Robert Goro: Neonazizmi i “Agimit të Artë”, pasojë e tolerancës së politikës, medias dhe shoqërisë

Robert Goro,  një nga personalitetet e komunitetit shqiptar emigrant në Greqi, botues i gazetës shqiptare “Tribuna” në Athinë, në intervistën për “Telegraf” analizon shkaqet e fenomenit “ Agimi i Artë”.  Tani, më e rëndësishmja, pohon zoti Goro, është që të shikohet sa thellë ka hyrë ideologjia neonaziste te votuesit e “Agimit të Artë”, s’i shkulet kjo ideologji dhe si krijohet fryma e re ndaj asaj që është ndryshe.

 – Zoti Goro, cilat ishin shkaqet politike dhe rrethanat sociale që favorizuan fenomenin e “Agimit të Artë” në Greqi?

NOA

– Kjo pyetje kërkon një analizë tepër të gjatë dhe duhet t’ju them se një përgjigje të plotë nuk kanë dhënë ende, as analistët grekë. Një shpjegim që e dëgjon rëndomë në Greqi është se u favorizua nga situata e rëndë ekonomike dhe sociale që po përjetojnë votuesit grekë, si dhe nga zhgënjimi gati gjer në neveri që këta qytetarë kanë ndjerë nga politika greke dhe sidomos dy partitë kryesore që qeverisën vendin katër dekadat e fundit, pra PASOK dhe Demokracia e Re. Por unë personalisht nuk mendoj se, “fenomeni Agimi i Artë” siç e quani ju, është derivat i krizës ekonomike. Prezenca dhe konsolidimi i Agimit të Artë, për mendimin tim, lidhet me tolerancën që shteti, media, gjithë shoqëria greke treguan qysh në mesin e viteve 1990-të ndaj kësaj morfeme neonaziste; atëherë kur nisën edhe sulmet ndaj emigrantëve, sulme që u intensifikuan që nga viti 2007 dhe kulmuan këto dy vitet e fundit, pasi Agimi i Artë fitoi fillimisht 21, dhe më pas (në zgjedhjet e dyta parlamentare) 18 ndenjëse në parlament. Përderisa emigrantët, të ligjshëm apo të paligjshëm – pak rëndësi ka në këtë rast-, konsideroheshin – me përjashtime të rralla- si një trup i huaj për politikën dhe shoqërinë greke, këto sulme e linin krejtësisht indiferente gjithë shoqërinë. Në aktakuzën që po përgatitet për Agimin e Artë, përfshihen dhe të paktën tre raste keqtrajtimi emigrantësh (njeri prej të cilëve shqiptar), që kanë çuar në vdekjen e tyre. Por atëherë, kur ndodhën, nuk u mor njeri me to…

– Cila është përgjegjësia e politikës greke, përballë fenomenit të ringjalljes së neonazizmit në Greqi?

– Fola pak më lart për tolerancën e politikës, mediave, shoqërisë ndaj “Agimit të Artë”. Dhe mendoj se është në nderin e politikës dhe të medias greke që tash- me zhvillimet e fundit- e kanë pranuar publikisht pjesën e tyre të përgjegjësisë. Dikur, në mesin e viteve 1990-të kisha shkruar se, “demokracia greke, e cila sot me tolerancën e vet duket sikur madje i inkurajon sulmet ndaj emigrantëve, nesër do të përballet edhe vetë me këto sulme, dhe ndoshta nuk do posedojë instrumentet për t’u mbrojtur”. Mendoj se, ka një të vërtetë në rreshtat që citova, ndërkohë që për fat të mirë, qoftë dhe me vonesë, demokracia, shteti grek, tregoi se i ka instrumentet për vetëmbrojtje e rrjedhimisht edhe për mbrojtjen e gjithë qytetarëve pa përjashtim nëse këta janë grekë apo të huaj…

– A shtrohet pyetja për nxjerrjen jashtë ligjit të “Agimit të Artë”, apo akuza ka të bëjë me drejtues të saj, dhe jo më partinë në tërësi?

– Aktualisht, organi i akuzës e ka cilësuar organizatë kriminale Agimin e Artë dhe pritet që gjatë ditëve në vazhdim dosja të pasurohet me provat e kësaj akuze. Flitet se do të jenë prova rrëqethëse dhe të pakundërshtueshme. Nuk mendoj se, problemi më kardinal është nxjerrja apo jo jashtë ligjit e Agimit të Artë, pse fare mirë mund të ndërrojë emrin dhe drejtuesit e ideologjia të mbetet po ajo. Për Greqinë problemi më i madh është që, së pari të gjejë se sa thellë ka hyrë ideologjia e Agimit të Artë në ndërgjegjet e atyre që e votuan. (Pse ksenofobë dhe racistë nuk ka vetëm ndër votuesit ,apo anëtarët e “Agimit të Artë”, mund të gjesh syresh madje dhe tek votuesit e Majtë!). Si të shkulet kjo ideologji dhe më kryesorja, si të krijohet një frymë e re, jo posaçërisht ndaj emigrantëve, por në përgjithësi ndaj asaj që është e ndryshme (diverse), ndaj fqinjit e kështu me radhë. Të realizohet pra, ajo që edhe shumë politikanë, dhe akoma më shumë njerëz të thjeshtë në Greqi e kanë aspiruar, por deri më tani ka lënë për të dëshiruar dhe më keq akoma, i ofroi “vizë hyrëse” në parlament dhe në skenën e politikës legjitime Agimit të Artë.

