Flet “Mjeshtri i Madh” Kujtim Gjonaj: Si u xhirua në 1972 filmi mbi kryengritjet e mëdha të Kosovës. Çfarë ndodhi në Verrat e Llukës, ku Isa Buletini dhe Bajram Curri kishte mbajtur tubim. Në familjen e Idriz Seferit dhe takimi me Nexhmije Pagarushën

1066
Sigal

Albert Z. ZHOLI

Lëvizja Vetëvendosja e udhëhequr nga Albin Kurti është fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të së dielës (06.10). Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të 95% të votave të numëruara të rreth 800 mijë votuesve, lëvizja Vetëvendosja, mori rreth 26%. Ajo u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, me 25%. Partia e tretë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21%, ndërsa partia e katërt u rendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj me rreth 12%, që për dy vjet drejtoi qeverinë. Lideri i PDK-së Kadri Veseli, pak para mesnatës në një konferencë për medie e pranoi humbjen dhe deklaroi, se PDK përfundimisht do të shkojë në opozitë. PDK tash e 12 vjet ishte pjesë e qeverive të Kosovës, ku dy mandate mbante edhe postin e kryeministrit. Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, në mesnatë e shpalli fitoren para mijëra qytetarëve që ishin mbledhur në sheshin Skënderbe, ndërsa tha se qysh nesër do të fillojë konsultimet për krijimin e qeverisë së re e ku i bëri ftesë publike LDK-së për koalicion qeveritar. Albin Kurti tha se qeveria e tij do të vazhdojë miqësinë me SHBA-në dhe vendet e Evropës perëndimore, këtu theksoi eksplicit Gjermaninë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën pa asnjë incident serioz që do të ndikonte në procesin e zgjedhjeve. Dalja në këto zgjedhje ishte pak më e lartë sesa në zgjedhjet e kaluara, 43%, apo rreth 800 mijë votues nga 1.9 milion sa kishin të drejtë vote, njoftuan vëzhguesit e organizatave vendase të zgjedhjeve. Këto zgjedhje treguan se shqiptarët din të bëjnë zgjedhje, dinë të japin dorëheqje, dinë të respektojnë minoritarët. Duke folur për këto zgjedhje me regjisorin, skenaristin dhe ?Mjeshtrin e Madh” Kujtim Gjonaj, ai si njeri i kudo ndodhur në hapësirat mbarëshqiptare fillon nga kujtimet e tij. Njeh shumë kosovarë pasi ka realizuar disa filma. Dëshira për të folur për këtë trevë shqiptare është e madhe. E kanë emocionuar zgjedhjet por mbi të gjitha mikpritja kosovare para 40-vjetësh.  Në këto kujtime që janë dhe në monografinë e tij, Mjeshtri sjell disa detaje jetësore shumë të bukura që do kenë shumë interes për lexuesin shqiptar.

 

Kosova, dashuria dhe mohimi

Qysh djalë i ri mahnitej nga  historia e Kosovës. Ajo histori e lavdishme e larë me gjak trimash dhe kulte heronjsh.  Dashuria për Kosovën tek ai lindi herët dhe gjithnjë e më shumë dashuria për këtë pjesë të Shqipërisë ka ardhur duke u forcuar dhe u rritur. Në shkollë të mesme kishin dy shokë klasë me origjinë nga Kosova. Të parët e tyre kishin ardhur  herët  prej andej dhe nga njëherë bisedonin për trevat andej. Ylberi tregonte me pasion sa herë binte fjala për krahinën e tij të mbetur andej matanë kufirit. Pra i ngacmuar nga leximet,në atë kohë romani i Haki Stermillit ishte nga më të lexuarit, si  dhe tregimet e shokëve, në fillim të viteve 70-të I lindi dëshira për të bërë një film për Kosovën. Ishte koha e normalizmimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në atë periudhë dhe Krahina autonome e Kosovës kishte fituar disa te drejta qytetare dhe kushtetuese. Shkëmbeheshin delegacione nga pala shqiptare dhe kish shkuar dhe një delegacion nga Kinostudioja me Endri Kekon, Viktor Gjikën e  disa aktorë. Ndërkohë kishte ardhur  në Shqipëri aktori i shquar Bekim Fehmiu. Shumë pedagogë të Universitetit tonë shkonin dhe jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës dhe shumë shkëmbime të tjera në mjaft fusha të ndryshme. Ishte si një behar i bukur në marrëdhëniet e shqiptarëve të  dy vendeve. Kishte filluar një lëvizje masive me shkëmbime kulturore.

