Agjencia e Prokurimit Publik (APP), “kapaku i tenxheres” me 90% tenderë antiligjorë e korruptivë

863
Përparim HALILI
Ky institucion bën thirrje për denoncimin e rasteve abuzive, kur vetëm “Telegraf” ka denoncuar 3000 raste, në 3 vitet e fundit
Meriton përshëndetje edhe nisma e dytë e mandatit të dytë të pushtetit të “Rilindjes”, për të luftuar korrupsionin që bëhet nga grabitqarët në zyrat e shtetit e sidomos, lufta kundër mbrojtësve dhe fshehësve të rasteve korruptive, qofshin këto raste edhe në veprimtarinë e kryepleqve të fshatrave të largët! Ndërsa kryeministri po shkon deri në zyrat e shtetit në “alpe”, për të luftuar korrupsionin, brenda Kryeministrisë ka një institucion që fsheh, ligjëron dhe mbron rastet korruptive që bëhen me tenderët, nga grabitqarët në zyrat në qeveri, qarqe, rrethe e bashki. Po flasim konkretisht. Në faqen e parë të çdo “Buletini të Prokurimit Publik”, Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) e cila varet vetëm nga kryeministri, bën këtë ftesë publike: “Në zbatim të Urdhrit të Këshillit të Ministrave Nr. 201, datë 16.12.2005, ftojmë pjesëmarrësit në tenderë dhe publikun e gjerë, të identifikojnë e denoncojnë në APP, shkeljet e ligjit dhe ata zyrtarë që kryejnë veprime korruptive me tenderët”. Si tekst, ftesa është “parimore”, por çfarë ndodh në realitet?
APP që fsheh korrupsionin, fton qytetarët të denoncojnë korrupsionin!
Kjo ftesë publike, ka 25 vite që na bëhet nga çdo qeveri, kryeministër, ministër, drejtor, drejtues pushteti lokal. Qytetarët, zyrtarët e ndershëm dhe shumë biznese vendës e të huaj, denoncojnë me raste konkrete rastet korruptive me tenderët. Mirëpo korrupsioni nuk po pakësohet, por po shtohet. Nuk po dobësohet, por po fuqizohet! Ata që akuzohen, shtojnë luksin e jetesës dhe pasuritë, por nuk pyeten se si i siguruan vetëm me pagën mujore, sa vlera e kollares së tyre! Ata që akuzohen, nuk ndëshkohen, por emërohen në detyra më të larta shtetërore! Ata që bëjnë korrupsionin dhe që na bëjnë thirrje e na ftojnë në “luftë kundër korrupsionit”, rezulton se janë vetë ministrat, drejtorët, pushtetarët lokalë! Kështu po ndodh edhe me thirrjen, që Agjencia e Prokurimit Publik (APP), bën në faqen e parë të buletinit të saj! Kjo thirrje, rezulton të jetë demagogji shtetërore, për të krijuar mendimin fals, se gjoja Agjencia e Prokurimit Publik (APP) që monitoron dhe “administron” ligjërisht tenderët, “nuk e toleron korrupsionin” që bëhet me tenderët nga titullarët e institucioneve! Pavarësisht thirrjes së APP për denoncime të korrupsionit, pavarësisht faktit që në zyrat e saj janë dërguar mijëra denoncime, korrupsioni me tenderët vazhdon të jetë aktiviteti që zhvillohet më lirshëm e masivisht në Shqipëri, i publikuar me “shkronja të mëdha” në “Buletinin e Prokurimeve Publike” të APP! Dhe APP, që u bënë thirrje qytetarëve e bizneseve për denoncime, nuk i denoncon vetë ato! Por përdoret e vetë-përdoret, si “kapak i tenxheres” ku “gatuhen” tenderët korruptiv. Agjencia e Prokurimit Publik (APP) është institucioni i parë kontrollit të zbatimit të ligjit për prokurimet publike. Çdo tender abuziv në fondet limit e procedura ligjore dhe çdo njoftim fituesi të paligjshëm që dërgohet në për publikim në Buletinin e APP, “çuditërisht” nuk bllokohet e nuk denoncohet as nga vetë APP-ja, të cilën e detyron ligji të jetë zbuluesi, bllokuesi dhe denoncuesi i çdo tenderi që