Prof. Arben Cici: “Inteligjenca Artificiale, e Ardhmja Njerëzore” dhe Kissinger !

31
Sigal

Arben Cici
Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare/ Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

 Fuqitë kryesore të IA, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Kina, duhet të pranojnë realitetin e këtij transformimi strategjik. Ata sugjerojnë  se “…pavarësisht kundërshtive të ndryshme dhe periudhave të përplasjeve shpërthyese, SHBA dhe Kina duhet të gjejnë konsensusin se nuk do të fillojnë një luftë të teknologjisë së avancuar midis tyre

Tre nga mendimtarët më të spikatur në botë bashkohen për të eksploruar Inteligjencën Artificiale (IA) dhe mënyrën se si ajo po transformon shoqërinë njerëzore, si dhe çfarë do të thotë kjo teknologji për të gjithë ne.

Në librin “Epoka e Inteligjencës Artificiale (IA) dhe e Ardhmja jonë Njerëzore”, Henry A Kissinger, Eric Schmidt dhe Daniel Huttenlocher analizojnë se si IA do të ndryshojë marrëdhëniet tona me dijen, politikën dhe shoqëritë në të cilat jetojmë.

Shtatë kapitujt e veprës së tyre prekin pothuajse të gjitha fushat e shoqërisë së sotme, por veçmas kapitulli i pestë, “Siguria dhe Rendi Botëror”, flet mbi  rëndësinë historike të sigurisë si një objektiv themelor për shoqëritë e organizuara. Epoka e Luftës së Ftohtë kur fuqitë e mëdha zhvilluan teknologji të avancuara ushtarake, por duke pasur frikë t’i përdornin ato kundër njëra-tjetrës apo edhe kundër kombeve më të vogla nuk duhet harruar. Ndërkohë ardhja e inteligjencës artificiale (IA) tani paraqet sfida të një tjetër karakteri, të cilat mund të komplikojnë strategjinë moderne përtej të kuptuarit njerëzor.

Autorët theksojnë se kombet duhet të kuptojnë dimensionet e sigurisë së IA. Ata paralajmërojnë se nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre hezitojnë të përqafojnë teknologjitë e IA, kjo mund të çojë në një botë më pak paqësore. IA po sjell transformime që sfidojnë konceptet tradicionale të sigurisë, ndaj është e nevojshme përcaktimi i doktrinave strategjike të lidhura me IA përpara se këto ndryshime të bëhen të pashmangshme.

Duke hequr paralele me zhvillimin dhe përdorimin e armëve bërthamore, autorët vërejnë se pavarësisht përpjekjeve për të zhvilluar armë bërthamore, nuk ka pasur asnjëherë një doktrinë të qartë strategjike apo parim moral për përdorimin e tyre. Lufta e Ftohtë dëshmoi strategji të ndryshme për të menaxhuar kërcënimin e luftës bërthamore, duke përfshirë doktrinën e shkatërrimit të sigurt të ndërsjellë (MAD).

Dy sfida bashkëkohore që shtjellohen në këtë kapitull janë konflikti kibernetik dhe IA. Është ende i vështirë konceptimi i masave të kontrollit të armëve për armët kibernetike për shkak të paqartësisë që rrethojnë termat si sulmi kibernetik (cyberattack) dhe lufta kibernetike (cyber ëar). Autorët theksojnë paradoksin se sa më i madh të jetë kapaciteti dixhital i një shoqërie, aq më e cënueshme bëhet ajo ndaj sulmeve kibernetike.

Futja e logjikës jo-njerëzore përmes IA në sistemet ushtarake konsiderohet transformuese, sepse integrohet një element i pallogaritshmërisë. Inteligjenca artificiale mund të marrë vendime më shpejt se njerëzit, dhe përdorimi i saj në sistemet e armëve zgjeron opsionet taktike dhe mundëson shënjestrim jokonvencional. IA ka një natyrë përdorimi të dyfishtë, duke qenë i zbatueshëm si në domenet ushtarake ashtu edhe ato civile.

Autorët shprehin shqetësime për natyrën publike të zhvillimit të IA, duke i lejuar vendet ta kopjojnë dhe transmetojnë atë. Paqartësia e strategjive të drejtuara nga IA mund të çojë në besimin se ndihma e IA është e nevojshme për të kuptuar aftësitë dhe synimet e kundërshtarëve. Siguria dhe vetëpërmbajtja shfaqen sfiduese në këtë këndvështrim.

“Një kërkim i vjetër në një botë të re” quhet nënkapitulli ku trajtohet më thellë ndikimi transformues i inteligjencës artificiale (IA) në sigurinë globale. Krahas nevojës që vendet e mëdha dhe të përparuara teknologjikisht të pranojnë ndryshimet e thella që sjell IA, autorët e krahasojnë atë me rëndësinë e shpikjes së armëve bërthamore. Ata propozojnë krijimin e strukturave kombëtare për të marrë në konsideratë aspektet e mbrojtjes dhe sigurisë së IA dhe theksojnë rëndësinë e konkurrencës, koordinimin e kërkimit dhe parandalimin e përshkallëzimit të padëshiruar.

