Laureta Petoshati: Kush kërkon ta gllabërojë godinën dhe truallin e Shkollës Tregtare?!

1175
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shkatërrim, në ditën historike

Shkolla e famshme Tregtare e Vlorës, e ideuar nga rilindasi Sami Frashëri dhe e publikuar në manifestin e tij “Shqipëria, çështë, çka qënë dhe çdo të bëhet” po grabitet nga oligarkia. Dhe ky lajm i zi për marrjen dhe tjetërsimin e shkollës më të famshme, që bëri histori në Shqipëri dhe kudo në botë, u gjet të  shkatërrohet në një ditë historike për kulturën dhe arsimin shqiptar, pikërisht në 1 Qershor, ditën e lindjes së atdhetarit  Sami Frashëri.

Para pak ditësh në një reagimin tim ndaj dikujt që promovonte turizmin në Vlorë dhe deklaronte se “me ndërtimin e Lungomares ka ndryshuar mentaliteti në Vlorë, sepse vlonjatët po përdorin biçikletat”, pati reagime për mirë të të gjithë vlonjatëve, nëpër rrjetet sociale. Faktet flasin vetë dhe profanët e jakobinët e vendosur kudo për të përfaqësuar Vlorën, nuk e ç’bëjnë dot as historinë dhe as qytetërimin e saj. Biçikletat në Vlorë janë futur në vitin 1917 dhe një ndër të parët ishte dhe patrioti Ibrahim Shyti, që shkonte nga Skela në qendër, në librarinë e tij “Shpresa”.  Fakti, që Vlora pati një Institut Tregtar, që futi dhe vajzat vlonjate në këtë arsimim, shumica e të cilave shkonin në shkollë me biçikleta që në vitet 1930, tregonte për një mentalitet dhe emancipim, që po merrte përmasa në të gjitha shtresat në atë kohë. Ndaj më kontaktuan shumë pasardhës të këtyre vajzave, fëmijë dhe nipër, që ruanin fotografitë me biçikleta. Por ajo që më rëndoi shpirtin ishin mesazhet e drejtuara nga arsimtarë aktualë të kësaj shkolle. Më komunikuan faktin se ditën e premte më datë 21 maj 2021, në mjediset e Shkollës Tregtare kishte shkuar Drejtoresha e Arsimit Profesional nga Tirana, e cila kërkoi takim vetëm me drejtuesen aktuale të kësaj shkolle, zonjën Shpresa Saliaj.

Zonja Saliaj kishte kërkuar, që mësuesit të shkonin në shtëpi atë ditë. Ditën tjetër ajo me gjysmë zëri u kishte thënë se duhej të zhvendosej shkolla në qytet, që nxënësit ta kishin më të lehtë për të shkuar në shkollë. Kishte pasur reagim. Sepse ata e kishin kuptuar që gjithçka ishte thjesht justifikim dhe synimi ishte godina në kodër të Ujit të Ftohtë, që “shakaxhinjtë e përparimit” ia kanë vënë syrin, që kur ishte drejtues i saj zoti Duk Muço, i cili qëndroi në atë post dhe dy vjet gjatë qeverisjes socialiste, që vazhdon ende dhe Kryetar Bashkie ishte z. Shpëtim Gjika, i cili e kishte prioritet këtë shkollë si simbol të Vlorës, meqë kishte qenë dhe drejtues i saj.

“Drejtoresha Shpresa Saliaj  me gjysmë zëri u kishte thënë mësuesve se Shkolla Tregtare duhej të zhvendosej shkolla në qytet, që nxënësit ta kishin më të lehtë për të shkuar në shkollë”

Shumë mësues të asaj shkolle nuk janë ndier, pasi që tani po rekrutojnë nxënës për vitin tjetër, në këtë shkollë, e cila çdo vit ka pasur rreth 400 nxënës. Ata nuk duan që të gjendet shkak për mbylljen e shkollës dhe godina të gllabërohet nga ata që dinë t’i bëjnë mirë këto punë. Kjo shkollë për ta është e shenjtë. Dhe jo vetëm për ta. Atë shkollë, siç thotë Petro Marko “patriotë si Halim Xheloja, Murat Tërbaçi e të tjerë, deshën ta hapnin për jetimët e Luftës së Vlorës.”

Në fakt, ekziston një dokument i datës  23 shtator 1924, (A.Q.SH. Fondi i Ministrisë së Arsimit, Letër e Prefekturës së Vlorës) ku prefekti i kohës  Niman Ferizi, i shkuante qeverisë së asaj kohe: “Gjithë prefekturat kanë lice. Mjerisht Vlora është lënë mbas dore. Populli i Vlorës, kundrejt sakrificave të bëra në çdo rast  për shpëtimin e vendit, kërkon nga qeveria qëndrore ndihma për zhvillimin e kulturës. Populli dhe intelektualët e vendit më drejtohen dhe më shtrëngojnë për ditë… Urdhëroni çeljen e shkollës.” Shkolla në fakt u hap “në Ujë të Ftohtë më 8 nëntor 1924. Qeveria e Fan Nolit e subvencionoi shkollën  me 20 mijë franga ari, por ndihmesën më të madhe e dha Bashkia, në krye të së cilës qëndronte  patrioti Qazim Kokoshi”(Libri studimor “Qazim Kokoshi –Firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë” me autor Enver Memishaj). Ndërsa pjesën tjetër e vuri paria e Vlorës dhe kryesisht  Oda e Tregtisë Vlorë. Po kush ishin anëtarë të Odës së Tregtisë Vlorë?

