Flet Sefer Pasha, ish- drejtues kufiri: Fillimi i hetimeve nga Konferenca e Ambasadorëve për vrasjen e Gjeneral Telinit

673
Sigal

Pse partizanët e hodhën në erë bustin e Odise Paskalit, kushtuar Telinit dhe ardhja në kufi e Arben Putos, Aleks Budës dhe Dritëro Agollit

 

Flet ish-oficeri kufirit dhe publicisti Sefer Pasha:

Për vrasjen e gjeneralit italian Enriko Telini, Konferenca e Ambasadorëve ngriti një komision hetimi, me në krye kolonelin japonez me emrin, Shibo

Kolonel Shibo: Hetimi mbaroi, me dy të shtimet e pistoletës time, forcat greke erdhën urgjentisht

– Me dhjetëra ish kufitarë dhe oficerë vijnë që nga Amerika dhe kërkojnë të shkojnë aty ku u vra gjenerali

– Bashkë me gjeneralin Enriko Telini u vra mjeku, sekretari, përkthyesi, shoferi i makinës dhe një toger

-Si prita historianin Arben Puto në Kakavijë, i cili do shkruante për gjeneral Telinin

-Para parlamentit ishte vendosur një bust i Telinit, i punuar nga Odise Paskali, por e hodhën në erë partizanët, më vitin 1945

-Në themelet ku ka qenë vendosur shtatorja e gjeneral Telinit, tani “nusëron” busti i Sabri Godos

-Si ju mernim me kod sekretet grekëve : Dil tek Zharovina ku vranë gjeneralin, aty të pret “Deti Marmara!”

-Si botova poezinë “Gurët e Telinit”, e botoi gazeta “Pararoja”e rrethit të Gjirokastrës, me kryeredaktor Jorgji Çamin

-Mbi lapidarin e rrëzuar të gjeneral Telinit, kolegu im Edmond Makashi, kishte mbështetur një libër të Dante Aligerit

-A u ngrti grup hetimor për këtë varsje makabër?

 

              Për vrasjen e Gjeneralit italian Enriko Telini Konferenca e Ambasadorëve ngriti një komision hetimi me në krye kolonelin japonez me emrin, Shibo. Ai qe një kryevlerë. Koloneli japonez Shibo bëri një nga hetimet më të bujëshme ndofta të të gjitha kohërave. Ai mbahet mend si një hetues magjik. Me të zbritur grupi në vendin e quajtur Zharovinë në mes të pyllit të Kakavijës dhe fshatit Aranistë të Greqisë koloneli nxori nga brezi pistoletën dhe qëlloi dy herë në ajër. Anëtarët e komisionit të hetimit u mahnitën. Si e nisi koloneli japonez në këtë mënyrë hetimin e çështjes skandaloze? Por koloneli vazhdonte çudinë e tij për në filmat hollivudian. E futi pistoletën në brez dhe vështronte rreth e rrotull rrugës për në Delvinaq. Nuk vonoi dhe mbrritën me shpejtësi forca të korofillaqisë dhe të kufirit grek. Në moment koloneli japonez, Shiba, u tha anëtarëve të komisionit të hetimit: “Hetimi mbaroi!”. Me dy të shtimet e pistoletës time forcat greke erdhën urgjentisht. Po si këto forca nuk u bën të gjalla kur në mëngjesin e datës 27 gusht u hap zjarr me breshëri dhe u vranë gjashtë vetë që shoqëronin Gjeneralin italin Enriko Telinin?. Në vendin e krimit të madh grekërit erdhën mbasdite. Tek kthesa e Zharovinës janë gjetur mbi dyqind gëshoja. Nga kjo del se krimin e kanë bërë qarqe të caktura të qeverisë greke. Dhe forcat greke që sigurojnë udhën dhe kufirin e Janinës kanë pasur djeni të plot për tragjedinë.

-Po nga studiuesit tanë të asaj kohe a ka ardhur ndonjë  personalitet për këtë ngjarje apo për të shkruar për Kakavijën?