Propozimi  për të xhiruar një film mbi kryengritjet e mëdha të Kosovës

 

Në këtë kuadër bën propozimin  për të xhiruar një film mbi kryengritjet e mëdha të Kosovës që u miratua nga Këshilli artistik i Kinostudios dhe instancat e tjera për të bërë  xhirime jo vetëm për kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, por për të filmuar në të gjitha trevat shqiptare  ngjarjet historike. I hyri punës me gëzim,por edhe me përgjegjësi duke nxjerrë dhe renditur dokumente, vende xhirimi, figura patriotësh, luftëtarë dhe shumë materiale te tjera që do të xhiroheshin atje. Një punë voluminoze dhe me mjaft përgjegjësi shkencore. Dhe ky dokumentar u konsolidua në prag të Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Si duket jo vetëm nga  ministria e Kulturës, por edhe diku më lart qe dhënë miratimi për këto xhirime. Ishte një ekip i përbërë nga ai, nga regjisorja Vitori Çeli nga operatorja Diana Diamanti, një kameraman nga televizioni Besnik Shima.  Dhe u vunë në dispozicion dy makina për një udhëtim njëzet ditor në Kosovë dhe në gjithë trevat shqiptare që në atë kohë ishin brenda shtetit jugosllav. Ishte një shërbim me emocione të mëdha se lidhej me një respekt e dashuri të veçantë për këtë pjesë të popullatës shqiptare që gati kishte 70 vjet që ndodhej nën juridiksionin e një shteti tjetër. Natën kur kaluan kufirin në Qafë Thanë dhe atë natë fjetën në Strugë në një hotel buzë liqenit, një hotel modern i ndërtuar pas ngjarjeve të tërmetit të viteve 60, përbënin moment me emocione të mëdha.  Momenti kur shkelën nga Shqipëria në tokë shqiptare përbënë një shok emocional tek ai dhe pa dyshim dhe të tjerët. Ka pasur gjithnjë emocione të mëdha historike. Ishte sikur historia i vijëzohej me ngjarjet e mëdha në një figurë njerëzore. Është e çuditshme por Shqipëria i është dukur gjithnjë si një zonjë e mrekullueshme ku historia me bëmat e saj gdhendej në figurën e saj të bukur. Dhe meqenëse ka qenë dhe  mbetet ateist, ai sot është i bindur se Shqipëria në jetën e tij ka luajtur rolin e perëndisë. Asaj i është falur si nënës.

 Pritja ishte madhështore

Në atë kohë drejtori i “Kosova film” ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë së shqiptarëve të Kosovës, Azem Shkreli, të cilin nga ai moment e deri në frymën e fundit do ta kishte mik të afërt. Një miqësi që u lidh në zyrat e “Kosova film” dhe u konsolidua me kalimin e viteve. Ishte shkrimtar i talentuar por mbi të gjitha një njeri me virtyte të mëdha pozitive. E takon përsëri dhe çmallet me të në fund të vitit 1991 në Zvicër,teksa xhironte dokumentarin “Me shqiptaret e Zvicrës” dhe ne vitin 1993 kur i boton dhe i promovon librin me ese dhe publicistikë “Muri përfund shqipeve”. Azem Shkreli për të mbetet një shkrimtar i madh dhe mik i mirë.

