I erdhi radha edhe Shkollës Tregtare?!

583
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Ergys Alushi

I nxitur nga një status i Laureta Petoshatit, e cila ngrinte alarmin e mbylljes së Shkollës Tregtare dhe zhvendosjen e saj diku në qytet!

Nëse është i vërtet një lajm i tillë, atëhere do të ishte një tjetër goditje për simbolet dhe historinë e qytetit të Vlorës. Pas “Skelës së parë në Evropë” dhe Sheshit Kombëtar të Flamurit, duket se ata lart nga Tirana, ia kanë vënë syrin edhe godinës së shkollës historike, që njihet me emrin “Shkolla Tregtare”. Sepse, po mos të duan ata nga lart, asgjë nuk mund të ndodhë në Vlorë.  Kodra e bukur,  në të cilën burrat e vërtetë të Vlorës, në vitin e largët 1924 ndërtuan një shkollë për jetimët e Luftës së Vlorës 1920, por, që më pas mori karakter kombëtar, me sa duket qenka një vend i përshtashëm për të ndërtuar ata lart, nga Tirana. Nuk u mjaftojnë kullat, që do të ndërtojnë në territorin e portit detar e tek ish- Akademia e Marinës, por duan edhe atje lart, në kodër.  Italia fashiste, kur e pushtoi për herë të dytë Vlorën, më 7 prill 1939, ndër veprimet e para ishte zhvendosja e shkollës në disa baraka në qytet dhe pushoi nga puna drejtorin e shkollës, Naum Stralla, si kundërshtues të këtij veprimi. Italianët u vendosën në godinën e bukur në kodër, për ta kontrolluar nga lart qytetin, pse jo për të shijuar dhe bukuritë, që ofronte pamja prej aty. Përfundimisht, shkolla do të mbyllej, po nga Italia fashiste në vitin 1943. Sot, pas 78 vjetësh janë të tjerë njerëz, që duan ta largojnë shkollën-simbol prej kodrës, për të tjera qëllime, por veprimi mbetet i njëjtë si dikur,- Pushtues. Në emër gjoja të zhvillimit e përparimit, të lehtësimit të nxënësve për të shkuar në shkollë. Është aq absurd një justifikim i tillë, kur mendon se në vitet kur u hap shkolla, nxënësit shkonin në shkollë, edhe kur nuk kishte rrugë dhe kushte të tjera, si janë sot! Kryetari i Bashkisë, deputetët aktualë dhe ata që janë zgjedhur për në parlamentin e ardhshëm, duhet të reagojnë e të bëjnë publike, se si qëndron e vërteta për tratativat, që po bëhen për zhvendosjen e Shkollës Tregtare. Fshehtësia e veprimeve në dëm të shkollës, nuk lajmëron gjëra të mira.
Shkolla Tregtare nuk duhet të prishet, sepse është simbol i qytetit, është pjesë e historisë së ndritur të qytetit të Vlorës.
Historia vazhdon….