Halil Rama: Historia e LANÇ, të vërtetat e “hidhura” sipas kolonel Hamit Keçi për burgjet fashiste dhe formacionet partizane

32
Sigal

Historia/ Rezistenca në burgjet fashiste të Italisë, kontributi në njësitet guerile e formacionet partizane dhe burgosja nga diktatura e dy vëllezërve  të familjes Keçi

Historia e LANÇ, të vërtetat e “hidhura” sipas kolonel Hamit Keçi

Halil Rama – Mjeshtër i Madh

  • (Mos) betimi për besnikëri ndaj flamurit dhe Mbretit të Italisë.
  • Tradhëtia ndaj Shyqyri Ishmit dhe kurthet për vrasjet e Qemal Stafës e Sadik Stavalecit dhe për eleminimin e Koçi Xoxes, Tuk Jakovës, Isuf Keçit e Zef Ndojës si dhe e vërteta mbi gënjeshtrat për “tradhtinë” e Ludovik Nikajt.

Informacione dhe analiza mbi ngjarje të rëndësishme historike të vendit në periudhën 1938-1950. Të jetuara, të dokumentuara dhe të treguara nga Hamit Keçi, pjesëmarrës aktiv i jetës politike dhe shoqërore, si edhe i luftës për çlirim nga fashistët italanë e nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një lëndë mjaft e pasur përmbajtësore, që duhet të jetë objekt studimi nga Komisioni i Akademisë së Shkencave për rishkruarjen e Historisë!

Ish kuadri i lartë i Ushtrisë Shqiptare, koloneli, që kishte studjuar në Akademinë e Artileri-Xhenjo në Torino dhe në Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshilov” në Moskë, por që më 2 gusht 1949 u arrestua dhe u dënua me 15 vjet privim lirie me humbjen e gradave ushtarake dhe të mbajtjes së medaljeve, la si testament të së vërtetës kujtimet e tij për ngjarje kryesore të LANÇ. Të përmbledhura në librin me 450 faqe (“ Hamit Keçi – Kujtime 1938-1950”), të përgatitura me kujdes maksimal nga e bija, Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj (Keçi) dhe të botuara nga OMBRA GVG përmbajnë një lëndë mjaft të pasur që duhet konsideruar nga Komisioni i posaçëm i Akademisë së Shkencave për rishkruarjen e historisë. Sepse, ai hedh dritë mbi dhjetra fakte të shtrembëruara qëllimisht nga historiografia komuniste.

Në shenjë revolte ndaj pushtimit fashist refuzoi dhe Diplomën e Akademisë Ushtarake të Torinos!

Hamit Keçi, djali më i madh i Ibrahimit dhe Hafsasë, lindi në një familje qytetare dhe patriote tiranase më 20 mars 1915. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin e Tiranës, më 11 janar 1935 filloi studimet në shkollën ushtarake të Napolit, Itali, nga ku, në vitin 1937 vazhdoi studimet ushtarake në një nivel më të lartë, në “Akademinë e Artileri-Xhenjo” në Torino, studime të cilat i përfundoi në vitin 1939. Në prill 1939, në shenjë revolte ndaj pushtimit fashist të Shqipërisë, refuzoi diplomën, shërbimin në një ushtri të huaj dhe pagesën, duke i këmbyer me burgun dhe internimin.

Ndër të tjera, në librin e tij me kujtime Hamit Keçi shkruan: “Më 18 maj në mëngjes do të shkonim për të bërë provën e ceremonisë së betimit në kazermën “Secondo Granatieri”, ku ndodheshin dhe dy batalione shqiptare, që fashistët i kishin mbledhur nëpër qytetet e ndryshme të Shqipërisë, të veshur me kostume kombëtare dhe quheshin batalione të rojës perandorake…Më 19 maj 1939 në mëngjes më morën në zyrën e komandës ku ndodhej prapë koloneli fashist, i cili prapë më pyeti nëse do të betohesha dhe unë iu përgjigja prapë negativisht. Ai më tha që të deklaroja me shkrim se përse nuk betohesha dhe, duke më vënë një fletë letre përpara, përsëriti fjalët e mia që i kisha thënë një ditë më parë se çdo njeri përgjigjet vetë për veprimet e veta.

