Dëshmia e rrallë për Bilal Xhaferrin/ Tre tentativat për arratisje dhe letrat e panjohura të poetit disident

2129
Sigal

DËSHMIA/ Edip Hoxha, kushëriri i shkrimtarit, rrëfen për planet sekrete 

Bilal Xhaferi, ja tre  tentativat për arratisje dhe letrat e panjohura  të poetit disident 

Më 19 qershor 1964, Bilali është liruar nga ushtria filloi të ushtronte notin në Pogradec për tu arratisur

– Si zonë stërvitjeje u ka shërbyer plazhi ne sektorët e njohur si “Hekurudha” dhe “Teuta”

– Bilali u arratis kur zhvillohej festa e Bogazit ku dëfrehej gjatë gjithë natës

Klodjana HAXHIAJ

Nga dëshmitë e kushëririt të tij Edip Hoxha një qytetar i nderuar në Durrës mësojme se poeti disident Bilal Xhaferri ka bërë 3 herë përpjekje për t’u arratisur, ndërsa ka arritur që vetëm herën e fundit tja dalë mbanë nismës “sekrete”. Kjo sipas kujtimeve te Edipit.

 

Edipi tregon se “Bilali i kishte thënë për një plan të vetin për të ikur jashtë shtetit, dhe unë shkova në në fshat ku kam biseduar me djalin e tezes sime se si mund te kalohej kufiri. Ai më tha se në atë kohë situata në kufi ishte e vështirë për tu kaluar, pasi me sa shihej nuk e di se pse, kufiri kishte shërbime të përforcuara me shumë skuadra ushtarësh dhe të shoqëruara shpesh me qen. Kështu që ky variant ka rënë vetvetiu që në ideimin e tij. Kërkesa për të ikur ishte ose nëpër vijën e kufirit tokësor nga ana e Konispolit ose edhe me not nëpërmjet Kanalit të Korfuzit, duke pasur si pikënisje Ksamilin. Kjo tentativë i përket vitit 1966, sipas Edipit, dhe pas kësaj ai kishte bërë edhe një tjetër. Edipi thekson se në një bisedë me Bilalin, ai i kishte treguar se si i kishte dështuar edhe një tentativë për të ikur nga ana e liqenit te Pogradecit.

Stërvitjet e qëllimshme

Sipas Edipit, më 19 qershor 1964, Bilali është liruar nga ushtria, por gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak ai ka pasur shumë miqësi me një person nga rrethinat e Pogradecit dhe që atëherë ai kishte hedhur idenë se si mund të gjente variante për tu larguar nga atdheu i vet, që për poetin ishte tashme një njerkë e keqe. Gjatë verës, sidomos në vitin 1966 ata janë ushtruar për të bërë not ne distanca te gjata. Këtë stërvitje të qëllimshme e kanë bërë së bashku në bregdetin e Durrësi. Edipi thotë se si zonë stërvitjeje u ka shërbyer plazhi ne sektorët e njohur si “Hekurudha” dhe “Teuta”. Këtu bënim not paralelisht me bregun për të ditur edhe se sa km mund të rezistonim për notime me distancë të gjatë, dhe duke notuar në këtë mënyrë mund të bënin më mirë kronometrimet sekrete të aftësive rezistente të organizmave të tyre në rast se do të mbeteshin për të notuar drejt kufijve të vendeve fqinjë.

Tetnativa

Ndërkohe lidhur me tentativën e bërë për të kaluar drejt ish shtetit të Jugosllavisë nëpërmjet liqenit të Pogradecit, Edipi thotë se Bilal Xhaferri kishte biseduar me mikun e viteve të ushtrisë dhe se kishte shkuar një herë deri atje por se nuk e kishte marrë udhën pa kthim pasi kishte pasur frikë se Pogradecari kishte dhe një mik, që ai e kishte biseduar me të por kjo gjë nuk i ka pëlqyer poetit, pasi jeta që kishte kaluar e kishte mësuar që të ishte vigjilent. Ai nuk kishte pasur besim tek miku i mikut sipas fjalës së urtë arabe që thotë se “ miku i mikut tim, nuk është miku im”. Duke qenë me tre vetë të cilët ai njihte vetëm njërin, kishte frikë se mos i rridhte informacioni për ikjen dhe e ndërpreu. Këtë gjë thotë Edipi, ai e ruajti të fshehtë, sa që vetëm një herë e folën se pse nuk u bë arratisja, dhe kishin heshtur më pas pa e përmendur më…

