Prof. Ksenofon Krisafi: “Ishim më mirë kur ishim më keq”- arritje e shënuar e Prof. Ago Nezhës

15
Sigal

Shoqata Atdhetare, Kulturore, Labëria “Nderi i Kombit” me kryetar z. Agim Çiraku, zhvillon një aktivitet mbresëlënës.

Dje, Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit” me kryetar z, Agim Çiraku, tek salla “TIRANA INTERNATIONAL “organizoi promovimin e librave “ISHIM MË MIRË KUR ISHIM MË KEQ” DHE “DEMONËT E DEMOKRACISË” me autor, Prof. Dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”. MODERATOR ALBERT ZHOLI, GAZETAR, SHKRIMTAR. FOLËSIT:

  1. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, AKADEMIK
  2. Prof. Dr. Paskal Milo, AKADEMIK
  3. Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, AKADEMIK
  4. Prof. Dr. Rexhep Uka “Mjeshtër i Madh
  5. Prof. Dr. Ethem Ruka, Akademik

Prof. Ksenofon Krisafi

Ago Nezha është pjesëmarrës aktiv në jetën politike, sociale, akademike, shkencore, kulturore, artistike dhe publicistike. Eshtë afirmuar si intelektual, profesor dhe veprimtar i palodhur, qytetar me bindje të palëkundura. Ato janë frymëzuar nga angazhimi për mbrojtjen e interesave te sigurisë kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjitha hapësirat shqiptare.

Ky mision është i pranishëm dhe shprehet pothuajse në çdo faqe të librit që promovohet sot, Ishim më mirë kur ishim më keq, ku vërehet gjithashtu edhe shqetësimi i tij i sinqertë për hallet e përditshme të njerëzve, që e rrethojnë, në veçanti të shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë.

Angazhimi i tij publik, ka nisur qysh në rininë e hershme, kur mbahet mend për pjesëmarrjen entuziaste në veprimtaritë, jetën sociale, kulturore e artistike të Shqipërisë së asaj kohe. Në shkrimet e veta dallohej adhurimi për vendin, për natyrën, gjeografinë, njerëzit, pasuritë e shumta minerale e natyrore, malet, fushat, lumenjtë, detin etj. Si shumëkush vuante, pa e shprehur hapur, kur shihte që në këtë vend të begatë, me njerëz të mrekullueshëm, të mirë, punëtorë, për fat të keq një pjesë e tyre, jetonin të zhytur në skamje e mjerim.

Kur gati 30 vjet më parë, në Shqipëri ndodhi transformimi i madh politik, përmbysja e monizmit dhe nisi hedhja e themeleve të sistemit demokratik, atë e përfshiu vala e fuqishme e angazhimit në politikë. Në fillim ishte ndër protagonistët kryesorë të Partisë Agrare-Ambjentaliste dhe më pas në Partinë Aleanca Kuq e Zi. I angazhuar në jetën publike dhe në atë politike, ka punuar për të dhënë kontributet e veta për progresin dhe prosperitetin e shqiptarëve dhe atdheun e tyre, Shqipërinë, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare përreth. Por, siç ndodh rëndom me njerëzit idealistë, që venë gjithëçka në realizimin e ëndrrave, kur ndeshen me paudhësitë e mëkatarëve të pandreqshëm, me deformimet e ngritura në sistem, entusiazmi zëvendësohet hera-herës nga zhgënjime trishtuese.

Përjetime të tilla i ka ndjerë edhe prof. Nezha. Ato shfaqen qartë në faqet e këtij libri, ku dallohet pa vështirësi se ka kuptuar që, në jo pak raste, politika edhe mund të të ndotë. Prandaj iu shmang pjesëmarrjes aktive brenda radhëve të saj. Megjithatë nuk u largua nga misioni për të qenë i dobishëm për vendin dhe për njerëzit. Zgjodhi veprimin nëpërmjet shoqërisë civile, doli në ballë të një bashkësie, Shoqatës kulturore atdhetare Labëria, “Nderi i Kombit”, si një nga drejtuesit më të suksesshëm të saj.

Kur ke në duar librin e Ago Nezhes dhe përmes shfletimit hyn në botën e tij krijuese, vëren se nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës shqiptare që i ka shpëtuar vëmendjes dhe spektrit të krijimtarisë së tij mjaft të gjerë.

Prezantimi në fushën e letërsisë artistike

Prezantohet si krijues në fushën e letërsisë artistike, të konkretizuar në një numër librash në prozë e poezi. Ka shkruar mijëra faqe edhe për çështje me karakter studimor e publicistik, për politikën, shoqërinë, ekonominë, jetën e përditshme të shqiptarëve etj. Këta, veçanërisht njerëzit që i kanë dalë zot vendit, i ka ngritur në piedestalin e merituar.