 

Më porositën se se do të vinte në Kakavijë një nga studjuesit e jetës së gjeneral Telinit, historiani Arben Puto. E prita në aneksin e zyrës së fshehtë. Isha së bashku me një oficer të Drejtorisë së Zbulimit. Zbuluesi po më shpjegonte se tek Zharovina, ku shovinistët grekë vranë gjeneralin italian Telinin, ka vite që grekërve po u ndodh diçka misterioze, që as vetë nuk e marrin vesh. Aty ku kalojnë njësitet e shërbimit të kufirit grek dhe policia rrugore ata i sulmon një shpend sa një gjysëm lisi. Me sqep dhe me thonj ai i lufton që t’u nxjerrë sytë. Siç e thoshin vetë kufitarët grekë në një rast shpendi i frikshëm e kishte realizuar goditjen për gjahun e tij. Një polici ja kishte nxjerr të dy sytë. Dhe polici i mjekuar në spitalin ushtarak të Athinës kishte mbetur i verbuar. Polici i verbuar vinte në doganën greke dhe thërriste me zë të lart: – Më verboi gjeneral Telini! Qysh nga ajo ditë policia kufitare greke udhëton tek kthesa e Zharrovinës me makina të blinduara. Në të dy krahët e vendit ku qe vrarë gjenerali italian Telini, rruga automobilistike bllokohet me lisa të mëdhenj të shqyer në mal. Rruga zihet si natën dhe ditën. Në atë segment të kthesës së Zharrovinës kishin ndodhur dhe aksidente me viktima. Policia rrugore e Janinës nuk e merte vesh se kush e bllokonte rrugën. Ishin bërë hetime, por kishte qenë e pamundur të zbuloheshin autorët. Një fallxhor i dëgjuar në Janinë i kishte vënë pikat mbi “i”. Rrugën e bllokon fantazma e gjeneralit italian, kishte thënë fallxhori. Ai po hakmerret për vrasjen që i bënë. Për ta trembur fantazmën, tek kthesa e Zharrovinës, policia dhe forcat e kufirit grek qëllonin vazhdimisht me breshëri armësh. Arben Puto nuk po fliste. Unë i thashë zbuluesit se nuk është për t’u çuditur. Këto i tregojnë vetë grekërit. I kam dëgjur me veshët e mi. “Alieni” i Zharrovinës përmbyste kazanët me gjellë, hynte në fjetore dhe prishte krevatët, qëllonte autobusët e vizitorëve me gur, u vinte zjarrin pyjeve, kthente rrëkerat në asfalt, nuk lejonte zhvillimin e dasmave afër garnizonit të Kakavijës, s’lejonte ndërtime llogoresh, pinte, dehej dhe hidhte valle mes vizitorëve pa u parë prej tyre. E pashë që Arben Puto u nervozua. Ai bëri debat me oficerin e zbulimit. I tha: – Prandaj të ka dërguar partia në front, që të merresh me gjepurat e grekërve. Agjentët e Asfalisë greke janë futur dhe në zyrat e Kryeministrisë. Oficeri i zbulimit që ja dinte forcën Arbën Putos, u çua nga tavolina. Erdhi një informacion se tek porta do të futej një tregëtar syzash. Kur iku zbuluesi, unë u detyrova t’i tregojë Arben Putos një ngjarje të ditëve të fundit me zbuluesin. Ai ishte me detyrë në pyjet afër Janinës. Duke udhëtuar e hëngri gjarpëri. Zbuluesi e mjekoi vetë krahun. Që të mos zbulohej, nuk u paraqit në asnjë qendër mjekësore në qytetin e Janinës. Rrëmbeu një makinë në hyrje të Janinës dhe udhëtoi me të deri afër Kallpaqit. Pastaj në një stan mori forcërisht një kalë. Me të kaloi luginën e Drinos dhe në spitalin e Dropullit të Sipërm atë e mjekoi mjeku Jani Rafti. Mjeku e pyeste se ku kishte qenë që vonuar pas kafshimit të gjarpërit? Isha në gjumë, i dehur, i qe përgjigjur zbuluesi. Dropullitët shikonin jashtë spitalit një kalë të bardhë në vithet e të cilit shkruhej :- “Kallpaq”. Arben Puto që e ndoqi tregimin tim me habi, më tha se ai ishte studiues i Telinit. Ngjarje të tilla ja rrëfeni ministrit të brendshëm. Pastaj me kërkesë të Arben Putos unë e shpura atë aty, ku sipas gojdhënave ka qenë zyra dhe bujtina ku pushonte Telini me grupin që drejtonte. Çdo mëngjes, kafen gjenerali e pinte në Janinë. Ishte qyteti i preferuar që i hëngri kokën. Nga ato që më tha Arben Puto, fiksova një moment. Mos u merrni me “aksidentet” e fantazmës së gjeneralit italian tha ai ashpër, edhe kur i broçkullisin grekërit që i kemi afër një vrap pele.  Makiaveli thotë: – “S’është asgjë tjetër veçse fakti”. I kunati i Manush Myftiut, Arben Puto, studionte në arkivat e Evropës, kurse ne në Kakavijë i folëm për “alienin” që vepronte tek  livadhi i Zharovinës. Bashkë me gjeneralin Enriko Telini u vra mjeku, sekretari, përkthyesi, shoferi i makinës dhe një toger. Po ne nuk kishim faj. Tregimet i prodhonin trupat greke. Ishin pjellë e fantazisë, që edhe pse i velte, ata me ato i shtynin shërbimet.Në Kakavijë personazhi i gjeneral Telinit më  kishte bërë për vete.