“Eja shiko nusen”

Ky ka qenë edhe teksti i telegramit grishës për të shkuar në fshatin e tij të lindjes në Markat në skajin jugor të vendit,dhe që ka shërbyer edhe si pretekst për ti dhënë leje Dega e Punëve të Brendshme të Sarandës për të shkuar në një rajon kufitar, sipas rregullave strikte të Sigurimit të Shtetit për ta mbajtur situatën nën kontroll. Po këtë radhë ka qenë tentativa e tretë dhe e fundit e poetit që u realizua me sukses. Për këtë ai e kishte parapërgatitur terrenin pasi kishte biseduar me dhëndrin e vet Selfo Hoxhën. Selfo, sipas Edipit, ishte një njohës i shkëlqyer i rajonit kufitar. Ai sapo ishte kthyer në fshatin e vet pasi kishte kaluar disa vite burgimi dhe internimi. Për këtë ata kishin planifikuar për tu arratisur që të dy. Për këtë u shfrytëzua një festë e krahinës. Atje në verë bëhej një panair që quhej festa e Bogazit. Kjo festë mblidhte banorë të të gjithë fshatrave të zonës. Atje dëfrehej gjatë gjithë natës dhe ekspozoheshin prodhime të fshatrave e tregtoheshin si në të gjithë panairet. Rast ideal ky për të mos rënë në sy për të kapërcyer kufirin mes shume njerëzve që vinin. Ftesa për të marre lejë kufitare ishte planifikuar që të bëhej sikur Xhaferri do te shkonte në fshat për të parë një vajzë me të cilën do të martohej. Për këtë dhëndëri i vet i solli një telegram me tekst të formuluar dinakërisht, ku shkruhej: “ Hajde shiko nusen”.

 

Sigurimi i Shtetit Sekuestrimi i letrës së fundit

Sigurimi i Shtetit ishte vënë kësisoj në gjumë. Bilal Xhaferri niset për në fshatin e vet për tu bërë “dhëndër” me qytetërimin perëndimor të Amerikës. Ai kishte që në vitin 1955 që nuk kishte shkuar në vend lindje të tij dhe kur u nis për atje, kontakti me Markatin e mrekullueshëm që falja e përmallshme e birit me vend lindjen që bëhej për të fundit herë, pasi ai më 23 Gusht 1969 rreth orës 11 e 30 me gjithë dhëndrin dhe një bashkëfshatar kapërcejnë në fshehtësi kufirin drejt Greqisë. Ishte takimi i fundit me vendlindjen dhe atdheun që ai e deshi aq shume… Para kalimit të kufirit shtetëror, ai ka lënë një letër kartoni të trashë ku kishte shkruar arsyet që e detyronin që t’i kthente krahët atdheut të vet. Letra ruhet edhe sot në arkivat e Sigurimit të Shtetit

