Prof. Elmaz Leci: Përplasjet në Bllok për ndarjen e pasurisë

700
Sigal

 

Në aq sa rezulton në dokumentacionin e kohës, nuk qartësohet as mënyra se si është konsumuar kjo kërkesë e Kryetarit të Qeverisë Shqiptare Enver Hoxhës, me idhullin e tij të madh Stalinin. Sidoqoftë, përtej këtyre dilemave, një moment është fort i dukshëm: Realiteti tronditës që e detyronte Enver Hoxhën të transferonte thesarin e popullit shqiptar, apo një pjesë të tij, në një vend tjetër të sigurt siç vlerësohej asokohe ish-Bashkimi Sovjetik, për jetesën e tij e të familjes në rast humbje të fronit.

Ishte koha kur Enver Hoxha, i sapodalë nga dueli në parti me grupin e Koçi Xoxes dhe në kulmin e konfliktit me Titon e Jugosllavinë, i kërcënuar seriozisht nga presioni i anglo-amerikanëve, që kërkonin me forcë rrëzimin e rregjimit të Tiranës, del qartë se ai i paraprinte me sa duket pasigurisë së tij në rritje, duke u investuar kësisoj për një situatë edhe më të rëndë, jo vetëm për fatin e rregjimit, por edhe për fatin e vet.

Një largim nga skena politike e Enver Hoxhës ishte përgatitur edhe në fillim të vitit 1954, nga figura të kthyera nga BRSS ku ata kishin kryer kurse të avancuara të procedurës politike e administrative -shkruhet në një Raport të deklasifikuar të CIA-s. Këta persona sikur e “bindën” Enver Hoxhën të ndiqte parimin e “rregullit të grupit” në administratë e në qeveri dhe po këta njerëz, që ishin edukuar në Bashkimin Sovjetik, e kritikuan Enver Hoxhën për të vepruarin e tij në mënyrë autokratike si në çështjet publike dhe në ato partiake. Prandaj Enver Hoxha e gjeti veten me shpatulla për muri dhe zgjedhja e tij e vetme u pa, ishte vetëm të bindej. Ai u detyrua të lëshonte një pjesë të pushtetit, ta linte “i detyruar” postin e Kryeministrit e atë të Ministrit të Jashtëm. Duke mbështetur këto ndryshime në postet e larta qeveritare dhe me Mehmet Shehun si Kryetar i Qeverisë, i cili konsiderohet si “basti më i mire” mes shqiptarëve dhe sovjetikëve, ai arriti absorbojë diçka situatën. Ndryshimet në Qeveri janë pritur me indiferentizëm nga popullata, -shkruan Raporti i deklasifikuar i CIA-s, -pasi nuk kanë çfarë të presin nga komunizmi dhe çdo ndryshim u ndjell frikë e apati. Ilir Bushi analist i dëgjuar, shkruan për koshiencën e sunduesve si Enver Hoxha sepse sapo populli i zgjedh që të qeverisin, ata në veprimin e parë që bëjnë pasi marrin pushtetin, është grabitja ndaj pasurisë kombëtare, duke zgjedhur që në fillimdy gjëra: Shufrat e dajakut për kundërshtarët dhe shufrat e floririt për familjarët.

