Analizë/ Gëzim Zilja: Jemi i vetmi vend bregdetar pa porte, pa hekurudha, me gjysma rrugësh drejt një katastrofe të sigurt ekonomike

18
Sigal

 

Jemi i vetmi vend bregdetar në botë pa port mallrash, pa porte turistikë dhe pasagjerësh, pa hekurudha, që janë jetikë për zhvillimin ekonomik të një vendi bregdetar. Dhurojmë qindra ha tokë e akuarium Alabarëve, Maneve e Fushave, ngopemi me ëndrrat e KM-së ndërsa jemi pranë një katastrofe të sigurt ekonomike pasi edhe nëse bëhen të vërteta i bie të realizohen andej nga viti 2050. Zgjedhjet e reja parlamentare janë pas një viti dhe ka gjasa që hunda e zyrtarëve të Rilindjes ta kalojë atë të Pinokut.

 Më 09.04.2021 Kryeministri shqiptar në qytetin e Lezhës premtoi:

 “Gjatë mandatit të tretë do të bëhemi me 4 aeroporte dhe së bashku me portet e reja turistike që nga Saranda, Vlora, Durrësi dhe më pas ai i Shëngjinit do të kemi një hartë tjetër të Shqipërisë. Edhe në kategorinë e turizmit do të sjellim edhe atë të jahteve dhe resorteve elitare që do të nxisin punësimin dhe do të kenë paga më të larta. Kështu ne brenda kësaj dekade do të bëhemi kampionë të Ballkanit në këto drejtime.” Këto janë premtimet e kryeministrit shqiptar për Shqipërinë që do e bëjë kampione të Ballkanit, në turizëm, në porte e aeroporte. Po ëndrrat jo gjithmonë dalin. KM-ja si njeri i pushtuar nga deliri i madhështisë, mitoman dhe fare i paditur në problemet ekonomike, bashkë me stafin e servilave dhe të  hajdutëve që i bëjnë hossana,  kujton se mjafton dëshira dhe këto projekte realizohen. Por mjerisht e vërteta është e thjeshtë dhe fare ndryshe.

 E para: Zoti Osman Metalla, Dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale dhe profesor në Departamentin e Shkencave Inxhinierike dhe Detarisë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës shprehet: “Porti i Durrësit është projektuar që të përpunojë rreth 8 milionë tonë mallra, aktualisht jemi te 50% e shfrytëzimit të tij. A është normale që të investojmë qindra miliona euro për të ndërtuar një port të ri, kur e kemi një që nuk e shfrytëzojmë 100%?”

 E dyta: Porto Romano (fillimisht u tha do ta ndërtojë arabi Alabari) sipas specialistëve përkatës do të paktën pesëqind miljonë euro të ndërtohet që qeveria nuk i ka dhe duhet t’i nxjerrë nga taksapaguesit shqiptarë. Teknikisht është e pamundur (ose me një kosto shumë të lartë mirëmbajtja) arritja e thellësisë mbi 15 metra për të pritur anijet e gjeneratës së re. Në një shtet që drejtohet nga njerëz normal, fillimisht duhej ndërtuar (qoftë dhe pjesërisht) në fillim Porto Romano, pastaj të zhvendosej pjesë-pjesë ai i Durrësit sipas një plani të detajuar dhe pastaj të fillonin ndërtimet e arabëve. Por kjo nuk po ndodh dhe aty është një mish-mash që do ta shkatërrojë ekonominë shqiptare.   

 E treta Një port i përmasave të tilla (Përpunimi mallrash mbi 50 miljon tonë në vit sipas Ballukut) do të paktën dhjetë vjet të ndërtohet. Me gjithë strukturat detare dhe tokësore, si hekurudha që ta lidhin me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, korridori VIII Porto Romano, Shkup, Sofie, Varna, transporti i të gjitha shërbimeve nga porti i Durësit në atë të Porto Romanos, etj. do të duhen të paktën tridhjetë vjet.

 E katërta: Zaptimi i një pjese të Porto Romanos (det dhe tokë) pengon shumë zbatimin e projektit për portin e parashikuar të mallrave.

Ministri Peleshi me një arsyetim kalamani thotë: Kemi bërë dhe kallzim penal po nuk kemi përgjigje nga SPAK-u.” Ndërkaq ato 5.2 ha të grabitur nuk i ka parë as policia ushtarake e Peleshit, as INUKU-u, as IMT-ja, as satelitët gjashtë milionësh që bleu KM-ja nga miqtë e tij amerikan që lobojnë për të në zgjedhje, madje as dronët Bajraktarë të blerë nga Erdogani.

E pesta Për portet e mallrave dhe turistikë kemi këtë gjendje: Porti i Durrësit është drejt asfiksimit. Nga një monitorim i thjeshtë një javor duket që anijet e transportit (kryesisht kargo) shkojnë e shkarkohen në portin privat të Kastratit në Porto Romano!?  Nga dhjetë anije transporti vetëm tre te Autoriteti Portual i Durrësit. Porti i Vlorës, i Sarandës, i Shëngjinit dhe Himarës janë shpallur porte turistikë nga KM-ja por kjo nuk mjafton. Edhe një dyzinë kroçerash që ankorohen gjatë verës, rrinë disa orë sa mbushen me karburantë 50lekë/litri dhe largohen.

 Kryeministri më 09.04.2021 premtoi se Shqipëria do të bëhët me katër aeroporte, në zgjedhjet e vitit 2025. Sot kemi vetëm një të tillë atë të Rinasit. Sa i përket aeroportit të Vlorës qeveria premton se do të mbarojë më 2025. Në fakt ai u ndërtua mbi një ish aeroport ushtarak me pistë ekzistuese.  Nuk dimë sa do ta mbajë fjalën Bexhua (kështu i thonë Behgjet Pacollit vlonjatët) por dy aeroportet e tjerë janë.në mëndjen e KM-së.

Përfundimisht me këto politika ekonomike diletantësh të pandërgjegjshëm, sot nuk kemi asnjë port mallrash dhe asnjë port jahtesh. Jemi i vetmi vend bregdetar në botë pa port mallrash, pa porte turistikë dhe pasagjerësh, pa hekurudha, që janë jetikë për zhvillimin ekonomik të një vendi bregdetar. Dhurojmë qindra ha tokë e akuarium Alabarëve, Maneve e Fushave, ngopemi me ëndrrat e KM-së, ndërsa jemi pranë një katastrofe të sigurt ekonomike, sepse ëndrrat e KM-së edhe nëse bëhen të vërteta i bie të realizohen (nëse do realizohen) andej nga viti 2050. Zgjedhjet e reja parlamentare janë pas një viti dhe ka gjasa që hunda e kryeministrit dhe Ballukut ta kalojë atë të Pinokut. Po kujt po i kërcet thuaj!?