Unë e mora fletën e letrës me inat dhe i thashë:

-Si urdhëron!

Arsyeja që nuk betohesha (që nuk bënte betimin fashist) ishte e thjeshtë: Meqë ushtri shqiptare nuk ka më, siç na tha gjenerali (emrin nuk ia mbaj mend) në banketin që u shtrua në “Shkollën e Artilerisë Kundërajrore” më 16 maj në Anzio, në një ushtri tjetër nuk dëshiroj të shërbej dhe dëshiroj të shkoj në shtëpinë time…”

Aktiviteti i tij në vitin 1939 në Itali u konsiderua si i “rrezikshmërisë së lartë”, siç rezulton në dokumentat përkatëse, për këtë arsye u ndëshkua me “ katër vite heqje lirie dhe internim në ishullin e Tremitit”. Në kujtimet e tij Hamit Keçi shkruan se më 24 maj 1939 mbërritën të shoqëruar në Bari në burgun e karabinierëve, ku gjetën aty dhe 8 nxënës të  shkollës ushtarake të Milanos që kishin deklaruar me shkrim se nuk betoheshin. Në mes tyre ishin edhe tre të Tiranës: Ali Tafaj, Arif Peza dhe  Petraq Vuçani. Prej tyre kishin mësuar se një oficer nëntoger, Shahin Toçi kishte vrarë veten. (Nga të 50 oficerët shqiptarë ai ishte i vetmi që nuk u betua, dhe më 21 maj 1939 u gjend i vrarë në dhomën e një hoteli në Romë. Ka edhe disa fakte të tjera që vërtetojnë se nëntoger Shahin Toçi është vrarë nga organet e shërbimeve sekrete fashiste). Hamit Keçi dhe shokët e tij studentë shqiptarë të arrestuar, qëndruan në burgun e karabinierisë në Bari rreth 40 ditë. Në fund të muajit qershor fashistët sollën në këtë burg prindërit e të arrestuarve për t’u takuar me ta e për t’i bindur që të ktheheshin prapë në shkollat ku ishin, e kështu me 15 gusht i kthyen në Torino, duke mos i lejuar të ktheheshin në Shqipëri, me pretekstin se nuk kishin shlyer provimet dhe duhet të përgatiteshin për të dhënë provimet ato që kishin mbetur për vjeshtë. Me 20 shtator i dhanë provimet dhe i fituan. Por sërish do të provonin kalvarin e dënimeve. Më 1 Nëntor 1939, Hamit Keçin dhe shtatë studentë të tjerë shqiptarë i dërguan përsëri në burg, ku Hamitin e kishin dënuar 4 vjet internim dhe të tjerët me nga tre vjet internim, të cilët i vuajtën në ishujt Tremiti.

Në ishull kaluam plot dy vjet internim, nga të cilët pesë muaj në burg. Kështu, ndonëse në prag të diplomimit në prill të vitit 1939, këmbeva postin e oficerit me internimin, sepse as nuk doja dhe as nuk mund të betohesha si ushtarak për besnikëri para flamurit Italian dhe mbretit të Italisë. A ishte ky maksimumi i kryerjes së detyrës? Mbase po, mbase jo. Megjithatë, ne bëmë atë që mundëm, me bindje e ndërgjegje se po i shërbenim atdheut”, 0shkruan H.Keçi në librin e tij me kujtime (fq.59).

Vëllezërit Hamit dhe Isuf Keçi, Guerilasit dhe Partizanët, që u burgosën nga diktatura.

Me 1 shtator 1941, Hamit Keçi, pasi shleu pjesërisht dënimin, u kthye në Shqipëri, plotësisht i vendosur për të luftuar për lirinë e atdheut, i frymëzuar nga idealet komuniste të asaj kohe, të drejtësisë dhe barazisë shoqërore, me të cilat ishte njohur gjerësisht në internim nga komunistët italianë.

