Rama prezanton Evis Kushin si kandidate për Elbasanin

427
Sigal

Partia Socialiste ka prezantuar Evis Kushin si kandidate për deputete në Qarkun e Elbasanit. Në fjalën e tij gjatë prezantimit, Kreu i PS-së Edi Rama tha se angazhimi i dekanes së Fakultetit Ekonomik të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Evis Kushi në PS është një shembull i shkëlqyer për botën akademike për t’u përfshirë në programin për një “Rilindje Shqiptare”. Rama, gjithashtu theksoi se, PS-ja ka programin më të qartë që e bën të qartë zgjedhjen e shqiptarëve më 23 Qershor. “Kemi pa asnjë dyshim programin më të detajuar qeverisës. Kemi programin e vetëm për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe për ta rilindur vendin tonë. Kemi programin që e bën më të qartë zgjedhjen e shqiptarëve, mes rrënimit të mëtejshëm apo për një rilindje shqiptare, mes Shqipërisë që sakatohet përditë dhe ku vijnë mbetje të shumta dhe një Shqipërie të pastër, ku pasuritë kombëtare mbrohen”, tha Rama. Ndërsa dekania Evis Kushi është shprehur se do të angazhohet që të japë kontributin e saj në fitoren e 23 Qershorit.  “Jam përpjekur të jap kontributin tim në Fakultetin Ekonomik. Sot jam shumë e lumtur që PS-ja më jep mundësinë që ky kontribut të jetë më shumë se sa kaq. Kontributi do të jetë për universitetin dhe qytetin tim, Elbasanin. I kam qëndruar larg politikës, për shkak të problematikave që ka shfaqur, apo paragjykimeve që opinioni publik ka për klasën politike në Shqipëri. Sot jam e bindur që nuk duhet të tërhiqem. Duhet që patjetër që me anë të politikës dhe sidomos me anë të alternativës së PS-së të japim një kontribut të madh, me besimin e patundur në fitoren e 23 Qershorit”,- u shpreh Evis Kushi.