Lamtumirë Muharrem Fejzo, regjisori i filmave që bënë histori!

835
Sigal

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë

 

Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare regjisori i madh shqiptar Muharrem Fejzo. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë djali i tij, Joe Ardit Fejzo. Mësohet se regjisori ishte i infektuar me koronavirus.

Ai shkruan: “Lamtumirë Babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s’të dhashë dot një gotë ujë, nuk mertiton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës.”

Jetëshkrimi

 Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit.

Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: “Operacioni zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.

Libri i rrallë

Para 4 vjetësh regjisori Muharrem Fejzo, nxori në dritë librin “Të Pathënat” që përbën kujtesën e tij në Kinostudio ‘Shqipëria e Re’, me filmat si “Kapedani”, “Mësonjëtorja”, “Operacioni Zjarri” dhe deri te filmi i tij më i fundit , “Muri i gjallë”. Në këtë libër del në dritë  historia e passkenave, dëshmi të asaj që gëlonte në sheshxhirime, në korridoret dhe mbledhjet në drejtorinë e Kinostudios, sa herë udhëheqja nuk gjente të mishëruara idealet e saj në filmat e Muharrem Fejzos. Kërë libër autori filloi ta shkruaj që në vitin  2010. Ai theksoi në promovim se: “Libri është i bazuar tek blloqet, që unë mbaja në atë kohë, me një shkrim tepër të imët, që mos të ma lexonin të tjerët, dhe çdo film ka një bllok të tij. Në ato blloqe janë shënuar gjithë emocionet, vështirësitë e xhirimeve, marrëdhëniet me aktorët dhe grupin e xhirimit, me mungesat që ishin atë kohë që për të krijuar erën e re ne duhet të merrnin dhe një helikë, etj. Përmes këtyre blloqeve është shtjelluar i gjithë libri”. Në këtë pomovim emocionues ku zhvillova një intervistë, aktorët si Roza Anagnosti, Gëzim Rudi, Rajmonda Bulku, Alfred Trebicka, lexuan pjesë të shkëputura nga libri, por dhe regjisorë të njohur të kinemasë shqiptare si Saimir Kumbaro, etj, vlerësuan punën e regjisorit Fejzo dhe risollën në vëmendje kujtime nga xhirimet me filmat.

Si u vendos të xhirohej filmi “Kapedani”
Ja si shprehet regjisori: Në vitin 1970-1971 unë kisha mbaruar filmin tim të parë, “Montatorja” dhe qeveria në atë kohë, politika kërkonte sa më shumë filma. Ishte një moment i favorshëm për të prodhuar. Shfaqeshin pak filma rusë e francezë, por në numër të kufizuar, ndaj duheshin prodhuar filma shqiptarë. Në këto rrethana, në Kinostudio erdhi një kërkesë e skenaristit, shokut tim të fëmijërisë, Skënder Plasari, i cili kishte shkruar një komedi për film. Atëherë u shqyrtua skenari, por nuk i dilte zot njeri. Askush nuk kishte provuar ende të bënte film në lëmin e komedisë. Jo vetëm kaq, por të gjithë kolegët e mi kishin kërkesa të tjera me të tjera tematika. Atëherë në këtë përzgjedhje ishte kërkesa e një kolegut tim, Fehmi Hoshafi. U bëmë dy veta që kërkonim të xhironim këtë film. Drejtoria e Kinostudios në atë kohë kishte praktikë që filmin e parë ta bënin dy regjisorë. Debatonim gjerë e gjatë për skenat e filmit dhe idenë qendrore të tij. Më herët kishte tituj të tjerë, por pas debatesh u vendos që të ishte ky titulli, pra “Kapedani”.

 Reagimi i aktorit Reshat Arbana:

“Humbja e tij, lajm i trishtë për artin. U shkëput një gjerdan i kinemasë shqiptare. Me Muharremin, kam luajtur te ‘Fijet që priten’. Ngushëllime familjes dhe të gjithë miqve të tij. Fejzo ishte një prej regjisorëve më të mirë shqiptarë. Ka qenë një prej miqve të mi më të mirë”,

 

Mevlan Shanaj:

Muharrem Fejzo,iku! Sot i ka ikur ekranit shqiptar një burrë i pashëm mendje hapur! Sa mirë ishte këtë verë. Punonte ende në pikturë. Gjatë gushtit më tha ‘dua të kesh dhuratë kompozim portretin tënd’. Ditë Covidi o Leme, e shtyjmë për më vonë! Emër i pasur me vepra! Regjjsor i filmave: “Mësonjëtorja”, “Operacioni Zjarri”, “Një emër mes njerzëve, “Muri i gjallë”, “Guna përmbi tela”, “Fije që priten”, “Kapedani” (bashkëautor) etj. Skulptor, piktor! Njeri i ditur, mik i pastër, sqimtar! Iku një njeri që mbillte fisnikëri, buzëqeshja ishte pronë e tij! Lamtumirë Leme, kur të kam njohur luaje në kitarë !