Të dy vëllezërit, Hamiti dhe Isufi morën pjesë aktive në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, deri në vitin 1943, si anëtarë të njësiteve guerile dhe më pas, deri në çlirimin e vendit, si drejtues të formacioneve partizane (Çeta e Dajtit, batalioni Dajti, batalioni i Çermenikës, Brigada e 3-të, Brigada 23, Divizioni i Parë etj). Motra më e madhe Xhaharija, u martua tepër e re, me Rexhep Maçin, një tiranas tjetër, i nderuar e patriot dhe shumë shpejt u bënë prindër, kështu që mbështetja e tyre ishte kryesisht morale. Ndërsa motra tjetër, Nazmija dhe vëllai më i vogël, Maliqi, nën ndikimin e dy vëllezërve më të rritur u përfshinë aktivisht në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, të inkuadruar në brigadat partizane, deri në çlirimin e vendit.

Pas çlirimit, iu përveshën punës, gjallërisht e me pasion për rindërtimin e vendit, të bindur se kishte ardhur dita për realizimin e idealeve të tyre të barazisë e drejtësisë.

Isuf Keçi, u emërua Kryetari i parë i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, detyrë të cilën e kreu me sukses deri ditën e arrestimit, shkurt 1950. Në detyrën e tij si kryetar, në çdo moment u përpoq të realizonte përgjegjësitë e tij ndaj qytetarëve të Tiranës, të atyre në nevojë e të pambrojtur, i bindur se kjo ishte e vetmja mënyrë që do të forconte shtetin e ri të demokracisë e barazisë.

Nga libri i tij me kujtime, mësojmë se Hamit Keçi në harkun kohor të viteve 1945-1948 studjoi në Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshilov” në Moskë, nga ku u kthye me gradën “Nënkolonel” dhe u emërua Drejtor i Drejtorisë Politike të Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më vonë u gradua “kolonel”. Këtë funksion dhe gradë e mbajti deri më 2 gusht 1949 kur u arrestua dhe u dënua me 15 vjet privim lirije, me humbjen e gradave ushtarake dhe të mbajtjes së medaljeve të Kujtimit, të Çlirimit dhe të Trimërisë.

“Hamit Keçi formalisht u dënua për moszbatim urdhri, nxjerrje sekreti, ofendim të udhëheqjes etj. Mirëpo e vërteta mbi shkaqet e dënimit qëndron më thellë, ndryshe nuk mund të justifikohet se pse pas tij u arrestua i vëllai, Isufi, u akuzua i kunati e më pas u ekzekutua Njazi Islamaj (ish-Ministër i Komunikacionit), bashkëshorti i motrës më të vogël, Nazmijes, dhe u ndoq e u persekutua gjithë familja. Arsyet e dënimit, qëndrojnë në mospërputhjen e vijës së tij dhe të vëllait të tij, vijës politike e ideologjike të të gjithë ish-Grupit të të Rinjve, në të cilin ata kishin kontribuar, me kursin që po ndiqte PPSH dhe kryesisht udhëheqësi i saj, diktatori Hoxha. Arsyeja e dënimit të Hamit e Isuf Keçit qëndron në faktin që personaliteti dhe formimi i tyre, bota dhe kultura që ata dhe familja e tyre e ndershme e patriote tiranase përfaqësonin, ishte e papranueshme për shoqërinë që po lindte”. (Libri “Hamit Keçi, kujtime 1938-1950”, Faqe 25).

Hamit Keçi u lirua nga burgu në vitin 1957, dhe pas disa përpjekjeve, u caktua për të punuar në ndërmarrjen Kimike, si ekonomist kostosh, ku punoi deri sa doli në pension në vitin 1973. Në vitin 1959 u martua me Jeta Selenica, vajza më e madhe e Teki Selenicës, një intelektual e patriot i ndershëm, të cilin, ndonëse pushtimi fashist e gjeti në pozicionin e Sekretarit të Shtetit për Administratën Publike, menjëherë dorëzoi detyrën dhe u tërhoq, krejtësisht në paqe me ndërgjegjen e tij.

Hamiti pati një jetë familjare të shëndetshme, në sajë të personalitetit të tij si edhe të zgjuarsisë e dashurisë të zonjës së tij, Jeta dhe rrethit të saj, intelektual e njerëzor, vëllezërve Petrit dhe Ylli Selenica si dhe motrës, Dashuri Rusi, të cilët kurdoherë e trajtuan me respektin që meritonte Hamitin dhe rrethin e tij familjar.

