Dr. Alban Daci: Pse kaq shumë “gurë” drejt Presidencës së vendit ?!

417
Sigal

Sistematikisht, “Rilindja” po hedh  hedh “gurë” drejt institucionit të Presidencës dhe presidentit z.Ilir Meta. Akuzat janë nga më të çuditshmet, që nga “shkeljet” e Kushtetutës, mos respektimi dhe “tejkalimi” i kompetencave të tij, “politizimi” i institucionit të Presidencës dhe Presidentit, po “pengon” Reformën në Drejtësi etj. etj. Këto akuza, tashmë, janë bërë publike dhe janë një ritual i zakonshëm i mazhorancës “rilindëse”, me anë të të cilës, duke përdorur dhe mediet që ka nën sqetull dhe që janë blerë prej saj dhe me ditirambe të dala boje, përpiqen të krijojnë insinuata të tilla sikur Presidenti dhe institucioni i Presidentit, kanë dalë nga shinat dhe po bëjnë punë antiligjore dhe antikushtetuese. E vërteta është, se gjatë historisë 30-vjeçare të pluralizmit politik, me përjashtim të rasteve të rralla, presidentët kanë qenë thjeshtë e vetëm noterë të mazhorancave politike. Ata, nga mëngjesi në darkë, me përjashtime të pakta, kanë bërë “lepe-peqe” për llogari të mazhorancës e partisë në pushtet dhe vetëm në raste të rralla kanë kundërshtuar ligjet e miratuara dhe mënyrë sporadike i kanë kthyer ato për rishqyrtim në Parlament. Por, me zotin Meta, qoftë dhe vetëm për shkak të staturës së tij politike, karakterit dhe formimit të tij, përvojës së gjatë 30 -vjeçare në politikë dhe në punët e shtetit, duke kryer funksionet më të larta në hierarkinë e vendit si ministër, zëvendëskryeministër, kryeministër dhe kryetar Parlamenti, nuk kishte gjasa të ndodhte si me të tjerët. Le të kujtojmë disa nga përplasjet e forta të zotit Meta me mazhorancën “rilindëse”: Mos dekretimi i zotit Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm, pa hequr dorë ai nga grada e tij e gjeneralit, mos dekretimi i zotit Caka si ministër i Jashtëm, dekretimi dhe ç’drekretimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit për pushtetin vendor, kundërshtimi i kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese dhe kundërshtimi fortë dhe i argumentuar për mënyrën se si po bëhet e ashtu quajtura “Reformë” në drejtësi, e cila ka rezultuar në kapje të sistemit të Drejtësisë nga kjo mazhorancë etj. Ndërkohë, zoti Meta, kurdoherë ka deklaruar, se mbron Kushtetutën, dhe vetëm Kushtetutën.

 

Këto nuk janë çështje dosido, por janë radikale, të cilat, nëse bëhen keq, cenojnë rëndë edhe karakterin kushtetues të vendit dhe prishin keq ekuilibrat në mes pushteteve në Shqipëri, ekuilibra që janë vendosur falë përvojës së demokracive perëndimore dhe janë të sanksionuara me ligje dhe Kushtetutë. Për këto “shkelje” të Presidentit, “Rilindja” me bujë e potere të madhe ngriti një komision hetimor dhe shpalli hapur synimin e këtij komisioni për të shkarkuar zotin Meta si president, ende pa bërë hetimin parlamentar se, gjoja, Presidenti na paska shkelur mbi kompetencat e tij kushtetuese dhe na paska bërë hatanë me dekrete dhe me dekrete që ç’bëjnë të parin. Pra, gjithçka ishte paravendosur, duke shkelur hapur parimin e prezumimit të pafajësisë, deri në kryerjen e hetimit dhe marrjen e vendimit përkatës. Ndërkohë, vetë shumica iu drejtua për ekspertizë dhe konsulencë edhe Komisionit të Venecias. Komisioni autoritar dhe shumë i dëgjueshëm i Venecias, foli, dhe foli qartë: Zoti President nuk ka tejkaluar dhe as nuk ka shkelur kompetencat e tij kushtetuese! Komisioni u tërhoq me bisht ndër shalë. Tjetër, zoti Lleshaj hoqi dorë nga grada e gjeneralit, ashtu si e kërkonte ligji, dhe u dekretua si ministër i Brendshëm. Pra, ligji shkoi në vend.