Në libër ndjehet edhe zhgënjimi që ndjen autori nga disa politikanë shqiptarë pa vlera, që kanë uzurpuar skenën politike, nga disa parti, anëtarë të caktuar të parlamentit, të bashkive, institucioneve të tjera të pushtetit qendror dhe lokal etj.

Autori konstaton se shumë nga politikanët, që rrinë gjatë në pushtet, janë kthyer në plaçkitës, lakmitarë, egoistë, ziliqarë, të uritur për pushtet, para, prona, e pasuri.

Parcelizimi politik i pushtetit ka krijuar terren për të triumfuar injoranca nëpërmjet të punësuarve mbi kritere militantizmi. Është bërë modë në politikën shqiptare, që partitë e vogla aleate “kishin racionin e vet në sofrën e madhe të qorrave e horrave të pushtetit”, siç shprehet Ago.

Idealist, i drejtë, i sinqertë me besim të patunduar te mirësia njerëzore, te morali dhe etika, ai ka kërkuar me bindje, me shumë dëshirë dhe madje me padurim, të gjente ndryshimet, që do të sillte “koha e lirisë”, “epoka e demokracisë”, hapja e shqiptarëve ndaj botës dhe Europës etj. Por, pa i mohuar rezultatet pozitive, madje duke iu gëzuar atyre me të drejtë, gjithësesi dallohet që ndjen keqardhje dhe në raste të caktuara edhe zhgënjime. Ai vuri re se këto kohë të bukura “i privatizuan” disa “të fortë” të fshatit a të mëhallës, një grup oligarkësh e politikanësh të paskrupullt, që dolën në krye nga anonimati e injoranca. Ata plaçkitën e rrëmbyen gjithçka në Shqipëri, aq sa shifrat e ndarjes së pasurisë në gjirin e popullsisë shqiptare, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, tregojnë nivele të pabesueshme. Brenda rreth 30 vjetësh ata shtinë në dorë pothuajse gjithë Shqipërinë. I ndodhur në situata të tilla dëshpëruese ndonjëherë prof. Nezha mendon se “ishim më mirë kur ishim më keq”, titulli dhe lajtmotivi i librit të vet. Sepse, sipas tij, në këtë vend mbizotërojnë “vlerat konkurruese të politikanëve”, që nuk e dinë se çdo të thotë “solidaritet dhe dashuri në fatkeqësi”, që të vetmen gjë që e bëjnë mirë është “vidh merr dhe ik”, të cilët nuk ngurojnë të shfaqen si “trafikantë të dijes”, duke bërë sikur nuk e dinë që “shkenca s’bëhet me militantë”.

Kjo racë politikanësh, e strehuar në 100 e ca parti, e kanë kapur për fyti të “mjerën Shqipëri” dhe janë shfaqur “në politikën shqiptare” jo si “risi, as edhe si “rinovim i politikës”, por si “politikë e koniukturave”, si “pushteti i pushtimit të pronave” dhe “sinonim i psikologjisë së turmës”. Këta “politikanë sharlatanë”, sipas autorit në fakt “plehra të politikës” ose produkt i “politikës së plehrave” kanë pushtuar kolltuqet qeveritare dhe ulëset e parlamentit, të cilin autori e quan “parlamenti i plehrave” ose “parlamenti i fjalëve të pista”. Ata dhe lakenj të tyre, “të rrjedhur”, siç i quan autori, shfaqen si aktorë komikë të “teatrit politik” që fshihen pas një kauze spekulative me një merak të shtirur për “teatrin kombëtar”, për të larë gojën, në fakt për t’u tallur me një shtresë njerëzish që meritojnë respekt, sepse kanë vuajtur jo pak nga pararendësit e tyre, një pjesë realisht agjentë të shërbimit të dikurshëm inteligjent shqiptar, që bëjnë spektakël fals kur diskutojnë pa reshtur “t’i hapim apo t’i mbyllim dosjet”.

Fatkeqësia e vendit, sipas tij, është se politikanët dhe gjithë raca e shpifur e lidhur me ta për interesa okulte, asistohen në çdo hap të paudhësive të tyre nga disa “opinionistë pehlivanë”.

Nderohen tradhëtarët harrohen heronjtë

Autori dëshpërohet kur konstaton se jo rrallëherë populli, teksa nderon tradhëtarët, shfronëzon heronjtë, duartroket varfërinë, duron mbi shpinë një pushtet dhe administratë që e fyen, e poshtëron, e vjedh, e plaçkit.