Me Enver Hoxhën punët, që thotë analisti, janë edhe më të ndërlikuara sepse ai zgjodhi që në fillim bankat e të akuzuarve për njerëzit e thjeshtë dhe bankat e Zvicrës për njerëzit e familjes. Liljana Hoxha, nusja e djalit të Enver Hoxhës, Sokolit, disa herë i është drejtuar vjehrrës së saj Nexhmije Hoxhës, për ndarjen e drejtë të pasurisë së ish udhëheqësit të lartë të Shqipërisë, i cili drejtoi vendin me “dorë të hekurt” dhe nuk mund të presupozohet se i la fëmijët pa pasuri. Historitë e shumta të lidhjeve midis thesarit të florinjtë dhe Enver Hoxhës, hedhin dritë të mjaftueshme për të kuptuar se ish Sekretari i Parë i Partisë së Punës, i kishte marrë masat për sigurimin e jetës së pasardhësve të tij, deri në dy-tre breza. Ka me dhjetëra hulumtime për grabitjen e floririt nga Enver Hoxha, duke e ndarë këtë aksion të vjedhjes në tre faza kryesore, e cila përkon me periudhën pak para çlirimit, me periudhën pas çlirimit ( ku evidentuam atë me BS) dhe me periudhën e viteve ’68 -‘70. Në të gjitha rrëfimet e bëra nga dëshmitarë, flitet për transportimin e floririt jashtë shtetit, pra në bankat e Zvicrës apo në Amerikën e Jugut. Një mundësi tjetër e përfolur më shumë gjatë luftës dhe më pak pas saj, është groposja e arit në vende që i dinte vetëm Nexhmije Hoxha. Në këtë mënyrë të vërtetat përzihen me një sërë legjendash, ku për shkak të sekreteve bankare, apo për shkak të mospublikimit të emrave nga bankat e Zvicrës, problemi mbetet akoma në pamundësi verifikimi.

Historia e grabitjeve të arit, duke lënë menjëanë atë të mbretit Zog, për Enver Hoxhën punët ndryshojnë, pasi ai akuzohet nga bashkëkohësit e vet se gjatë Luftës ka vjedhur arin e Shtabit të Përgjithshëm, apo në vitet e para të pasçlirimit ka përfituar shuma të mëdha nga konfiskimet dhe tatimi i jashtëzakonshëm, ku floriri i grumbulluar nuk regjistrohej i gjithi. Sipas dokumenteve, thuhet se në vitin 1943 në Labinot, Enver Hoxha mori nga Fetah Ekmeçiu i ngarkuari i Shtabit të Përgjithshëm me çështjet e financës, 4 qese lëkure me florinj të dhuruara nga anglezët dhe i groposi diku bashkë me Sami Bahollin, përveç qemerit që e mbante me dindra napolona flori për çdo rast në se e zinin të gjallë, me to të shpëtonte. Pak kohë pas dorëzimit të floririt Enver Hoxhës, Fetah Ekmeçiu u zhduk në mënyrë të çuditshme dhe trupi i tij nuk u gjend kurrë. Gjithçka mbeti mister dhe kjo e shton dyshimin sepse në librat e ndryshëm të historiografisë komuniste apo në kujtime të bashkëkohësve të Enver Hoxhës, tregoheshin 4 histori të ndryshme për rrethanat e vdekjes së Fetah Ekmeçiut, ku asnjëherë nuk u tha për të e njëjta gjë rreth fundit të jetës. Herë thuhej që ra në një gropë, herë thuhej se e helmuan, herë se ra në greminë dhe herë thuhej se u vra në një përpjekje me gjermanët. Por që në atë kohë ngjarja hidhej në formë dyshimi ndaj Enver Hoxhës.

Enver Hoxha, për të pasur një lloj sigurie pas Lufte, nëse nuk do gjendej në krye të shtetit, të kishte edhe këtë flori që groposi dhe që sakrifikoi edhe Shefin e Financës së Shtabit të Përgjithshëm. Floriri i groposur në vitin 1943, me porosi të Enver Hoxhës, do të nxirrej nga Sami Baholli në vitin 1959, dhe me porosi po të Enver Hoxhës, do t’ia çonte këtij në shtëpi. Por ky është vetëm një rast i shkëputur, madje mund të quhet i parëndësishëm në krahasim me grabitjen titanike që i është bërë thesarit të arit të Shqipërisë në vitet e komunizmit. Dhe në atë kohë, askush nuk mund të vinte dorë në atë thesar pa urdhrin e Enver Hoxhës sepse ministrat e Financave të Enver Hoxhës nuk kishin asnjë kompetencë për të bërë veprime financiare të rëndësishme pa dijeninë e tij. Kush vepronte me kokën e vet pushkatohej. Sipas disa zërave thuhet se një pjesë e thesarit të vendit është transportuar nga dy-tre ministra të Financave, në emër të familjes Hoxha,ku njëri prej tyre dhe më kryesori ishte Haki Toska.