Autorët argumentojnë se fuqitë kryesore të IA, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Kina, duhet të pranojnë realitetin e këtij transformimi strategjik. Ata sugjerojnë  se “…pavarësisht kundërshtive të ndryshme dhe periudhave të përplasjeve shpërthyese, SHBA dhe Kina duhet të gjejnë konsensusin se nuk do të fillojnë një luftë të teknologjisë së avancuar midis tyre” dhe propozojnë krijimin e njësive brenda çdo qeverie për të monitoruar dhe raportuar mbi rreziqet e mundshme, duke nxitur dialogun për të shmangur krizat e paqëllimshme.

Duke nënvizuar paradoksin e marrëdhënieve ndërkombëtare, nënkapitulli thekson ekuilibrin midis përpjekjes së një fuqie për të maksimizuar sigurinë e saj dhe nevojës për një ndjenjë përgjegjësie për të ruajtur paqen e përgjithshme. Në këtë kontekst shtrohet edhe sfida e përshtatjes së logjikës strategjike afatgjatë me epokën e IA, duke theksuar rëndësinë e parandalimit të IA-ve nga ndërmarrja e veprimeve të pakthyeshme më shpejt sesa mund të ndërhyjnë vendimmarrësit njerëzorë.

Autorët shtrojnë gjashtë detyra kryesore për udhëheqësit botërorë në kontrollin e arsenaleve që përfshijnë aftësi konvencionale, bërthamore, kibernetike dhe IA. Këto detyra përfshijnë (1)komunikim të rregullt midis kombeve rivale në lidhje me format e luftës që ata dëshirojnë të shmangin (ashtu siç bënë paraardhësit e tyre gjatë Luftës së Ftohtë), (2) rishikimin e sfidave të strategjisë bërthamore (siç edhe ish sekretari i shtetit George Schultz pohoi para Kongresit më 2018, kur foli për Hiroshimën dhe Nagasakin, se “kam frikë se njerëzit e kanë humbur ndjesinë e frikës”), (3) përcaktimin e doktrinave dhe kufijve për fuqitë kibernetike dhe IA, (4) kryerjen e rishikimeve të brendshme të sistemeve të komandës dhe kontrollit, (5) maksimizimin e kohës së vendimeve gjatë tensioneve të larta dhe krizave ekstreme (Gjatë një krize qeniet njerëzore duhet të mbajnë përgjegjësinë finale nëse do të përdoren armë të teknologjisë së lartë), dhe (6) nxitjen e përpjekjeve për të kufizuar përhapjen e IA ushtarake (Nëse një teknologji e re shkatërruese dhe potencialisht shkatërruese lejohet të transformojë ushtritë e qeverive më armiqësore ose moralish të pafrenuara në botë, ekuilibri strategjik mund të jetë i vështirë për t’u arritur dhe konflikti më pas i pakontrollueshëm).

Në vazhdimësi theksohet detyra e vendeve të përparuara teknologjikisht për të qëndruar në ballë të kërkimit dhe zhvillimit të IA, por gjithashtu nënvizohet rëndësia e të kuptuarit të kufijve. Nevoja për diskutime midis fuqive të mëdha mbi armët kibernetike dhe IA për të krijuar një fjalor të përbashkët dhe kufizim të ndërsjellë për aftësitë më shkatërruese është imediate. Autorët argumentojnë se historia nuk do ta falë dështimin për të vendosur kufij, ndërsa njerëzimi konkurron në krijimin e armëve të reja, më të përparuara dhe inteligjente në epokën e inteligjencës artificiale.

Si përfundim, kjo vepër ofron një eksplorim gjithpërfshirës të sfidave dhe përgjegjësive të paraqitura nga IA jo vetëm në fushën e sigurisë globale, por në të gjitha aspektet e shoqërisë aktuale dhe jetës sonë.

Këta tre mendimtarë të spikatur të botës së sotme bëjnë thirrje dhe u bien gjithashtu kambanave të alarmit për bashkëpunim ndërkombëtar, më shumë diplomaci, dialog dhe konsiderata etike për të lundruar në kompleksitetin e kësaj teknologjie transformuese dhe për të siguruar përdorimin e saj të përgjegjshëm për ruajtjen e njerëzimit dhe jo shkatërrimin e tij. Thirrja e tyre nuk është fataliste, por realiste dhe në çastin e duhur.

“Ne jemi në një fazë të re të historisë njerëzore. Nuk kemi asnjë mënyrë për ta shmangur atë. E vetmja zgjidhje që kemi është ta përdorim në mënyrë construktive ose të na gëlltitë”.

Henry Kissinger për IA.