Prof. Dr. Kol. Elmas Leci: Rënia e Murit të Berlinit, epilogu i Luftës së Ftohtë

189
Sigal

Shqipëria dhe Lufta e Ftohtë

– Sipas NATO-s , ndërmjet viteve 1949 dhe 1961, 3 milionë qytetarë të Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) në zonën e operuar nga sovjetikët u larguan në Republikën Federale të Gjermanisë (RFGJ)

 

Nga Prof. Dr. Kol. Elmas LECI

Drejtor Ekzekutiv

Instituti i Studimit të Problemeve të Sigurisë dhe Mbrojtjes

 

Çfarë ishte Lufta e Ftohtë, kur lindi dhe sa zgjati?Origjina dhe kundërshtarët. Lufta e Ftohtë dhe rivaliteti ushtarak. Uljet e tensionit dhe Detanta. Shqipëria në kohën e Luftës së Ftohtë,marrdhëniet me ish Jugosllavinë, me ish Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën. Rivaliteti i ushtarak i superfuqive dhe militarizimi i Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë. Pas Luftae Ftohtë dheprag demokracia në Shqipëri.

Çfarë ishte Lufta e Ftohtë, kur lindi dhe sa zgjati?

Lufta e Ftohtë ishte një konflikt ideologjik midis Shteteve të Bashkuara kapitaliste dhe ish Bashkimit Sovjetik komunist dhe e aleatëve të tyre përkatës. Pavarësisht se u quajt luftë, nuk ishte një konfrontim i drejtpërdrejtë ushtarak midis dy palëve por ishte nje shtim i pa parë armatimesh.Lufta e Ftohtë është përkufizuar si një “konflikt mbi dallimet ideologjike dhe zakonisht pa ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike”. Tensionet dhe armiqësitë midis dy superfuqive Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish Bashkimit Sovjetik u luhatën përgjatë shekullit të 20-të, duke u bërë më të forta në fund të Luftës së Dytë Botërore, përpara se konflikti të pësonte ndrzshimet e fillim viteve 1990. Lufta e Ftohtë që më konkretisht nisi me Doktrinën Truman në vitin 1947, nuk ishte një luftë në kuptimin tradicional, megjithëse pati shpërthime të konflikteve të armatosura si në Vietnam, Kore etj. Sipas studiuesve nxitësi i Luftës së Ftohtë është i vështirë për t’u identifikuar, sepse konflikti doli gradualisht nga dallimet ideologjike, i cili u shndërrua gradualisht pas Luftës së Dytë Botërore në një konflikt të përqendruar kryesishtmes dy superfuqive, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Pra Lufta e Ftohtë lindi mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe përfundoi konkretisht me rënien e Murit të Berlinit dhe shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik në vitet ’90-të.

