Skandali: Solucionet që u hidhen karburanteve për të rritur fuqinë po shkrumbojnë mjetet rrugore dhe detare në Shqipëri

337
Sigal


Ëngjëll Musai
Drejtor i gazetës Telegraf

Sistemi i naftës është një sistem kompleks për vetë natyrën që ka. Ajo do studiuar, zbuluar, duhet të nxirret në sipërfaqe dhe të depozitohet në rezervuare, duhet të përgatitet për përpunim dhe të përpunohet në impiante distilimi dhe rafinimi, për të nxjerrë produktet e saj në shërbim të ekonomisë, industrisë, biznesit, familjeve, por mbi të gjitha si përdoruesi më masiv për automjetet, mjetet lundruese, aviacionin, etj. duke zënë rreth 98.3% të tregut botëror.

Oligarkët e karburantit shqiptar dhe cilësia e motorrave

Kohët e fundit sidomos gjatë mesit të vitit 2021 dhe 2022, po shohim një fenomen të veçantë dhe të rrezikshëm në rrugët e Shqipërisë, ku automjetet rrugore dhe ato të ujit po përfshihen nga flakët, dhe kjo po ndodh si në dimër ashtu edhe në stinën e verës. Këto ngjarje, po u ndodhin automjeteve të të gjitha kategorive, autoveturave, autobuzëve, automjeteve të tonazhit të rëndë, motorrave rrugorë, motorrave të ujit, skafeve, jateve si dhe anijeve të peshkimit. Për çdo pronar të makinave, autobuzave anijeve, skafeve ose ndonjë njësie tjetër të pajisur me një motor të djegies së brendshme të benzinës dhe naftës e rëndësishme është vlerësimi i oktaneve të karburantit që përdoret. Specialistët e fushës analizojnë se për mjetet rrugore, detare, aviacionin dhe motorrat që punojnë me naftë ose benzinë duhet të kenë këto parametra, për të parandaluar ngjarjet e jashtzakonshme: Sipas të dhënave të teknologjisë, benzina e 92-të ose e 95-së është sigurisht më e mirë se 76-ta. Nëse oktani është i dobët, këto mjete jo vetëm nuk do të kenë fuqinë e duhur, por do të nxjerrin më shumë tym. Sipas specialistëve të hidrokarbureve dhe inxhinjerëve të motorrave cilësia e karburantit të naftës në masë të madhe varet nga vetitë e bazës së saj hidrokarbure. Për shembull, parafinat, që gjenden në karburant kanë një efekt pozitiv në ndezshmërinë, por kur ftohen në rreth -10 C ato solidifikohen, duke e kthyer karburantin në një masë të ngjashme me pelte. Sigurisht, në këtë gjendje, karburanti nuk mund të kalojë nëpër filtra dhe pompa e karburantit me presion të lartë sigurisht që do të dështojë, duke e shtyrë karburantin e ngrirë përmes linjës së karburantit dhe përmes atomizuesit. Karburanti duhet të përputhet me rregulloret, pra, duhet të siguroheni që cilësia e karburantit dizel ( naftë), pasi devijimi i secilit prej parametrave të karburantit nga vlera nominale shkakton keqfunksionime të njohura në motor: sipas të cilit është e mundur të përcaktohet në mënyrë specifike se cilat karakteristika të sakta të karburantit nuk plotësojnë ato të kërkuara. Por pronari i automjetit ose drejtuesi i automjetit është më i vetëdijshëm se vlerësimi i oktaneve të benzinës apo naftës, tregon shkallën e lejueshme të kompresimit të motorit, i aftë të funksionojë me efikasitet në karburantin e një marke të caktuar. Por në Shqipëri edhe pse çmimi i naftës është nga më të shtrenjtët në botë, cilësia lë shumë për të dëshiruar dhe kjo është bërë shkak që drejtuesit e mjeteve rrugore, detare, helikopterëve, motorrave që punojnë me karburant, benzinë, naftë, vajguri për mjetet ajrore dhe gaz, kanë pësuar avari dhe mjetet e tyre kanë shpërthyer në flakë në rrugët e zakonshme, fushore apo malore. Nga flakët janë përfshirë edhe mjetet detare, anijet e peshkimit dhe ato të vogla lundruese, skafet, jatet, motorrat e ujit dhe në disa raste avari kanë pësuar edhe helikopterët, ku ka pasur aksidente të rënda. Kontrolli i cilësisë së karburantit si benzina, nafta, vajguri apo gazi, fillon me përcaktimin e numrit të cetanit nga motori. Po si qëndron e vërteta me karburantin në Shqipëri dhe si ka mundësi që po digjen me dhjetra e qindra makina dhe askush nuk mbanë përgjegjësi? Organet e hetimit duhet që të kishin analizuar së bashku me ekspertët e laboratorëve të naftës, benzinës dhe gazit, lidhjet midis cilësisë së naftës që hyn në vendin tonë dhe shpërndarjes së saj nga pikat e karburanteve.

