Deputeti i PR-së, Luan Duzha i bashkohet LSI-së

485
Sigal

Maxhoranca ka tashmë  84 vota dhe mund të bëjë çdo ligj që dëshiron

Deputeti i PR-së, i Qarkut të Elbasanit, Luan Duzha, i bashkohet LSI-së. Kjo tashmë konfirmohet edhe nga burime të mirinformuara, qoftë ngaLSI-ja, qoftë edhe nga grupi parlamentar i Partisë Republikane. Sipas burimeve të mirinformuara, pranë grupit parlamentar të LSI-së, deputeti i PR-së, i Qarkut të Elbasanit, Luan Duzha para dy ditësh është takuar edhe me Kryetarin e LSI-së, Ilir Meta dhe kanë kryer negociatat e fundit të marrëveshjet, duke përfunduar edhe të gjitha procedurat zyrtare, që deputeti i Qarkut të Elbasanit t’i bashkohet LSI-së. Kështu, grupi parlamentar i LSI-së, tashmë ka 18 deputetë, në Qarkun e Elbasanit ka 3 deputetë, pasi ditë më parë, edhe deputeti Spartak Braho, zyrtarisht kaloi në grupin parlamentar të LSI-së, duke u larguar nga grupi parlamentar i PS-së. Kjo ngjarje e fundit, bashkimi në LSI i deputetit Luan Duzha përbën një tjetër sukses politik të Ilir Metës, i cili, jo vetëm është forca e tretë politike, por konsolidohet, duke u zgjeruar edhe më shumë, duke u bërë përcaktuesja e peshores së kujtdo maxhorance qeverisëse. Sipas disa informimeve të tjera, që ende mbeten për t’u vërtetuar, edhe deputetë të tjerë nga PS-ja dhe PD-ja janë gati që të bashkohen me LSI-në. Në emërimet e fundit të qeverisë “Rama” u duk qartë që shumë drejtues janë nga LSI-ja, çka dëshmon për rolin përcaktues që luan tashmë LSI-ja në vendimmarrjen e politikëbërjes.