Të shohim dokumentat e verifikuara në periudhën e demokracisë nga Komisioni i ngritur nga presidenti Sali Berisha në vitin 1992 – 93, Komision i cili pavarsisht se nuk mundi ta çonte deri në fund hetimin e problemit të arit në Thesarin e Shtetit Shqiptar, përsëri ja vlen të evidentohet. Blerim Çela, ish Kryetar i Komisionit lexoi në Kuvendin e Shqipërisë më 22 janar të vitit 1993 dhe raportoi këto përfundime:

1 – Në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata para datës 28 nëntor 1944.

2 – Ish Mbreti Zog ka marrë me firmë 183 kg ar si të ardhura personale të oborrit, nga diferencat e këmbimeve valutore me doganat.

3 – Ministria e Punëve të Brendshme ka sekuestruar forcërisht sipas ligjeve të luftës, arin e popullit por pa mbajtur dokumentacion të dyanshëm në momentin e sekuestrimit. Këto sasira janë mbajtur një herë në degët e Punëve të Brendshme, pastaj në Ministrinë e Punëve të Brendshme e më pas janë dorëzuar në thesar siç argumentuam më lart dhe shtojmë se këto diferenca tregojnë vetëm majën e ajsbergut sepse ngelen mbi 650 persona të paidentifikuar, që kanë dorëzuar ar por që nuk janë bërë hyrje në thesar.

4 – Në dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (“Historiku i Armës së Policisë”), pohohet me shkrim se janë sekuestruar 43.816.682 monedha të arta pa futur shufrat dhe bizhutë e arta. Vetëm ato bëjnë 283 ton flori. Në fakt në thesar janë futur nga sekuestrimet vetëm 30 ton ar… Mungojnë 280 ton ar.

5 – Gjatë kohës së diktaturës komuniste janë bërë dalje 7.600 kg ar. Kjo sipas të dhënave të mara nga drejtori i thesarit të shtetit… dhe janë përdorur për të blerë grurë 224 kg; janë përdorur për dikasteret e ndryshme 37 kg; janë humbur në kambizëm 4.072 kg; janë dhënë për tregtinë e jashtme, për blerje mallrash 3.200 kg ar. Asnjë përgjegjësi nuk është mbajtur për humbjet në kambizëm për 4 ton e ca ar me vlerë 60 milion dollarë. Thesari i Shtetit është i shenjtë, me të nuk mund të luhet, ndryshe kushdo që e prek duhet të përgjigjet me kokë. Se si janë përdorur 3.200 kg për blerje mallrash, kjo kërkon një kontroll të dytë nga organe të specializuara, me autorizim të Parlamentit.

6 – Duhet të ngrihen grupe hetuesish me specialistë të aftë për të nxjerrë se ku shkoi ari në sasi prej 280 ton, duke ballafaquar fatkeqët e grabitur me grabitësit e veshur me rrobën e shtetit…

7-Duhet bërë kontroll dokumentacionesh të uzinës së Rubikut me mandat parlamentar e të Qeverisë për të kontrolluar sasinë e arit të prodhuar, në se përputhet me atë të futur në thesar.

8-Të kontrollohet i gjithë dokumentacioni dhe thesari në ruajtje kudo qoftë nga specialistë të Bankës së Shtetit, duke nxjerrë gjendjet e lëvizjet e arit në thesar, në Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe atë të dërguar jashtë shtetit.