Në një dokument, që ka nxjerrë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Vlorë, me rastin e 85- vjetorit të themelimit të saj, më tetor 2005, thuhet:  “… në vjeshtën e vitit 1920, nisi veprimtarinë e vet Oda e Tregtisë. Më 25 tetor të atij viti në Kinema “Përparimi” u bë një mbledhje ku, fillimisht u përfshinë 29 anëtarë, midis tyre u zgjodh Këshilli Administrativ, i përbërë nga 15 vetë, të cilët shënohen: Aristidh Ruci, Pandeli Bezhani, Xhemil bej Vlora, Muço Sharra, Mehmet Isai, Musa Jonuzi, Mateo Matathia, Sheref Dano, Shahin Haruni, Kristo Karbunara, Shyqyri Radhima, Ali Çakërri,  Ibrahim Shyti, Toli Kedhi dhe Rafo Jakoel. Kryetar u zgjodh Aristidh Ruci, sekretar Pandeli Bezhani dhe arkëtar Mateo Matathia…”

“Ajo shkollë është mbyllur vetëm nga Duçja, në 22 maj të vitit 1943, i cili e ktheu në kazerma ushtrie. Tani pas Duçes, vijnë fiks pas 78 vjetësh, ca të tjerë, që e mendojnë veten zotët, por janë gllabërues të mundit dhe gjakut të këtij populli”

Në vitet 1924 -1928 qarkullimi i mallrave në tregtinë e Vlorës pati një rritje të ndjeshme, duke u bërë një qendër e rëndësishme tregtare. Firma më e madhe e tregtisë me shumicë dhe pakicë, sipas relacioneve të Arkivit të Shtetit, për manifakturë e artikuj ushqimorë ishte firma “Levi e Rafo Jakoel” (Arkivi Qendror i Shtetit, F. MEK, Dosja 111-600, pasqyra mbi firmat tregtare).” Sipas vlonjatëve të hershëm, kryetari i kësaj Ode, z. Aristidh Ruci i bëri thirrje popullit që të afronte ndihma për shkollën dhe këto ndihma i mbajti të regjistruara arkëtari i saj Mateo Matathia, i cili pati shumë përkrahje nga fshatarët dhe nga hebrenjtë, që kishin pasuri të mëdha.  Shkolla, që u ngrit, pati shumë pjesëmarrës dhe Kryetari i Bashkisë së asaj kohe Qazim Kokoshi ishte i pranishëm. Duhet theksuar fakti se Qazim Kokoshi ishte një personalitet i shquar i asaj kohe. Ai ishte firmëtar i aktit të Shpalljes së Pavarësisë, përfaqësues i Vlorës në Kuvendin e Vlorës 1912, përfaqësues i Vlorës në Kongresin e Lushnjës 1920, ideator dhe organizator i Luftës së Vlorës 1920, Kryetar i Partisë Popullore dhe deputet i Vlorës në vitin 1921 dhe udhëheqës i Revolucionit të Qershorit 1924.

Në atë shkollë, që u quajt “Instituti Tregëtar”, drejtori i parë i saj ka qenë Leonidha Naçi, i cili ka qenë delegat i Vlorës në Kongresin e Manastirit 1909. Po ashtu drejtues të asaj shkolle do të ishin më vonë patrioti Kolë Kamsi dhe Zihni Hamzaraj, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë dhe patriot i madh. Në atë shkollë gjatë atyre viteve kanë dhënë mësim profesorë të përgatitur në universitetet  më të mira të botës, si Safet Butka, Llazaraq Eftimiadhi, Ernest Koliqi, Isuf Luzaj, Jusuf Puka, etj. Ai institut, në ditën e pushtimit Italian të Shqipërisë do t’i priste pushtuesit me demonstratë dhe me armë në dorë. Madje, një nga profesorët e tij, Isuf Luzaj bashkë me 12 studentë të tij do të internoheshin në ishujt famëkeqë të Italisë.

Edhe ish- Kryetari i Bashkisë Qazim Kokoshi, me gjithë familjen e tij, do të kishin të njëjtin fat. Nxënës dhe ish nxënës të kësaj shkolle do të ishin antifashistët e parë të Qarkut të Vlorës, si Petro Marko e Shefqet Musaraj. Ata do të mbushnin malet për liri. Shumë do të binin dëshmorë, shumë të tjerë do të zhdukeshin kampeve të përqëndrimit pa nam e nishan dhe pa u shpallur as dëshmorë nga regjimi komunist.