-Po në Tiranë a ka pasur ndonjë shtatore Telini?

 

Në bibliotekën time mbaja dhe një fotografi të bustit të gjeneralit italian. Ishte vepër e skulptorit Odise Paskali. Shtatorja qe vendosur në sheshin përpara Parlamentit. Por në vitin 1945 partizanët e hodhën në erë shtatoren. Nuk u mor vesh se përse e bën këtë krim. I trishtuar në tërë ato vite në Kakavijë më vinte inat që Enver Hoxha nuk kishte bërë asgjë për gjeneralin. Para disa kohësh e gjeta në Tiranë vendin përpara Akademisë së Shkencave ku qe vendosur monumenti i gjeneral Telinit, vepër e Odise Paskalit. Në themelet ku ka qenë vendosur shtatorja e gjeneral Telinit tani “nusëron” busti i Sabri Godos. Duke sjellë në imagjinatën time figurën baladeske të gjeneralit të minuar nga marrëzia, nuk e përtypja dot që vendin e gjeneral Telinit e ka zënë një personalitet me vlera mediokre si Sabri Godo. Busti i Sabri Godos mundet të vendoset në Progonat të Tepelenës, por jo përpara Akademisë së Shkencave. Bile, në atë territor duhet të jetë vetëm Eqrem Çabej. Po ç’t’i bësh?  Kjo është Shqipëria. Dikur në Qafën e Pazarit një nga të marrët e Gjirokastrës ulërinte me zë të lartë: “Shqipëri të bëfsha t’ëmën” ! Një personazhi, që edhe për faj të tij shpërtheu 97- ta, i ngrenë bust përpara Parlamentit të Shqipërisë! Në Kakavijë shpesh flisja me fantazmën e gjeneralit të braktisur. Edhe kur doja ta harroja ishte e pamundur. Ma kujtonin grekërit. Territori i të dy postave fqinje, ngjante me një sofër të madhe dasme. Në gjysmën e sofrës ishim ne, kurse në gjysmën tjetër ishin armiqtë tanë, grekërit. Ne të palës shqiptare nuk flisnim në gjysmën e sofrës tonë. Heshtnim. Ishte porosi e veçantë e Mehmet Shehut. Ndërsa grekërit broçkullosnin papushim. Tregimet në pjesën e sofrës së grekut ishin të habitshme. Ata i tregonin me zë të lartë. Një nga oficerët tanë, Aleksandër Kola që ishte një gjahtar i rrallë, larg postës së Kakavijës, nga krahu i Zharovinës, qentë e gjahut i kishin nxjerë në shteg një lepur të egër. Aleksandri meqënse çiften e kishte mbështetur në livadh e qëllon lepurin me pistoletë. Për çudi lepuri qe plagosur dhe ashtu me zvarritje e kishte kaluar vijën e kufirit dhe kishte ngordhur në tokën greke. Njësiti grek e kishte marë lepurin që e vrau ushtaraku shqiptar. Në mbrëmje lepurin e pjekur po e pinin me verë në gjysëm e sofrës së tyre. I dëgjoja. Grekërit pinin verë dhe grindeshin. Flisnin me zë të lartë saqë mund të dëgjohej në brigjet e lumit të Drinos. Disa nuk e besonin që një oficer shqiptar e kishte vrarë lepurin me pistoletë. Komandanti grek që kishte mbaruar Akademinë në Athinë, këmbëngulte se kjo ishte e pamundur. Pranë lepurit të pjekur çfarë nuk thoshinin. Të gjitha tregimet në gjysmën tjetër të sofrës bënin fjalë për ne, kufitarët shqiptarë. Çudia ishte se, në pjesën e sofrës tonë, ne tregonim me shenja. Grekërit tregonin për ca ndodhira, të cilat nuk kishin ngjarë tek kufitarët shqiptarë. Në një mbasdite kufitarët grekë, të cilët po pinin me disa korofillak, që kishin ardhur nga Janina, tregonin me këmbë e me duar, se një ditë më parë, Enver Hoxha kishte folur në telefon me kufitarin shqiptar në vendroje. E kishte dëgjuar vetë roja i grekut. Enver Hoxha ka përmendur dhe gjeneral Telinin. Kur e dëgjova, rrudha vetullat. Ishte e vërtetë që Enver Hoxha kishte provuar gadishmërinë duke folur me kufitarin në vendrojen e vijës së parë. Dhe për fat, kufitari i qe përgjigjur në çast. Por unë po e pyesja veten, sesi e morën vesh këtë fakt, kufitarët grekë? Nuk vihej në dyshim se shërbimi i ‘Asfalisë’ greke qe shumë i shkathët. Veçse kufitarët grekë mashtronin kur tregonin për të kaluar kohën se, Enver Hoxha e kishte pyetur kufitarin shqiptar për gjeneralin italian ,Telinin. Personazhi i gjeneral Telinit zbukuronte tregimet e çmendura të kufitarëve grekë. Por ata gjithashtu, e tregonin me zë të lartë se kufitarët shqiptarë e kalonin kufirin fshehtas dhe ndiznin qirinj tek Zharrovina, ku qe vrarë gjeneral Telini bashkë me grupin e punës. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë. Asnjë fije bari nuk preknin kufitarët shqiptarë. Me t’u përmendur emri i gjeneral Telinit, që ata e urrenin, unë mbajta vesh se për çfarë po e përgojonin. Gjenerali Telini kur kishte ndarë fshatin Koshovicë, në të majtë të fshatit Kakavijë, ai e kishte ndarë fshatin në dy copra si të qe lakror. Pastaj kishte shkuar në fshatin Sotirë për të ngrënë drekë. Do të vazhdonte ndarjen e kufirit në majat e malit të Strugarës. Kur gjenerali kishte ndalur në fshatin Sotirë, me qiellin sa një sini mbi kokë, pa fshatarët që po grindeshin për të prerë një rrap shumë të lartë, që po të thyehej zinte nën vete gjysmën e një mëhalle. Sharrimi i gjysmës së rrapit ishte me siklet për sharrëtarin sotiriot që do ta sharronte. Gjeneral Telini qe afruar dhe me intuitën e ushtarakut perfekt i udhëzoi fshatarët, që me një litar të trashë majën e rrapit ta lidhinin në një nga shkëmbinjtë e malit. Faqja e malit ishte ngjitur me rrapin madhështor. Dhe fshatarët bënë siç tha një italian i panjohur për ta. Dhe sharrtari që kishte hipur në rrap, e sharroi gjysmën e rrapit dhe ai ra në krahun, ku litari qe lidhur pas shkëmbit të malit. Sharrtari nuk pësoi asgjë. Vetë gjenerali italian fotografonte.