Letrat e Bilal Xhaferrit.
“Dua të bisedoj me ty. Ka kaluar shumë kohë dhe e di se tani është vonë e ndoshta s’ka kuptim që ta shkruaj këtë letër. Po megjithatë është më mirë të bisedojmë. Ti tani je bërë për mua kaq e afërt dhe e dashur sa s’mund të hesht më duke pritur një rast takimi që s’do vijë kurrë vetvetiu. Prandaj vendosa të të shkruaj. “ Kjo është pjesa e parë e letrës së Bilal Xhaferit drejtuar një vajze Durrsake, e cila bëhet e njohur nga kushëri i tij. Më tej letra vazhdon: “ Ti nuk më njeh. Po edhe fare të panjohur ne nuk jemi me njëri tjetrin dhe unë besoj se nuk duhet të çuditesh aq shumë kur ta lexosh këtë letër. Sidoqoftë, ti mendo si të duash, po unë nuk dua t’i gris akoma këpucët duke kaluar te rrugica e jote. Në një farë mënyre kjo gjë duhet të marrë fund. Pres të më kthesh përgjigje.” Data e shënuar poshtë letrës duket si e shkruar nga dorë tjetër. Duhet të jetëe e përsonit që e ka ruajtur dhe shënon vetëm 1965. Me ketë vajzë, emrin e të cilës nuk po e bëjme publike për arsye etike, poeti kishte rënë në dashuri. Dashuri të cilën ai, sipas miqve të tij, e nderpreu vetë më vonë, pas i parashikonte fat të keq vetes dhe s’donte që hija e keqe e këtij fati të rrokulliste në humnerë edhe vajzën që ai e kishte adhuruar me kaq pasion. Mbase këtë vendim Bilali e mori kur për ti shpëtuar persekutimit komunist, vendosi që të arratisej jashtë shtetit amë.

 

Letrat e panjohura  të poetit disident

Historia e letrave
Për poetin disident Bilal Xhaferri është shkruar shumë. Biografia e tij është pasuruar nga kujtimet e shumë miqve bashkëkohas, megjithatë si shumë poetë të tjerë të mëdhenj nën diktaturë, rrenjët e jetës së tij kanë patur zgjatime të nëndheshme të cilat tashmë në vitet e demokracisë, dalin edhe thuajse rastësisht. Perveç një fotoje mjaft interesante të Bilal Xhaferrit, zbulova 2 poezi të panjohura që i kishte botuar në vitin 1966 dhe 1967 nen emrin e kushëririt të tij Edip Hoxha. Po surprizat qenë të shumta në takimin që pata me Edipin. Përveç një historie interesante për jetën e Bilalit, Edipi më dha mundësinë të njihesha edhe me 2 letra personale mjaft interesante per jetën e poetit. Fragmenti i letrës së parë na njeh me një histori dashurie në rininë e poetit, ndersa e dyta është shkruar kur autori i saj ndodhej në spital dhe tregon për gjëndjen tejet të varfër në të cilen ai ndodhej.
Në letrën e dytë shkruan:
“ I dashur Edip.Po të shkruaj nga spitali. Kam disa ditë që jam shtruar. Përpara se të shtrohesha erdha në Durrës të të lija pantallonat dhe takova xhaxhi dajko Bidon (një fëmijë i vogël-sqaron Edipi –me të cilin Bilali luante) që natyrisht në rradhë të parë më kërkoi lekë. Ai më tha se Memeja është në shtëpi, po unë e gjeta shtëpinë mbyllur dhe meqënëse më ikte treni nuk qendrova. Shkurt që mos ta zgjat , më fal që ti kam mbajtur pantallonat. Të shtunën do vinte Halili në Tiranë te ca njerëz ë tij. Në qoftë se letra ime të
vjen përpara të shtunës, të lutem jepi Halilit furcën e (rrojes?) e të dhëmbëve dhe kolinozin, e po deshe, për nja (pak ) ? ditë sa të jem unë këtu jepi edhe makinën time të rrojës. Jam shtruar në pavionin e dermatlogjisë, spitali nr.2. Të bëj shumë të fala.” Halili, na thotë Edipi, për të cilin jepte porositë Bilali, ishte arkeologu i shquar i Durrësit Halil Myrto të cilin letër dërguesi e kishte djalë tezje. Halili para vdekjes pati hapur dhe udhëhoqi fakultetin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Leçes Itali.
Bet’hoven i ngjitur në foton e Bilalit
Interesante ishte edhe fotografia e Bilalit. Edipi atë e mban gjithnjë në portofol. Kur e nxori për të ma dhënë vura re se ajo ishte e ngjitur me një portret të Bet’hovenit në pullë postare. Ai kështu e mbante gjithmonë foton e tij, na thotë Edipi, dhe unë për këtë e
mbaj të pandarë në portofol, sic e mbante edhe Bilali dikur në Shqipëri e më pas , kur u arratis në Amerikë.Bet’hoveni është i dubluar dhe i ngjitur pullë më pullë, me sa duket dhe kjo ishte një ndër manirat e tija ashtu si dhe lapsat e shkurtër që përdorte në të shkruar.Dihet se Bilali kur shkruante përdorte lapsa plumbi shumë të shkurtër…Kurdo që ecte fishkëllente melodi të Bet’hovenit, sidomos kur kishte ndonjë hall dhe meditonte, thotë kushëriri i tij Edip Hoxha, që na dha foton e rrallë,