Ajo shkollë është mbyllur vetëm nga Duçja, në 22 maj të vitit 1943, i cili e ktheu në kazerma ushtrie. Tani pas Duçes, vijnë fiks pas 78 vjetësh, ca të tjerë, që e mendojnë veten zotët, por janë gllabërues të mundit dhe gjakut të këtij populli.

Në nëntor të vitit 2017, sipas një porosie të poetit të madh Fatos Arapi, i kërkova Kryetarit të Bashkisë Vlorë, që të ngrihej një pllakat me të gjithë emrat e shkrimtarëve dhe publicistëve, njerëz të penës të kësaj shkolle, antifashistëve që u bënë promotor të emancipimit dhe  çlirimit të vendit nga pushtuesit dhe një tjetër për djemtë e Vlorës që i përlau mizorisht nazizmi hitlerian në kampe të përqëndrimit.

“Kishte pasur reagim. Sepse ata e kishin kuptuar që gjithçka ishte thjesht justifikim dhe synimi ishte godina në kodër të Ujit të Ftohtë, që “shakaxhinjtë e përparimit” ia kanë vënë syrin”

Edhe pse shpesh herë ai ka pasur fërkime të forta me kundërshtues si puna ime, me thënë të drejtën Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli është treguar  i ndjeshëm ndaj historisë  së qytetit të tij, për më tepër ndaj Shkollës Tregtare, për të cilën ka qenë i mirë-informuar nga vëllai i tij Eduard Leli, i cili si anëtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Vlorë, në korrik të vitit 2006, kur kishte për kryetar të saj zotin Patriot Islami dhe anëtarë  Anesti Bezhanin dhe Arben Meksin, etj, shkon me këtë ekip dhe lidhin marrëdhënie bashkëpunimi me Federatën e Dhomave të Tregtisë të Izraelit, në Tel Aviv, duke kujtuar atje dhe këtë fakt historik.  Jam plotësisht e bindur, që sulmet ndaj tij kohët e fundit janë të orkestruara nga ata që jo vetëm nuk e njohin Vlorën, por nuk e ndjejnë atë. Fshehtësia që po tregohet ndaj zhvendosjes së shkollës tregtare po përkon me sulmet nëpër media ndaj Kryetarit të Bashkisë. Unë reagova, duke thënë se sulmet po i bëjnë ata që duan llomka nga Vlora dhe nuk po gjejnë shteg nga Dritan Leli.  Menjëherë më kontaktoi dikush nga eksponentët e PS-së në Vlorë. I thashë se “çfarë keni, që doni të zhdukni shkollën Tregtare që e ka ngritur qeveria e Nolit?” Padashur më tha se ishte menduar që vjet të zhvendosej. I thashë që po tentohet prapë dhe po talleni me gjakun e vlonjatëve dhe të dëshmorëve të asaj shkolle. Më tha se nuk dinte gjë dhe se do bisedonte me një eksponent më të lartë se ai. Pyetja ime si për të dhe për hierarkinë është: “Kush jeni ju, që do zhvendosni shkollën tregtare dhe a përfaqëson diçka tek ju? Çfarë do të bëhet me godinën e saj, truallin e saj?”

Kam vënë në dijeni të këtij fakti një nga anëtarët e Shoqatës së Veteranëve, zotin Seit Jonuzi, sepse personalisht nga ajo shkollë kam një dëshmor, Prenjo Petoshatin, ndaj dhe ndjeshmëria ime është e madhe. Por po kuptoj se nuk jam vetëm unë, që e di këtë histori, që po zhvillohet heshturazi si një kancer në një trup njerëzor, ndërsa zhurma për Kryetarin e Bashkisë po gjëmon nëpër ekrane. Tani së fundmi, kishin dalë kritika dhe nga dikush, që tashmë është zgjedhur deputet, por një qytetar vlonjat i kishte kthyer këtë përgjigje: “Mos godit në dritaren e tjetrit, kur jotja është me xhama”… Në fakt, edhe në det po të përmjerësh, kripa ta sjell në gjellë, por të zhdukësh me akrobacira, simbolet e një qyteti që ka vendosur fatet e Shqipërisë, kësaj i thonë të kërkosh të thyesh kolonat e shtëpisë tënde, e cila të bie mbi kokë.

Në vend që të hapet Sheshi “Pavarësia” dhe Muzeut të Pavarësisë t’i vendosen dhe roje si te Presidenca e të bëhet një sallë konferencash, në vend që të ringrihet Vlora e vjetër siç ka qenë me shtëpinë e Vlorajve, ku u ngrit Flamuri, me shtëpinë e Sharrajve, ku u vendosën gjashtë ministri dhe kontrolli ndërkombëtar i kufirit, me Shkollën “28 Nëntori” si shkolla e parë shqipe në Vlorë, Rruga e hebrenjve dhe kompleksi i Rrugës ‘Justin Godard”, në vend që të vihet në funksionim treni, gjeni marifete.

Po prekni shenjtët. Por do të kapitulloni, si Duçja.