Gentian Çala: Ngrehina të vjetra me autokrat të rinj

436
Sigal

Kjo ideja e Mini-Shengenit Ballkanik duket si tentim i sforcuar bashkëjetese dhe paqeje në Ballkanin e trazuar, ku së paku dy nga liderët e përfshirë në të, kanë tendenca të theksuara autokracie në vendet e tyre. Stonojnë kaq shumë këta individë me kuota mjaft të ulëta besimi në vendet e tyre dhe është e vështirë të jenë pjesë e një koncepti më të gjerë rajonal.

Ideja po ashtu është po kaq e vjetër, e provuar dhe e vdekur si e dështuar në ish Jugosllavinë e dikurshme. Vendet e rajonit kanë një sfidë të rëndësishme integrimi, atë të integrimit në BE dhe ky nuk mund të jetë as plan B dhe as komplementar me atë plan. Forcimi i demokracisë dhe pranimi i vlerave euro-atlantike nga vendet e Ballkanit krijon premisën dhe lehtëson bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit.

Ngrehina e vjetër me autokratë të rinj, duket si plan i dështuar që në zanafillë. Kjo nuk mund ti paraprijë një marrëveshje shqiptaro-serbe, e cila duhet të fillojë me pranimin e krimeve dhe kërkesën e sinqertë për falje nga pala serbe për boshnjakët, shqiptarët apo kroatët e vrarë apo mbi të cilët mund të jetë ushtruar genocid. Ky plan mund të jetë pas hapit të parë të paqëtimit.

Edhe sforcimi i secilit prej këtyre liderëve për tu paraqitur si mbështetës i vendeve të rajonit tingëllon i pasinqertë, e aq më pak gjuha “kritike” e ndonjë lideri për pjesë të tjera të kombit të vet. Tendenca e tyre për pseudopaternalizëm apo pseudofraternite duken të panatyrshme dhe aspak kreative. Paqja kërkon falje, vizion, zhvillim, komunikim pranues dhe pranim realiteti. Paqet nuk ndërtohen me kokën pas, nga e deshmja që të mban peng.

Kjo lloj iniciative më kujton pallatet e dëmtuara nga tërmeti, ku atij që i është dëmtuar struktura ne mundohemi ta rregullojmë duke bërë ndërhyrje në rifiniturë. Duhet forcuar struktura, duhet rikthyer besimi dhe disa zgjdhje fillojnë nga brenda jashtë, jo anasjelltas. Unë e kam të vështirë të besoj se autokratët mund të bëjnë diçka në një interes më të gjërë se ai personal.