KED nis verifikimet për tre vakancat e Kushtetueses

210
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë, ka bërë të ditur fillimin zyrtar të procedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Në zbatueshmëri me ligjet përkatëse, parashikohet se institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat. Sipas njoftimit, KED e konsideron këtë proces, jo thjesht si një përmbushje të një detyrimi ligjor kundrejt publikut. Në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese, KED “synon të garantojë një proces të rregullt ligjor, transparent, me integritet dhe të besueshëm”. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, të përfaqësuesit të Avokatit të Popullit, dhe përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, ditën e hënë 12.07.2021, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën u organizua zhvillimi i shortit për caktimin e relatorëve që do të kryejnë procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për vendet vakante për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ky short, u zhvillua në mënyrë manuale, sipas dispozitave në fuqi, për shkak të pamundësisë teknike të zhvillimit të tij në mënyrë elektronike. Pas organizimit të këtij shorti, rezultatet janë si më poshtë vijon:

  1. Mandat i Shpallur nga Gjykata e Lartë, për vendin vakant të Zj. Vitore Tusha:

Relator: Marsida Xhaferllari

Këshilltar: Besmir Rrapaj

  1. Mandat i Shpallur nga Gjykata e Lartë, për vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha:

Relator: Rilinda Selimi

Këshilltar: Laureta Nezaj

  1. Mandat i Shpallur nga Gjykata e Lartë, për vendin vakant të Z. Gani Dizdari:

Relator: Elona Toro

Këshilltar: Saimir Nazifi

Tashmë me nisjen e kësaj faze, mbështetur plotësisht nga Gjykata e Lartë me personel dhe mjetet e nevojshme, KED ka marrë të gjitha masat e duhura për të realizuar një proces të rregullt ligjor, efektiv dhe të shpejtë, nëpërmjet kryerjes së një hetimi dhe verifikimi të thellë e të kujdesshëm për secilin nga kandidatët konkurrues për vendet vakante. Krahas angazhimit maksimal të këtij këshilli, shpejtësia e procesit të verifikimit, besueshmëria dhe integriteti i tij, varet gjithashtu, edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve, etj., si dhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED.