Shpendi Topollaj: Janë bërë disa gabime diplomatike ndaj nesh, zoti Ambasador i Ri i SHBA!

112

Dhënia e vulës pas një viti, pjesës fantazmë dhe përjashtimi i popullit opozitar nga e drejta e përfaqësimit a nuk e vërteton këtë? Se ajo edhe drejtësinë e kontrollon dhe e urdhëron, se e paska reformuar vetë. Këtu luhet një teatër i pështirë që turpi rëndoftë mbi klasën tonë politike, që na katandisën

Sigal

Është shumë kuptimplotë ajo festa Thanksgiving (dhënia e falenderimeve), e amerikanëve që festohet prej 401 vjetësh, e cila mori shkak nga ndihma bujare që indigjenët u dhanë atyre emigrantëve fatkeqë, që zbarkuan në Cape Code, që sot është në përbërje të shtetit të Massashusetts – it. Edhe për ne shqiptarët, të njohur për mirënjohje ndaj të tjerëve, pas përmbysjes së diktaturës komuniste, po kaq e shenjtë u bë dita kur administrata amerikane dërgoi këtu për të treguar mbështetjen për demokracinë dhe ndihmën e vet në përparimin e vendit tonë të katandisur në varfëri ekstreme, burrin e shquar të shtetit, diplomatin Xhejms Bejker. U shtua kjo mirënjohje, kur tani jo me deklarata shpëtimtare, por me forcën e armëve në krye të NATO – s, u ndërhy në mbështetje të UÇK – së për t`u çliruar nga kolonizimi barbar i serbëve të Sllobodan Millosheviçit, duke i dhënë Kosovës tonë lirinë e pavarësinë. Kjo ka qenë arsyeja që ne, te SHBA – ja kemi parë aleatin e madh ose siç e quajmë, aleatin strategjik, duke e konsideruar atë një fat për Shqipërinë. Ne sinqerisht e megjithë zemër e kemi quajtur atë vend me peshë dominante në ekonominë, ushtrinë dhe politikën ndërkombëtare edhe mik, pavarësisht se nga ana e tyre kufizohen te termi aleatë. Ne, për të qenë të sinqertë, nuk para e bëjmë dot dallimin midis aleancës dhe miqësisë. Se gjithashtu s`do harruar se jemi edhe të ekstremeve: kalojmë lehtë nga dashuria e pathyeshme te urrejtja e palëkundur, pasi edhe na e kanë pasur me hile. Por kjo nuk ka ndonjë farë rëndësie po të mendosh se këtu të gjithë janë të një mendjeje për orientimin perëndimor me SHBA – në në krye. Kush e vë në dyshim këtë ose është i verbër ose keqdashës, që shfrytëzon ndonjë segment koniuktural për interesat e veta politike? Në Shqipëri ka mundësi për të bërë humor edhe me plot gjëra të tjera, por të thuash se ekziston rreziku i ndikimit rus apo kinez, kjo më duket jo thjesht e pabesueshme, por çmenduri. Në suazën kësaj dysheje aleancë – dashuri, politikanët tanë i fetishizuan të huajt e sidomos ata amerikanë dhe konkretisht, ambasadorët e radhës. U lanë dorë të lirë atyre, duke u krijuar hapësira që me një kreshendo diskriminuese të “bënin ligjin”, duke ndërhyrë vend e pa vend edhe atje ku nuk u takonte. Puna arriti deri atje sa ambasadorja Juri Kim e bëri baltë, jo vetëm me ndërhyrjet e saj, anësitë apo me dhënien e orjentimeve e direktivave fare hapur, por edhe me krijimin e turbullirave të rafinuara që do të kishin reperkursione në gjithë jetën tonë të brendshme. E thënë pa dorashka, ashtu sikurse vetë amerikanët flasin, marrja e rolit paternalist prej saj, solli përçarjen jo mes pozitës dhe opozitës, por edhe midis vetë kësaj të fundit, deri sa e dobësoi si kurrë ndonjëherë. Lëre pastaj që autoriteti i vendit tonë, pësoi një rënie të turpshme, duke na konsideruar si shtet satelit, lake të nënshtruar. E gjithë kjo justifikohet se ambasadorja vepron sipas detyrave që i vë Departamenti i Shtetit. Madje, shkohet aq larg, sa pa pikën e gajles na thuhet në media se edhe kur administrata amerikane gabon, ne do të bëjmë siç thonë ata. Pika që s`u bije të tillëve. Dhe e gjithë kjo me arsyetimin banal se jemi të vegjël. Po a nuk