Akademik Artan Fuga: Ku punojnë burrat e bashkisë?

314
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kam kontakte me qindra studentë përditë! Ngaqë janë nëpër shtëpia dhe mësimin e bëjnë online, i pyes: e çfarë bëhet andej nga ju? Dhe më rrëfejnë goca, çuna, sa të mençur janë!!! Si dritë!  Më thonë se në shumë bashki të mesme, por sidomos të vogla, gjendja sociale është një paradoks i vërtetë.  Ta zemë një bashki e vogël, ku janë a nuk janë nja 15 mijë banorë, se të tjerët kanë firasur, mund të ketë 200 ose 300 punonjës bashkie.  Ouuuu, u thashë, po aty të gjithë qenkan punonjës bashkie!!! Çfarë bëjnë 350 punonjës bashkie për 12 ose 13 mijë banorë???  Po, të tjerët?  E mo profesor, tha tjetra, nga një bashki e vogël në Jug, 16 mijë jemi, por nja 1.500 jetojnë me ndihmat sociale të bashkisë. Vijnë ditët e para të muajit në Bashki, ju jep kryetari ndihmat!  Si, një në katër a pesë familje jeton me ndihma?  Kështu del.  Po te ju, edhe te ju gjithë burrat që punojnë janë punonjës të shërbimeve të bashkisë?  Pooo, por ka edhe ca që kanë ndonjë kafe. Çfarë kafeje? Ja, pra ku pinë kafe këta punonjësit e shërbimeve të bashkisë!  Po këta punonjës e shërbimeve të bashkisë, janë burra apo gra? Jo, mo’ profesor, burra, ku ka gra!  Çfarë bëjnë gratë? Në shtëpi, o Prof., rrisin fëmijët, gatuajnë, shohin filma me turqini! Uaaaaa! Presin të kthehen nga bashkia, punonjësit e bashkisë.  Por për ju që merrni këto diploma masteri, ka punë?  Hahahaha! Ça’ thua o prof!!!. Ne ikëm, nuk kthehemi më, nuk ka punë!

Po të tjerët?

Në emigrim!

Po aeroporti? Erdhi një tajare ditën e votimeve, tani nuk ulen veçse miza, grenxa, dallëndyshe! Hahahahaha! Po ai stadiumi? Çfarë ju duhet kur nuk ka spektatorë? Apo për punonjësit e bashkisë!

Nuk e di, Prof!  Ore keni haberin nga sociologjia urbane, sociologjia politike, apo ja fusni qorrazi, të dali ku të dali.  Në zonat e bashkive të mesme dhe të vogla burrat janë ose punonjës shërbime bashkish, o kanë ikur në mal, diversantë, më falni në emigrim, ose marrin ndihmën sociale të bashkisë, ose kanë ndonjë kafe ku pinë kafe punonjësit e bashkisë!  Dhe pasi bashkitë i kanë ata që i kanë se të tjerët ikën, tani shko të kam rixha, dhe kandido për kryetar bashkie atje!