Klaidi Çitozi Drejtori i Përgjithshëm i ‘SIGMA Interalbania”: Tërmetet, trajtimi i dëmeve dhe përshtatja me normalitetin e ri të sigurimeve, rritje e shërbimeve online

526
Sigal

 

Tërmetet e shtatorit dhe sidomos ai i nëntorit, i vunë shoqëritë e sigurimit përpara përgjegjësisë së trajtimit të dëmeve

Përshtatja me normalitetin e ri të sigurimeve, rritje e shërbimeve online

Flet Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i “SIGMA Interalbanian – Vienna Insurance Group”

2019-a ishte një vit sfidash për tregun e sigurimeve në vend. Krahas tregut jo të zhvilluar, që prej vitesh mbetet nën mesataren e rajonit, tërmetet e shtatorit dhe sidomos ai i nëntorit, i vunë shoqëritë e sigurimit përpara përgjegjësisë së trajtimit të dëmeve.

Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i “SIGMA Interalbanian – Vienna Insurance Group”, thotë se kjo ngjarje shërbeu që të testoheshin jo vetëm kapacitetet financiare, por edhe ato njerëzore të kompanive të sigurimit. Ai shton se ndikimi në rezultatin e kompanisë ka qenë brenda kapaciteteve normale të kompanisë.

Janë vlerësuar rreth 5 milionë euro dëme dhe kontratat e risigurimit të kompanisë kanë mbuluar 95% të ngjarjes totale, duke lënë vetëm 5% në mbajtje të kompanisë. Vetëm për rastin e tërmetit janë trajtuar rreth 700 klientë. Pandemia ka sjellë një sfidë tjetër për sektorin, teksa ka ndikuar në uljen e primeve, si nga kufizimi i lëvizjeve, ashtu dhe rënia e aftësisë paguese të klientëve.

Si ka qenë ecuria e kompanisë në 2019?

Viti 2019, ishte edhe viti i 20-të i aktivitetit të kompanisë sonë në tregun e sigurimeve. Jo vetëm për ne, por për të gjithë tregun, ai ishte një vit sfidash të vazhdueshme. Pavarësisht situatës financiare në Shqipëri, tregut jo të zhvilluar, fokusimit në sigurimet e detyrueshme, si dhe fenomeneve natyrore që na shoqëruan gjatë këtij viti, kompania jonë arriti të ketë rezultate shumë të mira, si dhe një pozicionim të mirë në treg. “Sigma Interalbanian” ka pasur një ecuri të qëndrueshme në vitin 2019. Volumi i primeve është rritur me 1.1% krahasuar me vitin 2018.

Mbajtja e klientëve ekzistues, identifikimi i klientëve të rinj, si dhe administrimi efikas i shpenzimeve, kanë qenë objektivat tona që prej fillimit të vitit, dhe përgjithësisht janë realizuar duke përmirësuar kështu edhe parametrat financiarë të kompanisë.

Ne vendosim klientin në qendër të punës sonë. Kjo reflektohet edhe në normën e lartë të rinovimeve që ka kompania. Klientët vazhdojnë të besojnë tek ne, vazhdojnë të na zgjedhin, sepse ne i këshillojmë të marrin mbulimet e duhura dhe të përshtatshme për ta. Dhe ne, në të njëjtën mënyrë, vlerësojmë të gjitha rastet në mënyrë korrekte dhe paguajmë në kohën e duhur dëmet e shëndetit, pasurisë dhe të automjeteve.

Me mbështetjen e aksionerit kryesor, “Vienna Insurance Group”, ne kemi një kompani të mirëkapitalizuar, me themele të forta, e cila u provua që mund të përballojë çdo lloj risku, qoftë ajo edhe katastrofë.

Cili ishte ndikimi i tërmetit në aktivitetin e kompanisë, sa dëme janë paguar dhe sa për qind e tyre janë mbuluar nga risiguruesit?

