Rama: Reforma rrënjësore, shpirt skuadre, qytetari europiane në komunikim

81
Sigal

Përfundon mbledhja e qeverisë “Rama1”.  Në Vlorë, Rama: “I mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore”

“Shumë i mbresuar pozitivisht nga puna përgatitore, paraqitja e planeve të ministrave dhe diskutimi i ideve në grup.” Kështu shkruan Rama në faqen e tij e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” dhe “Twitter”, pas përfundimit të mbledhjes me anëtarët e kabinetit të tij në Vlorë. Pas 10 ditësh reflektimi që u ka lënë në dispozicion ministrave të tij, shefi i ri i maxhorancës Edi Rama  zhvilloi  dje në  orën 15:00  mbledhjen e parë me të gjithë kabinetin e tij, vetëm pak metra larg dallgëve të detit, në plazhin e vjetër të Vlorës ku ka nisur dhe aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje. E fiksuar në pasditen  e 21 gushtit, në një nga hotelet e qytetit bregdetar, mbledhja e Kryeministrit të ardhshëm dhe ministrave të PS-së dhe LSI-së do të zgjasë 2 ditë, por deri më tani dhe për vetë kabinetin, detajet e mbledhjes janë të pakta. Në qendër të mbledhjes do jetë programi i ri qeverisës PS-LSI, ku secili nga anëtarët e kabinetit do të njihet me shtyllat emergjente që do vihen në zbatim me marrjen në dorëzim të qeverisë. Edhe vetë shefi i së majtës, Edi Rama, e ka komentuar takimin dy ditor në rrjetin social “Facebook” dhe “Twitter”, ku shkruan: “Vlorë. Takim dy ditor i qeverisë së re. Reforma rrënjësore, shpirt skuadre, qytetari europiane në komunikim. Kurajo, integritet transparencë”. Temë e nxehtë e mbledhjes duket se do jenë edhe punësimet në administratë, pasi Edi Rama ka këmbëngulur se rekrutimi i punonjësve në administratë të kryhet vetëm përmes konkurseve të forta. Në mbledhjen e parë të Kryeministrit të ardhshëm me Ministrat e rinj, jashtë diskutimeve nuk do të ngelet as kodi etik i Ministrave, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe që siç ka premtuar kryesocialisti bazohet në modelet më të shkëlqyera të mirëqeverisjes demokratike.

Sot, Rama takohet me deputetët e Qarkut të Vlorës dhe Kryebashkiakët e gjithë Bregdetit

Sot, Kryeministri i ri, Edi Rama, në orën 12:00,  do të takohet me deputetët e Qarkut të Vlorës, si edhe me gjithë kryebashkiakët e kryekomunarët e vijës bregdetare të vendit. Me kryebashkiakët e kryekomunarës e vijës bregdetare kryeministri i ri, Edi Rama do të diskutojë problemet që kanë lidhje me ndërtimet pa leje, ku siç dihet, ka kohë që është ndërmarrë edhe nisma e prishjes të të gjitha objekteve që janë ndërtuar pa leje përgjatë gjithë vijës bregdetare. Sipas burimeve të  mirinformuara pranë PS-së, kryeministri i ri, Edi Rama do të diskutojë me kryebashkiakët edhe problemet e turizmit, si edhe perspektivën e zhvillimit të Bregdetit. Madje, në funksion të këtij projekti të madh, pranë zyrës së kryeministrit Rama do të ngrihet edhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ku siç bëjnë të ditur informacionet pranë PS-së, Edi Rama ka emëruar njeriun e tij të mirëbesuar, Auron Tare.