Besard Xhaferri: Rrugët e florinjta që u paralizuan nga dëbora e parë!

33
Sigal

Mjaftuan disa orë reshje dëborë që akset kombëtarë ne veri, verilindje dhe juglindje të vendit të paralizohen, duke sjellë pasoja për mijëra drejtues mjetesh dhe qytetarë të bllokuar në rrugë pa asnjë paralajmërim. Në rrugët e vendit prej 10 vitesh janë hedhur më shumë para se kripë, por edhe sot pasdite me mijëra qytetarë mbetën të bllokuar në akset kombëtarë. Problematike është situata në Rrugën e Arbërit, Rrugën e Kombit, në zonat e Shkodrës dhe në Juglindje të vendit, ku trashësia e dëborës ka shkuar deri në 40 cm. Tenderat korruptiv të qeverive dhe bashkive për mirëmbajtjen e këtyre segmenteve prodhuan këtë bllokim total të tyre, duke lënë në rrugë mijëra familjare, mes tyre fëmijë, të moshuar dhe njerëz që janë nisur drejt Tiranës për arsye shëndetësore. Furgonë dhe autobuzë plot me pasagjerë kanë prej më shumë se 4 orësh të bllokuar në rrugët  Dibër – Bulqizë, Bulqizë-Klos, Klos -Tiranë,  teksa Policia Rrugore ka mbetur e vetme dhe e dorëzuar përballë kësaj panorame. Bashkitë, Emergjencat Civile dhe Ministria e Infrastrukturës dështuan në mënyrë të turpshme, qoftë edhe të paralajmëronin qytetarët, teksa njoftimet të tipit mos lëvizni me makinë, kur mjetet janë bllokuar prej orësh nën dëborë nuk kanë asnjë vlerë. Bashkitë dhe qeveria heshtin përballë kompanive që kanë fituar tenderat e mirëmbajtjes së rrugëve, për shkak se u kanë marrë para, teksa ata që paguajnë dyfish këtë faturë korrupsioni janë qytetarët, njëherë duke iu vjedhur taksat e së dyti duke i lënë në mëshirë të dëborës dhe tekave të motit. Situata në qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Korçës paraqitet dramatike, teksa zonat të thella malore janë pa energji elektrike, ndërsa institucionet nuk kanë mundur të vendosin ende kontakte me mijëra familje. Kjo situatë dramatike paraqitet çdo dimër, pasi siç nuk mbulohet dielli me shoshë, pasojat e motit të keq nuk tejkalohen me propagandë bajate. Nuk kanë asnjë arsye qytetarët të paguajnë faturat korruptive të korrupsionit galopant të kësaj qeverie, pasi ato meritojnë shërbime në kohë reale.