Veçanërisht interesant është fakti që ai ka vërejtur dhe ka vënë në dukje fenomenin e neokolonializmit fetar, një lloj soft agresioni, i pabujë, por tej mase i rrezikshëm, që duhet vlerësuar dhe kundërshtuar me rreptësi.

Një faktor me rëndësi të padiskutueshme, sipas tij, janë ndërkombëtarët, raportet e Shqipërisë me të mëdhenjtë e botës, fqinjët, organizatat ndërkombëtare, çështjet e minoriteteve, diasporës etj. Ai shpreh dëshirën që ato të forcohen e konsolidohen si marrëdhënie prestigji, personaliteti, dobie, reciprociteti etj, duke u mbështetur mbi respektimin rigoroz të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Ai dallon, vlerëson dhe falenderon “miqtë për ditë të vështira”, por nuk lë pa stigmatizuar disa fqinjë që, “pasi na vranë për 30 vjet”, “na ngushëllojnë” edhe pse “na urrejnë” dhe vazhdojnë strategjinë e tyre të qëndrimeve të dikurshme antishqiptare.

Autori shqetësohet sinqerisht për çështjen çame, të cilën e konsideron problem të madh të strategjisë politike shqiptare, e cila mbetet përjetësisht e paparashkrueshme.

Libri përshkohet edhe nga disa vlerësime të autorit me karakter subjektiv, përgjithësues, sipas meje hera-herës emocionale, për zhvillime dhe individë të caktuar.

Ago është mjaft prodhimtar, autor i shumë botimeve, që përbëjnë një minienciklopedi sui generis.

Veçori tjetër dalluese e prof. Nezhës, është vërtetësia. Ai është vetvetja në gjithçka, qartësisht i drejtpërdrejtë. Entusiazmin, emocionet pozitive, sikurse edhe dëshpërimin, trishtimin dhe hera-herës edhe revoltën, përjetimet dhe mbresat rreth zhvillimeve, ngjarjeve, i shpreh siç i ndjen, pa “make up”.

Autori e ka vrojtuar në vazhdimësi dhe në thellësi realitetin e sotëm shqiptar me shqetësimin e përligjur të një intelektuali, akademiku dhe qytetari të emancipuar.

Ai thotë gjithë dëshpërim se Shqipërinë tonë disa nga ata që vijnë në pushtet nuk rreshtin së amplifikuari “rezultatet” e arritura gjatë qeverisjes, në fakt grabitjes së tyre dhe klikës që mbajnë përeth vetes, të cilat, siç u tha edhe pse nuk mungojnë, nuk janë ato që priteshin e duhet të ishin. Një pjesë e parave të caktuara për investime në sektorët e ndryshëm të ekonomisë shqiptare, janë përvetësuar nga “pushteti i pushtimit të pronave”, siç thuhet në një nga shkrimet me të njëjtin titull të librit, janë ngurtësuar në vilat dhe bizneset e disa prej qeveritarëve, deputetëve ose politikanëve, janë depozituar në llogaritë e tyre në offshoret në Europë, në ishujt e Karaibeve, janë shpenzuar për jetën luksoze dhe shpesh herë vanitoze të tyre dhe pinjollëve të tyre, sipas motos “vidh merr dhe ik”.

Këto fenomene, këtë politikë çnjerëzore prof. Nezha e ka bërë objektin e fokusit të tij kritik në dhjetra eseve të 153 shkrimeve që përbëjnë objektin e librit.

Autori nuk mohon realizimet e jetës politike, sociale, ekonomike, kulturore, artistike, akademike etj, por, siç u tha, kur është rasti, dënon plagët, korrupsionin, shpërdorimet, vjedhjet, vrasjet etj.

Pjesë qënësore e këtij libri është edhe historia, e kaluara e lavdishme e shqiptarëve, të cilat ai i glorifikon deri në sublimim. Partizanët, Lufta Nacional-çlirimtare, Lufta Çlirimtare e UÇK-së, të rënët në Shqipërinë e sotme zyrtare, në Kosovë dhe në trojet shqiptare, nderimi dhe respektimi i përjetshëm i tyre, identifikohen si tipar tipik i një populli të emancipuar, siç është populli shqiptar.

Autori ka një stil interesant të shkruari.

Operon me gjuhën e përpunuar të një studiuesi, shkrimtari dhe publicisti të mirënjohur. Pjesë e saj është edhe humori i hollë që jo rrallë merr format e sarkazmës therrëse. Ajo është e pasur me shprehi tipike që burojnë nga e folura e krahinës së Labërisë, prej nga vjen autori.

Libri “Ishim më mirë kur ishim më keq” i prof. Ago Nezhës është një arritje tjetër e shënuar e autorit, një krijim me shumë vlerë në letërsinë artistike e publicistike shqiptare, si edhe një kontribut i çmuar në veprimtarinë e tij shoqërore e politike, në interes të vendit dhe të shqiptarëve.