Edhe pse tani marrëdhëniet me grekërit janë shumë të mira, gjurmët e historisë mbi ngjarje e figura të mëdha, kurrë nuk mund të fshihen. Paçka se në kujtim të gjeneral Telinit nuk ka një gur të ngulur në livadhin e Zharovinës, ku atë e vranë bashkë me të gjithë grupin, “Iliada” e veprës së tij tregohet. E lexoj edhe tani tregimin që e kam shkruar në rininë time kur fare i ri shërbeja në Kakavijë. Dikur me zbuluesit e Drejtorisë së Zbulimit, shkoja përherë mbi Zharrovinën, ku u vra gjenerali italian. Aty bashkëpunëtorët nga Athina linin postën sekrete. I kujtoj ato kohë dhe më vjen për të qeshur. Tani nuk ka nevojë që zbuluesi të udhëtojë malit. Bashkëpunëtorët e zbulimeve të huaja i gjen në Parlament, në ambasada, në qeveri, nëpër zyrat e partive pluraliste dhe tek oligarkët. S’ka më telefonata: – “Dil tek Zharovina ku vranë gjeneralin! Aty të pret “Deti Marmara!”. Është një punë e një kohe të shkuar. Tani detyrat i rekurtuari i merr në kafenenë e Kryesisë së Kuvendit, apo në ‘Rogner’. Zbuluesi nuk bezdiset nga kori i ujqërve në malet e Janinës.

-Si ta kanë treguar banorët përreth dhe historianët me të cilët ke biseduar vrasjen e gjeneral Telinit?