Shkaku i zjarrit te makinat në rrugë dhe te mjetet në ujërat detare të Shqipërisë, abuzim me cilësinë e karburantit për rritjen e fuqisë!

Ka disa vite që në rrugët e Shqipërisë shikojmë automjete që digjen në rrugë, shkrumbohen  autobuza me pasagjerë brenda, mjete transporti, madje edhe motorra të kubikëve të vegjël që përdoren nga qytetarët. Por tymi i zi i makinave të djegura nuk ndodh vetëm në mjetet rrugore, pasi flaka ka përfshirë edhe skafet, anijet e peshkimit, motorrat e ujit dhe disa raste edhe tragetet që furnizohen në Shqipëri. Por ajo që vlen për t’u përmendur dhe që duhet të jetë objekt i organeve të hetimit dhe krimit ekonomiko -financiar, Ispektoriatit Qëndror Teknik, ministrive të linjës, AKBN-së, Laboratorëve të Analizave të Naftës dhe Gazit, atyre të Doganës Shqiptare etj, ka të bëjë me faktin se përse këto automjete rrugore, detare dhe ajrore përfshihen nga flakët?! Të jetë si shkak cilësia e dobët e automjeteve dhe mjeteve lundruese? Sigurisht që këtë gjë nuk ta pranon Drejtoria e Transportit Rrugor Shqiptar dhe qëndra e kolaudimit për automjetet, si dhe ajo e kolaudimit dhe licencave detare për mjetet që lundrojnë në ujrat detare, pasi këto mjete kalojnë në testin e kolaudimit. Dhe faktet tregojnë se djegia e mjeteve rrugore dhe atyre detare, ka përfshirë si mjetet që qarkullojnë brenda teritorit, ashtu edhe ato që vijnë nga jashtë për pushime apo si turistë disa ditorë dhe furnizohen me karburant në pikat e furnizimit në Shqipëri. Pra kjo rrëzon alibinë se digjen vetëm mjetet rrugore dhe detare shqiptare duke gjetur si argument defektet teknike. Madje djegia e mjeteve rrugore ndodh si në rrugët fushore edhe ato malore, si në rrugë të drejtë jashtë zonave urbane, në qytete, në fshatra, si gjatë verës me diell dhe temperatura të larta, ashtu edhe në dimër me temperatura të ulta dhe me shi.

Por çfarë thonë drejtuesit e mjeteve dhe punonjësit e pikave të karburanteve, por edhe ekspertët e fushës për djegien e mjeteve të ndryshme?