janë të vegjël edhe anëtarët e tjerë të kësaj aleance si Sllovakia, Lituania, Luksemburgu, Mali i Zi, Letonia, Estonia, Islanda, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut? Por atje ka zot shtëpia. Ca më shumë nga që jemi të vegjël, nuk mund të mbajmë edhe peshën e përçarjes. Dhe shembulli më domethënës i kësaj janë zgjedhjet për pushtetin vendor dhe problemet që dolën. Opozita rezultoi e humbur dhe të gjithë i kërkojnë shkaqet në çdo vend, deri te vjedhja e votës, blerja e saj, tjetërsimi i rezultatit, mosfunksionimi i aparaturave, largimi i popullsisë, mosvotimi i emigrantëve, qeverisja e mirë, ndarja e opozitës, mosdhënia e fondeve, zhgënjimi, prirja e popullsisë drejt të majtës dhe askush nuk kujtohet të thotë të vërtetën: goditja me çdo mjet e mënyrë, deri edhe me farsa ligjore nga ana e ambasadores amerikane. Dhënia e vulës pas një viti, pjesës fantazmë dhe përjashtimi i popullit opozitar nga e drejta e përfaqësimit a nuk e vërteton këtë? Se ajo edhe drejtësinë e kontrollon dhe e urdhëron, se e paska reformuar vetë. Këtu luhet një teatër i pështirë që turpi rëndoftë mbi klasën tonë politike, që na katandisën në këtë derexhe. Ta dëgjojmë Amerikën dhe nëpunësit e lartë të saj kur kanë të drejtë, por Amerika zotni, nuk është as një President, as një sekretar shteti, as një zëvendësndihmës dhe as një ambasador. Atje tirret një lojë politike, që ne vështirë ta zbërthejmë. Henri Kisinxheri e ka shprehur fare qartë se: “Ne nuk mund ta sigurojmë gjithmonë të ardhmen e miqve tanë; ne kemi më shumë mundësi të sigurojmë të ardhmen tonë, nëse ia kujtojmë vetes se kush janë miqtë tanë”. Dhe miq të respektuar janë ata që respektojnë në radhë të parë veten e tyre. Nuk jemi ne që do të zgjidhim problemet e atij shteti të stërfuqishëm, duke u pajtuar edhe me hilenë që përmban asociacioni në Kosovë, edhe me kriminelin Vuçiç, sidomos kur ai thotë se nuk na detyron kush as të njohim Kosovën dhe as të vendosim sanksione ndaj dikujt tjetër, duke nënkuptuar V. V. Putinin. Kam shumë për të thënë, por do ndalem këtu për të dalë atje ku dua; këto ditë vjen në vendin tonë me cilësinë e ambasadorit të ri, zoti David J. Kostelançik. Mirëse të vijë ky diplomat i nderuar, i cili pak a shumë e njeh Shqipërinë, por të kujtojë se presidenti George W. Bush dikur ka thënë: “Çelsi i politikës së jashtme është të mbështetesh në besim”. Besimi është reciprok dhe i mjaftueshëm për besnikëri. Po u mundove të imponohesh, gabon rëndë, pasi një ditë do i dalë për keq tymi. Ai natyrisht do të zbatojë udhëzimet, që vinë nga DASH, por dhe duhet ta dijë se ne as që e vëmë në dyshim besnikërinë ndaj SHBA, dhe mund të jemi vendi që për hir të shumë gjërave, do të mbetemi ndër aleatët më të mirë të tyre. Prandaj zoti ambasador, mos ndiqni rrugën jo të drejtë që shpesh manifestoi pararendësja juaj, e cila natyrisht shfrytëzoi dobësinë e politikanëve tanë. Me ato veprime, pra duke tejkaluar normat e njohura diplomatike, ajo ka dëmtuar edhe vetë imazhin e atij vendi që na është gjendur në momente të vështira. Nga ana tjetër, nga kjo përvojë jo gjithmonë e pëlqyer duhet të nxjerrin mësimet e tyre dhe politikanët tanë. Të mos i ngatërrojnë detyrat, se ne populli i thjeshtë nuk i kemi zgjedhur për t`iu nënshtruar askujt, por për të na drejtuar ne shqiptarëve me dinjitet në raport me të tjerët, kushdo qofshin ata. Shqiptarët e kanë pasur diplomacinë e mençur e burrërore, kur shumë të tjerë nuk e kishin krijuar kombin e tyre. Kur aleatët tanë ta vlerësojnë këtë, ne do t`u jemi atyre mirënjohës dhe përjetë do t`i kujtojmë me nderim me festën e Thanksgivingut shqiptar.