Poezitë ilegale të botuara me emra të tjerë.
Mund të quhen edhe si poezi apokrife, por është një realitet i deklaruar edhe nga miqtë e hershëm të Bilal Xhaferrit , botimi i poezive të tij nën emrin e tyre. Për këtë kanë dhe deklaruar edhe poeti e historian i shquar i Durrësit, Moikom Zeqo. Në materialet që na paraqet kushëriri i tij Edipi, tregon për tre poezi të botuara në gazetën “ Zëri i Rinisë “ në vitin 1967, me emrin e Edipit, por që ishin të shkruara prej Bilal Xhaferrit. Poezitë titullohen : “ Mendoj ”. “ Eskavatoristi “ si dhe “ Mamia “, kjo e fundit, sipas Edipit, e ribotuar në vitin 1993 tashmë me emrin e autorit të vërtetë të saj Bilal Xhaferrit.

MENDOJ

Sa herë mendoj për kulturën tonë/Për visaret e kombit/ Në fantazinë time
Si një monument lashtësie/ Më ç’faqet Buzuku/ I mbuluar me flokë dhe mjekërr si mjergull
Me zërin e tij të thellë
Sa per pes shekuj/ Duke bërtitur/ “ E’nsë dashunit së botës tonë ”
Por befas / Zëri i tij u pre në mes/ Nga jatagani gjysmë hënë
Dhe errësirë …/ Qindra vjet errësirë !
Të rralla fjalë rrokje ngrënë/ Mbeten të mbyllura në qeli/ Në qeli mbeti mbyllur, tërë kultura e jonë!/ Dhe nga ato qeli mesjetare plot errësire/ Deri më sot/ Na u desh të bënim/ Rrugë të gjata,/ Rrugë gjaku/ Rrugë me shpirtë ndër dhëmbë./ Duke kaluar përmes vdekjes dhe urisë/ Përmes përpjekjesh dhe mundimesh/ Dhe … në të hallemadhes tokës sime/ Agimet boreale po duken në horizont.

ESKAVATORISTI
Kushtuar Besho Hoxhës

Mbi eskavatorin buzë kanalit/ Fluturuan lejlekët/ Ngadalë me vozitje të gjëra
Të lodhur nga shtegtimi/ Si ujvarë u derdh dheu nga kova e eskavatorit
Te xhamat e gabinës/ U rrotullua me xixëllimë të purpurtë/ Dielli buzë Perëndimit/ U rrotullua fusha dhe deti pranë/ Dhe qielli me lejlekët vozitës/ Dhe në mes të projektimeve
Që përthyheshin mbi xham/ U duk eskavatoristi në derë të gabinës/ Njërën dorë shternguar tek leva e komandimit/ Me tjetrën duke fshirë ballin e djersitur/ Ai qëndron ashtu një moment/ Si i gdhëndur në një monument.

Poezitë kanë vlera të rralla që duhen marre në konsideratë e që duhen studiuar. Vargu i fundit i poezisë “ Mendoj” ka dicka të perbashkët me motivet Migjeniane ku shkruhet për një diell alegorik te interpretuar gjërësisht nga kritika letrare e Realizmit Socialist. “Agimet Boreale po duken në horizont” që shkruan Bilali kanë nevojë që të interpretohen nën një kënd vështrim të ri, dhe është e habitëshme se si u kanë shpëtuar edhe censorëve të shumtë të asaj kohe. Po ashtu mund të themi edhe për shprehjen e gjetur poetike të “Diellit buzë perëndimit” në atë drejtim ku ai më vonë u arratis për të gjetur diellin e idealeve të tij.