Sipas tyre shkaku i vërtetë i djegies së automjeteve është futja në karburante si në naftë edhe në  benzinë të solucioneve për të rritur oktanët ose fuqinë e karburantit. Që nafta është e dobët kjo duket, sepse përtej solucioneve për rritjen e oktanëve, cilësia e dobët e naftës po bllokon mjetet, katalizatorët dhe injektorët e mjeteve. E njëjta situatë është edhe me benzinën që po shkatërron makinat. Dikush do të thotë se çfarë të keqe ka nëse i shtohen solucione si në formë lëngu ashtu edhe me kokrriza, në pikat e karburantit, apo edhe cisternat, për rritjen e fuqisë? Këtë shpjegim e japin ekspertët, teknologët dhe laborantët që nuk duan të bëhen publik për shkak të frikës se i largojnë nga vendet e tyre të punësimit, apo qëndrat e laboratorëve. Sipas tyre karburanti, nafta ose benzina kanë temperatura të ndryshme të djegies në krahasim me solucionin që është hedhur në depozitat e mëdha kur bëhet përzierja, me të cilën furnizohen mjetet në serbatorët e tyre. Pra solucioni ka temperatura të ndryshme nga benzina dhe nafta gjatë djegies. Oktanet vërtetë rriten, por vetitë e karburantit dhe  solucionit që shtohet për rritjen e fuqisë gjatë djegies, është e ndryshme për naftën dhe benzinën nga solucioni ( lëng apo kokrriza), e cila varet nga lloji dhe që mund ta ketë pikun e djegies afërsisht 40 gradë, ndërsa nafta dhe benzinën e kanë 80 gradë e sipër, dhe të plotë 90 gradë. Në momentin që temperatura kalon mbi 40 gradë shpjegojnë ekspertët e laboratorëve kimikë dhe të naftës, fillon djegia e solucionit, por nafta dhe benzina ende se kanë arritur pikun dhe kjo bën që të shpërthejë flaka si në motorr, po edhe gjatë rrugës së daljes së gazrave drejt malmitës. Pikërisht bashkë me gazrat në malmitë shkon edhe një pjesë e karburantit naftë apo benzinë të padiegur mirë në motorr, e cila shpërthen në flakë, pasi solucioni që e ka temperaturën e djegies më të vogël, del në formë shkëndijash apo dhe flakë dhe ndez edhe naftën apo benzinën e padjegur mirë. Kjo është arsyeja sipas inxhinjerëve që mjetet rrugore dhe ato detare shpërthejnë në flakë dhe askush deri më sot nga grupi hetimor nuk e ka marrë si provë karburantin që kanë përdorur  mjetet, prova nga vend-ngjarja apo të pyesë drejtuesit e mjeteve se në cilin karburant janë furnizuar herën e fundit. Pra qeveria ka licensuar kompanitë e oligarkëve duke u varur mëlcitë në qafë çakenjve të naftës, të cilëve nuk u hyn asnjë gjëmbë nën këmbë, sepse askush nga organet e hetimit, nuk guxon të çojë në laboratoret e specializuara brenda dhe jashtë vendit, provat e karburantit të përdorur nga automjeti, apo të shkojnë të hetojnë dhe të marrë prova në pikat e karburantit ku është furnizuar automjeti. E njëjta gjë ndodh edhe me Inspektoriatin Qëndror Teknik, i cili duhet të shkojë në mënyrë të rrufeshme në çdo karburant dhe të kontrollojë si për sasinë edhe për cilësinë, duke marrë prova direkt nga pika e furnizimit, ku mbushen automjetet si ato rrugore, detare, apo edhe ajrore. Përpara se të vijojmë me mendimin e specialistëve të naftës dhe gazit, mbi denoncimin e këtij skandali dhe që duhet të jetë objekt i organeve hetimore dhe ato të specializuara teknike, për të zbardhur të vërtetën e djegies së mjeteve rrugore, detare dhe ajrore po japim dy raste konkrete, një në Valencia të Spanjës, rreth 1 muaj më parë dhe 1 denoncim i një drejtuesi automjeti që ju dogj makina në afërsi të Qafë-Krrabës.

Si realizohet kontrolli për sasinë dhe cilësinë e karburantit, jashtë Shqipërisë dhe rasti i Valencias në Spanjë

Para 2 muajsh në kulmin e sezonit turistik dhe të temperaturave të larta, duke udhëtuar nga Valencia në Barcelonë, ndaluam automjetin për furnizim në një nga pikat e karburantit ( Auto Grill). Sapo ndaluam shohim një automjet i laboratorit shtetëror të Spanjës që ndalon tek pika e karburantit dhe pa marrë leje, vete tek pika e furnizimit, vendos kartën, mbush një bidon me naftë dhe një me benzinë. Pas kësaj, hapën vulën e njërës prej pikave të furnizimit, dhe kontrolluan pajisjen me aparat, për të kontrolluar sasinë, madje me gramaturë. Duke ju paraqitur si gazetar shqiptar, i pyeta për kontrollin pasi ishte një veprim shumë profesional, i befasishëm dhe që doja ta promovoja , pikërisht nëpërmjet këtij shkrimi që sot po botojmë për të gjithë lexuesit e gazetës Telegraf. Dhe përgjigja e tyre ishte: Ne vijmë për kontrolle të befasishme në të gjitha pikat e karburanteve të autostradës, ato në brendësi të qyteteve dhe zonave për rreth tyre. Nuk komunikojmë fare me punonjësit e pikës së karburanteve, vetëm në fund plotësojmë një proces-verbal , ku një kopje ua dorëzojmë punonjësit të pikës, madje pa i marrë as firmën dhe largohemi. Ne kontrollojmë cilësinë sipas oktanëve, nëse ka elementë që janë të rrezikshëm si për përdoruesit e mjeteve, ashtu edhe për qytetarët në lidhje me gazrat që lëshojnë mjetet gjatë djegjes së karburantit. Të njëjtën gjë bëjmë edhe për gazin. Nëse konstatoni probleme të tilla si veproni e pyeta? Gjoba shumë të mëdha, heqje e licencës deri në sekuestrim të pikës së karburantit, m’u përgjigjën ata. Ja pra ky është shteti, që taksapaguesit paguajnë për të garantuar jetën e tyre dhe të tjerëve që qarkullojnë në rrugë.

Po në Shqipëri? Ja një rast skandaloz që ka ndodhur sipas dëshmive të një drejtuesi mjeti, disa muaj më parë!

