Fejton nga Thoma Goga: Pika qeverisë në “tajare’, për një ‘J’ s’votova fare

125
Sigal

Pika qeverisë në “tajare”, për një “J” s’votova fare…!

  •  – Nga do ta “shkundni” votën këtë herë, nga e djathta apo nga e “mëngjëra”?-i pyeta
  • – Kush ta ketë çmimin më lartë, Çeço! – foli ai që i lyen flokët me gjalpë dhie.
  • -I lashë ata në hije të fikut dhe u nisa nga qendra e votimit, duke sharë me vete: ”Pika në tajare ai që fiton pushtetin me pazare!”
  • -Nuk mund të votoni,- më tha një bojalleshë, as bionde, as brune. – Këtu në “listë” e keni Çeço Çobanaj…

-Nga defteri i Çeços –

Defteri Çeços “Kujtime nga stani” ka qyfyre e gallata. Në një nga këto ditë e harroi te shtëpia ime e unë nisa ta lexoj:

…Kur vjen mosha e “artë”, rritet dhe “nepsi” për të hedhur ca kujtime në kartë. Epo, historitë duhen shkruar që t’i mësojnë kalamaqërit, mo!

Sot m’u kujtua dhe po e rrëfej këtë mesele. Një herë jam ndjerë keq kur jesha ushtar. Po keq fare të thom. Ca më thoshin Çeço, ca Çiço, ca Çeçe. S’kishte më keq kur filluan e ma ngjitën Çiçi…Aty s’durova dot dhe u ankova te kumandari ynë në repart.

– E mo, mos u mërzit a derëzi,- tha ai.- Po unë ç’të bëj? “Ëmbrin” e kam Mahmut, ushtarët i bien shkurt më tharrasin…m..? Ç’më gjeti?! Po të mërzitesha, veten të vrisja?!

Nejse, edhe kumandari s’kish faj. Këto ndryshimet me “ëmbra” më duken si vrapimi me pengesa. Edhe po të ishe rekordmen, nuk dihet si ta shkruajnë tek dëftesa.

Po kusuret me “ëmbrin”, nuk m’u ndanë gjithë jetën. E fundit fare ndodhi në këto zgjedhjet që sapo mbaruan. Atë ditë kafsharët e mi rrinin në bythë të fiqve.

– Po ju pse nuk afroheni për të votuar?- pyeta unë.

– Presim që të rritet dhe ca pazari, -ma ktheu “shuli” i gjatë…

– Nga do ta “shkundni” votën këtë herë, nga e djathta apo nga e “mëngjëra”?

– Kush ta ketë çmimin më lartë, Çeço! – foli ai që i lyen flokët me gjalpë dhie.

I lashë ata në hije të fikut dhe u nisa nga qendra e votimit, duke sharë me vete: ”Pika në tajare ai që fiton pushtetin me pazare!”

Nejse. Vajta te komisioni, që thoni ju! Për dreq, para meje kishte zënë radhën edhe ish-kumandari im, Mahmuti. Gjithmonë unë votoj për partinë time. Kumandari për partinë e tij. Nuk bën vaki që të kemi të njëjtën parti… Pse?! Atë e di vetëm unë dhe ai.

Këtë herë më ngeci mua “sharra në gozhdë”. Paraqita kartën e identitetit te komisioni votimit.

– Nuk mund të votoni,- më tha një bojalleshë, as bionde, as brune. – Këtu në “listë” e keni Çeço Çobanaj…

– Moj çupë, – ngrita zërin.- Unë e kam Çeço Çobani dhe nuk e ndërroj kurrë as “ëmbrin”, as partinë…

– Prandaj dhe ju nuk duhet të votoni kurrë,- ma preu ajo.

– Po kumandar Mahmuti pse votoi?- pyeta seriozisht unë.- Edhe ai e ka patur “Mahmutaj”. Kush ja ka “ngrënë” Mahmutit atë “J”,-në? Ja hëngrët Mahmutit e ma keni ngjitur mua. Ky është marifet i poshtër elektoral. Është provokim, që partia ime të ketë një votë më pak dhe e kumandarit një votë më shumë…Do bëj namin!,- ngrita zërin si furtunë.

– Qetësohu xhaxha!- u hodh një mesoburrë me gjyslyke të ciflosura. – Shko te “zira” e gjendjes civile. E ke këtu afër. Mbase ka ndodhur ndonjë keqkuptim. Rregullohet kollaj, se një copë “J” është. “Zirat” janë hapur edhe sot.

Ashtu bëra. Po ç’të shoh?! Punonjësi i “zirës” ishte emëruar një nga hyzmeqarët e mi, nipi i Pinxho Kapellës. Ai mezi shkruan “ëmbrin” e tij e jo të rregullojë timin. Pika në “tajare” shtetit, kur punon aty edhe nipi i Pinxhos, që unë e mbaja në stan, kur merrte pushimet qeni. Aty e kuptova hilenë dhe këtë marifet.

– Nuk m’u ndave, që nuk m’u ndave o i damkosur, o “kulaku” derrit!- bërtita fort.

– Mos më brrit mua, – ma ktheu ai.- Nuk jemi këtu në stanin tënd, po në “stanin” e madh. Ti kauri derrit je i ardhur në këtë fshat…Ne “të shtetit” të vëmë hekurat.

– Mirë, mirë,- ja ktheva.- T’i tregoj unë hekurat. Hë, se kur të fitojë partia jonë, ty do të heqin prej zhelesh. Do viç të më lutesh në stanin tim, po as te vendi qenit nuk do të çoj…More vesh? Mora, thuaj.

Dhe unë e ndava rradaken; e “zbytha” votimin atë ditë. Nuk votova për një “J”, kurse ish- kumandari im Mahmuti votoi edhe pse ja “hëngrën” atë mut “J”. Ec e gjejeni ku fle lepuri!…”

Ja kështu, që thoni ju. Pika kryetarllëqeve në “tajare” që i katandisën votimet me pazar! Ca e ca blejnë vota dhe qeveria bën sehir se i do për vete. Ca e ca i rras në burg, kur janë kundërshtar. Ndaj dhe unë e ndava mendjen; për një “J” s’votova fare…

Të fala me shëndet:  Çeço Çobani, dora vetë”.

***

 

Zgjedhjet vendore 2023

 

Më 14 Maj shqiptarët zgjodhën krerët për 61 bashkitë e vendit. Sipas të dhënave të KQZ pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 36,31 %, pjesëmarrje relativisht e ulët krahasur me zgjedhjet e kaluara. Por si është paraqitur situata në zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare përgjatë viteve 2005; 2009; 2013; 2017 dhe 2021? Sipas statistikave nga viti në vit numri i votuesve është në rënie. Pjesëmarrja më e lartë është shënuar më 1992 ku në votim kanë marrë pjesë afro 70% e votuesve, ndërsa rekordi më i ulët është shënuar në vitin 2019 me afro  22.26%, ku morën pjesë vetëm votuesit socialistë pasi opozita bojkotoi këto zgjedhje.

Ndërsa, në zgjedhjet e tjera, ato të 2015 pjesëmarrja në votime në rang vendi ishte 46.83%.

Sa i takon pjesëmarrjes në Rang Kombëtar në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 ajo shënoi 46.32%. Konkretisht në Zgjedhjet me rotacion të vitit 2013 në proces votuan 53.47% e zgjedhësve ndërsa në zgjedhjet po për kuvend të vitit 2009 pjesëmarrja ishte 50.52%. Në proceset e tjera rezultati është nën 50%.