Aksioni i Europol në 5 shtete, e përfshirë edhe Shqipëria. SPAK zbardh detaje: Mashtrimi më i madh i zbuluar në Evropë

13
Sigal

12 qendra të thirrjeve mashtruese janë shkatërruar nga EUROPOL-i gjatë një operacioni të koduar “Pandora”.Nga numrat e telefonit të grupit të strukturuar kriminal, ka rezultuar në mbi dhjetë mijë raste të mashtrimit, me dëme në mbi 10 milionë Euro. SPAK ka zbardhur detaje nga operacioni i Europol në luftën kundër krimeve të mashtrimit kompjuterik, i cili u shtri në disa shtete si Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Liban, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Sipas autoriteteve gjermane, ky është mashtrimi më i madh në Evropë, i bërë me anët të “call-centerave”. Ky grup i strukturuar dyshohet se  është përfshirë në mbi 10 mijë raste mashtrimi. Dëmi total i shkaktuar nga mashtrimet me “Call-center” nga ky grup thuhet se është mbi 10 milionë euro.“Hetimi ka filluar në dhjetor 2023, pasi policia gjermane, ka parandaluar një tentativë mashtrimi me dëm të mundshëm prej mbi 100,000 Euro, përmes një punonjësi të vëmendshëm të bankës. Nga numrat e telefonit të grupit të strukturuar kriminal, ka rezultuar në mbi dhjetë mijë raste të mashtrimit, me dëme në mbi 10 milionë Euro. Autoritetet hetuese nga Baden-Württemberg, kanë zbuluar me sukses atë që është ndoshta mashtrimi më i madh në Evropë në qendrat e thirrjeve”,- thuhet në njoftimin e SPAK. Nga aksioni i zhvilluar në Shqipëri, është arrestuar një person si dhe janë sekuestruar 6 laptopë, 11 celularë, 2 kompjuter dhe 3 automjete dhe një sasi lëndësh narkotike. Ndërkohë që dy të tjerë kanë rënë në prangat e policisë, pasi gjurmimit të lëndës narkotike që u gjet në banesën e mashtruesit kibernetik. “Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, dhe kontrolleve u arrit të sekuestrohen: 6 njësi kompjuterike Laptop; 1 njësi kompjuterike PC; 11 aparate telefoni celularë; 2 monitorë kompjuteri; 1 USB; 1 pajisje monitorimi kamera sigurie; 10 110 Euro; 3 Automjete; 2 ora të markës “Ademars Piguet”; dokumente të ndryshme me të dhëna të viktimave dhe të funksionimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm; sasi lënde narkotike”,- thuhet në njoftimin e SPAK. Ky bashkëpunim ndërkombëtar çoi në arrestimin e 21 të dyshuarve dhe sekuestrimin e parave të gatshme dhe sendeve me vlerë prej një milion eurosh.