Këto janë si të thuash deklarimet e Komisionit të verifikimit të thesarit realizuar pas vitit 1992. Në fakt thesari është i popullit, gjë që dihet por në të gjitha kohrat ai u ka shërbyer pushtetarëve ose është grabitur prej tyre. Në të gjitha rastet, drejtuesit tradicionalë të shtetit të mëparshëm, në vëmendjen e tyre kanë pasur dy gjëra kryesore. Së pari, që të kenë një “thes” me flori me vehte apo të depozituar në një vend të sigurtë për ta, që t’i kenë për atje ku do të ikin në rast kryengritjeje, pushtimi, apo grushti shteti dhe të sigurojnë me ato para veten dhe familjet e tyre përdornin në të ardhmen. Së dyti, në të gjitha rastet dhe në prag të ngjarjeve të vështira, mendja e politikanëve shqiptarë ka shkuar gjithmonë ose kryesisht tek floriri, njëlloj siç shkon mendja e atij që është duke u mbytur tek barkat e shpëtimit… Dhe Enver Hoxha me të ardhur në pushtet, gjëja e parë që bëri ishte verifikimi i thesarit. Ai gjeti në Bankën Kombëtare Shqiptare sasinë e 90 kg ar. Kjo provohet nga proces-verbali i nënshkruar nga Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) dhe Abdyl Këllezi. Ndonëse në Thesarin e Shtetit ndodheshin vetëm 90 kg ar, në duar të popullatës shqiptare ndodheshin rreth 320 ton ar, pasuri e tillë e pakrahasueshme, natyrisht që do të mund të rimëkëmbte edhe shtetin më të shkatërruar e jo më Shqipërinë. Pikërisht këtu tragjedia e arit do të përhapej në një plan tjetër. Ligji për tatimin e jashtëzakonshëm dhe ligji për konfiskimin e pasurive private, masakroi pronarët dhe shtoi mundësinë e spekulimeve të qeveritarëve të Enver Hoxhës. U arrit të zbulohen në parcelat e oborreve deri depo të nëndheshme të pronarëve dhe tregtarëve, ku u gjetën qypa me florinj jo vetëm në betonime të thella e në muret e shtëpive, por edhe nën rrënjët e pemëve e nën sipërfaqet e puseve me ujë të pijshëm në të gjithë Shqipërinë dhe që rregjimi i Enver Hoxhës me e pa dokumenta i konfiskoi, apo i morën për veten e tyre ato që u kthen nga mali.

 

Deri në fund të vitit 1948 u zbuluan 43.816.682 monedha ari, pa përmendur shufrat e stolitë e florinjta. Por ndërsa nga ekonomistët e sistemit komunist, edhe pranohet një shifër e tillë sekuestrimesh por që nuk jepen të dhëna se ku përfunduan ato. Të dhënat zyrtare janë krejt kontradiktore. Kështu sipas një shkrese sekrete të nënshkruar nga drejtori i Thesarit Fahri Hoxha, merret vesh se sasia e arit të hyrë në Thesar nga sekuestrimet në periudhën 1 dhjetor 1944-31 dhjetor 1990 është vetëm 3.029 kg. Siç ekziston edhe një e dhënë tjetër se në periudhën 1 dhjetor 1944 deri në 31 dhjetor 1990 në Thesarin e Shtetit kanë hyrë gjithsej 8.749 kg ar dhe kanë dalë 7.600 kg ar. Mirëpo shifra e 43.816.682 copë monedhave nuk është barazi me 3.029 kg ar, por me minimumin 320 ton ar. Atëherë vetiu lind një pyetje që do përgjigje: Çu bë floriri i popullit shqiptar?! Kush e grabiti atë, në kohën kur askush nuk hidhte dot asnjë firmë pa lejen e Enver Hoxhës?!

Sipas hulumtuesve, “sekserët” e Enver Hoxhës për transportimin e floririt, kanë qenë dy prej ministrave të Financave, por edhe disa njerëz të tjerë misteriozë. Vlerat monetare në emër të familjes Hoxha i ka transportuar në perëndim deri edhe në Amerikën Latine një njeri i afërt i familjes. Ai lëvizi për shumë vjet në Francë, Kanada dhe Amerikën e Jugut, për të qarkulluar dhe depozituar vlerat e thesarit shqiptar në emër të familjes Hoxha, i cili më vonë u pushkatua me një vendim gjyqësor për falsifikim. Gjyqi i tij është bërë në Kombinat, ku ai u akuzua së bashku me Gaspër Çurçinë për biletat e trenit. Kjo gjë e shton misterin për të gjetur ku ndodhet një pjesë jo e vogël e floririt të grabitur të popullit shqiptar.