– Mund të pohojmë që vetë politika greke ka bërë tërheqje, dhe ka stimuluar njëfarësoj edhe kërkesat politike të “Agimit të Artë”, sikurse është ndërtimi dhe zbatimi i një politike më të ashpër ndaj emigrantëve, por edhe në marrëdhëniet e tensionuara të Greqisë me Shqipërinë?

– Sa i përket politikës ndaj emigrantëve mendoj se ka patur momente të tilla. Por do të thoja se kanë qenë momente tërheqjeje dhe jo stimulimi. Një moment i tillë për shembull, ishte pezullimi nga ana e Kryeministrit Samaras i procedurave për ligjin anti-racist, në maj të këtij viti. Ndërsa për marrëdhëniet me Shqipërinë, nuk besoj se Agimi i Artë ka influencuar axhendën zyrtare të Athinës. Nga informacioni që kam dhe nga analiza ime, nuk më rezulton kjo gjë. Përndryshe, historia e marrëdhënieve greko-shqiptare këto 20 e ca vitet e fundit është e pasur me tensione, edhe pa ekzistencën e Agimit të Artë. Nga ana tjetër, sigurisht që Agimi i Artë është përpjekur të ushtrojë presion për politikën e jashtme në përgjithësi dhe për Shqipërinë në veçanti, kjo është e qartë, dhe besoj se edhe vetë publiku shqiptar është njohur me jo pak raste të tilla.

Mendoni se Greqia, do t’i ndërtojë, tashmë, marrëdhëniet e saj me Shqipërinë, mbi baza më të shëndosha të reciprocitetit, e çliruar nga ethet nacionaliste?

-Problemet dhe tensioni në marrëdhëniet midis të dy vendeve, nuk lindën me futjen në Parlament të “Agimit të Artë”. Marrëdhëniet kanë patur gjithmonë ulje-ngritjet e tyre nëpër vite, gjë mendoj normale për vende fqinje e sidomos në këtë Ballkanin tonë të vuajtur. Pas një periudhe “akullime” këto dy tre vitet e mëparshme, duket se ka tentativa për një vendosje të marrëdhënieve në një nivel pozitiv. Kam parasysh intervistën e Kryeministrit Rama disa ditë më parë në agjencinë greke të lajmeve, ANA-MPA, ku ndër të tjera, dhe pasi e cilëson Greqinë një vend mik dhe partner strategjik, veçon si të rëndësishëm faktin se, “sa përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, aq edhe përfaqësuesit e qeverisë greke, kemi shprehur gatishmërinë dhe vullnetin që të kapërcejmë çdo problem të momentit”. Sa se kjo gatishmëri është reale, besoj se, do ta shohim shumë shpejt, me vizitën që do të bëjë në Tiranë, nënkryetari i qeverisë greke dhe ministër i Jashtëm, Venizelos. Dhe, sidomos, me hapat që do të pasojnë këtë vizitë. Sepse, duke ndjekur gjatë më shumë se njëzetë vjetëve thuajse gjithë kontaktet e nivelit të lartë midis Athinës e Tiranës, i kam dëgjuar zyrtarët e të dy vendeve të deklarojnë bashkërisht gjithmonë se, “sot u hap një epokë e re për marrëdhëniet”. Mirëpo, vetë fakti se, përsëritet vazhdimisht kjo deklaratë, dëshmon -për mendimin tim-, se “epoka e re” ende nuk është arritur.

Mefshtësia e përfaqësuesve emigrantë shqiptarë ndaj racizmit të “Agimit të Artë”

Përse komuniteti emigrant shqiptar në Greqi, deri tani, ka patur reagime të mefshta, dhe nuk sensibilizonte opinionin grek, ndaj shfaqjeve raciste të “Agimit të Artë” në dëm të emigrantëve shqiptarë, por edhe kur neonazistët provokonin haptazi pavarësinë e Shqipërisë?

– Për këtë mendoj se është më mirë të pyesni përfaqësuesit e emigrantëve, drejtuesit e shoqatave. Megjithatë, edhe reagime ka patur. Të premten, më 27 shtator, pra 24 orë para arrestimeve, gazeta Tribuna publikoi një letër që shoqata e emigrantëve shqiptarë me kryetar z.Hidër Buci, i kishte dërguar autoriteteve dhe qeverisë greke, ku kërkohej nxjerrja jashtë ligjit e Agimit të Artë, por edhe mbahej qëndrim pikërisht ndaj asaj që ju e quani provokim për pavarësinë e Shqipërisë. Meqë e kam në duar gazetën, po ju citoj një paragraf: “Drejtësia greke duhet t’i thotë “Stop!”, revanshit të Agimit të Artë ndaj Shqipërisë e popullit shqiptar, pasi synime të tilla kanë perënduar me kohë e janë të parealizueshme, por nga ana tjetër ato dëmtojnë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore midis dy popujve e vendeve tona”.

– Mendoni se, politika greke, e çliruar nga presioni politik i “Agimit të Artë”, do të ndërtojë një politikë më të drejtë ndaj emigrantëve?

– Nuk besoj se ka qenë presioni politik i Agimit të Artë, pse ju e dini që politika ndaj emigrantëve ka qenë e mangët edhe kur kjo parti merrte 0,1% në vota. Megjithatë, në sensin e një reflektimi që duket se ka nisur politika dhe shoqëria, greke, le të shpresojmë se ky reflektim do të ketë impakt pozitiv edhe për emigrantët.