Hamiti dhe Jeta u gëzuan me dy vajza, të cilat edhe në rrethanat e hijes së biografisë që i përndoqi deri në vitin 1990, i edukuan me ndershmërinë dhe dashurinë për punën, si virtyte që prodhojnë vlerë të rikthyeshme kurdoherë, prandaj dhe ja arritën t’i shihnin të realizuara e të gëzuara me familje të shëndetshme e fëmijë të mirë dhe me arsim të lartë të përfunduar pas viteve ’90-të.

Refleksione për rishkrimin me vërtetësi të historisë së LANÇ

Veç të tjerash, kujtimet e Hamit Keçit janë refleksione për rishkrimin e historisë së LANÇ me vërtetësi. Sepse si dëshmitar okular në aksionet e guerilasve tiranas ai hedh dritë mbi dritëhijet për tradhëtinë e lidershipit komunist të viteve ’40 ndaj Shyqyri Ishmit dhe kurthet e udhëheqjes së asaj kohe për vrasjet e Qemal Stafës e Sadik Stavalecit dhe për eleminimin e Koçi Xoxes, Tuk Jakovës, Isuf Keçit e Zef Ndojës si dhe për të vërtetat mbi gënjeshtrat për “tradhtinë” e Ludovik Nikajt. Në 60 faqe të librit “Isuf Keçi, kujtime 1938-1950” (fq.99-159) jepen me detaje intriga e thurje planesh djallëzore nga udhëheqja komuniste e kohës e dirigjuar nga të dërguarit e Partisë Komuniste Jugosllave Miladin Popoviç e Dushan Mugosha për të eleminuar luftëtarët, patriotët e intelektualët e shquar shqiptarë të vënë në krye të Lëvizjes Antifashiste e për të uzurpuar me koniktura udhëheqjen e PKSH.

Luftëtari e intelektuali patrioti Isuf Keçi, njëherësh një ushtarak i zoti i mirëpërgatitur në Akademitë ushtarake italiane e ruse, si bashkohës dhe dëshmitar okular, analizat e tij i mbështet në fakte e dëshmi mbi tradhti të tjera si dhe në politikën e kulisave mbi ngjarje vendimtare si: Konsulta e parë e aktivit të PKSH e mbajtur me 12-14 prill 1942 dhe kurthin për eleminimin e Sinan Gjonit (Rrumbullakut); Konferenca e jashtëzakonshme e PKSH dhe i ashtuquajturi “Fraksion i Vlorës”, plani për arratisjen nga burgu fashist sëbashku me Koçi Xoxen, Sotir Vullkanin dhe Ali Demin, etj, që u burgosën të tradhtuar pas vrasjes së Qemal Stafës.

Në parathënien e librit, Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj (Keçi), ndër të tjera shkruan se “Kujtimet e Hamit Keçit përcillen tek lexuesi nëpërmjet zhvillimit të dy linjave themelore: së pari, nëpërmjet përshkrimit të ngjarjeve të ndërrmara nga të rinjtë shqiptarë, qytetarët dhe fshatarët, patriotët, intelektualët, në përgjigje të nevojës për të organizuar rezistencën ndaj pushtuesve; dhe së dyti, nëpërmjet këtyre ngjarjeve, analizohet edhe roli i Enver Hoxhës, krejtësisht në kontraditë me atë që ka predikuar dhe vazhdon të predikojë literatura historike e arkivuar gjatë diktaturës si edhe literatura e prodhuar nga nostalgjikët e sistemit të kaluar. Natyrshëm, informacioni i ngjeshur i trajtuar përgjatë dy linjave, e udhëheq lexuesin drejt një përfundimi të dhimbshëm: çdo përpjekje për liri, pavarësi, drejtësi, përparim, zhvillim, mirëqenie, është minuar, abuzuar, tradhëtuar nga brenda, për t’i shërbyer interesave personale dhe atyre të të huajve, që kanë synuar sundimin e Shqipërisë”. Për një orientim sa më të saktë, (e bija e autorit) Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj (Keçi) i bën të ditur lexuesit se kujtimet janë të organizuara në shtatë kapituj, përfshirë epilogun dhe informacionet plotësuese.

Kapitulli i parë, nëpërmjet përshkrimit të familjes Keçi, jetesës dhe botëkuptimit të anëtarëve të saj, sjell informacion mbi Tiranën e njerëzve të thjeshtë patriotë, punëtorë e të kulturuar, duke i paraprirë ngjarjeve që përshkruhen në kapitujt vijues.