Gjatë fundit të 2019, shumë biznese dhe individë u dëmtuan nga tërmeti. Ky fenomen natyror ishte kryefjala e çdo bisede për një periudhë të gjatë. Kompania jonë, ka trajtuar në kohë rekord dhe me seriozitet të gjitha rastet e dëmtuara dhe që ishin siguruar pranë nesh.

Megjithëse një ngjarje e këtyre përmasave ishte e pazakontë për të gjithë tregun, kompania ishte e vetëdijshme për pasojat e tërmetit në vazhdimësinë e biznesit dhe në jetën e individëve. Trajtimit të dëmeve si pasojë e tërmetit iu është dhënë përparësi absolute. Kjo ngjarje shërbeu që të testoheshin jo vetëm kapacitetet financiare, por edhe ato njerëzore të kompanive të sigurimit. Ndikimi në rezultatin e kompanisë ka qenë brenda kapaciteteve normale të kompanisë.

Janë vlerësuar rreth 5 milionë euro dëme dhe kontratat e risigurimit të kompanisë kanë mbuluar 95% të ngjarjes totale, duke lënë vetëm 5% në mbajtje të kompanisë. Vetëm për rastin e tërmetit janë trajtuar rreth 700 klientë. Administrimi shumë i mirë i riskut individual, ashtu dhe në agregat, është arritur në sajë të kontratave shumë të mira të risigurimit dhe bashkëpunimit me kompaninë lider në Europë, Munich Re.

Duke qenë pranë individëve dhe bizneseve prej kaq shumë vitesh, natyrshëm vjen dhe përgjegjësia e madhe ndaj jo vetëm klientëve të VIG, por dhe qytetarëve në nevojë, për shkak të tërmetit. Ndaj dhe grupi VIG në Shqipëri ka dhuruar 50,000 euro në ndihmë të rimëkëmbjes së familjeve të dëmtuara.

Si ka qenë ecuria e kompanisë deri tani në 2020, sa është ndikuar nga situata e COVID-19?

Ecuria e vitit 2020, si çdo sektor tjetër i ekonomisë, është ndikuar nga situata kufizuese e pandemisë, duke sjellë një ulje prej rreth 10% në volumin e primeve. Kufizimi i lëvizjeve brenda dhe jashtë vendit, pothuajse e ka zeruar kërkesën për disa produkte, siç janë kartoni jeshil, polica kufitare dhe shëndeti në udhëtim. Nga kjo situatë janë ndikuar kryesisht sipërmarrjet, por edhe individët. Rënia ekonomike dhe e aftësisë paguese, i bënë klientët më të kujdesshëm ndaj shpenzimeve, dhe sigurimet janë ndër ato zëra që mund ta pësojnë nga këto vendime jo fort të matura.

Jam i mendimit që duhet të jetë krejt e kundërta, pra në kohë pasigurie, individi duhet të investojë më shumë në instrumente financiare, që të mbrojnë ndaj këtyre ngjarjeve. Për shembull, dihet që Shqipëria është zonë sizmike, dhe në vend që individët të paguajmë primin e sigurimit për t’u mbrojtur nga ky fenomen natyror, bëhen më konservativ, duke pasur tendencën që të kursejnë për të përballuar individualisht këto fatkeqësi.

Gjithsesi, themelet e forta kanë bërë që kompania të mos ketë probleme me likuiditetin. Përkundrazi, gjatë periudhës së karantinës, ne kemi ndihmuar rreth 400 familje me persona të moshuar që jetojnë në zonat rurale. Punonjësit dhe bashkëpunëtorët tanë kanë vazhduar të paguhen me pagë të plotë, pavarësisht rënies së të ardhurave gjatë kësaj periudhe.

Si po përshtatet shoqëria ndaj normalitetit të ri? Cilat janë pritshmëritë për të ardhmen?

