneritetit Publik- Privat (PPP) me shtetin.

Risia e vetme që arritëm të gjenim në renditjen e 200 kompanive më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor për vitin 2018, një publikim që “Monitor” e bën rregullisht prej 16 vitesh (Lista “Monitor 200” e kompanive VITP të ekonomisë shqiptare), ishte hyrja e tre kompanive të reja koncesionare, “Gjoka 87”, “Albania Highway Concession” dhe “Sani Service”, me dy të fundit që raportuan norma të larta fitimi dyshifrore. Dhe ky është vetëm fillimi. Numri i kompanive koncesionare pritet të shtohet, teksa në 15 vitet e ardhshme (2019-2032), qeveria është angazhuar në projekte PPP, për të cilat do të duhet të paguajë në total 2 miliardë euro, të cilat do të vijnë nga paratë, që mbledh nga taksapaguesit.

Shteti do të garantojë në 15 vitet e ardhshme një biznes mesatar vjetor prej rreth 133 milionë eurosh, ndërsa në kahun tjetër mungon një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë. Përvoja po tregon se në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë të rriten pa kontroll (si te Milot-Balldren), apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt, madje me një normë përfitueshmërie që shumë ua kanë zili, pa marrë përsipër asnjë rrezik (si në rastin e koncesioneve në mjekësi).

Përveç koncesioneve, panorama duket e njëjtë prej vitesh. Në renditjen e më të mëdhenjve mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal. Ato vetëm faturojnë e rrisin artificialisht xhiron e ekonomisë dhe kanë një normë fitimi tepër të ulët, ndërsa përpunuesit po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt fundit të listës. Ndryshe nga rajoni, ku kryesojnë kompanitë prodhuese, kryesisht mbështetëse të industrisë automotive dhe po zhvillohet teknologjia e informacionit.

Shqipëria nuk po njeh hyrje të tilla në listën e më të mëdhenjve. Specialen e një viti më parë e titulluam “Në kurthin e ndërtimit”, teksa numri i subjekteve nga ky sektor në listë arriti në një nivel rekord, për shkak të hyrjeve të reja (40% e totalit), rritjes së kompanive ekzistuese dhe orientimit të kapitaleve të lira, kryesisht në segmentin rezidencial. Por, në një sinjal se ndërtimi nuk mund të garantojë rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë, kompanitë e sektorit rezidencial që hynë në listë vitin e kaluar, duket se kanë rënë shumë shpejt në këtë “kurth”, pasi në vitin 2018, ato kanë rezultuar mestanjacion, apo dhe rënie. E pritshme kjo, pasi një biznes nuk mund të bazohet pa fund në një kërkesë që nuk vjen natyrshëm!

200 kompanitë më të mëdha qarkulluan në vitin 2018 rreth 8.4 miliardë euro, ose rreth 65% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në raport me një vit më parë, qarkullimi i 200 VIP-ave është rritur me 9.2%. Por më shumë se një zgjerim të aktivitetit ekonomik në përgjithësi, kjo tendencë lidhet me rritjen e aktivitetit të nënkontraktorëve të TAP, që ishte në kulmin e ndërtimit, performancën e mirë të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, të ndikuar nga moti me reshje dhe shtimin e xhiros së tregtuesve të naftës, të lidhur me koniunkturën e çmimeve të karburanteve. Në fuqizim janë dhe dy grupet më të mëdha në vend “Kastrati” dhe “Balfin”, që duket se kanë krijuar ekonominë e nevojshme të shkallës, për t’u rritur në një mjedis me konsum relativisht të dobët.

Përkundrejt rritjes së të mëdhenjve, kufiri i qarkullimit vjetor i subjekteve që kanë hyrë tek 200 më të mëdhenjtë, ishte pak më i ulët se i një viti më parë, pra në renditje kanë hyrë biznese që kishin të ardhura më të ulëta se në 2017. (Sipërmarrja e klasifikuar në vendin e 200, vjet kishte 1.6 miliardë lekë të ardhura, nga 1.5 miliardë lekë, që ishte kufiri këtë vit).