bëhet në shkelje të ligjit, qoftë edhe nga neglizhenca, gabimet njerëzore apo paaftësia e Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave (KVO) (siç justifikohen tenderët abuziv). E themi këtë, mbasi APP e ka detyrim ligjor të verifikojë ligjshmërinë e procedurave të hartimit të tekstit të tenderëve dhe të shpalljes së fituesve, pastaj të bëjë publikimin e tyre në Buletin. Mirëpo çfarë ndodh? Ndërkohë që në faqen e parë të buletinit të saj javor, APP bënë thirrje për të denoncuar tenderët korruptiv, gjithë buletinin e mbush njoftime për tenderë e shpallje fituesish, lidhje kontratash, anulime e përsëritje tenderësh dhe ndreqje gabimesh me “njolla” shkeljesh ligjore e korrupsioni! APP njofton çdo tender që dërgohet nga institucionet, paçka se shumica e tyre zhvillohen për shërbime, blerje e investime fiktive edhe jashtë natyrës funksionale të institucioneve edhe pas e shumë para kohës së kryerjes së shërbimeve. Prej APP, që bënë ftesë për denoncime anti-korrupsion, janë pranuar e vazhdojnë të pranohen shpallje tenderësh që në 70% të rasteve, kanë fond limit në vlerë 2-3 herë më të lartë se çmimet e tregut të lirë. Pranohen, shpallen e rishpallen tenderë të anuluar për shkaqe korrupsioni, që në 90% të rasteve janë hartuar e zhvilluar në shkelje të plotë e të hapur të Ligjit Nr. 9643, ndryshuar për herë të fundit me Ligjin Nr. 182/2014! Madje edhe vetë APP, ka shpallur e zhvilluar tenderë të tillë për blerje e shërbime të aktivitetit të saj e në këtë rast, nuk e kemi fjalën për tenderin e shtypjes së Buletinit! 
Ja 10 pyetje ligjore, drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) 
1. A ka hartuar APP ndonjë javë apo muaj, raport informimi për kryeministrin, në lidhje me zbulimin e tenderëve me shkelje ligji, që paraqiten për publikim në Buletinin e APP? 
2. A ka bërë vetë APP, ndonjë denoncim për tenderët abuzivë? 
3. A ka paraqitur APP tek kryeministri ose në organet e drejtësisë, ndonjë përmbledhje të denoncimeve që kanë bërë subjektet private dhe qytetarët, në lidhje me tenderët antiligjorë e korruptivë? 
4. A ka kryer ndonjë verifikim, në lidhje me tenderët që anulohen e përsëriten deri në 10 herë e që shpesh për shtyrjen e tyre bëhen ankesa e denoncime të shumta nga subjektet private?
5. A ka vepruar Agjencia e Prokurimit Publik (APP), për të zbardhur të vërtetën “ndreqjes së gabimeve” që institucionet u bëjnë fondeve limit dhe vlerave përfundimtare? 
6. A ka APP, ndonjë qëndrim konkret ligjor ndaj institucioneve prokurues, për ndryshimin e datave të zhvillimit të tenderëve, pas shpalljes fillestare? 
7. A ka APP, ndonjë qëndrim konkret ligjor ndaj institucioneve prokurues, që pas shpalljes së kualifikimit të subjekteve, “korrigjojnë” renditjen e pikëve, duke shpallur fitues humbësin dhe anasjelltas?
8. A ka raste kur APP, në bashkëveprim me drejtuesit shtetërorë nuk shpall njoftimet për shpalljen e fituesit, nuk shpall pikët e renditjes dhe shpjegimet e skualifikimit të subjekteve, nuk shpall tenderët që anulohen apo që vonon publikimin e buletinit, me gjoja sqarimin “faqja është në përpunim”? 
9. A ka raste, që APP ka marrë denoncime lidhur me subjektet private, të cilët futen në garë fiktivisht pa asnjë letër për të ligjëruar garën fiktive dhe përse pranohet shpallja dhe procedura e zhvillimet tenderëve?
10. Përse APP, nuk publikon denoncimet e bëra për tenderët korruptivë? 
Sigal