Sfida kryesore e kësaj situate nuk ishte vetëm te treguesit financiarë, por edhe te përshtatja e burimeve njerëzore ndaj realitetit të ri. Të punosh nga shtëpia ishte një koncept i ri për stafin tonë. Ishim shumë skeptikë fillimisht që do të arrinim të kishim një ndërveprim virtual në kohë reale me njëri-tjetrin, për t’u shërbyer klientëve në kohë, jo vetëm për produktet që ne ofrojmë, por kryesisht për trajtimin e dëmeve. Ishte një periudhë e vështirë që kishte shumë ndikim në gjendjen emocionale të të gjithë popullit, ndaj nevojitej që të shtonim kujdesin për të siguruarit tanë.

Një ndër objektivat kryesorë për të ardhmen, sigurisht e ndikuar edhe nga situata në të cilën po kalojmë, është rritja e shërbimeve online. Megjithëse sigurimet shiten kryesisht bazuar në marrëdhënie besimi me klientin, ndonjëherë është e nevojshme edhe prania fizike e palëve, si për të negociuar mbi mbulimet, ashtu edhe për të inspektuar asetin që do të sigurohet. Aktualisht kompania ka një aplikacion dhe platformë për shitjet online, por pandemia çoi në nevojën për një ridimensionim të saj, në mënyrë që të jetë më dinamike dhe interaktive dhe shitjet dhe raportimi i dëmeve të bëhet online.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të sigurimeve për frymë. Nisur dhe nga zhvillimet e fundit, çfarë duhet bërë për të nxitur këtë treg?

Siç u shpreha më lart, sigurimet janë një marrëdhënie besimi. Kompanitë e sigurimeve duhet të punojnë më shumë që të përforcojnë besimin e qytetarëve, nëpërmjet rritjes së cilësisë së shërbimit dhe profesionalizmit. Kur një qytetar zgjedh një produkt sigurimi të caktuar, ai nuk duhet të ketë asnjë dyshim që do të dëmshpërblehet në rast të ndodhjes së ngjarjes për të cilën është siguruar. Gjithashtu, tregu duhet të ofrojë një numër më të gjerë shërbimesh dhe produktesh, të cilat t’u përshtaten nevojave të të gjitha shtresave të konsumatorëve.

Sigurisht dhe qeveria duhet ta përkrahë më shumë këtë treg. Sigurimi i detyrueshëm i pronës do të ishte një zgjidhje e mirë për vetë shtetin i cili transferon përgjegjësinë që merr mbi vete në mënyrë të panevojshme në raste fatkeqësish natyrore, por edhe për bizneset dhe qytetarët, të cilët do të dëmshpërbleheshin brenda afateve shumë të shkurtra, por edhe për kompanitë e sigurimit, sepse kjo do t’i jepte hov zhvillimit të tregut, duke e bërë atë më të qëndrueshëm. Po ashtu, mund të ketë mundësi shumë të mira të menaxhimit të sigurimit të shëndetit, në dobi të të gjitha palëve, dhe veçanërisht klientit, nëse do të kishte një bashkëpunim me shtetin dhe kompanitë e sigurimeve.

Por, gjithsecili duhet të mendojë vetë që të mbrojë standardin e jetesës që ka arritur, dhe për të mbajtur të pacenuar këtë standard, mënyra e vetme është transferimi i rrezikut tek kompanitë e sigurimit.

Nxitja e tregut të sigurimeve

Qeveria duhet ta përkrahë më shumë këtë treg. Sigurimi i detyrueshëm i pronës do të ishte një zgjidhje e mirë për vetë shtetin, i cili transferon përgjegjësinë që merr mbi vete në mënyrë të panevojshme në raste fatkeqësish natyrore, por edhe për bizneset dhe qytetarët, të cilët do të dëmshpërbleheshin brenda afateve shumë të shkurtra, por edhe për kompanitë e sigurimit, sepse kjo do t’i jepte hov zhvillimit të tregut, duke e bërë atë më të qëndrueshëm. Po ashtu, mund të ketë mundësi shumë të mira të menaxhimit të sigurimit të shëndetit, në dobi të të gjitha palëve, dhe veçanërisht klientit, nëse do të kishte një bashkëpunim me shtetin dhe kompanitë e sigurimeve.