Lufta e Ftohtë, origjina dhe kundërshtarët

Pika e parë e nxehtë e Luftës së Ftohtë, kur të dy palët hynë në konflikt ushtarak  edhe pse indirekt,  ishte Lufta Koreane, e cila u zhvillua midis viteve 1950 dhe 1953. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Koreja, një ish territor i Japonisë, ishte e ndarë përgjatë paraleles së saj të 38-të dhe u krijua një kufi i brendshëm midis Koresë së Veriut komuniste të mbështetur nga ish Bashkimi Sovjetik dhe Koresë së Jugut me prirje perëndimore.
Më 25 qershor 1950, Koreja e Veriut, me mbështetjen e ish Bashkimin Sovjetik (përfshirë operacionet e fshehta dhe sigurimin e avionëve dhe mbështetjes mjekësore), pushtoi Korenë e Jugut. SHBA, Britania e Madhe, Australia, Kanadaja, India, Zelanda e Re dhe Afrika e Jugut dërguan trupa ushtarakë për të kundërshtuar Korenë e Veriut. Në vitin 1951, Kina, një komb tjetër komunist, dërgoi trupa në mbështetje të Koresë së Veriut dhe të dy palët arritën në një ngërç. Në vitin 1953 u ra dakord për një armëpushim, që vendosi një kufi të ri afër paraleles së 38-të. Krahas luftës në Lindjen e Largme edhe Europa e pas Luftës së Dytë Botërore njohu tensionime. Pas humbjes së nazistëve- fundi i Luftës së Dytë Botërore në Europë, Gjermania dhe Austria u ndanë në katër zona të veçanta të qeverisura nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Berlini u nda në katër zona pushtimi, pavarësisht se qyteti ishte brenda Zonës Sovjetike të vendit. Në qershor 1948, kriza e parë e madhe ndërkombëtare e Luftës së Ftohtë ndodhi kur Bashkimi Sovjetik bllokoi Berlinin Perëndimor nga pjesa tjetër e vendit pas reformave të diskutueshme të monedhës.
Me mbarimin e furnizimeve ushqimore në Berlinin Perëndimor, u organizua një transport masiv ajror nga SHBA dhe aleatët e saj, i cili vazhdoi deri në maj 1949 kur u hoq bllokada. Në total, SHBA dhe aleatët e saj dërguan rreth 2.3 milion ton mallra.
Sipas NATO-s , ndërmjet viteve 1949 dhe 1961, 3 milionë qytetarë të Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) në zonën e operuar nga sovjetikët u larguan në Republikën Federale të Gjermanisë (RFGJ), e cila u formua në vitin 1949 kur zonat amerikane, britanike dhe franceze u bashkuan. Humbja e kaq shumë punëtorëve shkaktoi probleme të mëdha ekonomike për Berlinin Lindor, kështu që si përgjigje ndaj këtij eksodi, sovjetikët ndërtuan Murin e Berlinit në orët e para të 13 gushtit 1961, i cili ndau fizikisht qytetin dhe ndaloi qytetarët e Lindjes të lëviznin lirisht.
Në periudhën e fundit të viteve ’50-të fitoi revolucioni kubanez dhe Kuba lidhi marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Kjo intensifikoi tensionet midis Kubës dhe SHBA-së.Bashkimi Sovjetik menjëherë armatosi Kubën. Avionët spiunë të SHBA-së zbuluan fillimisht bazat e raketave bërthamore sovjetike në Kubë më 29 gusht 1962 dhe më pas zbuluan raketa balistike në tetor. Këto pasuan një numër raportesh të inteligjencës të mbledhura gjatë viteve të mëparshme, të cilat siguruan prova të mëtejshme të raketave në ishull. Raketat u zbuluan se mund të arrinin në brigjet e SHBA-së.Presidenti i SHBA Xhon Kenedi urdhëroi një bllokadë detare të Kubës dhe më 22 tetor ai e informoi kombin mbi situatën.Pas një bllokimi të tensionuar prej pesë ditësh, Bashkimi Sovjetik ra dakord të largonte raketat e tij nga Kuba. Megjithatë, në një marrëveshje që mbeti e fshehtë, SHBA-ja pranoi në mënyrë të ngjashme të heqë të gjitha armët bërthamore nga bazat e saj në Turqi. Disa vite pas krizës u vu re një situatë me e qetë, të paktën drejtpërdrejt, midis BRSS dhe SHBA, duke çuar në Traktatin e Kufizuar të Ndalimit të Testeve bërthamore, i cili ndaloi testimin e Armëve Bërthamore.

Rënia e Murit të Berlinit epilogu i Luftës së Ftohtë

Lufta e Ftohtë nuk ishte vetëm një konflikt mes dy superfuqive; në vend të kësaj, dy superfuqitë kishin secila një sferë ndikimi që tërhoqi shumë vende në konflikt dhe efekti i luftës arriti pothuajse në çdo cep të globit.Disa nga efektet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë ishin jashtë Evropës dhe dy superfuqive, në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine. Lufta e Ftohtë kishte një lloj efekti kudo. Ajo ndikoi në shumicën e gjërave dhe kryesisht për keq, veçanërisht gjatë fazës së fundit të shekullit të 20-të.
Një nga aspektet kryesore të Luftës së Ftohtë globale ishin ndërhyrjet në vende të tjera të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, BRSS dhe fuqi të tjera. Por kur flasim për ndërhyrje, nuk po flasim thjesht për ndërhyrje ushtarake. Ndoshta më e dukshme nga këndvështrimi i sotëm, pasi efektet e mëvonshme nuk janë zhdukur plotësisht, është operacioni i kombinuar britanik dhe amerikan në Iran në fillim të viteve 1950, synimi, i të cilit  ishte rrëzimi i qeverisë atje dhe zëvendësimi i saj me një qeveri të udhëhequr nga Shah-u i atëhershëm, shumë më tepër sipas dëshirës perëndimore.