Që rritja nuk ishte e qëndrueshme u konfirmua në gjysmën e parë të 2019-s, kur zgjerimi ekonomik u përgjysmua nga 4% në rreth 2%, pas përfundimit të efektit “reshje”, që uli eksportet e energjisë!

Gazsjellësi TAP ka dhënë ndikim të dukshëm në rritjen e xhiros së ekonomisë edhe në 2018-n, por efekti i tij po mbaron, teksa në vitin 2019 projekti po shkon drejt fundit. Përfundimi i TAP do të ndërpresë një nga burimet më të mëdha të rritjes ekonomike, që siç kanë paralajmëruar edhe institucionet ndërkombëtare, duhet zëvendësuar me sektorë me vlerë të shtuar të lartë. Katër kompanitë e lidhura direkt me punimet për ndërtimin e TAP (“Spiecapag–Shqipëria”, “Spiecapag Transadriatica”, “Joint Venture Renco Terna”, “Bessac”) qarkulluan së bashku rreth 73 miliardë lekë në 2018-n, me një rritje prej 47% me bazë vjetore, duke përbërë rreth 7% të totalit të qarkulluar nga 200 VIP-at, ose rreth 4.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vlera e shtuar e këtyre katër kompanive ishte sa 1.4% e PBB-së në vitin 2018.

2018-a ishte viti i fundit i aktivitetit të lojërave të fatit, pas vendimit të qeverisë për mbylljen e tyre. Likuiditetet e tyre po orientohen drejt ndërtimit.

“Monitor” ka hartuar si çdo vit renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, bazuar në listën me emra nga Tatimet dhe xhirove të deklaruara nga subjektet në bilancet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese (shih grafikun).

10 MË TË MËDHENJTË

1.“Kastrati sh.a.”

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, “Kastrati SH.A”. është renditur më e madhja në vend, sipas qarkullimit vjetor, në 2018, duke zbritur nga froni Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që prej vitesh kryesonte listën “MONITOR 200” të më të mëdhenjve të Biznesit në Shqipëri.

Ndryshe nga tre vitet e kaluara, kur të ardhurat ishin në rënie të lehtë, ato kanë kërcyer ndjeshëm në vitin 2018. Kompania raportoi 61.7 miliardë lekë qarkullim vjetor (rreth 480 milionë euro), me një rritje të fortë prej 42% në raport me vitin e kaluar, sipas të dhënave nga bilanci i saj.

Luigj Aliaj, drejtues në këtë shoqëri, si gjithnjë nuk është shumë entuziast lidhur me luhatjet e të ardhurave. Ai shton se xhiro në kompanitë e tregtimit të karburanteve nuk është shumë e rëndësishme, pasi është e varur nga çmimet e naftës. Mosfunksionimi i kompanisë prodhuese vendase ARMO, që ka kapacitete për të mbuluar 30% të kërkesës, është një tjetër arsye që ka ndikuar në rritjen e aktivitetit të “Kastratit”. Në raport me të ardhurat, fitimet mbeten minimale, në 1.7 miliardë lekë para taksave, me një normë përfitueshmërie prej 2.4% (rënie 0.3 pikë përqindje në raport me normën e vitit të kaluar).

  1. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka kaluar në sipërmarrjen e dytë më të madhe në vend për qarkullimin vjetor. Të ardhurat totale në vitin 2018 ishin 56.6 miliardë lekë (rreth 440 milionë euro), me një rënie prej 6.3% me bazë vjetore.

2018-a ishte viti i fundit i mbizotërimit të operatorit të shpërndarjes, pasi ai është ndarë tashmë në tri kompani bija të shpërndarjes, furnizimit dhe shërbimit, si një detyrim ligjor, në bazë të paketës së energjisë, por synon edhe një menaxhim më të mirë.

“Gjatë 2018-s shoqëria arriti të rikuperojë situatën e vështirë financiare, shkaktuar nga thatësira e vitit 2017, e cila detyroi OSHEE të realizojë një plan më të reduktuar investimesh krahasuar me biznes-planin 5-vjeçar”, thotë administratori i OSHEE, z. Ardian Çela.

