Nga Agron KAJA
Specialisti i futbollit Artur Çobani, skanon situatën aktuale në futbollin shqiptar.
Si e përshkruani aktualitetin e sezonit të ri, me ndeshje në Europë, me merkato dhe fazë përgatitore?
Të gjitha skuadrat kanë lëvizur për të zhvilluar një sezon më të mirë se ai që u mbyll. Faktikisht, ato kanë bërë përmirësime të ndryshme në përbërjet e tyre, si dhe fazën përgatitore. Por deri në fund të muajit gusht do kemi të tjera lëvizje.
Në këtë periudhë, çfarë evidentoni si dukuri te skuadrat: ndeshjet në Europë, përgatitjet apo merkaton?
Të tre janë tregues evident. Merkato më e hershme është tek skuadrat që luajnë në Europë, por do synojnë për të tjera lëvizje që ta përballojnë me sukses të gjithë sezonin. Kanë përfituar të ardhura që u lejojnë një merkato më të fuqishme.
Vëmëndja në këtë periudhë duket sikur është përqëndruar vetëm tek ndeshjet në Europë, ju si mendoni?
Kjo vëmendje mbetet atje, sepse luajnë dy skuadrat tona më të mira në Europë. Edhe nëse nuk kualifikohet, Egnatia luan në Europa Ligë, ndërsa Dinamo ka më shumë shance ta kthejë në favorin e saj. Të dyja janë skuadra të konsoliduara.
Aktualisht, Egnatia dhe Dinamo City po e vazhdojnë rrugëtimin në Europë, si i vlerësoni deri këtu?
Janë të merituara deri në këtë fazë ku luajnë, si Egnatia ashtu edhe Dinamo. Madje do të thoja se asnjera prej tyre nuk ka ardhur pa meritë deri këtu. Do ketë rivalitet në ndeshjet e rradhës, kjo është e pritshme, por e kanë merituar këtë ecuri.
Në ditën e martë, cilat janë pritshmëritë për ndeshjet e dyta të turit të tretë eliminator?
Pritshmëritë janë për të dyja skuadrat. Dinamo humbi në ekstrem dhe kjo e mban të hapur kualifikimin, nisur edhe nga paraqitja në fushën e lojës. Ndërsa Egnatia la shumë për të dëshiruar në pjesën e dytë, por kualitetin e ka për një përmbysje.
Nëse do të vendosni mes Egnatias dhe Dinamo City, cilën e shikoni më pranë kualifikimit në këtë tur?
Do dëshiroja që të dyja të vazhdojnë rrugëtimin në Europë. Të dyja skuadrat duhet të kalojnë edhe në fazën e grupeve, sepse kështu jo vetëm që rriten të ardhurat në financat e tyre, por edhe e ngrejnë nivelin e tyre brenda kampionatit shqiptar.
Si e komentoni vendimin e FSHF-së për përcaktimin e orareve të ndeshjeve në futbollin shqiptar?
Mendoj se është favorizuese në këtë sezon me këto orare. Të them të drejtën, kjo është një fotokopje e mirë nga kampionati anglez, një nga më të fortët në Europë. Duhet të rritë shikueshmërinë e ndeshjeve, por do rriten edhe financat e klubeve.
Në këtë sezon, duhet të kishte edhe rregullime apo ndryshime të tjera për ecuri më të mirë të garës?
Rregulli i vendosur nga FSHF-ja me 7 lojtarë të huaj në fushë dhe rikthimi i detyrueshëm i 18 vjeçarëve, këto janë dy kryesore. Shtuar këtu edhe vendosjen e fashës së orareve të ndeshjeve, janë tre tregues për rritjen cilësore të garës.





