Po ashtu nuk janë të pakta informacionet, që qarkullojnë se për Amerikën e Jugut një rol jo pa rëndësi kanë luajtur edhe lidhjet politike të Enver Hoxhës, me individë të kësaj zone, si p.sh. Zhoao Amazonas, njeriu që ishte i pranishëm më shumë se kushdo në Kongreset e Partisë së Punës. Thuhet se në Zvicër ndodhet vetëm një sasi e caktuar e arit shqiptar. Sasia më e madhe ka kapërcyer në Kanada dhe Amerikën e Jugut. Gjithashtu, në bazë të hulumtimeve të studiuesit Kastriot Devishi, mësojmë se një vjedhje gjigante është bërë edhe nëpërmjet kambizmit të asaj kohe. Me anë të vendimeve nr 5, 430 dhe 84 të datave 7 janar 1988, 7 dhjetor 1988, dhe 8 mars 1989, janë transferuar jashtë shtetit për qëllime kambizmi 4.072 kg ar dhe 13.193 kg argjend. Një shumë e tillë e justifikuar për kambizëm, është e pamundur të ketë shkuar e gjitha në destinacionin që thuhet. Për skandalin në fjalë, ka shkruar më 26 qershor 1991 edhe gazeta “RD”, ku sipas saj, specialistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar kishin zbuluar se llogaritë e bilancit valutor nuk rakordonin. Gazeta kritikon gjithashtu heshtjen e ish drejtorit të Bankës së Shtetit Niko Gjyzari dhe të drejtorit për marrëdhënie me jashtë Kamber Myftari. Po në këtë artikull bëhet fjalë se njeriu që është marrë me “kambizmin” është Dhimitër Gazhda, i cili sipas gazetës kishte dy muaj që jetonte në Greqi. Humbjet që kishte pasur shteti shqiptar në një rast të tillë sipas gazetës, ishin rreth 200 milion dollarë. Padyshim që i ashtuquajturi “kambizëm” në prag të kapitullimit të regjimit komunist, nuk ka qenë gjë tjetër veçse maskim i kalimit të llogarive në favor të udhëheqësve të lartë komunistë. Nga ana tjetër sipas një dëshmie që ka dalë po nga media, Banka e Shtetit Shqiptar për periudhën e pas viteve1983 ka porositur 396 copë arka, që shërbyen për transportimin e arit. Nga këto vetëm në vitin 1983 janë porositur 196 copë, ndërsa pjesa tjetër në vitin 1987. Kjo sasi arkash sipas specialistëve mund të shërbente vetëm për një sasi transporti prej 180 ton ar. Dhe në atë kohë të gjithë e dinë se asgjë nuk ndodhte pa urdhrin e Enver Hoxhës, i cili ndryshe nga Ahmet Zogu, që la shenja gjatë grabitjes, ky i fundit e kreu grabitjen e thesarit në qetësi dhe misteriozitet të plotë sepse ndryshe nga Zogu, që i bëri veprimet në emergjencën e pushtimit të vendit, ky i fundi, Enver Hoxha e pati të gjithë kohën e nevojshme për të vepruar me plane të fshehta dhe prapaskena tinzare”.

 

Indiciet që dhamë, ishin një lloj analize se si është vepruar me arin shqiptare edhe nga Enver Hoxha. Me përulësi e servilizëm, në letrën që Enver Hoxha i drejtoi Stalinit, shprehej gjithë përgjërim se “Kjo, (depozitimi i arit shqiptar në Moskë) do të jetë një ndihmë tepër e madhe që do t’i bëhet nga Qeveria sovjetike popullit shqiptar,…” 44) Por kreu i Kremlinit, Stalini, që e njihte mirë filozofinë e sjelljeve të tilla sociale, në aparencë e ka shpërfillur kërkesën e Enver Hoxhës, madje ka një version se edhe duke “e kundërshtuar” marrjen e arit shqiptar në bankën e Moskës. Por siç duket problemi i depozitimit të arit shqiptar në BS, që dukej se ishte çështje e mbyllur duke mos e zënë kurrë më në gojë “dështimin e saj”, Enver Hoxha e “riaktivizoi” dhe e realizoi dërgimin e arit shqiptar në Moskë pas vdekjes së Stalinit me mënyra maskimi që kanë vijuar në terrin e natës dhe ai ari patjetër u “sigurua” në Moskë në mos në 1949 në 1954 -n.