Adriana Dizdari: Zaptuesit dhe e vërteta mbi qendrëm ‘Dea’ në Ksamil

180
Sigal

Tjetërsimi i qendrave artistike- kulturore nga zaptuesit dhe e vërteta mbi qendrën ‘DEA’ në Ksamil

 Nuk ju kanë mësuar se nuk duhet të gënjeni?

Mbas disa muajve nga dita që bëmë denoncimin për dhunimin që na u bë në Qëndrën e Artit DEA, na erdhi një përgjigje e çuditshme, që me gjithë përpjekjet për të fshehur të vërtetën e dhunimit, ajo nuk fshihesh dot. Do të mundohem të hedh dritë mbi këtë përgjigje.

Përsa i përket paragrafit të mëposhtë !

« Në lidhje me sendet personale që shtetasi Limos Dizdari parashkruan në këtë ankesë, sqarojmë se, referuar deklarimit të shtetasit Ilirjan Brokaj, i cili ka dorëzuar dokumentet për pronën në fjalë, ku deklaron se, shtetasi Limos Dizdari ia ka dorëzuar vetë çelësat e objektit në fjalë dhe se ai, i ka marrë sendet personale që kishte në këtë objekt. Bashkëlidhur me këtë përgjigje janë dërguar edhe fotokopje të shkresave përcjellëse drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. »

Ky paragraf është marrë nga përgjigja që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i dha Ministrit të Brendshëm, zotit Bledar Çuçi, mbas ankesës dhe kërkesës tonë për të na respektuar dhe kthyer të drejtat tona të shkelura në mënyrë cinike në Qendrën e Artit DEA në Ksamil…..

Si është e mundur që komisariati i policisë Sarandë gënjen eprorët e vet?

Gënjeshtër e paturpshme! Gënjeshtër që edhe njerëzit jo dashamirës nuk do e venë në dyshim. Si? I paskemi dhënë çelsat vetë? I paskemi marrë “sendet”? Për çfarë sendesh bëhet fjalë? Mos janë ‘sende’ pesë piano? Mos janë ‘sende’ violinat, kitarat? Mos janë “sende” 300 piktura dhe skulptura? Mos janë “sende” 8000 tituj librash? Mos është ‘send’ një sallë e kompletuar koncertesh? Po dhunimi i intimitetit familjar, mos është ‘Send’ ? Po rrobat e trupit dimërore dhe verore mos janë “send’? …..Dhe më e tmerrshmja, mos janë ‘send’ tërë dorëshkrimet krijuese të kompozitorit Limos Dizdari? Mos është ‘Send’ partitura e sapo-përfunduar e baletit, të cilën e lamë mbi lexhion e pianos kur u larguam për pak ditë për arsye shëndetësore në Tiranë? Mos janë ‘send’ tërë aparaturat elektronike të skenës? Mos janë “send” kangjellat rrethuese të Qëndrës? Apo quhen “send” pemët e mbjella nga ne, lulet dhe shumë e shumë të tjera ? Po njëzet e ca vjet, të përkushtuar familjarisht për mirëmbajtjen dhe mirë funksionimin e Qëndrës, mos janë “send”?

Dhe sa shpejt u lajmëruan uzurpatorët: ‘shpejt, nxitoni , se janë larguar’…… Sa detyrë e shpifur, e ndyrë, për ca para, nga njerës që u kishim dhënë besim. Turpi iu është ngjitur për rrobash….

Nëse Limos Dizdari ia kishte dorëzuar vetë çelsat shtetasit Ilir Brokaj, përse vallë policia e Sarandës na futi në oborrin e Qendrës në datën 18.10.2021? «Ja, – na tha, – « i nxorëm. I nxorëm edhe dje, po u futën natën. » Pse vallë, përderisa ua kishim dorëzuar vetë çelsat? U tallën me ne, me dy njerëz të dëshpëruar deri aty ku s’mban kur panë mundin e 20 vjetëve të nëpërkëmbur, kur panë nga dritaret, se librat dhe pikturat ishin hequr nga muret, kur panë bustet e shtrira për tokë, kur të gjitha bravat e dyerve të ndërtesës ishin ndërruar; Hyni – na thanë – ja, i nxorëm. Po ku të hynim? Në dyert me brava të ndëruara? U vërtitëm pa mbështetje, të mashtruar, nëpër oborr. Bëmë një denoncim me fuqitë që na kishin mbetur tek një polic që pati mirësinë të na dëgjonte, erdhi dhe një tjetër civil i cili fotografoi bravat e ndërruara të ndërtesës. Policët e tjerë me gjithë zaptuesit u larguan, dhe ne, mbasi u vërtitëm edhe pak nën shoqërinë e tre qenve të mëdhenj që i drejtonte një person, nuk kishim zgjidhje tjetër përveçse të largoheshim duke e lënë Qëndrën dhe të gjithë pasurinë tonë personale përsëri në dorë të tyre, po këtë herë duke marrë me vete dhimbjen për skenarin tragjik, si të ishte një vepër e Shekspirit.