Gjatë viteve 1970, Lufta e Ftohtë hyri në një fazë të njohur si detantë, e përshkruar si “një përmirësim në marrëdhëniet midis dy vendeve dy superfuqive që në të kaluarën nuk ishin miqësore dhe nuk i besonin njëri-tjetrit”.Kjo përfaqësonte një kapitull të ri në marrëdhëniet diplomatike midis superfuqive dhe u arrit një rrugë e mesme midis Lindjes dhe Perëndimit.Në maj 1972, Presidenti amerikan Nikson u takua me liderin sovjetik Leonid Brezhnev për të parën nga tre samitet kryesore. Në veçanti, kjo periudhë ishte veçanërisht e rëndësishme për sa i përket armëve dhe çoi në disa traktate të rëndësishme, duke përfshirë Traktatet I dhe II të Kufizimit të Armëve Strategjike. Megjithëse se u arritën një seri marrëveshjesh e u bënë disa nivele uljesh armatimesh, mes superfuqive rivaliteti ushtarak mbeti. Kështu një nga ngjarjet që çoi në rritjen e tensionit ushtarak ishte pushtimi i Afganistanit në vitin 1979 nga Bashkimi Sovjetik. BRSS dërgoi 100,000 trupa në vend për të mbështetur qeverinë komuniste që ishte nën kërcënimin e rebelëve muxhahidinë, të mbështetur fshehurazi nga Shtetet e Bashkuara. Pas një lufte nëntëvjeçare në të cilën mbetën të vrarë 122.500 persona, Bashkimi Sovjetik u detyrua të tërhiqej. Shumë historianë e kanë quajtur ndërhyrjen e dështuar të Bashkimit Sovjetik në Afganistan si ngjarjen që shënoi fillimin e fundit të BRSS.
Në përgjigje të luftës në Afganistan, Presidenti Ronald Regan, i cili u zgjodh më 4 nëntor 1980, kërkoi një qasje më agresive ndaj marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik-SHBA. Strategjia e Reganit ishte të intensifikonte garën e armatimeve. Më 18 qershor 1980, para zgjedhjes së tij, ai i tha stafit të Uashington Post se “Shtetet e Bashkuara do të përfitonin nëse do të fillonin ndërtimin e armëve bërthamore, duke besuar se BRSS do të ishte i paaftë për diçka të tillë. Pasi u zgjodh, Regan ndoqi hapur një qasje më të ashpër ndaj BRSS dhe në një fjalim të famshëm më 8 mars 1983, ai iu referua Bashkimit Sovjetik si një ” perandori e së keqes “. Po në vitin 1983, Regan propozoi gjithashtu Iniciativën e Mbrojtjes Strategjike, një sistem anti-raketë me bazë hapësinore i mbiquajtur “Luftërat e Yjeve” dhe i përshkruar nga Fondacioni i Trashëgimisë Atomike si “një program rakete anti-balistik që ishte krijuar për të rrëzuar raketat bërthamore në hapësirë. Në kuadrin e një programi të tillë rivalitues ushtarak aspekt i Luftës së Ftohtë, në ish Bashkimi Sovjetik në vitin 1985 erdhinë krye të shtetit sovjetik Mikhail Gorbaçov, i cili mori postin e presidentit të Bashkimit Sovjetik dhe nisi një sërë reformash, ndoshta më e famshmja prej të cilave ishte politika e glasnostit.