Po të kthehemi përsëri te takimi me të, në “Kosova film”. Një pritje e jashtëzakonshme. Të gjithë ata e ndienin veten si të përkëdhelur. Gjatë ekspeditave në Kosovë dhe trojet shqiptare në ish Jugosllavi kishin dy djem shoqërues të mrekullueshëm që ndrisnin kur flisnin me ta. I shoqëronte dhe Agim Bobi, me të cilin Kujtimi krijoi një miqësi të mahnitshme. Pra ishin njerëz që jo vetëm i pritën me dashuri por nuk lanë pa plotësuar asnjë dëshirë të tyren për të marrë çdo material që i duhej për filmin.  E shkelën Kosovën cep më cep. Ngjarjet duket sikur dilnin nga errësira ku ishin pluhurosur dhe merrnin dritë e ngjyra në celuloid. I kujtohet që diku ku në një cep të largët ku  kishte mbajtur një tubim Isa Boletini me Bajram Currin, tek Verrat e Llukës. Ka një foto të fiksuar në këtë tubim të vitit 1912 të dy patriotëve legjendarë Isa Boletinit dhe Bajram Currit. Foton e njihte, se e kishte gjetur në arkiv të shtetit, ndaj duhej kërkuar dhe gjetur vendi autentik për ta xhiruar. Dhe i çuan te vendi Verrat e Llukës, e teksa po xhironin rastis të takojnë një plak me plis të bardhë si bora që të jepte një ndjesi fisnike kur e shikoje me ato tirqet e bardha prej stofi me vija të zeza. Ishte matanë një ledhi duke punuar tokën. Kur pa grupin  që po lëviznin me kamera që po xhironin pyet:

-A jeni të  Prishtinës a?

-Jo, kemi ardhë nga Tirana. Televizioni i Shqipnisë.

-Ah!

Mori frymë lehtësimi, i përmalluar dhe një pikë loti iu var mbi mollëzat e rreshkura deri në mjekrën e bardhë. Dhe tha

-Aman,  më jepni një shenjë

I dhanë një paketë cigare “Partizani”

-Njo, jam kah e dhez… Ndërsa paketën do ta çoj në shtëpi t’ua tregoj nipave.

Dhe e futi në xhamadan në krahun e zemrës,  a thua se i kishin dhënë një lingotë floriri. Ishte një ndjenjë kënaqësie. Të krijonte jo vetëm respekt por dhe dashuri për këta njerëz.

Ishin në Gjakovë, ku takuan njerëzit e piktorit të nderuar Abdurrahim Buza

Një mikpritje dhe dashuri e jashtëzakonshme. Atë natë mblidhen në lokalin më të njohur të Gjakovës me vëllain e Hajdar Dushit. Dhe për fat atë mbrëmje,  erdhi dhe e famshmja Nexhmije Pagarusha, për të kënduar. Biseduan e kënduan deri vonë. Folën për flamurin dhe dashurinë e madhe që ushqenin për Shqipërinë. Miqtë ishin shumë të gëzuar. Ata u ndjenë vërtet të lumtur nga mikpritja e vendasve. Një mbrëmje e jashtëzakonshme vëllazërore, miqësore dhe gdhinë deri në tre të mëngjesit. Diskutohej vetëm për patriotizëm. Flitej me shumë dashuri për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Flitej për sakrificën që i duhej të paguanin për dashurinë që kishin për Shqipërinë. Në kohën e Rankoviçit vetëm pse shihnin një makinë spedicioni dhe shkëmbenin një tungjatjeta,  hanin ditë të tëra burg. Tregonin që në bulevardin e Prishtinës, Korza i thonë,  serbët  u hidhnin nga lart kova me ujë të nxehtë,  pse kërkonin statusin e Kosovës së pavarur. Biseda çmallëse që nuk hynin në politikën e kohës. Ata ndiqnin me përparësi të madhe çdo gjë që ndodhte në Shqipëri. E kishin idhull fjalën Shqipëri, flamurin, shqiponjën, Skënderbeun. Emrin shqiptar e shqiptonin me dashuri. Dhe ishte pikërisht kjo ndjenjë kaq e qashtër dhe e madhe që ato i mbajti gjallë. Ato njihnin shumë mirë letërsinë e para luftës por njihnin dhe penat e mëdha të Shqipërisë  së kohës  si Kadare, Agolli, Arapi etj

Rezultati i këtij turneu 20 ditor ishte një film për Lidhjen shqiptare të Prizrenit dhe një film Kryengritjet e mëdha që u vlerësua me  çmim të dytë dhe i dhuroi kënaqësi shumë të mëdha.