3.“Banka Kombëtare Tregtare”

“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), që prej disa vitesh, është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat, ka vijuar të ruajë pozicionin e saj në 10 më të mëdhenjtë. Qarkullimi i saj vjetor, sipas burimeve zyrtare nga banka, ishte rreth 46.2 miliardë lekë, me një rritje prej 2% në raport me vitin e mëparshëm. Të dhënat janë të konsoliduara, së bashku me degën e Kosovës, ndërsa nga 1 janari 2019, dy filialet operojnë të ndara. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i “Bankës Kombëtare Tregtare” (BKT) është shprehur optimist në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, se banka e mbylli vitin 2018 me një fitim rekord, ndërsa treguesit financiarë vazhduan të përmirësohen.

4.“Spiecapag – Shqipëria”

“Spiecapag-Shqipëria”, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Në Shqipëri ka dy kompani, “SPIECAPAG – Shqipëria” dhe “SPIECAPAG Transadriatica”, të krijuara në vitin 2016. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag.

“SPIECAPAG – Shqipëria” ka ruajtur pozicionin e katërt në 2018-n, duke arritur një qarkullim vjetor prej 34 miliardë lekësh, me rritje 17.5% me bazë vjetore, pas zgjerimit me rreth 80% vitin e mëparshëm. Aktiviteti i saj në Shqipëri pritet të shkojë drejt fundit, teksa punimet për ndërtimin e TAP në Shqipëri thuajse kanë përfunduar.

Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, pohon se “për sa i përket ecurisë së punimeve në Shqipëri, thuajse i gjithë tubacioni është futur nën tokë. Rreth 95% e punimeve për pjesën tokësore në Shqipëri kanë përfunduar, përfshirë tubacionin në vetvete, stacionet e valvulave të bllokimit, stacionin matës dhe atë të kompresorëve, rikthimin në gjendje fillestare, daljen nga toka, etj. Këtu përfshihet edhe pjesa e punimeve për seksionin detar në ujërat shqiptare”.

5.“Bankers Petroleum”

“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos Marinzën, ka ruajtur vendin e pestë, me një zgjerim prej rreth 18%, në rreth 28 miliardë lekë. Përmirësimi i koniunkturës së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar pozitivisht për “Bankers” për të dytin vit radhazi, që vijon gjithsesi të deklarojë humbje. Presidenti i “Bankers Petroleum Albania”, Xingyun Sun, pohon se në vitin 2018, prodhimi i naftës ishte 792,000 tonë dhe shpenzimet e përgjithshme të “Bankers Petroleum Albania” rreth 195 milionë dollarë. Prej dy vitesh “Bankers” është nën kontrollin e kinezëve të “Geo-Jade Petroleum Corporation” (“Geo-Jade”), e cila bleu në shtator të 2016-s të gjitha aksionet e zakonshme të emetuara dhe në qarkullim të “Bankers Petroleum Ltd.”.

6.“Kurum Albania”

“Kurum Albania”, në vitin e tretë të ristrukturimit për efekt falimenti, ka vijuar aktivitetin me rritje. Të ardhurat e prodhuesit dhe përpunuesit të çelikut arritën në rreth 26 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 30%, që vjen pas rritjes prej 44% vitin e mëparshëm. Kompania dyfishoi fitimet në 692 milionë lekë.

Më 16 mars 2016, kompania u fut në një proces “falimenti të kontrolluar” në Gjykatën e Tiranës dhe më pas, më 15 prill, u hap procedura e falimentit për efekt ristrukturimi. Kompania parashikoi që në të ardhmen e afërt, do të kishte pamundësi për të paguar detyrimet afatshkurtra, ndaj u vendos që të kërkonte falimentimin për efekt ristrukturimi. Në 2016-n u bë verifikimi i gjendjeve financiare dhe i pretendimeve të kreditorëve, që rezultoi rreth 226 milionë euro, u negociua me kreditorët dhe në mes të vitit 2017 u miratua plani i organizimit të kompanisë që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave deri në vitin 2023 dhe u ristrukturuan kreditë.