Ditën që u vra gjenerali siç thoshin të moshuarit në Kakavijë, ai ka pasur brenda në makinën ku udhëtonte, disa gurë të gdhendur, të cilët do t’i vendoste vijës së kufirit me Greqinë. Gurin e parë që në të vërtetë qe piramidë, gjeneral Telini do ta vendoste tek piramida 26, ku e kishte lënë punën një ditë më parë. Pas kthimit nga Janina ai do ta vazhdonte punën në drejtim të fshatit Koshovicë. Tregojnë se gurët e gdhendur në formën e piramidës, babai i përkthyesit të gjeneralit i skaliste në Leskovik. Nuk kemi mësuar hollësira për personazhin përkthyes të gjeneralit, i cili gjithashtu u vra ditën e 27 gushtit të vitit 1923. Në Kakavijë gurët e ngulur vijës së kufirit nga dora e gjeneralit italian i kam përkëdhelur me duart e mia. Poezinë “Gurët e Telinit” e botoi gazeta “Pararoja”e rrethit të Gjirokastrës me kryeredaktor Jorgji Çamin.

Në një nga kafenetë afër Bashkisë së Gjirokastrës i thashë një miku nga Lazarati, që ai t’më ndihmonte me njohjen që kishte dhe gjeneral Telini të shpallej “Qytetar Nderi” i qytetit të Gjirokastrës. Lazaratasi me njohje në bashkinë e qytetit më tha sesi ma bën këtë propozim ti, që ke qenë pjesë e strukturave të diktaturës. Nuk i ktheva përgjigje. Çfarë thotë ky njeri, thashë me vete. Unë gjatë shërbimit në Kakavijë, kurrë nuk e kam ditur se Shqipëria ishte nën diktaturë. Ne nuk kishim një minutë të lirë. Ishim në luftë. Të keqen, o diktaturë! Ku të linte greku. Mbi lapidarin e rrëzuar të gjeneral Telinit, kolegu im Edmond Makashi, që në demokraci vrau veten, kishte mbështetur një libër të Dante Aligerit. Merre librin urgjent, i thashë kolegut. Librin e Dante Aligerit e vëzhguan me dylbi kufitarët grekë. Një i asfalisë po merr vijë shënimi. Sebep donin. Në faqen e shpatit të fshatit Mavropull ata kishin shkruar me gërma të mëdha fjalinë: “Oqi 1940”! Edhe për luftën italo – greke në Greqi, kishte interpertime të gabuara. Historia kthehej përmbys, ashtu si lapidari i gjeneral Telinit. Ushtarakët grekë po të dëgjonin emrin “Itali” bëheshin bisha. Edhe për një gjë fare të kotë fajin e kishte Italia. Përballë vendrojes së shërbimit të Kakavijës, roja i grekut kishte pirë një dy – tre shishe me uiski. Qe dehur dhe kishte rënë pa ndjenja. Binte borë e imët e nakatosur me breshër. Mbërritën shokët e rojes së grekut, që kishte rënë pa ndjenja. Njëri prej tyre pa uniformë, vështroi nga roja e kufirit shqiptar. Për habi kufitari shqiptar, që dinte ca fjalë greqisht, u thotë grekërve me zë të lartë “I fusni shokut tuaj borë dhe breshër në koqe! I ftohti i borës e sjell në vete”. Dhe ata ashtu bënë. Kufitarët grekë i thonë rojes së Kakavijës se, “mos ai ishte italian nga ata të gjeneral Telinit”? Por roja e kthen kokën nga fshati Kakavijë. Nuk donte që ta trashte zullumin. E pa që kishte shkelur në dërrasë të kalbur. Të nesërmen familja e kufitarit grek që shpëtoi nga vdekja,  sjell tek porta me tela, një pako për ushtarin shqiptar. E kishin marë vesh se ai qe arrestuar dhe ndodhej në burgun e Degës së Brendshme të Gjirokastrës.

Nesër do lexoni:

 

  • Nuselalet luanin para lapidarit të Telinit dhe në oborrin e Enver Hoxhës.
  • Enver Hoxha: Nuselalet e “Bllokut” dhe ato që janë në vilën e Ujit të Ftohtë në Vlorë të mos i ngasë Garda
  • -Si erdhi Dritëro Agolli në Kakavijë për të parë vendin ku u vra Telini
  • -Si përcolla Aleks Budën për në Athinë, në vitet ’80, i cili ndaloi ku u vra Telini
  • 26 fshtarat e Dropullit i la jashtë Greqisë, pikërisht gjenerali i madh, Telini
  • Ditën që u vra, gjeneral Telini ka qenë i veshur me kostum kombëtar shqiptar
  • Idhulli i gjeneral Telinit, ka qenë Ali Pashë Tepelena, ai këndonte një këngë për të