 

Rikthimi

Kosovës i është rikthyer gjithnjë dhe në filmin e mbas viteve 90-të për shqiptarët e Zvicrës, me filmin dokumentar për Rramush Haradinaj, por ka bërë dhe udhëtime të tjera dashurie, për këto hapësira shqiptare. Me filmat për Kosovën ai mbushi një boshllëk të madh të krijimtarisë së tij. Kosova, historia dhe njerëzit e saj kanë qenë dhe mbeten gjithnjë permanente në krijimtarinë e tij me dokumentarët “Lidhja shqiptare”, “Kryengritjet e mëdha”, “Po lufton Idriz Seferi”, “Gjithçka për Kosovën” Në mendësinë e tij ka pasur të ravijëzuar idenë që krijimtaria e tij duhet të përshkruajë dhe të hedhë në celuloid gjithçka që është shqiptare. Deri në atë moment qoftë për festivalet folklorike dhe qoftë dhe për filmat e tjerë të veçantë,  ai kishte mbushur boshllëkun e madh të një hapësire që quhet Shqipëri dhe të një hapësire tjetër të madhe që quhet Kosovë. Në këtë drejtim thellë në unin e tij mbetej gjithnjë ai mendimi se akoma ka diçka të pathënë për Shqipërinë. Dhe kur xhironte një film jashtë kufijve kishte një dëshirë instiktive për tu hedhur në Çamëri, dhe në çdo vend ku shqiptarët kishin gjalluar e përjetësuar historinë e tyre të lavdishme.  Ishte ndërgjegjja e krijuesit. Për të thënë ato që nuk ishin thënë. Sepse historia është gjithnjë e lidhur me trojet shqiptare nga kanë dalë këto figura madhore. Dhe ai gjithnjë ka pasur si  dëshirë dhe përparësi dhe detyrë morale të plotësojë dhe të përjetësojë në filmat e tij, historinë shqiptare.

 

 

Në familjen e Idriz Seferit ku serbët nuk i lejonin t’i bënin varr

Teksa po filmonim për heronjtë e luftës për pavarësi, në Zhegër të Gjilanit takuam trashëgimtarit e familjes së strategut popullor Idriz Seferi. Një bisede e ngrohtë dhe vëllazërore  me një nga djemtë e heroit legjendar, Qazimin. Me lot ndër sy Qazimi, tashme edhe ai i moshuar na udhëheq në kopshtin që shtrihej poshtë shtëpisë. Në fund të kopshtit ngihej një muranë e vogël. Grupi i kineastëve bashkë me profesor Sadulla Brestovskin, ndalojnë para pirgut me dhe. Të krijonte përshtypjen e një varri të lënë në harresë. Teksa rrinin para pirgut me dhe  me lot në sy e merr fjalën Qazim Idriz Seferi: Ja këtu e kena varros babën dhe nuk guxojmë me i thanë askujt… shkijet janë kudo dhe na keqtrajtojnë ne dhe babën e vdekun! Ishte një ngjarje vërtet e dhimbshme. Të mos guxosh të respektosh babanë, heroin dhe luftëtarin e madh të kryengritjeve shqiptare të vitit 1912, komandantin e 70000 kryengritësve, që së bashku me Bajram Currin dhe Isa Boletinin  çliruan Shkupin në verën e vitit 1912. Disa foto me familjen e heroit legjendar edhe mbeten një kujtim i bukur për grupin e filmit nga Shqipëria Nënë!