Ky është rasti i parë në Shqipëri që ristrukturimi për efekt falimenti përfundon me sukses. Nga rezultati i shfaqur në 2018, kompania tashmë aktive si në fushën e prodhimit të energjisë, ashtu edhe në atë të prodhimit të çelikut, duket e vendosur jo keq në rrugën e kthimit në përfitueshmërinë që e ka karakterizuar prej shumë vitesh aktiviteti në vend.

Arif Shkalla, drejtor i financës i “Kurum”, pohon se edhe gjatë vitit 2018, Shoqëria vijoi me planin e miratuar të Ristrukturimit, duke përmbushur kushtet e tij, në zbatim të Vendimit të Gjykatës, datë 30.6.2017. “Gjatë këtij viti janë paguar kreditorët sipas parashikimeve në plan, duke filluar edhe pagesat e principaleve për të dyja grupet e kreditorëve, qoftë për kreditorët e siguruar, ashtu dhe për ata të pasiguruar. Sipas vlerësimeve të bëra, në total janë shlyer rreth 13 milionë euro në principale dhe rreth 3.5 milionë euro interesa ndaj kreditorëve”.

  1. SPIECAPAG Transadriatica

Sipërmarrja tjetër, “SPIECAPAG Transadriatica”, që ka si objektiv aktivitetin e ndërtimit të linjës furnizuese të gazsjellësit TAP, ka hyrë në 10 më të mëdhatë (vitin e kaluar ishte e 11). Të ardhurat e kompanisë u rritën me 44%, në 24.6 miliardë lekë.

Edhe dy kompani të tjera tek 200 më të mëdhatë janë të lidhura direkt me aktivitetin e TAP. “Joint Venture Renco Terna – dega e Shqipërisë”, kryen punime infrastrukturore për TAP dhe ka parë pothuajse katërfishim të të ardhurave në vitin 2018, për të arritur në 12 miliardë lekë (vendi i 18-të).

“Bessac” është një sipërmarrje e re, e krijuar në korrik të vitit 2017, si degë e shoqërisë së huaj franceze me të njëjtin emër, e specializuar në hapjen e mikrotuneleve dhe ka fituar kontratën me TAP për ndërtimin e mikrotunelit të Çorovodës, ku po punon me shoqërinë tjetër franceze, Spiecapag. Në vitin e parë të aktivitetit raportoi 2.6 miliardë lekë të ardhura.

8.“Genklaudis”

“Genklaudis SH.A” është renditur në vitin 2018 si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, duke ia kaluar sërish konkurrentit tjetër në të njëjtën fushë “Europetrol Durrës Albania”. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 22.8 miliardë lekësh, me një rritje 10% me bazë vjetore, ndërsa ka rezultuar me fitime minimale (normë 0.6%).

  1. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare

Prodhuesi shtetëror i energjisë kishte një aktivitet pozitiv në vitin 2018, i ndihmuar nga moti me reshje. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), rriti të ardhurat me 4%, në 18.2 miliardë lekë (përfshirë të ardhurat financiare). “Aktiviteti i shoqërisë KESH sh.a., për vitin 2018, u karakterizua nga zhvillime pozitive në pjesën më të madhe të vitit, nga ku si rezultat i kushteve të favorshme klimatike në pjesën e parë të vitit, u arrit që në fund të 2018, të prodhoheshin 5,851 GWh, ose 68.4% të prodhimit vendas, apo rreth 76% e konsumit”, pohon z. Benet Beci, administratori i shoqërisë.

  1. Europetrol Durrës Albania

“Europetrol Durrës Albania” ka zbritur në operatorin e tretë të tregtimit të naftës në vend dhe është prej disa vitesh ndër 10 më të mëdhenjtë. Ndryshe nga sipërmarrjet e tjera të karburanteve, që u rritën ndjeshëm në 2018, Europetrol raportoi rënie me 20% të të ardhurave, në 17.3 miliardë lekë.

( Vijon nesër me koncesionarët e rinj)