Dhoma e mësuesve në “stres”: Si mund ta kthejë drejtori i ri motivimin në shkollë?

Semiramida Lulja drejtore e shkollës ” Mustafa Greblleshi”

​Sa herë hapet një vend vakant për drejtor shkolle, flitet për CV, kritere dhe emra. Por askush nuk po e ngre zërin për plagën më të madhe të arsimit tonë sot: gjendjen emocionale në dhomën e mësuesve.
​Sot, kjo dhomë nuk është më një vatër idesh, por një ambient ankthi. Mësuesit gjenden nën presionin e një burokracie mbytëse dhe kontrolleve rigide nga frika e ndëshkimit. Por një mësues i stresuar dhe i demotivuar nuk mund të bëjë kurrë mësimdhënie frymëzuese; ai thjesht ua përcjell këtë klimë ankthi nxënësve.
​Kushdo që do të ulet në karrigen e re, duhet ta kuptojë se ndryshimi nuk vjen nga lyerja e mureve, por nga ringritja e frymës. Prandaj, këto janë tre sugjerimet e mia konkrete për drejtorin e ardhshëm:
​Nga “Inspektor” në “Mbështetës”: Shkolla nuk ka nevojë për një polic që kontrollon pikat dhe presjet në ditar. Drejtori duhet të jetë mentor që hyn në dhomën e mësuesve për t’i pyetur: “Çfarë ju duhet për ta bërtë orën e mësimit më të mirë?”. Kthimi i besimit mbron dinjitetin e mësuesit.
​Meritokraci e vërtetë: Duhen ndërtuar mekanizma transparentë që vlerësojnë publikisht mësuesit inovativë dhe të përkushtuar. Vlerësimi moral përpara komunitetit është karburanti i motivimit.
​Kthimi i hapësirës sociale: Të eliminohen mbledhjet formale dhe të shtohen takimet javore informale, ku stafi ndan sfidat reale të menaxhimit të klasave dhe projekteve.
​Nëse drejtori i ri kupton se pasuria më e madhe e asaj godine janë mësuesit, ai ka fituar betejën më të rëndësishme për klimën e shkollës.

Sigal