Fjala glasnost është një “fjalë ruse, e përkthyer në anglisht si “hapje”. Glasnost lejoi qytetarët sovjetikë të reflektojnë në mënyrë kritike mbi të kaluarën e vendit për herë të parë, veçanërisht Revolucionin e Tetorit të vitit 1917. “Politika e glasnostit në epokën e perestrojkës dhe momenti i saj i vazhdueshëm dhe i pandalshëm na lejojnë të shikojmë situatat me një sy tjetër duke na informuar për natyrën e shumëanshme të tetorit dhe pasojat e tij, dhe duke na mundësuar të reflektojmë mbi shumë aspekte të zhvillimeve pas tetorit në dimensionet dhe rëndësinë e tyre të vërtetë”. Koha tregoi se Glasnost-i dhe reformat e tjera synonin të modernizonin BRSS, por në fund ato ndihmuan në kapitullimin e Bashkimit Sovjetik. Për shkak të politikave të Glasnost-it dhe Gorbaçovit, në vitin 1989, tensionet e Luftës së Ftohtë u përhapën në të gjithë Europën, duke përfshirë Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore. Falë një  numër në rritje të protestave publike u hoqën kufizimet kufitare midis Berlinit lindor dhe atij perëndimor, megjithëse qëllimi nuk u realizua plotësisht.
Në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, zyrtari i Gjermanisë Lindore Gunter Schaboëski njoftoi se kufizimet kufitare midis Berlinit Lindor dhe Perëndimor do të lehtësoheshin. Deri në orën 21:00 me orën lokale, turmat u dyndën drejt murit dhe në mesnatë kufijtë u hapën plotësisht.
Njëmbëdhjetë muaj më vonë ndodhi ribashkimi i Gjermanisë dhe vetëm në vitin 1991 Bashkimi Sovjetik u shemb, por për shumë njerëz rënia e Murit të Berlinit shënoi simbolikisht fundin e Luftës së Ftohtë.
Deri në vitin 1990, Gorbaçovi kishte rënë dakord me ribashkimin e Gjermanisë dhe largoi të gjithë ushtarët sovjetikë nga vendi. Në këtë kohë, Bashkimi Sovjetik u detyrua gjithashtu t’u jepte pavarësi shumë vendeve të tjerë si Ukraina në 1991 etj. Më 25 dhjetor 1991, Mikhail Gorbachev dha dorëheqjen – duke i dhënë fund Bashkimit Sovjetik dhe konfliktit me SHBA-në, Lufta e Ftohtë, brenda sistemit ndërkombëtar të shteteve, përfundoi shumë qartë me rënien e Bashkimit Sovjetik.

Shqipëria në kohën e Luftës së Ftohtë

Duke marrë parasysh se Lufta e Ftohtë nisi pothuajse menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria dashje pa dashje ishte në vorbullën e saj. Si rezultat i politikës pro lindore jugosllave e sovjetike, Shqipëria u përfshi në zonën lindore të interesave të të mëdhenjëve, por fillimisht nën suazën e jugosllavëve e pastaj të sovjetikëve. Nuk kishte ndonjë vëmendje të madhe Shqipëria gjatë fillimit të Luftës së Ftohtë si për peshën politike që zinte, ashtu edhe për aspektet e tjera të pa përfillshme. Më pas me intensifikimin e Luftës së Ftohte, ajo u gjend jo vetëm në aspektin strategjik në udhëkryqet e rivalitetit Lindje Perendim, por edhe në konceptin e interesave të gjithanshme të superfuqive.

Politika staliniste e renditi Shqipërinë plotësish në prehërin, fillimisht të Jugosllavisë dhe pas prishjes së Stalinit me Titon, e hodhi plotësisht atë në djepin e sovjetikëve, të cilët e panë Shqipërinë si një plasdarm për planet e tyre ekspansioniste ndaj Perendimit.Shqipëria gjatë Luftës së Ftohtë jo vetëm mbajti në kurrizin e saj regjimin më antipopullor stalinist por për kushtet që ndodhej dhe u krijuan, sakrifikoi shumë energji deri sa e çoi popullin në një gjendje ekonomike të tejskajshme të varfër. Provoi tri lloj marrdhëniesh Shqipëria, ato me Jugosllavinë, ato me ish Bashkimin Sovjetik dhe ato me Kinën.Pavarsisht nga oshilacionet e përkoheshme të rritjes, ato e çuan popullin shqiptar drejt greminës së gjithanëshme ekonomike. Lufta e Ftohtë i kushtoi shtrenjtë Shqipërisë sepse e militarizoi dhe bunkerizojë duke harxhuar vlera të mëdha ekonomike për të ashtuquajturën mbrojtje.