Për disa ditë me radhë, Limosi protestoi para kryeministrisë protestoi edhe para parlamentit, për një kauzë që ai beson, që unë besoj, që fëmijët tanë besojnë, që miqtë tanë të vërtetë besojnë. Për një kauzë për të cilën ka punuar dhe është stermunduar tërë jetën; – ti dhurojë vëndit të tij, kombit të tij, njerëzve të tij të dashur, muzikë të bukur, muzikë që të depërtojë në rembat e gjakut, në rrahjet e zemrës, në shpirtrat e lënduar, të sjellë paqe, të zbusi egërsinë njerëzore, të përçojë klorofilin e folklorit popullor anë e mbanë botës. Dhe ja ka dalë….Po pra, miku im, që kemi ecur bashkë tërë këto vjet, bën protestë …..do të thotë se jam këtu, jam i gjallë dhe në jetë, në jetë të vërtetë dhe nuk ju lejoj të më nëpërkëmbni, të më poshtëroni! Ti kujtojë kujdo që nuk do të kujtojë, se vepra e tij do jetojë, do vlerësohet nga brezat e ardhshëm, sepse ajo edhe sot shetit nëpër botë pa i marrë leje askujt, është e lirë, shkon ku t’i dojë qejfi, atje ku e duan dhe respektojnë. Miku im, bën protestë për të mbrojtur dinjitetin e gjithë artistëve, e të gjithë krijuesëve, e të gjithë njerëzve me shpirt të lire.

Kur Limos Dizdarit, këtij personaliteti të kulturës shqiptare, të muzikës shqiptare, i shqyejnë dyert, e fyejnë rëndë, i shkatërrojnë partiturat e krijimtarisë, i thyejnë bustet e personaliteteve, i zhdukin librat dhe veprat e artit, po të tjerëve? Kujt i intereson kjo goditje që i bëhet këtij njeriu? Ne u përpoqëm, ndoshta edhe “ luftuam” për një ëndërr të bukur e realizuam dhe nuk ka kthim prapa, se e bukura, ka hedhur rrënjë në fëmijët që në vite u rritën në sallat e Qëndrës DEA. U rritën me aromat e parfumit kulturë, art, muzikë, respekt, dinjitet …..plot ëndra…….. Duan, s’duan muzika e Shopenit, Bethovenit, Mozartit, Shubertit, Zadejës, Dizdarit, Harapit, Ibrahimit, Larës e shumë të tjerëve, kanë bërë folenë në shpirtin e fëmijëve. Ju a hiqni dot, ju që shqyet derën e hekurt në mënyrë tinzare? Ju a hiqni dot ju të konfederatës, që na goditët pabesisht pas shpine, që shisni e blini vëndin sikur të jetë prona juaj e trashëguar? Harruat vërtet të na lajmëroni për atë “Ankandin” e famshëm që na e tundni si flamur për të justifikuar bëmat tuaja? ….nuk besoj se harruat që nuk kini asnjë të drejtë ( sipas ligjit) për të tjetërsuar qëndrat artistike – kulturore. Ju që nuk kini asnjë lidhje me artin, kulturën, çfarë pune keni në një Qëndër arti?

Dëshiroj të kujtoj një thënie të Sami Frashërit:

“Në do të mbjellësh për një vit:

mbill misër e grurë

Në do mbjellësh për gjithmonë

mbill arsim dhe kulturë”!

Korigjoni gabimin e bërë, ju që e keni në dorë. Ne dimë të falim, dhe të korigjosh është virtyt që e posedon vetëm njeriu.