Kohët e fundit, meqë dështuan këto sulme të paprecedentë, gjurmuan dhe “gjetën” “indicie” të tjera për të sulmuar Presidentin e vendit. Prej muajsh, po ju bien tam-tameve, se Presidenti po bën shumë dekorime, se Presidenti ka shkelur ligjin e dhënies së nënshtetësive për të huajt etj.etj.. Por, në asnjë rast nuk thonë e nuk shkruajnë, se Presidenti duhej të kishte dhënë, p.sh. 10 dekorata dhe shkeli ligjin duke dhënë 15 dhe në asnjë rast nuk thonë, se Presidenti shkeli rregullat dhe mënyrën e përcaktuar me ligj për dhënien e nënshtetësive. Flluska dhe këto!

Ndërkohë, Presidenti dhe institucioni i tij deklarojnë publikisht, se çdo gjë është bërë në bazë të ligjeve dhe në zbatim të tyre, dhe publikisht kanë vënë para opinionit dhe publikut letrat, mbi të cilat është bazuar Presidenti.

Gjithashtu, po nga kjo “Rilindje”, Presidenti i vendit është akuzuar, se ka politizuar institucionin e Presidentit, ndërkohë që nuk rezulton asnjë deklaratë dhe prononcim politik i zotit Meta.

Pra, duket hapur se shumica “Rilindëse” nuk mund të pajtohet me të drejtën e Presidentit për dekrete, dekorime dhe dhënie nënshtetësie, sepse “Rilindja” çdo gjë do që të kalojë nga dora dhe mendja e saj! Atëherë, ç’duhet të bëjnë”!” T’i heqin Presidentit këto të drejta Kushtetuese, me qëllimin që të kapin edhe institucionin e Presidencës, të vetmin që ka mbetur pa u kapur, dhe çdo gjë, pastaj, të kalojë, të shkruhet e të vuloset nga dora e tyre.

Atëherë, për t’u kthyer te pyetja e titullit të shkrimit, pse kaq shumë sulme dhe “gurë” në drejtim të Presidencës së vendit, duhet të rikujtojmë se, tashmë, kjo shumicë ka në dorë të gjitha institucionet e vendit. Tashmë, nuk është sekret, Qeveria dhe shumica e tanishme kanë kapur sistemimin e drejtësisë, kanë shkallmuar zgjedhjet e lira e demokratike, vendin e kanë çuar në kolapsin e mosdhënies me ligj të së drejtës, sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë dhe shumica e gjykatave të tjera janë jofunksionale etj. etj…

Në këtë kontekst, jashtë sqetullës së saj nuk duan të lënë Presidencën dhe Presidentin.

Duket qartë se në aventurën “Rilindëse”, për të kontrolluar të gjitha pushtetet, të gjithë jetën politike të vendit dhe të gjitha institucionet e vendit, pengesa dhe barrikada e vetme është Presidenca dhe Presidenti, i cili, ka deklaruar dhe luftuar publikisht në mbrojtje të Kushtetutës së vendit. Dhe, për të pasur dorë të lirë, për të qenë të qetë në paudhën e tyre, “rilindësit” po bëjnë kaq sulme e po hedhin kaq shumë “gurë” drejt institucionit të Presidentit, në mos për ta asgjësuar atë si institucion, për ta mpirë e për ta neutralizuar, për ta vënë nën këmbë.

Por, kjo, me zotin Meta, nuk gjasa të ndodhë! Shqiptarët, tashmë, janë ndërgjegjësuar, dinë shumë mirë ta dallojnë të bardhën nga e zeza dhe e kanë ndërmend sentencën popullore, se “në pemën me kokrra gjuhet”…..!