Marrëdhëniet me ish Jugosllavinë, ish Bashkimin Sovjetik dhe Kinën

Vitet e para pas Çlirimit apo periudha “me jugosllavët”, që rrok vitet 1945-1948, është periudha që regjimi komunist bëhet një tregtar i sovranitetit të Shqipërisë. Ishin hapat e parë të Luftës së Ftohtë. Me miratimin e qeverisë së Tiranës, Tito ndërhyri në të gjitha anët e skutat e Shqipërisë. Më konkretisht, kjo ndërhyrje u bë me nënshkrimin e Traktatit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Jugosllavi, ku edhe “de fakto” edhe “de jure” regjimi jugosllav depërtoi në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare.

Ky “bashkëpunim” përbënte suprimimin e kufijve, heqjen e doganave apo shkëmbimin e mallrave me pabarazi. Mbi këtë bazë pabarazie me Jugosllavinë u krijuan shoqëritë e përbashkëta si për Fabrikimin e Naftës, për Lundrimin Detar, për Bankën e Përbashkët etj.,etj., dhe pas Akordit të Parë, erdhi Akordi i dytë, ai për kredinë, sipas të cilit pasuritë e mëdha të nëntokës shqiptare, viheshin plotësisht në dispozicion të Jugosllavisë.

Të tilla marrëveshje, që u nënshkruan me Jugosllavinë ishin nënshtruese e rrënuese për ekonominë shqiptare. Në pabarazi qeveria shqiptare e kohës, kishte nënshkruar me Jugosllavinë në periudhën 1945 – 1948, plot 33 marrëveshje të pa barabarta, marrëveshje diskriminuese. Në fakt ishin më shumë se kaq, ishin marrëveshje skllavëruese. Për t’i kuptuar duhen parë planet dhe buxhetet, monedha dhe çmimet, doganat e unifikimi i ushtrisë, deri te bashkimi shtetëror për krijimin e Federatës Sllave Ballkanike. Në këtë mënyrë Beogradi, “de fakto” e “de jure”, ia arriti të kishte edhe ai një satelit të vetin, plotësisht të nënshtruar, Shqipërinë.Në se këto ndodhi në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, që ishin në prag fillimin e Luftës së Ftohtë, ishin në kuadrin e marrëdhënieve me lindjen komuniste e cila ishte e shkonte çdo ditë e më shumë në kahun e Luftës së Ftohtë.

Një marrëdhënie e gjatë, me uljet e ngritjet e veta, me flirtet dhe mëritë e saj, ishte periudha 1948-1961 me ish Bashkimin Sovjetik.  Pas prishjesme jugosllavët e flirtit të plotë mesovjetikët, qeveria shqiptaree vijoi egoizmin e shfrenuar me diplomacinë e saj të
nënshtrimit dhe të servilizmit. Nga një titist izellshëm, Enver Hoxha pas prishjes së Stalinit me Titon,kthehet e bëhet një stalinist i tërbuar. Kjo periudhë ishte një shërbim i madh në mbështetje të politikës së Lindjes komuniste ndaj perëndimit, pra ishte kulmi i Luftës së Ftohtë ku njerëzit në Lindje rrënoheshin gjithnjë e më shumë nga politika e çmendur e armatimeve dmth e kursit agresiv ndaj popujve.

Për “ruajtjen e kolltukut” të tij ish udhëheqësi komunist Enver Hoxha, ishte dhembeti besniki Stalinit, ndaj në vitet 1948-1961 me sovjetikët,ai luajti diplomacinë e centralizimit ose diplomacinë që imbrojti pushtetin. Ai e mbajti pushtetin fort nëpërmjetkultit të individit, kultit të Stalinit.Pas vdekjes së Stalinit, gradualisht erdhën përplasjet emëdha mes Enver Hoxhës dhe Nikita Hrushovit, jo përparime siç është thënë, por për pushtetin personal. Mirëpo”zënkat” e “përplasjet” i janë “shitur” opinionit shqiptarsi trimëri të Enver Hoxhës mbi sovjetikët hrushovianë. Nën atë petk Enver Hoxha u përpoq të mbronte”kultin eindividit”, pushtetin e tij politik!.