Një histori trishtuese në lidhje me djegien e makinës dhe që lidhet me cilësinë e naftës, ka ndodhur në një nga muajt e verës. Automjeti që qarkullonte nga Tirana drejt Elbasanit është përfshirë nga flakët në afërsi të Krrabës. Makina u shkrumbua dhe drejtuesi i mjetit i telefonon një të afërmi të vet që të vinte ta merrte me makinë. Pasi vjen i afërmi i vet, drejtuesi i mjetit të djegur i shpjegon se makinën e kishte kaluar 1 muaj më parë në kolaudim dhe nuk kishte pasur asnjë problem. Vajta e mbusha me naftë thotë dhe sa erdha në Krrabë, makina u përfshi nga flakët. Tek cili karburant e mbushe i thotë i afërmi i vet? Dhe shoferi që ju dogj automjeti i kishte thënë një nga pikat e karburantit të Tiranës, ku vetë kushëriri i tij kishte një të afërm që punonte dhe me sa duket i kishte dhënë informacionin e duhur. Do të shkosh tek karburanti i thotë kushëriri i vet dhe do kërkosh pronarin dhe do i thuash që do të bëjë denoncim për cilësinë e karburantit, pasi makina mori flakë dhe unë kam dyshime të forta që shkak ishte karburanti. Sigurisht që i afërmi i vet i kishte dhënë informacion të plotë për solucionet që përdorte pika e karburantit për rritjen e oktanëve të naftës. Pas këtij debati, dhe i trëmbur nga denoncimi se në pikën e karburantit mund të vinin institucionet ligjzbatuese, vendosi t’i paguajë drejtuesit që ju dogj makina, vlerën me të cilën ishte blerë automjeti. Ja këto janë skandale që kërkojnë atë hetim të thelluar nga ana e institucioneve përgjegjëse

Deklaratat e specialistëve të laboratorëve të naftës

Ndodh shpesh që në Shqipëri të përzihen karburante të cilësive të ndryshme, ku përzihen nafta e importit me naftën e vendit. Oktanët është e vërtetë që rriten nëpërmjet solucioneve që u hidhet karburanteve, por kjo realizohet vetëm në rafineritë e përpunimit dhe jo në rrugë ambulatore duke i përzier në depozitat e naftës. Ndaj ‘Bordi i Transparences’ duhet ta ketë primare cilësinë dhe jo të rrisë çmimet, duke u kthyer në çetën e ‘Ali Babës’.

Shkatërrimi i Laboratorit të naftës, ja deklaratat e dhëna gjatë intervistave për Telegraf.

Shpëtim Nishani, ish-Drejtori i Uzinës së Përpunimit të Naftës Kuçovë: “Pas viteve 1990, Laboratori Shkencor ishte i vetmi që u akreditua për rreth 160 analiza të nënprodukteve të naftës. Shteti ndoqi politikën e privatizimit të uzinave të Kuçovës, Cërrikut dhe Ballshit, por duhet të mbante nën kontroll Laboratorin si e vetmja garanci, pasi tek privati mungon interesi për të kontrolluar cilësinë.

Dr. Vladimir Mici: AKBN nuk bën transparencën e sasisë të nxjerrjes së naftës, çka duhet të hetohet nga SPAK. Në uzinën e Ballshit prodhoheshin 12 nënprodukte, nga Vajguri i avionëve, ai për popullatën, benzoli, benzina, gazoili për veturat dhe automjetet, gaz i lëngshëm, solar jeshil dhe i zi, koks nafte, vajra për makinat, transformatorët etj. Uzina e Ballshit prodhonte edhe squfur me cilësi 99.99% të pastër, që përdorej në industrinë kimike dhe sidomos të armatimeve.

Prof. Asoc. Jorgji Hanxhari: Zoti Kryeministër, kur nuk di hesht se turpëron veten dhe inteligjencën! Uzinat e Përpunimit të naftës në Fier, Kuçovë, Cërrik dhe Ballsh, përpunonin mbi 1 milion ton naftë. I them zotit Kryeministër, se në këto uzina prodhohej naftë motorrash Diesel, benzinë, squfur, vajra lubrifikante, mazut, bitum. Gabimi fatal i qeverisë suaj është shitja për skrap e Uzinës së Përpunimit në Ballsh. Nuk është aspak e vërtetë, që nga nafta shqiptare nuk mund të prodhohet naftë Diesel dhe benzinë. Juve (qeveritë e pas 1990) ia u falët apo ja u shitët vendburimet e naftës kompanive të huaja private abuzuese dhe privatëve shqiptarë, pa asnjë përvojë në këtë fushë.