Kapitulli i dytë, nëpërmjet përshkrimit të ndërgjegjes patriotike dhe formimit të Hamit Keçit si idealist, hedh dritë mbi aspiratat e rinisë shqiptare dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare, në prag të luftës së dytë botërore dhe pushtimit fashist të vendit.

Kapitulli i tretë përshkruan me hollësi lëvizjen guerile në Tiranë, të organizuar dhe drejtuar nga grupi i të Rinjve kryesisht, të cilës i vë përballë tradhëtinë dhe pabesinë e Enver Hoxhës, të mbështetur nga Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, nacionalistë serbë.

Kapitulli i katërt përshkruan luftën partizane, kryesisht në rrethin e Tiranës, në përpjekje për të çliruar vendin dhe kontribuar në fitoren e plotë mbi nazizmin, duke analizuar edhe “rolin e Enver Hoxhës”, të këtij “regjisori” të paskrupullt të manipulimeve e kurtheve, ndërsa një popull i tërë përballej me sakrifica, përtej fuqive të tij.

Kapitulli i pestë përshkruan ngjarjet e pas luftës, që finalizuan çfarë ishte projektuar në skutat e errëta të mendjes së çartur të “prijësit”, që për 45 vite do të drejtonte me dorë të hekurt, mjaft që të mos tutej nga pushteti.

Kapitulli i gjashtë, epilogu, nuk është vetëm mbyllja e librit, por është fundi i një analize dhe fillimi i një faze të re, detyrimeve dhe përgjegjësive, përtej individit.

Kapitulli i shtatë përmbledh disa informacione të shkruara dhe vizive, plotësuese”, -shkruan Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj (Keçi)  (fq.12-13).

Bashkthemelues i OBVL me dr.Ymer Dishnicën, gjeneral Parllakun, Liri Belishovën etj.

Në parathënien e librit, e bija e tij Arlinda Ymeraj (Keçi), ndër të tjera shkruan se pas vitit 1990, ndonëse i moshuar Hamit Keçi u përfshi në Lëvizjen Demokratike, me të gjithë fuqinë e mendjes dhe të shpirtit. Ishte bashkthemelues i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ me Dr.Ymer Dishnicën, gjeneral Rrahman Parllakun, gjeneral Nexhip Vinçanin, Kiço Ngjelën, Manol Konomin, Fadil Paçramin, Maqo Çomon, Sadik Bekteshin (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodanin (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Skënder Malindin, Edip Ohrin dhe Ernest Jakovën; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja (Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Për disa vite Hamit Keçi drejtoi me përkushtim të rallë Degën e OBVL për Tiranën, si kryetar i saj. Shkroi rreth historisë së kaluar, mori pjesë në aktivitete publike e sociale, për arsyen e vetme, sepse ishte bindja e tij, që një intelektual dhe patriot duhet të kontribuojë në çdo moment për zhvillimin shoqëror të vendit të tij. Në bazë të vendimit nr.12, datë 21.7.1994, të komisionit tre palësh ju dha e drejta e “Statusit të ish të përndjekurit politik”.

Hamit Keçi u nda nga jeta me 8 dhjetor 2002, i rrethuar nga dashuria e familjes, e miqve dhe shokëve, respektin e të cilëve e kishte merituar kurdoherë, pavarësisht nga rrethanat.

Në ceremoninë e 100 – vjetorit të lindjes, organizuar nga Organizata e Bashkuar e veteranëve të LANÇ (OBVL) më 20 Mars 2015, Hamit Keçi u dekorua nga Shoqata “Tirana” me titullin “Fisnikëria tiranase” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në çlirimin dhe mbrojtjen e vendit. Veteranit patriot. Tiranasit fisnik”.

Po ashtu, mbështetur në propozimin e Kryesisë së OBVL, me dekretin nr. 10286, datë 08.05.2017, Presidenti i Republikës Bujar Nishani i dha Hamit Keçit (pas vdekjes) “DEKORATËN E ARTË TË SHQIPONJËS” “Për veprimtarinë e tij active në Çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi, si anëtar i njësiteve guerile dhe drejtues i formacioneve partizane, si dhe qëndrimin intelektual e patriotik gjatë dhe pas goditjes nga diktatura komuniste”.