Gjej rastin ta uroj dhe ta përgëzoj mikun tim Ago për këtë sukses të padiskutueshëm.

Gënjeshtrat gabojnë, cilën gënjeshtër të besojmë ?

Autopsia e shoqërisë shqiptare në hapësirën 33 vjeçare.

Ka nisur fushata me fjalë të “mjalta”, që kur i dëgjon ngjajnë si të “arta”. Kemi 33 vjet, që mendojmë, dëgjojmë dhe meditojmë, cilën gënjeshtër të besojmë?… Shtrojmë pyetjen vetes, të krahut të majtë apo të djathtë?

Kur vijnë në pushtet, premtojnë me këmbë e me duar, për një jetë më të lumturuar. Boll na kanë mashtruar, se do zbresin parajsën në tokë dhe ne i kemi “besuar”, por sot ndihemi të zhgënjyer dhe të lënduar. Demokracia si askund tjetër, tek ne erdhi duke shkatërruar çdo vepër, duke e quajtur të vjetër. Me teorinë zero, qenë betuar dhe zotuar, se mrekullinë dhe parajsën shqiptare kishin për të ndërtuar. Na premtuan me lugë bosh, na vranë frikën. Duke na bërë thirrje patetike: Prishni, shkatërroni, vidhni pa pikë frike, mos u trembni, se jemi në kohë demokratike. Turma të irituara u ngritën në këmbë. Me moton se çdo gjë e kaluar duhet shembë. I vunë ruspën, ç’ju dilte përpara. Prishën hekurudha, fabrika, uzina e kombinate, rrafshuan çdo vepër brenda një nate, gjoja për t’i hapur rrugën pronës private. Filluan të ndërtojnë vila e pallate, për vete dhe për tarikate. Ndryshimet në truallin e Shqipërisë, kanë kaluar përmes barbarisë. U gdhinë të varfër, u ngrysën të pasur, një kastë rrufjanësh, cipë-plasur, që me aventurat e tyre na kanë gajasur. Vijnë në pushtet asgjë s’realizojnë, dalin në opozitë, parajsën premtojnë, cilën gënjeshtër të besojmë?!…Qarkullojnë në pushtet, e majtë dhe e djathtë, njëra poshtë e tjetra lartë, duke i hedhur njëra tjetrës baltë.

Populli bëhet fatalist, se qenka pa fat.

Grinden vazhdimisht, grinden pushtetarët, nuk dinë as vetë pse grinden qyqarët. Ata grindjen e kanë hak, se grinden mes veti – kush vodhi më pak. Problemi i qeverisë s’është çfarë realizoi, por kush humbi e kush fitoi. Ai që vjedh më shumë, ai është heroi. Kjo garë prej vitesh është motua e pushtetit, që besojnë të venë në derën e xhenetit, duke vjedhur pasurinë e dovletit. Për 33 vjet kanë bërë ç’kanë dashur, dhe nga drejtësia asnjë gërvishje s’kanë pasur. Shpresojmë tani që u krijua SPAKU, të zbulohet kapaku, t’u hidhet për fyti laku, të vejë te i zoti haku. Të katër shtyllat e demokracisë, janë ndotur nga korrupsioni, janë bërë pisë, e ja kanë nxirë fytyrën Shqipërisë. Presin të vijnë nga jashtë dhurata, megjithëse gomarin, e nxjer i zoti nga balta. Shqipëria përjeton një situatë fatale, e shkatërruar dhe nga ana morale, femra e meshkuj janë bërë karnavale. Në televizione që quhen publik, dalin ca gazetar komik, dhe nxjerrin femra e meshkuj lakuriq, që të vjen turp e të vjen frikë. U prish morali, u prish tradita, fëmija s’njeh respekt,… ka humbur frika, fëmija vret prindin, prindi vret fëmijën, gruaja vret burrin e burri vret  gruan, e krimi në familje si macja me miun luan. Ka parë ky popull e ç’nuk ka parë, matrapazë, hajdut, trutharë e tradhtarë, që Shqipërinë e kanë nxjerrë ankand në Pazar. Kanë humbur shpresën shqiptarët, ndaj, marrin arratinë qyqarët. Një rreze drite ndriçon te ndërkombëtarët, po u kanë kallur datën pushtetarët. Te e majta dhe e djathta ka njerëz me aspirata, që dinë të dallojnë ditën nga nata, po s’shohin dritë në fund të tunelit, se i ka mbytur shtrëngata. Vetëm një ditë mund të shpëtoj Shqipëria, kur të vihet në vend drejtësia, urojmë: “Dashtë Perëndia”.